Albert Zholi: Shqipëria nuk ndërtohet me arkivolë, por me ide

59m më parë

Shqipëria nuk ndërtohet me arkivolë, por me ide

Nga Albert Zholi

Dy orë protestë në Tiranë, me pjesëmarrje qytetarësh që shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes. Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe një instrument i domosdoshëm i demokracisë. Ajo i jep zë qytetarit, i kërkon llogari pushtetit dhe ushqen pluralizmin. Por, po aq e rëndësishme është mënyra se si protestohet dhe mesazhi që përcillet.

Kur në vend të alternativave dëgjohen thirrje si "Poshtë diktatura, poshtë komunistët!", lind pyetja: kujt i drejtohen këto slogane në Shqipërinë e vitit 2026? Sot nuk kemi një parti komuniste në pushtet. Problemet e vendit janë të tjera: korrupsioni, largimi i të rinjve, varfëria, pabarazia, kriza demografike, drejtësia, ekonomia dhe mungesa e besimit te politika. Pikërisht për këto qytetarët presin përgjigje dhe alternativa.

Më shqetësuese u bë protesta kur u shfaqën arkivolë dhe u përdor një gjuhë e mbushur me simbolikë vdekjeje. Në demokraci, kundërshtari politik nuk luftohet me gjuhë urrejtjeje, por me argument, me program dhe me vizion. Arkivolët nuk sjellin shpresë. Ata nuk bindin qytetarët dhe nuk ndërtojnë besim. Përkundrazi, krijojnë klimë përçarjeje dhe tensioni.Historia jonë duhet parë me përgjegjësi. Është e vërtetë se regjimi komunist kishte dritëhijet e tij dhe historia i ka dhënë gjykimin për shumë nga gabimet dhe krimet e tij. Por është po aq e vërtetë se shumica e njerëzve që quheshin komunistë ishin qytetarë të zakonshëm: punëtorë, mësues, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, bujq, njerëz të ndershëm që jetuan sipas sistemit të kohës. Shumë prej tyre kishin dalë partizanë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare me idealin e çlirimit të vendit nga pushtuesit. Idealet e tyre nuk mund të barazohen automatikisht me deformimet që mori më pas sistemi.

Nuk mund të ndërtojmë një shoqëri demokratike duke fyer apo demonizuar breza të tërë shqiptarësh. Demokracia nuk ushqehet me hakmarrje historike, por me pajtim, respekt dhe aftësinë për të mësuar nga e kaluara.Nëse dikush synon të qeverisë nesër, nuk mjafton të thërrasë "Poshtë!". Qytetarët duan të dinë çfarë do të ngrihet në vend të asaj që kërkohet të rrëzohet. Cili është programi ekonomik? Si do të ndalet emigracioni? Si do të rriten pagat dhe pensionet? Si do të luftohet korrupsioni? Si do të forcohet arsimi dhe shëndetësia? Këto janë pyetjet që presin përgjigje.

Shqipëria e re nuk ndërtohet me sloganet e së shkuarës. Ajo ndërtohet me ide të reja, me njerëz të përgatitur, me debat qytetar, me vizion dhe me përgjegjësi politike. Thirrjet histerike mund të krijojnë zhurmë për një ditë, por nuk ndërtojnë të ardhmen e një kombi.Dhe në fund mbetet një pyetje që meriton reflektim: a nuk kanë pasur edhe vetë shumë nga protestuesit prindër, gjyshër apo të afërm që kanë qenë komunistë të thjeshtë, njerëz punëtorë e patriotë? Historia nuk ndahet me sëpatë. Ajo duhet kuptuar, gjykuar me drejtësi dhe shërbyer si mësim për të mos përsëritur gabimet.Shqipëria ka nevojë për një politikë që bashkon e jo për një politikë që ringjall fantazmat e së kaluarës. E ardhmja fitohet me ide, jo me arkivolë; me dialog, jo me urrejtje; me programe, jo me slogane.