Edison Ypi: Në Kaludh te Mbreti Agron

Në Kaludh te Mbreti Agron

Në
një katund të Përmetit, në Kaludh, një sensitiv dhe vizionar nga ata që vijnë
vetëm 1 herë në Historinë e planetit, ka bërë diçka absolutisht të
jashtëzakonshme, të paimagjinueshme, të pabesueshme, diçka që kapërcen çdo
imagjinatë, çdo përfytyrim, çdo aftësi perceptuese vizive, auditive, ndjesore,
diçka që ka lidhje me përjetësinë, pafundësinë, infinitin.
Agron,
kështu si mbreti ilir quhet shenjtori që në Kaludh ka mbledhur krejt muzikën e
botës, qyshkur bota ekziston.
Më
tepër muzikë se krejt muzika e Bach, Mozart, Beethoven, Luciano Pavarotti dhe
të gjithë të tjerët me gurrmaz si gjyryk dhe mushkëri si kaceku i kovaçit, më
tepër se krejt muzika e performuar në Royal Albert Hall, Sydney Opera House,
Teatro alla Scala, Wembley Arena, Red Square, dhe ku janë e ku s'janë krejt
muzikantët, këngëtarët dhe vendet e botës ku luhet muzikë, ka mbledhur Mbreti
Agron në Kaludh.
Si
ia ka dalë në krye Mbreti Agron kësaj ndërmarrje titanike? Këtë duhet të shkosh
ta shohësh e ta dëgjosh në vend, ku Mbreti Agron punon e jeton, në Luginën e
Vosës, në Kaludh.
I
përhumbur nëpër hamendësime me mbretin Agron, muzikën dhe pentagramin, në dalje
të Fierit, luftën gravitacionale mes Tepelenës dhe Vlorës ndaj meje, e fitoi
Vlora. Humba pa dashje, që është më e larta e humbjeve. Erdha në vete në
Novoselë. Deshe të humbësh, humbe. Tani kthehu.
Peizazhi
rural shqiptar ka ndryshuar rrënjësisht. S'ka shqiptarë zhelanë e të lodhur që
zhgarraviten ngadalë anës udhëve. Asfalti i zi dhe bordet e blerta deri në
horizont, tashmë janë më të bukura, më të pastra, më të sistemuara se në Greqi
e Itali. Fshatarët dhe fshatarkat janë më të veshur e të mbathur, më të pastër,
më të larë e më të krehur se qytetarët.
Në
grillin e madh në Poçem, shpresova, por nuk pata fatin, të shoh si beharin e
shkuar, turistë gjermanë meshkuj dhe femra që pasi kanë zbritur nga autobusi të
vihen në rresht për të urinuar te një banjë jashtë lokalit.
Nga
Poçemi në Qesarat, Vjosa zhduket. Ikën, flirton prapa maleve me dy divat e asaj
ane, Çorrushin dhe Sevasterin.
Drejt
Tepelenës, Vjosa më të djathtë bën gjysmërrathë. Largësinë në vijë të drejtë
nga Qesarati në Memaliaj ta shumëzosh me Pi Grek, del gjatësia e Vjosës bashkë
me dredhat në atë segment.
Mallakastra
më të majtë, duket si femër lakuriq shtrirë, këmbët në Patos, koka në Çorrush.
Por ta ka kthyer kurrizin. Anës e anës s'të begenis. Të lut t'i hysh brenda, ta
depërtosh, ta eksplorosh.
Pashai
i gurtë me nargjile në Tepelenë ishte mirë me shëndet, të bën të fala.
Me
të kaluar Urën e Dragotit më fanepset Rushan Beu mbi kalë. Gjyshit tim mondan
dhe qejfli para pak ditëve i ka ndodhur një fatkeqësi. Gjatë një ceremonie
fejese mes fisnikësh, Ajo nga Toptanët, Ai nga Malëshova, dy zonja, njëra
cakranjote, tjetra zavalanase, me të cilat Don Zhuanin Rushan Beu i Pacomitit e
lidhnin sa hiret e tyre dhe krushqitë e bëra përgjatë epokave, kishin qeshur
nën buzë, kishin bërë çuçuçu vesh më vesh me kostumin e ri të Beut sipas modës
më të fundit të Parisit, paksa të ngushtë në ijet. Defektin e vogël pothuaj të
padukshëm po ikte ta ndreqte Beu perfeksionist te rrobaqepësi në Gjirokastër.
Ja
dhe Kaludhi, rrëzë Nëmërçkës. Qershori te pragu, Nëmërçka me dëborë dhe dhí të
egra në majë.
Mbreti
Agron ka vajtur te kosheret e bletëve në Çarshovë. Mbretërit nuk presin. Presin
hyzmeqarët si unë. E pres me kënaqësi Mbretin Agron duke kqyrur panoramat e
fundbotshme rretheqark, katundin, shtëpitë e ndrequra, urën e re mbi Vjosë,
përpjekjet për t'u bërë hallkë e zinxhirit të Turizmit.
Duke
pirë dhallë e duke u llafosur, Mbreti i tingujve dhe melodive, rrëfen:
Nuk
jam shtëpi diskografike. Nuk kam NAS (Network-Attached Storage). Nuk kam sallë
koncerti, as shesh të famshëm. Gjithë ç'jam e ç'kam janë 200 këmborë në
bodrum...
Vjosa
ndal rrjedhën, vë veshin për të dëgjuar rrëfimin.
Mbreti
Agron vazhdon: Të vjetra, të reja, artizanale, industriale, për dele, dhí,
cjepër, kuaj, mushka, nga Shqipëria, Turqia, Greqia etj. 200 këmborët që kam
mbledhur dhe i dëgjoj hera-herës kur jam i mërzitur, janë një det me muzikë,
një oqean me tinguj, një qiell me drithma. Për t'u bërë mishi kokërr nga muzika
e këmborëve nuk mjafton, bronzi, bakri, hekuri, kovaçi, punishtja, fonderia, as
delja, dhia, cjapi, kali, mushka. Duhen veshë, duhet tru në kokë, duhet zemër
në krahator, duhet shpirt në gjoks. Me këmborë varur në qafë me rrip që e bëj
vetë, delja, dhia, cjapi, kali, mushka, ndihen më të gjallë, më energjikë.
Delet dhe dhitë refuzojnë të udhëhiqen nga dashi dhe cjapi me këmborën e
gabuar. Dashi dhe cjapi i luten çobanit me lot në sy t'u varë këmborën e duhur.
Kishte
të drejtë Mbreti Agron. Jo çdo kafshë meriton këmborë. Derrit, dhelprës,
shqarthit, kunadhes, është gjynah nga Zoti t'u varësh këmborë.
Pak
statistikë sensitiviste:
1
këmborë e vetme ankimtare lotndjellëse në largësi, dele delikate humbur mes
pyllit, është poezi, është melankoli që mjafton e tepron për të të çmendur.
2
këmborë janë dialog rrëqethës. 3 këmborë janë melodi.
4
këmborë janë kuartet. 10 këmborë janë polifoni.
50
këmborë janë det me tinguj.
200
violina bëjnë një orkestër, 200 anije bëjnë një flotë,
200
budallenj bëjnë një parti, 200 plumba bëjnë një masakër, 200 dele bëjnë një
kope, po 200 këmborë, çfarë bëjnë vallë 200 këmborë? Asnjë vdekëtar i rëndomtë
nuk e di çfarë bëjnë 200 këmborë. Ik pyete Mbretin ilir Agron. Vetëm Ai e di,
vetëm Ai ta thotë kataklizmën shpirtërore dhe cerebrale që ta shkaktojnë 200
këmborë.
Duke
u kthyer nga Kaludhi dhe 200 këmborët e bodrumit të Mbretit Agron që bëjnë
muzikë më tepër se 100 milionë muzikat e Spotify, ndala te një baxho. Baxhoxhiu
i çuditur që për herë të parë në jetë pa live një shqiptar të zverdhur si
kinez, më pyet: Ku ishe zotrote që dukesh kaq i mahnitur? Ishe te ndonjë vend i
shenjtë? Në Alipostivan? Te Tyrbja e Hasan Dedesë? Te Kisha e Shën Kristoforit?
Te Manastiri i Shën Joan Pagëzorit? Te Kisha e Shën Mërisë? Jo, i them
baxhoxhiut. Nuk isha te asnjë kishë, asnjë xhami, asnjë tyrbe, asnjë faltore.
Isha në Kaludh. Te një tempull brenda të cilit ndodhen të gjitha kishat, xhamitë,
faltoret, pagodat, tempujt e botës, ku mbreti ilir Agron ka mbledhur krejt
tingujt e botës që nga big-bangu i fundit...
Baxhoxhiu
dëgjon i nemitur.
Një
klient që kish ardhur për të blerë djathë, hidhet e thotë: Këmborët janë të
mira për t'ua varur në qafë njerëzve të zbuten.
Këmborët
i ka bërë Zoti për t'ua varur shqiptarëve të zbuten, mos mbeten shtazë - thotë
me zë të shtruar një pipiruq me kasketë që ka dëgjuar pak nga fundi i rrëfimit.
Dy
mesoburra dhe një grua, nga pamja turistë euroveriorë, po çmenden nga
kurioziteti pë çfarë po llafosen me aq zjarr ca shqiptarë rrethuar nga
djathërat, qumështi, gjizat, dhallat, hirrat, mjalti, likotë, reçelat.
Nuk
di ç'bëri Rushan Beu me kostumin allafrënga pakëz të ngushtë te ijet që
shkaktoi romuzet e zonjave.
Në
Qesarat, Vjosa nga e majta largohet nga rruga. Fshihet prapa maleve, ku, duke u
përdredhur mes pellgjeve si zuskat, ia bën me sy Çorrushit dhe Sevasterit.
Nga
e djathta përsëri Mallakastra nudo që ma ka kthyer kurrizin dhe dridhet e tëra
kur i kaloj me Jeep mespërmes kurrizit mbi vertebrat. Më fal, Mallakastër. Kij
mëshirë. Po erret. Brenda teje herën tjetër.
Në
të dalë të Fierit, afër fshatit endogamik Kallm me pasojat përkatëse për shkak
të izolimit shekullor, dy puntorë po mbledhin me lopatë mbi rrugë, aq qetësisht
sikur po mbledhin me lugë mbi pjatë kokrrat e fundit të fasuleve, mbeturinat e
një karamboli që ka ndodhur para pak minutash. Viktimat janë dërguar në spital.
Dy barela rezervë rrinë mbështetur vertikalisht mbi murin e betonit anës rrugës
si dy arkivolë. Mbi asfaltin e zi, gjak i kuq.






