Albert Zholi: Ilirjan Dhima - Rama na premtoi shumë, na bëri thirrje kthehuni, por ku të kthehemi…

2h më parë

Intervistë me z. Ilirjan Dhima, kryetar i Shoqatës "Shqipëria në Greqi"

Rama na premtoi shumë, na bëri thirrje kthehuni, por ku të kthehemi, kur ka probleme me pronat, arsimin, korrupsionin, shëndetësinë!

- Në rendin ku jetojmë, prona është themeli, nëse prona nuk shkon te i zoti, nuk mund të ketë qetësi në Shqipëri.

- Emigrantët kërkojnë më shumë vëmendje, shërbime konsullore më cilësore dhe politika konkrete, që i lidhin më fort me atdheun.

- Në momentin që qytetarët dhe emigrantët do të shohin se ligji vepron njësoj për të gjithë, pa dallim, atëherë edhe besimi do të rikthehet.

-Pavarësisht problemeve fëmijët e emigrantëve nuk duan të kthehen në Shqipëri pasi shohin papunësi, paga të ulta, pasiguri, shërbim shëndetësor jo të sigurt.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shoqata "Shqipëria" vijon misionin kulturor, arsimor dhe humanitar në diasporë dhe atdhe.
Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës "Shqipëria" në Greqi, është një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të komunitetit shqiptar në emigracion. I njohur për natyrën e tij popullore, komunikimin e hapur dhe angazhimin e vazhdueshëm, Dhima ka luajtur një rol aktiv edhe në Komitetin e Shqiptarëve në Greqi.

Z. Dhima, ju si kryetar i Shoqatës "Shqipëria në Greqi" keni ndihmuar Partinë Socialiste për ardhjen në pushtet përmes votave të emigrantëve. Si e vlerësoni këtë angazhim sot?

- Së pari dua të them se jam i majtë dhe e kam ndihmuar sa kam mundur Partinë Socialiste. Kam kontribuar konkretisht duke sjellë shumë emigrantë nga Greqia për të votuar. Ishte një angazhim i sinqertë dhe me bindje. Por fatkeqësisht, sapo mbaronin votimet, nuk kujtoheshin më për ne. As një telefon, as një interesim kur vinin për vizita. Kujtohen vetëm në kohë zgjedhjesh.

- Kur vini në Shqipëri, a ju presin drejtuesit e Partisë Socialiste?

- Realisht jo në mënyrën që do duhej. Ka pasur kontakte, sidomos kur kam qenë në Athinë, ku kemi biseduar dhe më janë dhënë premtime. Por në praktikë, këto mbeten thjesht fjalë. "Sot-nesër" dhe asgjë konkrete nuk ndodh.

- Kryeministri ka bërë thirrje të vazhdueshme që emigrantët të kthehen në atdhe. Pse nuk ktheheni?

- Kjo është një pyetje që duket e thjeshtë, por në fakt është shumë e rëndë. Personalisht kam 30 vite që nuk zgjidh një çështje prone në Orikum. Më sorollatin pafund. Në këto kushte, si mund të kthehem? Në rendin ku jetojmë, prona është themeli. Nëse prona nuk shkon te i zoti, nuk mund të ketë qetësi në Shqipëri.

- Pra problemi i pronës është pengesa kryesore?

- Absolutisht po. Sot prona mund të jetë në emrin tënd, nesër del dikush tjetër që pretendon pronësinë. Kjo pasiguri të detyron ose të hysh në konflikte, madje edhe në vetëgjyqësi. Kush do ta marrë këtë risk? Ne duam të kthehemi, të gjithë emigrantët duan të vijnë në vendin e tyre, por pyetja është: ku të shkojmë? Në një vend ku prona është e pasigurt?

- Çfarë mesazhi do t'i jepnit politikës shqiptare?

- Të mos na kujtojë vetëm për vota. Emigrantët kanë nevojë për zgjidhje konkrete, jo për premtime. Zgjidhni çështjen e pronës, vendosni drejtësi dhe atëherë do të shihni se si shqiptarët kthehen vetë në atdhe. Përndryshe, do vazhdojmë të qëndrojmë larg, jo se nuk duam, por sepse nuk kemi siguri.

- Cilat janë sot problemet kryesore me të cilat përballen emigrantët shqiptarë në Greqi?

- Problemet janë të shumta dhe të ndërlikuara. Së pari është çështja e dokumentacionit. Shumë emigrantë përballen ende me vështirësi në rinovimin e lejeve të qëndrimit, burokraci të tejzgjatur dhe pasiguri ligjore. Kjo i bën ata të ndihen gjithmonë në një gjendje të pasigurt, edhe pse kanë vite, madje dekada që jetojnë e punojnë atje. Një problem tjetër është punësimi. Edhe pse shumë shqiptarë janë integruar dhe kanë ndërtuar jetën e tyre, përsëri ka raste diskriminimi në tregun e punës, sidomos për brezin e parë të emigrantëve. Krizat ekonomike që ka kaluar Greqia kanë lënë gjurmë dhe emigrantët shpesh janë më të goditurit. Po ashtu, kemi problemin e pensioneve. Shumë emigrantë që kanë punuar për vite të tëra nuk kanë ende qartësi të plotë për përfitimin e pensioneve, sidomos në lidhje me njohjen e kontributeve mes dy vendeve. Një tjetër shqetësim është arsimi dhe identiteti i brezit të dytë. Fëmijët e emigrantëve janë rritur në Greqi, por shpesh përballen me dilema identiteti dhe jo gjithmonë kanë mbështetjen e duhur për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Së fundi, nuk mungon edhe ndjenja e braktisjes nga shteti shqiptar. Emigrantët kërkojnë më shumë vëmendje, shërbime konsullore më cilësore dhe politika konkrete që i lidhin më fort me atdheun.

- Pavarësisht problemeve që hasin emigrantët në Greqi, vihet re se fëmijët e tyre nuk duan të kthehen në Shqipëri, pasi shohin papunësi, paga të ulëta dhe një shërbim shëndetësor jo të sigurt. Si e shpjegoni këtë?

- Është një realitet që nuk mund ta mohojmë. Brezi i dytë i emigrantëve është rritur dhe formuar në Greqi. Ata kanë marrë arsimimin atje, kanë ndërtuar miqësi, kanë një tjetër mënyrë jetese dhe, mbi të gjitha, kërkojnë siguri për të ardhmen e tyre. Kur shohin Shqipërinë nga jashtë, shpesh shohin një vend me vështirësi ekonomike, me paga që nuk përballojnë jetesën dhe me një sistem shëndetësor që ende nuk i jep garancitë e duhura. Nga ana tjetër, ata bëjnë krahasimin: në Greqi, pavarësisht krizave, ekziston një sistem më i konsoliduar në punësim, në shërbime dhe në mbrojtje sociale. Kjo i bën më hezitues për t'u kthyer në Shqipëri. Por unë mendoj se kjo nuk është çështje dëshire, por kushtesh. Nëse në Shqipëri krijohen mundësi reale punësimi, paga dinjitoze dhe një sistem shëndetësor i besueshëm, atëherë shumë prej tyre do ta mendonin seriozisht kthimin. Ata nuk e kanë humbur lidhjen me atdheun, por kërkojnë një arsye të fortë për të ardhur dhe për të ndërtuar jetën këtu.

- Sipas jush në disa biseda një tjetër shqetësim mbetet korrupsioni. Ka rreth 10 vite që flitet për reformë në drejtësi, por perceptimi është se korrupsioni vijon, madje në rritje. Nuk po shohim "peshq të mëdhenj" që ndëshkohen. Ndërkohë, në Greqi, edhe për raste më të vogla, siç ishte çështja e fondeve në bujqësi, pati reagim të fortë publik. Si e shihni këtë problem shkurt?

- Kjo është një nga arsyet kryesore pse emigrantët hezitojnë të kthehen. Reforma në drejtësi ishte një shpresë e madhe për të gjithë ne, por qytetarët presin rezultate konkrete. Kur nuk sheh figura të rëndësishme që mbajnë përgjegjësi, krijohet ndjesia se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë. Në Shqipëri, korrupsioni perceptohet si i përhapur në shumë nivele dhe kjo dëmton besimin te shteti. Ndërsa në Greqi, pavarësisht problemeve që ka edhe ajo, reagon shoqëria, reagojnë institucionet dhe ka presion publik. Kjo bën diferencën: ndjenja se ligji funksionon dhe se askush nuk është mbi të. Ne nuk kërkojmë mrekulli, por kërkojmë drejtësi reale. Në momentin që qytetarët dhe emigrantët do të shohin se ligji vepron njësoj për të gjithë, pa dallim, atëherë edhe besimi do të rikthehet. Pa këtë besim, çdo thirrje për t'u kthyer në atdhe mbetet e dobët.