Albert Zholi: Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit, mbetet dorëzimi Strategjik i Shqipërisë ndaj Sigurisë Energjetike
Flasin Nako Petro, Vladimir Mici, Nikollaq Gjergji, Llazar Zoi, Edmond Berisha
ZHDUKJA E RAFINERISË SË
BALLSHIT, MBETET HUMBJA MË E MADHE E
AUTONOMISË ENERGJITIKE TË SHQIPËRISË DHE VARËSIA ABSURDE NGA JASHTË
-
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit, mbetet dorëzimi Strategjik i Shqipërisë
ndaj Sigurisë Energjetike.
-Rafineria
e Ballshit, dikur zemra e përpunimit të naftës shqiptare, sot është bërë një
iluzion energjetik
-
Historia e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh është një nga historitë më
të dhimbshme të industrisë shqiptare
-Ajo
për dekada me radhë ishte zemra e përpunimit të naftës shqiptare, duke
përpunuar rreth 900 mijë tonë naftë në vit
-Ajo
prodhonte një sërë nënproduktesh të
domosdoshme për ekonominë kombëtare, si benzinë, naftë, bitum dhe produkte të
tjera industriale.
-Uzina
siguronte një pjesë të madhe të nevojave të vendit për karburante dhe ishte
edhe burim punësimi për mijëra familje dhe një faktor i rëndësishëm i
pavarësisë energjetike të Shqipërisë

- Historia e Uzinës së Ballshit, një histori e
trishtë e industrisë shqiptare
Historia e Uzinës së Përpunimit të
Naftës në Ballsh është një nga historitë më të dhimbshme të industrisë
shqiptare. E ndërtuar si një nga veprat më të rëndësishme industriale të
vendit, ajo për dekada me radhë ishte zemra e përpunimit të naftës shqiptare,
duke përpunuar rreth 900 mijë tonë naftë në vit dhe duke prodhuar një sërë
nënproduktesh të domosdoshme për ekonominë kombëtare, si benzinë, naftë, bitum
dhe produkte të tjera industriale. Uzina e Ballshit jo vetëm që siguronte një
pjesë të madhe të nevojave të vendit për karburante, por ishte edhe burim
punësimi për mijëra familje dhe një faktor i rëndësishëm i pavarësisë
energjetike të Shqipërisë. Sot, kjo histori suksesi është kthyer në një histori
trishtimi. Uzina ka mbetur jashtë funksionit, ndërsa nafta shqiptare përpunohet
jashtë vendit, duke i hequr ekonomisë shqiptare vlerën e shtuar që krijon
përpunimi i saj dhe duke e bërë vendin më të varur nga tregjet e huaja. Mbyllja
e saj ka lënë pas jo vetëm humbje ekonomike, por edhe plagë sociale për qindra
specialistë e punëtorë që i kushtuan jetën kësaj industrie. Historia e Uzines
së Ballshit mbetet një kujtesë e hidhur se pasuritë kombëtare kanë vlerë vetëm
kur menaxhohen me vizion, përgjegjësi dhe në interes të zhvillimit të vendit.
Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nisi nga puna në vitin 1978. Rafineria zinte vend
në një sipërfaqe prej 90 ha dhe linjat e saj kryesore janë dy: përpunimi i
lëndës së parë dhe sigurimi i nënprodukteve të naftës nga pikëpamja sasiore dhe
përmirësimi i cilësisë. Uzina fillimisht ishte projektuar për të pasur një
kapacitet prodhues prej 1 milion ton naftë bruto dhe 250 000 ton karburante që
do të vinin nga rafineritë që tashmë ishin vënë në punë. Rafineria e Ballshit
kishte të gjitha impiantet e nevojshme tekonologjike moderne të përpunimit të
naftës gjithashtu edhe sistemet ndihmëse. Në uzinë punësoheshin dikur 2 200
punëtorë dhe fitimi arrinte në rreth 10-15 milionë dollarë, kjo deri para
privatizimit.
Ing. Nako
Petro
Shqipëria është një nga ato vende që
natyra i ka falur pothuajse gjithçka: diell, ujë, dhe mbi të gjitha naftë.
Megjithatë, sot ajo është më e ekspozuar se kurrë ndaj krizave energjetike.
Ironia është e hidhur: kemi burime, por nuk kemi më kontroll mbi to.
Simboli më i qartë i këtij dështimi
është Rafineria e Ballshit. Dikur zemra industriale e përpunimit të naftës
shqiptare, sot ajo përfaqëson një dilemë të madhe kombëtare: ta ruanim për
siguri energjetike, apo ta shndërrojmë në një park fotovoltaik, duke e quajtur
këtë "modernizim"?
Kjo nuk ishte thjesht një çështje
investimi; ishte një zgjedhje strategjike që ndan një shtet që mendon për
krizat nga një shtet që reagon vetëm pasi kriza ka ardhur.
Në vitet e fundit, bota ka dhënë
sinjale të qarta alarmi. Nga lufta në Ukrainë deri te tensionet në Lindjen e
Mesme, tregjet e energjisë janë tronditur vazhdimisht. Çmimet janë rritur pa
kontroll, dhe vendet që nuk kanë kapacitete të brendshme për përpunim kanë qenë
të parat që kanë paguar faturën.
Shumë shtete europiane kanë zgjedhur
të ruajnë rafineritë e tyre, madje edhe me kosto financiare, vetëm për të
garantuar pavarësinë energjetike. Sepse në moment krize, tregu i lirë zhduket –
mbetet vetëm interesi kombëtar.
Shqipëria hoqi dorë nga i vetmi aset
strategjik që i jepte autonomi për karburante, duke e zëvendësuar me panele
diellore që, sado të dobishme, nuk prodhojnë asnjë litër naftë, benzinë apo gaz.
Shteti argumentoi se rafineria e
Ballshit, projektuar për naftat e rënda shqiptare, nuk ishte fitimprurëse. Por
si mund të prodhonte fitim një rafineri që nuk furnizohej me lëndë të parë, kur
ligjet shtetërore lejuan eksportin e naftës tonë?
Le ta themi qartë: një park
fotovoltaik është një investim i vlefshëm, por nuk mund të zëvendësojë një
rafineri. Ai prodhon energji elektrike, jo siguri për transportin, industrinë
dhe ekonominë reale. Shqipëria nuk lëviz me rreze dielli; ajo lëviz me
karburant.
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit
nuk është thjesht një gabim ekonomik; është një dorëzim strategjik. Do të thotë
të pranosh që në çdo krizë të ardhshme vendi të mbetet në mëshirë të importit,
të çmimeve të diktuara nga jashtë dhe të mungesës së kontrollit. Një rafineri e
shkatërruar nuk rindërtohet lehtë; humbja e saj është për dekada.
Argumenti financiar se rafineria mund
të dilte me humbje është i dobët kur bëhet fjalë për siguri kombëtare. As
ushtria nuk është "fitimprurëse", por askush nuk propozon ta mbyllë
për të kursyer para.
Nëse Shqipëria do të kishte një
vizion të qartë, nuk do të zgjedhte mes Ballshit dhe energjisë diellore. Do të
investonte në të dyja: një rafineri funksionale për emergjencat dhe një sektor
energjie të rinovueshme për të ardhmen.
Por ajo që ndodhi ishte më shumë një
mungesë strategjie sesa një zgjedhje e vetëdijshme. Kjo është ajo që kushton më
shtrenjtë jo vetëm në para, por në varësi, pasiguri dhe humbje të sovranitetit
ekonomik.
Ballshi nuk është thjesht një qytet
industrial i harruar; është një provë për mënyrën se si ky vend e koncepton të
ardhmen e tij. Fatkeqësisht, duket se kemi zgjedhur rrugën më të lehtë, por
edhe më të rrezikshme...."
Ing. Nikollaq Gjergji
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit
përbën një nga aktet më të rënda që i është bërë ekonomisë shqiptare në dekadat
e fundit. Për shumë qytetarë dhe specialistë të fushës, ky nuk është thjesht
një dështim industrial, por pjesë e një zinxhiri vendimesh që kanë dobësuar
kapacitetet prodhuese dhe energjetike të vendit. Siç e cilëson edhe Nako Petro,
ky proces nuk është "thjesht një gabim ekonomik", por "një
dorëzim strategjik". Diferenca mes këtyre dy shprehjeve është thelbësore.
Një gabim mund të jetë pasojë e paaftësisë ose e një llogaritjeje të gabuar,
ndërsa një dorëzim strategjik nënkupton përgjegjësi politike dhe pasoja
afatgjata për interesat kombëtare. Mbyllja dhe shkatërrimi i industrisë së
përpunimit të naftës e ka bërë Shqipërinë më të varur nga tregjet e huaja për
furnizimin me karburante dhe produkte energjetike. Kjo varësi sjell pasoja të
drejtpërdrejta për ekonominë, për sigurinë energjetike dhe për mirëqenien e
qytetarëve, të cilët paguajnë çmime më të larta dhe përballen me pasiguri më të
mëdha. Zhvillimet ndërkombëtare e tregojnë qartë rëndësinë strategjike të
rafinerive dhe infrastrukturës energjetike. Lufta në Ukrainë dhe tensionet në
Lindjen e Mesme kanë dëshmuar se objektivat energjetike janë ndër asetet më të
rëndësishme për një shtet. Pikërisht për këtë arsye, humbja e kapaciteteve të
përpunimit të naftës në Shqipëri nuk mund të shihet si një çështje e thjeshtë
ekonomike, por si një problem me pasoja të gjera kombëtare. Sot, kur flitet për
zhvillim dhe për një "Shqipëri mahnitëse", mbetet detyrë e
institucioneve dhe e opinionit publik të pyesin se si u lejua degradimi i një
prej aseteve më të rëndësishme industriale të vendit dhe kush mban përgjegjësi
për këtë situatë. Pa një analizë të thellë dhe pa nxjerrjen e përgjegjësive,
rreziku i përsëritjes së gabimeve – apo i vendimeve të gabuara strategjike –
mbetet i pranishëm
Ing. Llazar Zoi
Përshëndetje, miku im ing. Nako
Petro! Thirrja e sotme për zhvillimin e turizmit më kujton thirrjen që bëri
Nikita Hrushovi në vitin 1959, kur deklaronte: "Mbillni agrume!".
Edhe atëherë u krijua ideja se një sektor i vetëm mund të zgjidhte problemet e
ekonomisë. Sigurisht, turizmi është një degë e rëndësishme e ekonomisë dhe
sjell të ardhura, punësim dhe zhvillim lokal. Por ai nuk mund të zëvendësojë peshën
që kanë industria nxjerrëse dhe industria përpunuese në krijimin e një ekonomie
të qëndrueshme dhe të pavarur. Një vend zhvillohet kur ndërton një ekonomi të
larmishme, ku turizmi, industria, bujqësia dhe energjia ecin së bashku dhe
plotësojnë njëra-tjetrën. Mbështetja vetëm te turizmi krijon varësi dhe e bën
ekonominë më të ndjeshme ndaj krizave dhe luhatjeve të tregut. Prandaj, kam
përshtypjen se historia po përsëritet: po krijohen iluzione se një sektor i
vetëm mund të jetë zgjidhja për gjithçka, ndërkohë që sektorë të rëndësishëm të
prodhimit dhe industrisë janë lënë pas dore. Mjerë populli kur qeveritë nuk
arrijnë të mbrojnë pasuritë kombëtare dhe interesin afatgjatë të vendit.
Edmond Berisha-naftëtar
Qeveria e ardhshme, e zgjedhur nga
populli i raskapitur iliro-shqiptar, duhet të marrë masa për të shpëtuar naftën
shqiptare dhe për ta kthyer atë në shërbim të zhvillimit të vendit. Si
ish-naftëtar, kërkoj që Shoqata e Inxhinierëve të vazhdojë përpjekjet e saj dhe
të ngrejë zërin për të denoncuar abuzimet dhe dëmet që i bëhen pasurive tona
naftëmbajtëse. Kam punuar për dekada në zonat strategjike të Drenovës dhe
Cakranit, me tre turne, përballë rrezikut të gazit sulfurik dhe metanit,
armiqtë më të mëdhenj të naftëtarëve. Brezi ynë punoi me sakrifica të mëdha, në
kushte të vështira dhe shpesh me rrezik për jetën, për të nxjerrë pasuritë e
nëntokës shqiptare. Sot, me keqardhje shohim se puna dhe përvoja e naftëtarëve
shqiptarë janë lënë në harresë, ndërsa vendimmarrja për naftën shqiptare shpesh
duket se është larg interesave të atyre që e ngritën këtë industri. Është e
dhimbshme që shumë ish-naftëtarë, të cilët i kushtuan jetën këtij sektori
strategjik, përballen me pensione të pamjaftueshme, që mezi mbulojnë nevojat më
elementare të jetesës. Nafta shqiptare është një pasuri kombëtare dhe duhet të
menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë. Lavdi naftëtarëve të Fierit dhe Patosit, që me
punën dhe sakrificat e tyre ndërtuan historinë e industrisë së naftës në
Shqipëri!
Dr. Vladimir Mici
Nga përpunimi i naftës dalin me
dhjetra në mos qindra nënprodukte, të cilat lidhen me faza apo procese,
që tejkalojnë kufirin e thjesht rafinerive. Nënproduktet e rafinerive shërbejnë
si lëndë e parë apo ndihmëse në çdo process prodhimi apo përpunimi të
mëtejshëm. Sot në botë rreth 62-65 e nënprodukteve të naftës përdoren në
transport. Pjesa tjetër shkon në prodhime të tjera me teknologji tjetër
dhe prodhim energjie. Në Shqipëri ka pasur 4 Rafineri shtetërore dhe ka
disa impiante private sot që prodhojnë nga përpunimi i naftës brut produkte
bazë. Nga katër Rafineritë tre prej tyre kishin destinacion pas vënies në
punë të kombinatit të Ballshit prodhimin e biturmit dhe mazutit.
Prodhonin edhe lëndë djegëse, e cila ishte një përzierje e gazoilit me benzinën
e papastër, që përdorej në kaldaja dhe furra si proces teknologjik. Një pjesë e
kësaj lënde djegëse nga Rafineria e Fierit përdorej si hollues për
shtresën për të lehtësuar nxjerrjen e naftave të rënda në fushën e – Patosit (
bëhet edhe sot). Bitumi përdorej për asfaltimet, ndërtim dhe eksport. Eksporti
bitumit arrinte deri në Kinë. Kishte dy impiante bitumi që merreshin me
eksportin një në Durrës dhe një në Vlorë. Një impiant eksporti është ende në
Prenjas. Solari dhe Mazuti përdoreshin nga TECI i Fierit, Ballshit, Cërrikut
dhe Kuçovës për prodhim energjie. Në kohën e pikut të prodhimit të energjisë
konsumi arrinte në Fier rreth 1000 Ton mazut në ditë duke gjeneruar rreth
100-110 mijë MGË energji elektrike. Në ditët e arta të saj KPTHN prodhonte
Gazoilin për automjete, Vajgurin e avionëve( TS1) Vajgurin për
popullatën, Benzinën për automjetet dhe benzol për autovetura, gaz te lëngshëm,
Solar jeshil dhe solar të zi, Koks nafte, Vajra të ndryshëm. Ne i kemi njohur
si SAE-30, SAE -40, vaj aftol 17, vaj hidraulik, vaj tranformatori. Me
teknologjinë, që kishte mund të prodhohej çdo lloj vaji, pas kombinimit të tre
vajrave bazë + aditivët mund të prodhohej gjithë gama e vajrave që janë në
qarkullim. Cilësia nuk diskutohej. Prodhonte edhe Squfur me cilësi 99.99% të
pastër që përdorej në industrinë kimike dhe të armatimeve. Edhe në kohën e
demokracisë prodhimi i Rafinerisë vijoi, por rënia në demokraci e prodhimit të
naftës brut dhe mos ndjekja e rekomandimeve për zhvillimin teknologjik të tyre
domsdo uli cilësinë e nënprodukteve të tilla si gasoil, benzin dhe koksi. Ato
s'mund të ishin burim eksporti. Ndërkohë që rënia e përpunimit nën kapacitet u
shoqëruar me rrije të normativave të harxhimit të lëndës së parë, materialeve
të tilla si, ujë, avull, energji elektrike, sodë, kripë, acide të ndryshme dhe
materiale të tjera për njësi prodhimi duke ulur edhe cilësinë e tyre.
Pavarësisht kësaj rritja e prodhimit të çimentos në vitet 2000 kishte
kërkesa të larta për koks. Përpos gjithë këtyre në gusht të vitit 2003 ARMO
mbuloi 49% të tregut duke shitur mbi 19 milion litra gazoil. Ndërkohë që
mesatarja vjetore lëviste nga 19-25% të tregut shqiptar. Bitumi shqiptar i
Rafinerisë së Fierit është mjaft i kërkuar për cilësinë e tij dhe tashmë ajo
është në duar të dy kompanive shqiptare pa ndonjë transparencë publike dhe në
kushtet e një absurditeti qeveritar.


