Gjon Keka: Gjergj Kastrioti, i vetmi që diti të bëjë, të mbajë shtet dhe ta bëjë atë me famë
Gjergj Kastrioti, i vetmi që diti të bëjë, të mbajë shtet dhe ta bëjë atë me famë

Vetëm
kryeheroi, strategu dhe burrështetasi i papërsëritshëm i Arbërisë, Gjergj Kastrioti
(Skënderbeu), ka arritur që me urtësi, trimëri e vizion të bëjë shtet, ta mbajë
shtetin dhe të ruajë aleanca të natyrshme strategjike, sikur ishin ato me
Huniadin, Alfonsin e Aragonit, me Papët e kohës etj.
Ai
nuk doli të kërkonte vota, as të premtonte asgjë, por erdhi si një shpëtimtar
për ta bërë atdheun e tij të lirë, të pavarur dhe me famë në mbarë kontinentin
europian të kohës dhe në botë, duke mbetur në analet e historisë si një
shembull i papërsëritshëm i trimërisë, burrështetit dhe i mbrojtësit të
civilizimit të përbashkët europian.
Dëshmia më e mirë se ai e kishte miratimin e popullit të tij ishte ajo kur ai nënvizoi fjalët: „Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj...“. Kjo ishte vota mbështetëse për të, sepse arbërorët e kohës së tij e kishin lirinë në zemrat dhe mendjet e tyre dhe e kishin ndarë mendjen që në krye të vendit ta zgjidhnin shpëtimtarin dhe arkitektin e Arbërisë europiane, atë që do ta ngrinte flamurin me shqiponjë në dritën e diellit të ri të fitoreve dhe lavdisë së veprave të pavdekshme për të mirën e Arbërisë dhe Europës.








