Albert Zholi: Sejdo Harka - 'Mendjendriturit'

1h më parë

Për librin "Mendjendriturit" të Sejdo Harkës

Nga Albert Z. ZHOLI

Të shkruash për Shkrimtarë të mëdhenj të botës, të cilët autori i këtij libri i quan "Mendjendritur" është si të përpiqesh të kapësh dritën me dorë. Ata janë figura që jetojnë mes lavdisë dhe vetmisë, mes frymëzimit hyjnor dhe dobësive krejt njerëzore. Libri, "Mendjendriturit", i Sejdo Harkës merr përsipër pikërisht këtë sfidë: të ndërtojë portrete të shkrimtarësh që kanë fituar çmimet letrare më të larta në botë si; Nobel, Prize in Literature - duke i paraqitur jo si mite të paarritshme, por si qenie të gjalla, me dritë-hije, por që me mendimin dhe artin e fjalës kanë ndriçuar botën. Ky nuk është thjesht një libër informativ. Është një përpjekje për të hyrë në labirintin e shpirtit të atyre që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë botërore. Çdo minimonografi në këtë vëllim shpalos, jo vetëm krijimtarinë, por edhe jetën private: dashuritë e mëdha, tradhtitë, udhëtimet e pafundme, netët e gjata me alkool e diskutime, rebelimet ndaj shoqërisë dhe, herë-herë, jetën e shfrenuar. Në këto faqe, nobelistët zbresin nga piedestali. Ata nuk paraqiten si statuja mermeri, por si njerëz që kanë vuajtur, kanë gabuar, janë përplasur me pushtetin, me censurën, me vetveten. Fama i ka ngritur lart, por njëkohësisht u ka sjellë barrë: presionin e pritshmërive, xhelozinë, izolimin. Çmimet e mëdha që ata kanë marrë gjatë karrierës krijuese nuk janë parë vetëm si kurorë lavdie, por më shumë si provë karakteri dhe ....Libri nxjerr në pah, se madhështia krijuese shpesh lind nga përplasja e brendshme dhe dëshmon, se arti nuk lind në qetësi sterile, por në tension. Në këtë vepër, përfshirja e personaliteteve si Stefan Zweig, Saadi Shirazi, Honoré de Balzac dhe Fyodor Dostoevsky i jep librit një dimension të veçantë kulturor dhe filozofik. Së pari, figura e Stefan Cvajgut (Stefan Zweig) paraqitet si simbol i intelektualit humanist europian. Ai ishte mjeshtër i analizës psikologjike dhe i shpirtit të trazuar të njeriut modern. Tragjedia e jetës së tij, e mbyllur me vetëvrasje në mër­ gim, përforcon idenë e ndjeshmërisë së tejskajshme dhe zhgë­ njimit nga rrënimi i qytetërimit europian gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tek Harka, ai del si figurë e brishtë, por e madhe në mendim. Saadiu, poeti persian i urtësisë dhe moralit, sjell në libër dimensionin lindor të filozofisë njerëzore. Vepra e tij mishëron dashurinë për njeriun, tolerancën dhe mençurinë popullore. Ai përfaqëson harmoninë midis artit dhe etikës, duke e bërë letërsinë një mjet edukimi shpirtëror. Balzaku, gjeniu realist francez, vjen si kronikan i shoqërisë borgjeze. Me veprën e tij monumentale "Komedia Njerëzore", ai ndërtoi një univers personazhesh ku pasuria, ambicia dhe morali përplasen vazhdimisht. Tek "Mendjendriturit", ai shfaqet si simbol i vullnetit titan për të pasqyruar realitetin në të gjitha shtresat e tij. Ndërsa Dostojevski përfaqëson thellësinë psikologjike dhe dramat ekzistenciale të njeriut. Ai zbërthen konfliktin mes besimit dhe dyshimit, mëkatit dhe pendesës, lirisë dhe përgjegjësisë. Personazhet e tij janë të trazuar, të thyer, por gjithnjë në kërkim të dritës shpirtërore. E veçanta e trajtimit të këtyre figurave në librin e Sejdo Harkës qëndron në faktin se ato nuk paraqiten thjesht si emra të mëdhenj, por si modele shpirtërore e krijuese që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë. Autori përpiqet të nxjerrë në pah dimensionin njerëzor të tyre, duke i afruar me lexuesin shqiptar dhe duke e bërë librin një urë midis kulturave. Sejdo Harka nuk synon t'i gjykojë këto figura. Ai i vë përballë lexuesit me kompleksitetin e tyre. Libri flet shumë për veprat, për kohën historike, për ndikimin global por lë pas edhe shumë dritëhije. Sepse jeta e shkrimtarëve të mëdhenj është e ndër­ likuar: ata janë njëkohësisht njerëz të zakonshëm dhe të jash­ të­ za­ konshëm. Në thelb, "Shkrimtarë të mëdhenj të botës" është një reflektim mbi marrëdhënien mes artit dhe jetës. A mund të ndahet vepra nga autori? A duhet madhështia letrare të na verbojë përballë dobësive njerëzore? Libri nuk jep përgjigje përfundimtare, por nxit mendim. Kjo është forca e tij: të na kujtojë se pas çdo çmimi "Nobel" apo çmimi tjetër të madh fshihet një histori e gjatë përpjekjesh, gabimesh, pasionesh dhe sakrificash. Dhe se letërsia e madhe nuk lind nga perfeksioni, por nga përballja e njeriut me vetveten dhe me botën. Libri i Sejdo Harkës mbetet një udhëtim në galerinë e mendjeve më të ndritura të letërsisë botërore - një galeri ku drita dhe hija bashkëjetojnë, ashtu si në jetën e çdo njeriu të madh. Në përfundim, "Mendjendriturit" nuk është vetëm një përmbledhje figurash të mëdha, por një reflektim mbi madhështinë dhe dramën e krijuesit. Përmes 23 shkrimtarë "Mendjendritur", Sejdo Harka ndërton një mozaik personalitetesh që dëshmojnë se arti i vërtetë lind nga dhimbja, përkushtimi dhe dashuria për njeriun.