Fejzulla Berisha: Nga diplomacia reaguese drejt veprimit strategjik
Nga diplomacia reaguese drejt veprimit strategjik: koordinim me Shqipërinë dhe mbrojtje e argumentuar e interesave të Kosovës në OKB, NATO, BE dhe në marrëdhëniet me SHBA-në

Vendimi
i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit
dhe Jakup Krasniqit ka hapur një fazë të re, e cila kërkon nga institucionet e
Kosovës jo vetëm qetësi, maturi dhe respektim të procesit juridik, por edhe një
qasje më të strukturuar në fushën e diplomacisë dhe të komunikimit
ndërkombëtar.
Ky
zhvillim nuk duhet të trajtohet vetëm përmes reagimeve politike të ditës.
Përtej dimensionit të tij juridik, ai ka prodhuar një situatë të re në
hapësirën e komunikimit ndërkombëtar, në të cilën Kosova duhet të jetë e
pranishme me argumentet e veta, me dokumentacionin e saj dhe me një politikë të
jashtme të qartë, të qëndrueshme dhe të koordinuar.
Pikërisht
në këtë moment, në Nju-Jork po përgatitet hapja e Debatit të Përgjithshëm të
sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili
zhvillohet nga 22 deri më 26 shtator dhe më 28 shtator 2026.
Ky
nuk është një moment i zakonshëm por është një prej momenteve më të rëndësishme
të vitit për diplomacinë multilaterale.
Prandaj,
pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: a do të jetë Kosova vetëm vëzhguese
e zhvillimeve që ndodhin në këtë hapësirë diplomatike, apo do të jetë aktive në
përdorimin e çdo mundësie që ofron diplomacia ndërkombëtare për të paraqitur
interesat dhe argumentet e saj?
Përgjigjja
duhet të jetë e qartë: Kosova ka nevojë për diplomaci aktive.Jo diplomaci të
zhurmshme, jo diplomaci konfrontuese, jo diplomaci të bazuar në reagime
emocionale, por diplomaci të qetë, profesionale, të argumentuar dhe të
vazhdueshme.
Pas Hagës, shteti duhet
të flasë me gjuhën e diplomacisë
Proceset
gjyqësore duhet të respektohen në kuadrin e tyre juridik. Vendimet e gjykatave
nuk mund të zëvendësohen nga deklaratat politike dhe historia nuk mund të
gjykohet përmes emocioneve të ditës.
Por,
njëkohësisht, një proces gjyqësor nuk mund të përkufizojë i vetëm të gjithë
historinë e një vendi, të një konflikti dhe të një procesi të gjatë
shtetformues.
Këtu
duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe
historisë së Kosovës. Kosova duhet ta respektojë drejtësinë, por duhet të
vazhdojë ta shpjegojë historinë e saj.
Duhet
të respektojë institucionet ndërkombëtare, por nuk duhet të heqë dorë nga
paraqitja e argumenteve të veta.
Duhet
të ruajë marrëdhëniet me aleatët, por duhet të jetë e aftë të komunikojë në
mënyrë profesionale edhe kur përballet me interpretime të ndryshme të historisë
së saj.
Kjo
është pikërisht ajo që kërkon një shtet serioz: respektimin e institucioneve
juridike dhe, njëkohësisht, mbrojtjen e argumentuar të interesave të veta
politike, historike dhe shtetërore.
Prandaj,
pas Hagës nuk duhet të kemi një valë tjetër deklaratash që shuhen pas disa
ditësh; duhet të kemi një strategji.
Nju-Jorku: një moment që
nuk duhet humbur
Asambleja
e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është një prej platformave më të
rëndësishme të diplomacisë multilaterale. Në Debatin e Përgjithshëm, krerët e
shteteve dhe përfaqësuesit e nivelit të lartë paraqesin qëndrimet dhe
prioritetet e vendeve të tyre.
Kosova
nuk ka statusin e shtetit anëtar të OKB-së dhe, për këtë arsye, nuk merr pjesë
në Asamble në të njëjtën mënyrë si 193 shtetet anëtare, të cilat kanë nga një
votë.
Por
kjo nuk duhet të interpretohet si arsye për pasivitet; përkundrazi.
Aty
ku mungon ulësja institucionale, duhet të forcohet prania diplomatike; aty ku
nuk mund të votohet, duhet të dëgjohet argumenti. Aty ku nuk ekziston
përfaqësimi i drejtpërdrejtë në sallën e Asamblesë, duhet të ekzistojë
diplomacia aktive në takimet dypalëshe, në kontaktet me delegacionet, në
komunikimin publik dhe në marrëdhëniet me qendrat ndërkombëtare të
vendimmarrjes.
Kjo
është diplomacia që i duhet Kosovës.Në Nju-Jork duhet të ketë një agjendë të
qartë.Cilat janë shtetet me të cilat duhet të zhvillohen takime?Cilat janë
çështjet që duhet të shpjegohen?Cilat janë argumentet juridike?Cilat janë
prioritetet e politikës së jashtme?Cilat janë objektivat për njohje të reja?Cilat
janë objektivat në organizatat ndërkombëtare?Cilat janë mesazhet që duhet t'u
përcillen partnerëve?
Këto
nuk mund të lihen në spontanitetin e diplomacisë së momentit,duhet të jenë
pjesë e një strategjie.
Kosova nuk duhet të jetë
vetëm reaguese
Një
prej problemeve më të mëdha të diplomacisë së një shteti të vogël është rreziku
që të bëhet kryesisht reaktive.Reagimi është i nevojshëm, por nuk është i
mjaftueshëm.
Diplomacia
moderne nuk nënkupton vetëm përgjigjen ndaj një deklarate të një shteti tjetër.Ajo
nënkupton ndërtimin paraprak të marrëdhënieve.Nënkupton krijimin e
mirëkuptimit,komunikimin e vazhdueshëm,prezantimin e dokumenteve dhe
argumenteve përpara se të krijohet një krizë.
Nëse
një shtet flet vetëm pasi të tjerët kanë folur për të, ai gjithmonë gjendet në
pozitën e reagimit.
Nëse
një shtet ndërton marrëdhëniet dhe komunikimin përpara krizës, ai krijon
hapësirë për të ndikuar në mënyrën se si kuptohen çështjet.
Prandaj,
Kosova duhet të kalojë nga diplomacia e reagimit në diplomacinë e iniciativës.Diplomacia
aktive është pikërisht aftësia për të mbrojtur interesin kombëtar dhe shtetëror
pa e dëmtuar marrëdhënien me partnerët.
Asimetria
diplomatike kërkon përgjigje strategjike.Në marrëdhëniet ndërkombëtare,
kapaciteti diplomatik nuk matet vetëm me numrin e deklaratave.
Ai
matet me praninë, vazhdimësinë, rrjetin e marrëdhënieve, aftësinë për të
prodhuar argumente dhe kapacitetin për t'i komunikuar ato në kohën dhe vendin e
duhur.Në këtë kuptim, Kosova përballet me një sfidë të veçantë.
Serbia
ka një diplomaci të konsoliduar shtetërore, përfaqësim të gjerë ndërkombëtar
dhe mundësi institucionale që Kosova, për shkak të statusit të saj në sistemin
e OKB-së, nuk i ka në të njëjtën masë.Kjo krijon një asimetri që nuk mund të
zgjidhet me reagime sporadike.
Kosova
duhet të jetë e pranishme aty ku diskutohet për të, të paraqesë dokumentet e
saj, të shpjegojë kontekstin historik, të përdorë argumentin juridik, të
zhvillojë diplomacinë publike, të investojë në marrëdhënie afatgjata me shtetet
dhe institucionet ndërkombëtare.
Në
këtë drejtim, synimi nuk duhet të jetë përballja me diplomacinë e Serbisë në
çdo hap. Synimi duhet të jetë forcimi i diplomacisë së Kosovës.
Shqipëria dhe Kosova: dy
shtete, një hapësirë interesi të përbashkët

Të
dyja janë shtete sovrane dhe duhet të ruajnë individualitetin e tyre
institucional dhe diplomatik, por sovraniteti i veçantë nuk e përjashton
koordinimin. Përkundrazi, aty ku interesat përputhen, koordinimi mund të jetë
burim i rëndësishëm i fuqisë diplomatike.
Kjo
qasje tashmë ka një bazë politike dhe institucionale. Në prill 2026, Ministritë
e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës theksuan nevojën për koordinim të ngushtë
në çështjet me interes të përbashkët.
Po
ashtu, Tirana ka rikonfirmuar se mbështetja për subjektivitetin ndërkombëtar
dhe integrimin euroatlantik të Kosovës mbetet prioritet i politikës së saj të
jashtme.
Prandaj,
ky bashkëpunim duhet të shkojë një hap më tej. Jo drejt një politike të vetme
të jashtme, por drejt një mekanizmi të qëndrueshëm të koordinimit strategjik.
Prishtina
duhet të përcaktojë interesat e saj; Tirana duhet t'i mbështesë ato aty ku
qëndrimet përputhen dhe ku kapacitetet e saj diplomatike mund të jenë të dobishme.
Në
OKB, Shqipëria ka mundësi institucionale që Kosova nuk i ka. Kjo duhet të
shihet jo si zëvendësim i diplomacisë së Kosovës, por si mundësi për koordinim.
Kosova
duhet ta prodhojë argumentin; Shqipëria mund ta mbështesë; partnerët
ndërkombëtarë mund ta përkrahin. Në anën tjetër, zëri i Kosovës duhet të jetë i
qartë dhe i drejtpërdrejtë.
Diplomacia me SHBA-në:
marrëdhënie që kërkojnë vazhdimësi
Në
çdo strategji të politikës së jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e
Bashkuara duhet të mbeten një prej shtyllave kryesore.
Por
marrëdhëniet strategjike nuk mirëmbahen vetëm me deklarata miqësie,ato kërkojnë
komunikim të përhershëm institucional.
Kosova
duhet të ketë një diplomaci të vazhdueshme në Uashington, me administratën, me
Kongresin, me institucionet akademike, me qendrat e mendimit, me komunitetin
diplomatik dhe me opinionin publik.Kjo diplomaci nuk duhet të aktivizohet vetëm
në kohë krizash.Ajo duhet të funksionojë gjatë gjithë vitit.
Kosova
duhet të jetë në gjendje t'u shpjegojë partnerëve amerikanë jo vetëm atë që
kërkon, por edhe pse e kërkon, mbi cilat argumente juridike mbështetet dhe
cilat janë pasojat e një politike të caktuar për stabilitetin rajonal.Me këtë
mund të dëshmohet pjekuria në diplomaci.
E
njëjta qasje duhet të zbatohet edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kosova
nuk mund të shkojë në Bruksel vetëm kur paraqitet një problem.Duhet të jetë e
pranishme në mënyrë të vazhdueshme, të komunikojë me qeveritë evropiane, me
parlamentet, me institucionet e BE-së, me diplomacitë kombëtare, me akademinë,
mediat dhe qendrat e mendimit.
Shqipëria,
si anëtare e NATO-s dhe si shtet me marrëdhënie të konsoliduara me partnerët
euroatlantikë, mund të luajë rol mbështetës në këtë proces, pa e zëvendësuar
diplomacinë e Kosovës.
Objektivi
duhet të jetë i qartë: forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimi
i saj drejt integrimit euroatlantik.
Diplomacia
juridike: argumenti si instrument shtetëror.Kosova ka nevojë edhe për një
diplomaci më të fuqishme juridike.
Në
një sistem ndërkombëtar ku statusi, sovraniteti, njohja, traktatet, të drejtat
e njeriut dhe përgjegjësitë ndërkombëtare lidhen ngushtë me të drejtën,
diplomacia nuk mund të ndahet nga ekspertiza juridike.Prandaj, Kosovës i duhet
një grup i qëndrueshëm ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve
ndërkombëtare, historisë dhe komunikimit strategjik.
Një mekanizëm i
përbashkët Prishtinë–Tiranë
Për
ta bërë këtë qasje funksionale, do të ishte e dobishme që Kosova dhe Shqipëria
të krijonin një mekanizëm të rregullt konsultimi strategjik për çështjet
ndërkombëtare ku interesat e tyre përputhen.Një mekanizëm i tillë nuk duhet të
jetë ceremonial.Ai duhet të prodhojë rezultate, të analizojë zhvillimet
ndërkombëtare, të identifikojë rreziqet, të përcaktojë mundësitë, të përgatisë
dokumente, të koordinojë mesazhe dhe të propozojë veprime diplomatike.Në të
mund të marrin pjesë diplomatë, juristë ndërkombëtarë, studiues të historisë,
ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesionistë të komunikimit
strategjik.
Qëllimi
nuk duhet të jetë krijimi i një "fronti politik". Qëllimi duhet të
jetë krijimi i një kapaciteti diplomatik të koordinuar.
Çështjet
themelore të politikës së jashtme duhet të kenë një vazhdimësi sa më të madhe
shtetërore.
Marrëdhëniet
me SHBA-në,orientimi euroatlantik,marrëdhëniet me NATO-n,procesi i integrimit
evropian,forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar,marrëdhëniet me Shqipërinë dhe
siguria e Kosovës.
Këto
nuk duhet të jenë tema të një mandati qeverisës. Këto janë interesa afatgjata
të shtetit.Për këtë arsye, Kosovës i duhet një konsensus i gjerë institucional
për politikën e jashtme.
Qeveritë
ndryshojnë, institucionet ndryshojnë, por interesat strategjike të shtetit
duhet të kenë vazhdimësi.
Nga
spektatori te aktori i diplomacisë.Në diplomaci, mungesa e veprimit nuk është
domosdoshmërisht neutralitet.Shpesh, ajo krijon hapësirë që të tjerët ta
përcaktojnë agjendën.
Nëse
Kosova nuk e paraqet argumentin e saj, dikush tjetër do ta paraqesë argumentin
e vet.
Nëse
nuk e dokumenton historinë, dokumentet e palëve të tjera mund të bëhen
pikënisje e debatit.
Nëse
nuk ndërton marrëdhënie, të tjerët do të ndërtojnë marrëdhënie në funksion të
interesave të tyre.
Prandaj,
Kosova duhet të kalojë nga pozita e subjektit që reagon në pozitën e shtetit që
propozon, argumenton dhe ndërton partneritete.Kjo nuk kërkon retorikë të ashpër
kërkon profesionalizëm,nuk kërkon përplasje por
kërkon qëndrueshmëri.
Nuk
kërkon diplomaci emocionale,kërkon diplomaci shtetërore.
Është
koha për një strategji të re,Haga është një moment,Nju-Jorku është një
mundësi.Por diplomacia duhet të jetë proces i vazhdueshëm.
Kosova
nuk mund ta ndryshojë të kaluarën,por mund të ndikojë në mënyrën se si e shpjegon
atë.
Nuk
mund t'i kontrollojë vendimet e institucioneve ndërkombëtare,por mund të
kontrollojë cilësinë e argumenteve që u paraqet atyre.
Nuk
mund t'i detyrojë shtetet e tjera të mendojnë njësoj,por mund të ndërtojë
marrëdhënie dhe t'u paraqesë argumentet e veta.
Nuk
mund të kërkojë që Shqipëria të flasë në vend të saj,por mund të ndërtojë me
Shqipërinë një koordinim më të fuqishëm diplomatik.
Dhe
pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e re.Kosova duhet të jetë më e pranishme në
Uashington,në Bruksel,në Londër, Berlin, Paris dhe Romë por më e pranishme në
Nju-Jork.
Më
e pranishme në universitete dhe qendra ndërkombëtare të mendimit.
Më
e pranishme në diplomacinë publike.
Më
e pranishme në debatin juridik ndërkombëtar.
Jo
për t'u përplasur me botën,por për të komunikuar me botën.
Nnga Haga te diplomacia
aktive
Pas
16 shtatorit, Kosova nuk ka nevojë për izolim diplomatik, por për më shumë
komunikim.
Nuk
ka nevojë për retorikë konfrontuese, por për argument.
Nuk
ka nevojë për reagime të shpërndara, por për strategji.
Nuk
ka nevojë për diplomaci të rastit, por për prani të vazhdueshme.
Dhe
nuk ka nevojë që Shqipëria të flasë në vend të saj, por që të dyja shtetet të
përdorin, në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me sovranitetin e tyre,
kapacitetet që kanë në dispozicion.
Asambleja
e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që po zhvillohet këto ditë në Nju-Jork e
bën këtë nevojë edhe më të dukshme. Debati i Përgjithshëm i sesionit të 81-të
zhvillohet pikërisht në këtë javë dhe mbledh përfaqësuesit më të lartë të
shteteve të botës.
Kosova
nuk duhet ta shohë këtë hapësirë vetëm nga jashtë,duhet ta përdorë çdo mundësi
të ligjshme dhe diplomatike që ka në dispozicion për të komunikuar interesat e
veta.Sepse diplomacia nuk është vetëm prani në sallë.
Është
prani në mendjen e vendimmarrësit,argument në tryezën diplomatike,marrëdhënie e
ndërtuar para krizës,dokument i përgatitur para debatit,komunikim i vazhdueshëm
me partnerët.Dhe është aftësia e një shteti për të mos lejuar që të tjerët të
flasin për të pa e dëgjuar zërin e tij.
Prandaj,
pas Hagës dhe në prag të një jave të rëndësishme diplomatike në Nju-Jork,
mesazhi duhet të jetë i qartë:
Kosova
duhet të kalojë nga diplomacia reaktive në diplomaci aktive.
Shqipëria
duhet ta mbështesë aty ku interesat përputhen.
Dhe
të dyja, si dy shtete sovrane, duhet të ndërtojnë një koordinim strategjik që i
shërben paqes, stabilitetit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit
ndërkombëtar të Kosovës.
Sepse
në marrëdhëniet ndërkombëtare, heshtja nuk është gjithmonë maturi.
Ndonjëherë,
maturia është të flasësh në kohën e duhur, me argumentin e duhur dhe në vendin
e duhur.


