Albert Zholi: Ilirjan Dhima - Nëse do të kishte korrupsion të përmasave që dëgjojmë në Shqipëri, i gjithë populli grek do të ishte në këmbë
Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës "Shqipëria" në Greqi:
-Nëse do të kishte
korrupsion të përmasave që dëgjojmë në Shqipëri, i gjithë populli grek do të
ishte në këmbë, pasi nuk falen skandalet publike
-Greqia
ka një frymë të fortë qytetare dhe kombëtare, kur shfaqen skandale apo raste
korrupsioni, reagimi është i menjëhershëm
--Unë
jetoj në Greqi dhe e di mirë se sa të rëndësishme janë investimet e huaja për
zhvillimin ekonomik por duhet transparencë
Po
të ndodhte ky korrupsion në Greqi, jo vetëm qeveria do binte, por edhe të
korruptuarit do të përfundonin në burg
-Pasuria
e pajustifikuar është fyerje për ata që punojnë ndershmërisht jashtë vendit
-
Unë jam socialist dhe mendoj se PS ka bërë gabime të mëdha në qeverisje dhe
është shkëputur nga elektorati i saj. Pas zgjedhjeve askush nuk vjen të dëgjojë
emigrantët në Athinë.

Emigrantët
shqiptarë në Greqi mbështesin çdo protestë qytetare që ngrihet kundër
korrupsionit, mitmarrjes dhe ndërtimeve pa transparencë, të cilat dëmtojnë
imazhin e Shqipërisë dhe pengojnë zhvillimin e saj demokratik. Kështu shprehet
Ilirjan Dhima, kryetar i Shoqatës "Shqipëria" në Athinë, i cili
thekson se shqiptarët jashtë vendit e ndjekin me vëmendje situatën në atdhe dhe
kërkojnë më shumë përgjegjshmëri nga institucionet. Sipas tij, protesta është
një instrument demokratik për të reaguar ndaj padrejtësive dhe abuzimeve. Ai
sjell si shembull Greqinë, ku, kur shfaqen fenomene të tilla, qytetarët ngrihen
masivisht në protesta, duke kërkuar transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie
nga qeverisja.
-Protestat kundër
qeverisë në Shqipëri a janë ndier edhe në Greqi?
Sigurisht.
Ne emigrantët i ndjekim me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe i mbështesim
protestat qytetare. Çdo protestë sjell një frymë të re dhe rrit përgjegjësinë e
qeverive ndaj qytetarëve. Unë jam i majtë, jam me Partinë Socialiste, por jo me
mënyrën se si po qeveris Rilindja e Edi Ramës. Mendoj se PS ka bërë gabime të
mëdha në qeverisje dhe është shkëputur nga elektorati i saj. Pas zgjedhjeve
askush nuk vjen të dëgjojë emigrantët në Athinë. Ka probleme me korrupsionin,
me pronat dhe me mënyrën se si trajtohen qytetarët. Edhe unë vetë kam pasur
probleme me çështjet e pronës në Dukat.
- Në Greqi, kur
konstatohet korrupsion, si reagojnë qytetarët?
-
Greqia ka një frymë të fortë qytetare dhe kombëtare. Kur shfaqen skandale apo
raste korrupsioni, reagimi është i menjëhershëm. Nëse do të kishte korrupsion
të përmasave që dëgjojmë shpesh në Shqipëri, i gjithë populli do të ishte në
këmbë. Këtu nuk falen lehtë skandalet publike. Për çështje shumë më të vogla se
ato që ndodhin në Shqipëri, Athina është mbushur me protesta. Ne emigrantët
kemi mësuar shumë nga kjo kulturë reagimi qytetar.
- Pse ka rënë numri i
emigrantëve shqiptarë në Greqi?
-
Ka disa arsye. Një pjesë e shqiptarëve kanë kërkuar mundësi më të mira
ekonomike dhe janë larguar drejt vendeve të Europës Perëndimore, Amerikës apo
Kanadasë. Një arsye tjetër është se ekonomia greke nuk ka më të njëjtat nevoja
për punëtorë si në vitet e para të emigracionit. Po ashtu, kriza ekonomike e
vitit 2010 bëri që shumë emigrantë të ktheheshin në Shqipëri ose të
zhvendoseshin në vende të tjera.
- Tani Greqia po i
drejton sytë nga Egjipti për fuqinë punëtore në bujqësi?
-
Po. Greqia ka nisur zbatimin e marrëveshjeve me Egjiptin për të sjellë punëtorë
sezonalë në sektorin bujqësor. Fermerët grekë kanë nevojë për fuqi punëtore dhe
interesimi për këtë program ka qenë i madh. Kjo tregon se mungesa e punëtorëve
në bujqësi është bërë një problem serioz.
- Cili është mendimi
juaj për situatën brenda Partisë Socialiste?
-Mendoj
se brenda PS-së ekzistojnë dy rryma. Njëra lidhet me grupin e ish-aktivistëve
të lëvizjes "MJAFT", të cilët sot mbajnë pozicione të rëndësishme në
qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës. Sipas mendimit tim, ky grup ka marrë një
ndikim shumë të madh në vendimmarrje. Ndërkohë, pjesa tradicionale e
socialistëve ndihet e lënë mënjanë. Kjo ka krijuar pakënaqësi dhe ndarje të
brendshme.
- A jeni dakord që në
Zvërnec të realizohen investime?
-
Sigurisht që po. Unë jetoj në Greqi dhe e di mirë se sa të rëndësishme janë
investimet e huaja për zhvillimin ekonomik. Investimet sjellin vende pune,
rrisin mirëqenien dhe zhvillojnë zonat ku realizohen. Por gjithçka duhet të
bëhet me transparencë dhe në bashkëpunim me komunitetin lokal. Nëse qeveria do
të kishte zhvilluar më herët konsultime dhe takime me banorët, ndoshta situata
nuk do të kishte arritur në këtë pikë tensioni.
- Mendoni se në protesta
ka edhe elementë që i fryjnë situatës për interesa të caktuara?
-
Sigurisht që ka. Ka individë, grupe apo shoqata të ndryshme që përpiqen të
përfitojnë nga situata. Disa mund të kenë interesa të tjera, ndërsa në raste të
caktuara mund të ketë edhe ndikime të tërthorta politike. Megjithatë, problemi
kryesor që unë shoh është mungesa e liderëve. Protestat kanë frymë, kanë
pjesëmarrje dhe energji, por nuk kanë drejtues që të artikulojnë qartë kërkesat
dhe të udhëheqin lëvizjen. Pa lidership është e vështirë të arrihen rezultate
konkrete. Edhe nëse Edi Rama do të largohej sot, pa një alternativë të
besueshme dhe pa liderë të rinj, situata politike nuk do të ndryshonte shumë.
- Ministria e
Emigracionit dhe Azilit në Greqi ka prezantuar së fundmi një projektligj që
sjell ndryshime të rëndësishme në kuadrin e emigrimit. Por sa përfitojnë
emigrantët shqiptarë dhe cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë ata?
-
Ligji i ri sjell disa përmirësime të rëndësishme për emigrantët, përfshirë edhe
shqiptarët, por jo në përmasat që pretendohet nga autoritetet greke.Së pari,
synohet përshpejtimi i procesit të rinovimit të lejeve të qëndrimit. Deri tani
shumë emigrantë janë detyruar të presin dy ose edhe tre vjet për të marrë
dokumentacionin e rinovuar. Me ndryshimet e reja, kjo procedurë pritet të
përfundojë në afate shumë më të shkurtra, duke shmangur pasigurinë dhe
vështirësitë që krijoheshin për emigrantët.Së dyti, do të thjeshtohen dhe
përshpejtohen procedurat për ata që hyjnë në Greqi me kontrata pune ose me
sistemin e njohur si "viza me faks". Kjo do të ndihmojë punëtorët
sezonalë dhe ata që kërkohen nga tregu grek i punës, veçanërisht në sektorët e
bujqësisë, turizmit dhe ndërtimit.Shtylla e tretë lidhet me azilkërkuesit. Deri
më sot, personat që kishin status azilanti ose kartë aplikuesi duhej të prisnin
deri në gjashtë muaj për t'u futur në tregun e punës. Me ligjin e ri, ata do të
kenë mundësi të punojnë menjëherë pas regjistrimit të tyre, duke u integruar më
shpejt në jetën ekonomike të vendit. Nga ana tjetër, kjo kategori nuk do të
përfitojë më ndihmat sociale që merrte më parë.Megjithatë, duhet thënë se këto
masa përbëjnë më shumë përmirësime procedurale sesa ndryshime rrënjësore.
Emigrantët shqiptarë do të vazhdojnë të përballen me probleme të tjera që
lidhen me burokracitë administrative, kostot e dokumentacionit dhe kushtet e
tregut të punës. Pra, ka përmirësime konkrete, por jo aq të mëdha sa paraqiten
në deklaratat zyrtare.
A mendoni të ktheheni
për fundimisht në Shqipëri?
Kam
shumë dëshirë të kthehem, sepse jam nga Dukati, një vend I bukur dhe i begatë,
ku kam rrënjët e mia dhe kujtimet më të mira. Shqipëria mbetet vendi ynë dhe
askush nuk mund ta harrojë. Megjithatë, dëshira nuk mjafton. Ka disa problem që
më bëjnë të stepem dhe të mendohem gjatë.
Së
pari, shëndetësia lë ende shumë për të dëshiruar. Arsimi ka bërë disa hapa
përpara, por ende nuk është në standardet që kërkojnë familjet që kanë jetuar
për dekadanëve ndete uropiane. Mbi të gjitha, më shqetëson pasiguria juridike e
pronës. Kam kaq vite që pres të zgjidh çështjen e pronësisë për një cope tokë dhe
ende nuk kam marrë një përgjigje përfundimtare.Një tjetër factor janë fëmijët
tanë. Ata janë rritur dhe formuar me një standard tjetër jetese, me shërbime
publike më cilësore dhe me më shumë siguri ekonomike. Është e vështirë t'u
kërkosh të lënë gjithçka dhe të jetojnë me paga që Shpesh nuk përballojnë
koston e jetesës. Nuk është çështje vetëm e të ardhurave, por edhe e cilësisë
së shërbimeve, sigurisë juridike dhe perspectives për të ardhmen.Prandaj, edhe
pse zemra më thërret të kthehem në vendlindje, realiteti I sotëm më detyron të
jem i kujdesshëm. Shpresoj që Shqipëria të përmirësohet në këto drejtime, në
mënyrë që jo vetëm unë, por mijëra emigrantë të tjerë, ta marrin me bindje
vendimin për t'ukthyer.


