Agron Tufa: Nga drejtësia e cunguar te dështimi i dekomunistizimit
Mitologjia e “Gjyqit të kafes” dhe dështimi i dekomunistizimit
Nga
drejtësia e cunguar te dështimi i dekomunistizimit

Në
kujtesën politike shqiptare, “Gjyqi i kafes” është shndërruar në një nga
shprehjet më të njohura për mënyrën se si u përball Shqipëria me trashëgiminë e
diktaturës komuniste. Emërtimi lidhet me gjyqin e Nexhmije Hoxhës,
bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha, dhe me akuzat për përdorimin e fondeve
shtetërore, ndër të tjera për blerje e shpenzime që u bënë simbol i procesit.
Por, me kalimin e viteve, “Gjyqi i kafes” ka marrë një kuptim shumë më të gjerë
nga vetë procesi gjyqësor. Ai është shndërruar në një metaforë për të gjithë
drejtësinë që Shqipëria u bëri krimeve të komunizmit.
Dhe
pikërisht këtu nis problemi. Sepse “Gjyqi i kafes” nuk ishte e gjithë historia.
Ishte
vetëm fillimi i një historie shumë më të ndërlikuar, e cila pati një moment të
dytë, shumë më të rëndësishëm juridikisht: përpjekjen për të kaluar nga gjykimi
i një individi për shpërdorim të pasurisë shtetërore te gjykimi i përgjegjësisë
për krime kundër njerëzimit të kryera nga aparati i diktaturës.
Ajo
përpjekje nisi, por nuk u përmbyll. Dhe dështimi i saj është një nga çështjet
më të mëdha të pambyllura të tranzicionit shqiptar.
I. “Gjyqi i kafes”:
1991–1993
Nexhmije
Hoxha u arrestua më 4 dhjetor 1991. Kjo datë ka rëndësi politike dhe historike.
Arrestimi ndodhi gjatë Qeverisë së Stabilitetit, të drejtuar nga Ylli Bufi, pra
përpara zgjedhjeve të marsit 1992 dhe përpara ardhjes së Partisë Demokratike në
pushtet. Kjo e përjashton një nga keqkuptimet më të përhapura: se arrestimi i
Nexhmije Hoxhës ishte thjesht produkt i qeverisjes së PD-së pas vitit 1992. Nuk
ishte.
Edhe
kronologjia e Ramiz Alisë është tjetër. Ai nuk u arrestua bashkë me Nexhmijen.
Në gusht 1992 u vendos në arrest shtëpie dhe arrestimi i tij formal erdhi në
shtator 1993. Kjo është e para ndarje që duhet bërë. Nexhmije Hoxha i përkiste
një faze të parë të drejtësisë së tranzicionit. Dhe vetë natyra e akuzës e
tregon këtë. Ajo nuk u gjykua për “krimet e komunizmit” në kuptimin juridik që
do të merrte më vonë kjo shprehje. Nuk u gjykua për krime kundër njerëzimit.
Nuk mund të dënohej juridikisht as thjesht sepse ishte gruaja e diktatorit, as
sepse kishte qenë një figurë e lartë e regjimit. Gjykata duhej të gjente një
vepër penale konkrete dhe të provueshme.
Dhe
procesi u përqendrua te përdorimi i paligjshëm dhe përvetësimi i pasurisë
shtetërore dhe shpenzimet e bëra në kundërshtim me rregullat. Kjo është bota
juridike e “Gjyqit të kafes”. Në shkurt 1993 ajo u dënua me nëntë vjet burg; më
pas Apeli ia shtoi dënimin me dy vjet. Më vonë, përmes ndryshimeve të dënimit
dhe amnistive, koha e vuajtjes u shkurtua ndjeshëm.
Pra,
“Gjyqi i kafes” mund të kritikohet politikisht, moralisht apo historikisht. Por
nuk duhet ngatërruar me diçka që ai nuk ishte: nuk ishte gjyqi i krimeve kundër
njerëzimit të regjimit komunist. Dhe pikërisht këtu nis keqkuptimi i madh.
II. Nga “kafja” te
krimet kundër njerëzimit
Pas
vitit 1992 u zhvilluan procese të tjera ndaj ish-funksionarëve të lartë. Ramiz
Alia dhe ish-zyrtarë të tjerë u gjykuan për shpërdorim detyre dhe përvetësim të
pasurisë shtetërore. Proceset e kësaj periudhe ishin të rëndësishme, por ende i
përkisnin kryesisht logjikës së përgjegjësisë individuale për vepra konkrete.
Pastaj erdhi viti 1995.
Dhe
këtu ndodh kthesa që nuk duhet harruar.
Kodi
Penal i ri përcaktoi veçmas gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit,
përkatësisht në nenet 73 dhe 74. Në këtë mënyrë, për herë të parë po krijohej
një instrument juridik për ta trajtuar represionin e diktaturës jo vetëm si një
varg shkeljesh individuale të ligjit, por si një sistem krimesh të kryera
kundër popullsisë civile për motive politike, ideologjike, racore, etnike ose
fetare.
Më
22 shtator 1995 u miratua edhe Ligji nr. 8001, “Për genocidin dhe krimet kundër
njerëzimit të kryera në Shqipëri gjatë regjimit komunist për motive politike,
ideologjike dhe fetare”. Kjo ishte një kthesë thelbësore. Sepse tani pyetja
juridike nuk ishte më: “Sa para shpenzoi ky funksionar dhe a i kishte të drejtë
t’i shpenzonte?” Pyetja ishte: “A mban ky funksionar përgjegjësi për mekanizmin
shtetëror të represionit, internimit, burgosjes, torturës dhe vrasjes?”
Nga
“kafja” te krimi kundër njerëzimit. Nga përgjegjësia për një shpenzim të
paligjshëm te përgjegjësia për një aparat shtetëror represiv. Kjo është arsyeja
pse nuk mund të vendosen në të njëjtën kategori dy periudhat.
III. Vala e dytë:
1995–1996
Në
dhjetor 1995 dhe janar 1996 erdhi vala e re e arrestimeve. Human Rights Watch
dokumentoi 21 ish-zyrtarë komunistë të arrestuar nën akuzën e krimeve kundër
njerëzimit, sipas nenit 74 të Kodit Penal. Në proceset e kësaj kohe u përfshinë
figura të larta të hierarkisë komuniste dhe përgjegjësia e tyre lidhej me
mekanizmat e represionit politik, përfshirë internimet.
Këtu
duhet bërë një dallim i prerë. Nuk është e saktë të thuhet se të gjithë këta
njerëz ishin thjesht pjesë e një “gjyqi të kafes”. Ata përfaqësonin një fazë
tjetër të drejtësisë penale. Në këtë fazë, Shqipëria po përpiqej të bënte diçka
që kishte rëndësi edhe përtej fatit të individëve: të përcaktonte juridikisht përgjegjësinë
e një pjese të hierarkisë për krimet e shtetit komunist. Kjo përpjekje pati
probleme serioze.
Drejtësia
shqiptare ishte ende e brishtë, institucionet nuk kishin fituar pavarësinë dhe
proceset u zhvilluan në një klimë të fortë polarizimi politik. Por problemi nuk
zgjidhet duke mohuar nevojën për drejtësi. Një shtet demokratik duhet të jetë
në gjendje të bëjë të dyja: të gjykojë krimin dhe të respektojë procesin e
rregullt ligjor. Pikërisht kjo është drejtësia e tranzicionit. Jo hakmarrje. Jo
amnisti kolektive. Jo drejtësi politike. Por përgjegjësi individuale, prova,
gjykim dhe kujtesë. Dhe këto që kërkoheshin asokohe, ishin ende të freskëta e
me bollëk.
IV. Çfarë ndodhi në
vitin 1997?
Pastaj
erdhi katrahura shtetërore e civile e1997-ës. Rënia e skemave piramidale solli
një shpërbërje të rendit shtetëror. U hapën depot e armëve, u shemb autoriteti
i shtetit dhe u godit rëndë sistemi penal. Në atë kaos, shumë procese u
ndërprenë ose humbën mundësinë për t'u zhvilluar normalisht. Prandaj është më e
saktë të thuhet se kriza e vitit 1997 ndërpreu dhe çorganizoi rëndë procesin e
drejtësisë penale ndaj ish-funksionarëve të regjimit, sesa të thuhet në mënyrë
absolute se “qeveria Nano i liroi të gjithë”, ndonëse ka hise të madhe dhe kjo
më vonë, në puzzle-n e së vërtetës.
Fatos
Nano vetë u fal më 14 mars 1997, në një situatë të përgjithshme kaosi dhe
amnistish. Por këtu duhet të ndalemi te një pyetje shumë më e rëndësishme.
Çfarë ndodh me një shoqëri kur një proces historik i drejtësisë ndërpritet
përpara se të përfundojë? Ndodh që viktimat mbeten me ndjenjën se drejtësia nuk
u bë. Ndodh që autorët ose bashkëpunëtorët e tyre mbeten të disponueshëm për
jetën publike. Dhe ndodh diçka edhe më e rrezikshme: e kaluara fillon të
negociohet politikisht.
V. Dekomunistizimi i
papërfunduar
Dekomunistizimi
nuk është vetëm rrëzimi i një busti. Nuk është vetëm ndryshimi i një emri
rruge. Nuk është vetëm hapja e një muzeu. Dekomunistizimi i vërtetë kërkon:
dokumentimin e krimeve; identifikimin e përgjegjësive individuale; drejtësinë për
viktimat; hapjen dhe ruajtjen e arkivave; edukimin e brezave të rinj; kufizimin
e aksesit në funksione shtetërore për kategori të caktuara të autorëve të
aparatit represiv, kur kjo bëhet me ligj dhe në përputhje me standardet e
shtetit të së drejtës; dhe, mbi të gjitha, një konsensus demokratik se
diktatura nuk mund të relativizohet si një alternativë normale politike.
Shqipëria bëri përpjekje në këtë drejtim. Në vitin 1995 pati ligje që synonin
kontrollin e figurës dhe kufizimin e ndikimit të ish-aparatit komunist në
institucionet publike. Por procesi nuk u konsolidua.
Më
shumë se një dekadë më vonë, me riardhjen e PD në pushtet, Shqipëria iu kthye
sërish çështjes së lustracionit. Ligji i dhjetorit 2008 për pastërtinë e
figurës u përplas me probleme serioze kushtetuese dhe institucionale. Gjykata
Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias në vitin 2009 dhe opinioni i
këtij të fundit kritikoi aspekte të rëndësishme të ligjit shqiptar. Vetë fakti
që në vitin 2008–2009 Shqipëria po përpiqej ende të zgjidhte probleme të
trashëguara nga diktatura tregon se procesi i dekomunistizimit kishte mbetur i
papërfunduar.
VI. Kur kujtesa
institucionale bëhet problem politik
Këtu
hyn një institucion që shpesh mungon në rrëfimin për tranzicionin: Instituti i
Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), puna e të cilit nis në
fund të vitit 2011. Dihet që ISKK nuk ishte gjykatë. Nuk kishte kompetencë të
dënonte njerëz. Por kishte një funksion që një demokraci nuk mund ta
anashkalojë: të dokumentonte krimin dhe pasojat e tij. Në këtë kuptim,
Instituti përfaqësonte vazhdimin institucional të një pyetjeje që Shqipëria e
kishte lënë përgjysmë në vitet ’90: Çfarë ka ndodhur realisht? Kush e ka bërë?
Kush ka vuajtur? Dhe çfarë duhet të mësojë shoqëria prej kësaj?
Nën
drejtimin e autorit të këtij shkrimi, ISKK u përfshi gjithnjë e më shumë në
dokumentimin e dëshmive të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve, në botime,
studime dhe përpjekje për ta futur historinë e diktaturës në debatin publik.
Por pikërisht këtu filloi edhe një përplasje e re. Dhe kjo përplasje është
shumë domethënëse. Sepse një shoqëri mund të tolerojë një institut që merret me
të kaluarën si muze. Por kur dokumentimi i së kaluarës fillon të prodhojë
përgjegjësi konkrete në të tashmen, situata ndryshon.
VII. Operativi dhe
informatori: hallka e harruar e dekomunistizimit
Në
fund të vitit 2018, në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e
Komunizmit u shtrua një pyetje që në debatin publik shqiptar ishte anashkaluar
në mënyrë të çuditshme. Debati për pastërtinë e figurës dhe për trashëgiminë e
Sigurimit të Shtetit ishte përqendruar kryesisht te informatorët dhe
bashkëpunëtorët e tij. Por kush ishin njerëzit që i rekrutonin këta
informatorë? Kush i drejtonte? Kush hartonte planet operative? Kush i përdorte
informacionet e mbledhura? Kush i kthente dëshmitë, denoncimet dhe materialet e
survejimit në procedura represive?
Përgjigjja
ishte: aparati profesional i Sigurimit të Shtetit.
Pikërisht
për këtë arsye, Instituti ndërmori një nismë institucionale për t'u kërkuar
organeve të shtetit informacion mbi praninë e ish-kuadrove operative të
Sigurimit në strukturat e administratës publike. Kërkesa nuk ishte një thirrje
për hakmarrje politike, sepse e tham – ISKK – nuk ishte Gjykatë. Ajo mbështetej
në Ligjin e Institutit të hartuar nga Kuvendi. në kuadrin ligjor të
transparencës, informimit dhe kontrollit institucional. Pyetja ishte konkrete:
a kishte në organikat e institucioneve publike persona që kishin shërbyer si
oficerë operativë të Sigurimit të Shtetit, dhe a mund të bëhej kjo e ditur në
përputhje me ligjin?
Në
fazën e parë, disa institucione u përgjigjën dhe dhanë informacion. Më pas,
sipas dokumentacionit të Institutit, përgjigjet u ndërprenë dhe kërkesa u ndesh
me refuzime: i ranë shpejt në të. Meqenëse kjo përvojë dokumentohet me
korrespondencën origjinale, ajo merr një rëndësi përtej episodit administrativ.
Sepse
pyetja që ngrihet është kjo: Pse një shtet demokratik do të ishte më i
interesuar të zbulonte emrin e informatorit të dikurshëm sesa të dinte kush
ishte oficeri që e rekrutonte, e drejtonte dhe e përdorte atë? Kjo nuk
nënkupton kurrsesi shfajësimin e informatorëve, por këkkon një hierarki të
përgjegjësisë: të vendoset theksi mbi fuqinë shtrënguese të Sigurimit, me
metodat e tyre të dhunshme të shantazhit dhe terrorit psikik e fizik mbi
pozitën e dobët të rekrutëve informatorë.
Dhe
këtu qëndron një prej paradokseve më të mëdha të tranzicionit shqiptar. Viktima
e shantazhuar dhe informatori i rekrutuar nën presion mund të bëhej objekt i
vëmendjes publike, ndërsa profesionisti i aparatit që ndërtonte dhe
administronte mekanizmin represiv mund të mbetej i padukshëm në debatin publik.
VIII. Një institucion që
filloi të bezdiste
Pikërisht
këtu duhet parë edhe historia e përplasjes sime dhe ISKK me politikën. Sipas
raportit vjetor të ISKK-së për vitin 2019, fushata denigruese kundër Institutit
solli demoralizimin e bashkëpunëtorëve, intimidimin e dëshmitarëve dhe humbjen
e besimit të një pjese të tyre te institucionet dhe te procesi i transparencës
mbi krimet e komunizmit. Raporti e lidhte këtë klimë me sulme publike nga një
grup deputetësh, një spektër i shtypit, një ish-komandant burgu dhe persona të
tjerë që, sipas Institutit, kishin konflikt interesi me ligjin organik të tij.
Ky
dokument ka rëndësi pikërisht sepse nuk është thjesht një kujtim personal i
Tufës. Është raport institucional. Dhe pastaj vjen pjesa më e pazakontë.Në
vitin 2019, ndërsa Tufa kërkonte që krimet e komunizmit të kalonin nga arkivi
te drejtësia, vetë dokumentacioni institucional i fjalës së tij në Kuvend pësoi
një fat simbolik. Fjalimi i tij n[ Raportin Vjetor të 5 qershorit 2019, sipas
materialit të publikuar atëherë nga faqja e Kuvendit, ishte vendosur në video
të ndara; pjesa ku parashtroheshin rekomandimet u paraqit veçmas. Më pas, pas
largimit të Tufës nga Shqipëria, materiali nuk është më i aksesueshëm në atë
formë. Kjo është një çështje që duhet trajtuar me shumë kujdes. Nuk duhet thënë
pa provë se materiali “u fshi për ta zhdukur fjalimin”. Por mund të shtrohet
pyetja: Si është e mundur që një dokument i një institucioni kushtetues, i
lidhur me një seancë parlamentare, të mos jetë më i aksesueshëm në arkivin
publik në formën në të cilën ishte publikuar?
Kjo
pyetje është vetë pjesë e debatit mbi kujtesën institucionale. Sepse
dekomunistizimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që shteti vendos të publikojë. Ka
të bëjë edhe me atë që shteti ruan. Një demokraci duhet të ruajë edhe
dokumentet e debateve që e shqetësojnë. Sidomos ato.
XI. Kur pyetja institucionale
zhvendoset te “herezia”
Ka
një mënyrë të njohur për të shmangur një pyetje të pakëndshme: të mos i
përgjigjesh pyetjes. Në vend të saj, sulmohet personi që e ka bërë. Në rastin
konkret, pyetja mbi praninë e ish-kuadrove operative të Sigurimit në
administratë nuk u shndërrua në një debat publik mbi transparencën
institucionale. Konflikti u zhvendos në një terren tjetër: te shkrimet, botimet
dhe interpretimet historike të mbi 100 vëllimeve studimore, memuaristike,
dokumentare, dëshmive, albumeve, filmave dokumentare, serisë së Fjalorit
Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, mësimeve të lira mbi diktaturën
komuniste që specialistët e ISKK filluan të mbanin nëpër gjimnazet e Tiranës
dhe këmbënguljes për rishkimin e currikulave të shkollave nëntëvjeçare dhe
gjimnazeve. Si kalë sulmi u vendos libri studimor “Krimet e komunistëve gjatë
luftës” i historianit Çelo Hoxha, zëvendësdrejtor asokohe në ISKK, një studim i
kryer mbi bazën faktike të letrave e dokumentave të vetë udhëheqësve të PKSH gjatë
luftës.
Në
këtë mënyrë, pyetja “Kush janë?” u zëvendësua me pyetjen “Çfarë po thotë Tufa?”
Dhe më pas erdhi etiketa: “Ballist.”; “Përbaltës i Luftës Nacionalçlirimtare.”;
“Pasardhës i Ballit Kombëtar.” Kjo nuk ishte thjesht një polemikë mbi interpretimin
e historisë. Ishte një mënyrë për ta zhvendosur debatin nga dokumenti te
identiteti i autorit. Nëse një studiues paraqet dokumente arkivore mbi krime të
kryera gjatë luftës, pyetja akademike duhet të jetë: A janë dokumentet
autentike? A janë interpretuar drejt? A janë kontekstualizuar? A ka
kundër-dokumente? Pyetja nuk mund të jetë: “A është autori ballist?” Sepse kjo
e fundit nuk është argument historik. Është etiketim politik.
VII. Nga kujtesa te
kallëzimi penal
Rasti
i Edmond Cajës është, në këtë pikë, jashtëzakonisht domethënës. Në qershor
2019, Agron Tufa, në cilësinë e drejtorit të ISKK-së, depozitoi në Prokurorinë
e Krimeve të Rënda në Tiranë një kallëzim penal ndaj ish-komandantit të
kamp-burgut të Qafë-Barit, duke kërkuar ndjekjen për “krime kundër njerëzimit”,
mbi bazën e nenit 74 të Kodit Penal. Kallëzimi nuk u ngrit në boshllëk. ISKK
dëshmonte se kishte në arkiv dokumente dhe dëshmi të shumta të ish-të
burgosurve politikë.
Në
deklarimet publike të asaj kohe, Tufa foli për dëshmi të shumta okulare dhe
dokumentacion të arkivuar lidhur me dhunën dhe krimin e vrasjes në Qafë-Bari.
Por ekziston edhe një element që e bën çështjen edhe më interesante.
Para
kallëzimit institucional në Tiranë ishte bërë një kallëzim ndërkombëtar në
Mynih, dhe më pas ai u pasua nga kallëzimi i ISKK-së në Prokurorinë e Krimeve
të Rënda në Shqipëri. Kjo ishte përpjekje e parë ndërkombëtare për ndjekjen e
një prej përgjegjësve të kamp-burgjeve komuniste. Dhe mendoj se këtu kemi diçka
që meriton vëmendje të veçantë. Një krim i komunizmit po tentohej të dilte nga
kufijtë e kujtesës dhe të hynte në territorin e drejtësisë. Reagimi nuk vonoi:
një javë pas kallëzimit ndërkombëtar të Mynyhut, në mars 2019 u ekzekutua në
mënyrë mafioze H.B, një ndër dëshmitarët okular të vrasjes së Sandër
Sokolit në tortura, fill pas shtypjes së
Revoltës në Kamp-Burgun e Qafë-Barit (21 maj 1984). Çështja e vrasjes së tij u
mbyll shpejt me një alibi absurde e banale dhe nuk u hap më.
Kallëzimi
ynë penal mbi Cajën pati një fat që nuk na habit: ditën e parë të punës kreu i
sapozgjedhur i SPAK, prokurori që kishte dhënë dënime politike gjatë
diktaturës, Arben Kraja, e mbylli çështjen me përligjje për
"moskompetencë".
Këto
kallëzime penale janë shumë më tepër sesa një artikull kundër nostalgjisë
komuniste. Ishte një përpjekje e vendosur për të pyetur: Nëse shteti shqiptar
nuk e ka gjykuar këtë krim, a mund të kërkohet drejtësi në një juridiksion
tjetër? Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë kemi një provë se dështimi i
drejtësisë shqiptare nuk është thjesht një problem i së kaluarës. Ai vazhdon të
prodhojë pasoja.
IX. Kur kërkesa për
kujtesë kthehet në çështje sigurie
Në
fund të vitit 2019, pas muajsh sulmesh, shpifjesh e linçimesh nga zyrtarë të
lartë deputetë, përfshij shantazhet, ndër to edhe të kryeministrit; pas
kërcënimesh të përsëritura me vdekje femiljarisht; pas kallëzimeve në polici
dhe padive penale ndaj 6 personave publikë politikë dhe një organi shtypi; pas
kërkesës sime në Kuvend, në ambasadën e OSBE dhe një letre të Hapur mbrojtjeje
për 14 Ambasada perëndimore dhe refuzimit ose mospërgjigjes së tyre, mu desh ta
lë vendin dhe bashkë me familjen të kërkoj azil politik në Zvicër, duke qenë i
bindur tashmë se askush nuk ishte i interesuar të më ofronte dhe siguronte
qoftë dhe një të drejtë elementare – të jetës sime e të familjes.
Por
le ta marrim gjithë fushatën e linçimit e kërcënimeve me vdekje ndaj meje e
familjes sime në këndvështrimet me reletivizuese e madje dashakeqe e cinike, që
dihet se nuk mungojnë asnjëherë, pavarësisht ankesave zyrtare në të gjitha
hierarkitë institucionale, pavarësisht padive dhe kallëzimeve penale për të
kërkuar drejtësi. Relativizojmë gjithçka e çdo gjë dhe, ndonëse nuk më pëlqen
përqasja, ju kujtoj se zv. kryemnistri i Shqipërisë është larguar nga vendi për
kërcënime me vdekje. Pra as ai nuk paska qenë në gjendje të mbrohet. Po mua dhe
familjen time, kush do të na mbronte? Apo Taulant Balla, i cili, kur kërkova në
një mbledhje të Institucioneve të Pavaruar të merrnin masa, të frenonin
histerinë e disa deputetëve socialistë që shajnë çdo ditë, kërcënojnë me
shuarje ISKK dhe kërcënojnë drejtorin e tij, - m’u përgjigj me cinizëm: “Shko
në Gjykatë, shko në Prokurori, besoji institucioneve tona të reja të Drejtësisë
së Reformuar, siç e provova me sukses unë pak ditë më parë”?
Le
të ndalen skeptikët dhe cinikët thjesht tek fakti politik që nuk mund të
anashkalohet: Drejtori i institucionit shtetëror të ngarkuar me studimin e
krimeve të komunizmit u largua nga vendi dhe kërkoi mbrojtje jashtë Shqipërisë,
duke deklaruar se ishte kërcënuar për shkak të veprimtarisë së tij. Kjo është e
mjaftueshme për të ngritur një pyetje të rëndë: Çfarë ka ndodhur me shtetin
demokratik shqiptar, nëse ai nuk është në gjendje të mbrojë as njeriun që
dokumenton krimet e shtetit totalitar? Kjo nuk është më histori e vitit 1945.
As e vitit 1960. As e vitit 1980. Është histori e vitit 2019.
Dhe
pikërisht për këtë rasti im përbën një provë e gjallë të mosmbylljes, të
mosdashjes për t’i mbyllur llogaritë me të kaluarën.
X. Si mbijeton një
regjim pasi ka vdekur?
Kjo
është pyetja më e vështirë. Komunizmi shqiptar nuk u rikthye si sistem politik.
Nuk u rikthye Kushtetuta e vitit 1976. Nuk u rikthye Partia e Punës si
parti-shtet. Por një regjim totalitar nuk mbijeton vetëm duke rikthyer
institucionet e veta. Ai mund të mbijetojë edhe si kulturë politike me aleancat
dhe përbetimet e vjetra – këlyshët e trashëgimisë së tij.
Kur
krimi nuk gjykohet, ai relativizohet. Kur viktima nuk dëgjohet, autori mund të
romantizohet. Kur arkivi nuk hapet, boshllëkun e mbush propaganda. Kur përgjegjësia
individuale nuk përcaktohet, faji kolektiv bëhet më i lehtë për t'u manipuluar.
Kur institucionet nuk pastrohen sipas ligjit dhe standardeve demokratike,
kulturat e vjetra administrative mund të vazhdojnë në forma të reja.
Kësisoj
aleancat dhe përbetimet e vjetra (me të gjithë mbetjet operative të
ish-sigurimit nga fundvitet shtatëdhjetë deri në vitin 1991), shtrëngojnë
rradhët në një front të përbashkët, tashmë jo ideologjik, por recidivist,
trashëgimor, për ruajtjen e pushtetit dhe pasurimin me çdo mënyrë, me aktorë të
vjetër në skenë të re. E përbashkëta e të gjitha veglave vrastare të
diktaturave në përkushtimi e tyre ndaj padronëve të rinj është ferri i
ndërgjegjes së trashëguar dhe bindja e verbër. Këtu kemi zhvendosjen e këtyre
veglave nga diktatura te kartelet dhe çdo lloj krimi.
Dhe
kështu komunizmi mund të mos rikthehet si ideologji zyrtare, por të shfaqet si
mentalitet. Si klientelizëm. Si paternalizëm shtetëror. Si nënshtrim ndaj
autoritetit. Si përçmim i individit përballë shtetit. Si relativizim i dhunës
politike. Si nostalgji. Si mosbesim ndaj drejtësisë. Si bindja se pushteti
është mbi institucionet. Si patronazhizëm. Në këtë kuptim, mosndëshkimi është
edhe mekanizëm i trashëgimisë politike.
XI. “Gjyqi i kafes” si
alibi
Kjo
na kthen te Nexhmije Hoxha. Nuk është e nevojshme të mohojmë se ajo duhej të
përgjigjej për veprat për të cilat u gjykua. Nuk është e nevojshme as të bëjmë
apologji të saj. Dhe nuk është ky problemi. Problemi është tjetër: një gjyq për
shpërdorim të pasurisë shtetërore nuk mund të jetë zëvendësim për gjykimin e
krimeve të një regjimi.
Nëse
e reduktojmë gjithë historinë e drejtësisë së tranzicionit te “kafja”, atëherë
kemi bërë një padrejtësi të dyfishtë. I kemi bërë padrejtësi historisë së
viktimave. Dhe i kemi dhënë një alibi të përsosur shoqërisë së sotme për të mos
bërë pyetjen: Po krimet kundër njerëzimit ku janë? Ku janë hetimet? Ku janë
dosjet? Ku janë gjykimet? Ku është përgjegjësia individuale? Ku janë vendimet
gjyqësore? Ku janë arkivat? Ku është kujtesa institucionale? Dhe mbi të gjitha:
çfarë mësuam?
XII. Drejtësia e
tranzicionit nuk është hakmarrje
Këtu
duhet bërë edhe një sqarim themelor. Dekomunistizimi nuk mund të jetë gjueti
shtrigash. Një demokraci nuk mund të dënojë njerëzit vetëm për bindjet e tyre
politike. Nuk mund të zëvendësojë provën me hakmarrjen. Ish-të përndjekurit
politikë të komunizmit nuk kanë kërkuar për asnjë rast “hakmarrje”, por
drejtësi. Nuk mund të përdorë gjykatat si armë partie. Dhe pikërisht për këtë
arsye drejtësia e tranzicionit duhet të ishte (jetë) më e fortë se politika.
Ajo
duhet të bazohet mbi ligjin, provat, përgjegjësinë individuale, procesin e
rregullt dhe standardet e të drejtave të njeriut. Por kjo nuk do të thotë të
mos bëhet drejtësi.Përkundrazi. Do të thotë ta bësh drejtësinë aq të fortë sa
të mos ketë nevojë për hakmarrje.
XIII. Nga 1991 te 2019:
një vijë e papërfunduar
Nëse
i vendosim ngjarjet në një vijë të vetme kohore, tabloja bëhet e qartë:
1991:
arrestimi i Nexhmije Hoxhës gjatë Qeverisë së Stabilitetit.
1992–94:
procese ndaj figurave të larta të regjimit, kryesisht për vepra konkrete si
shpërdorimi i detyrës dhe pasurisë.
1995:
Kodi Penal dhe Ligji nr. 8001 krijojnë bazën për ndjekjen e gjenocidit dhe
krimeve kundër njerëzimit.
1995–96:
vala e arrestimeve dhe proceseve për krime kundër njerëzimit.
1997:
kolapsi i shtetit dhe ndërprerja e rëndë e procesit.
2008–09:
përpjekja e vonuar për lustracion dhe përballja e saj me problemet kushtetuese.
2011–19:
ISKK përpiqet të institucionalizojë kujtesën, dokumentimin dhe studimin e
krimeve.
2019:
kallëzimi i Edmond Cajës në Tiranë, pas përpjekjes për ndjekje ndërkombëtare në
Mynih.
2019:
kërcënimet ndaj Agron Tufës, largimi i tij nga Shqipëria dhe kërkesa për azil
politik në Zvicër.
Kjo
nuk është historia e një “gjyqi kafeje”. Është historia e një drejtësie
tranzitore të filluar, të ndërprerë, të rikthyer pjesërisht dhe të mbetur
përsëri pa përfundim. A dështoi Shqipëria vetëm në ndëshkimin e disa
kriminelëve të komunizmit, apo dështoi edhe në identifikimin dhe çmontimin e
vazhdimësisë së aparatit njerëzor, institucional dhe kulturor që kishte
prodhuar atë regjim?
XIV. Përfundim: A e kemi
mbyllur llogarinë?
Ndoshta
pyetja më e gabuar që mund t'i bëjmë sot historisë është: “A u dënuan disa
komunistë?” Po, disa u dënuan. Disa u burgosën. Disa u hetuan. Por pyetja e
drejtë është: A u vendos drejtësi mbi krimet e komunizmit? Dhe pastaj: A u
ndërtua një sistem që e bëri të pamundur përsëritjen e kulturës së tij
politike?
Këtu
përgjigjja është shumë më e vështirë. “Gjyqi i kafes” nuk ishte
domosdoshmërisht një fasadë. Por shndërrimi i tij në simbolin përfundimtar të
drejtësisë ndaj komunizmit është bërë, me kalimin e viteve, një alibi e
përsosur për të mos bërë pyetjen tjetër. Sepse Nexhmije Hoxha mund të gjykohej
për një vepër konkrete. Por një shoqëri nuk mund ta mbyllë historinë e një
diktature me faturën e kafesë.
Në
vitin 1995 Shqipëria e kishte kuptuar këtë. Prandaj krijoi një bazë juridike
për krimet kundër njerëzimit. Në vitin 2019, Agron Tufa u përpoq ta kthente
sërish këtë parim në një kallëzim konkret penal. Nga Qafë-Bari në Mynih e në
Tiranë, nga arkivi te dëshmia, nga dëshmia te kallëzimi penal — ishte një
përpjekje për t'i dhënë fund një borxhi të vjetër të shtetit shqiptar.
Por
në fund, njeriu që drejtonte institucionin e kujtesës u largua nga vendi dhe
kërkoi azil politik. Kjo nuk është prova e vetme e dështimit të drejtësisë së
tranzicionit. Por është një nga simbolet më të fuqishme të tij në kohët më të
vona.
Sepse
një demokraci nuk e përfundon dekomunistizimin kur rrëzon monumentin e
diktatorit. E përfundon atë kur krimi emërtohet, dokumentohet, gjykohet;
viktima dëgjohet; arkivi ruhet; institucioni mbrohet; dhe shoqëria arrin në një
marrëveshje morale se diktatura nuk mund të relativizohet më si një formë
normale qeverisjeje.
Nëse
kjo nuk ka ndodhur plotësisht, atëherë komunizmi nuk është rikthyer. Por një
pjesë e tij ka mbetur. Jo si regjim. Si mentalitet. Si aleancë e krimit për
kartelet, korrupsionin, vjedhjen e pasurive publike, patronazhizmin, farsën
elektorale, sundimin me çdo mjet e mënyrë, shitjen e interesave kombëtare,
tehuajësimin e qytetarit të dërmuar, asfiksinë, veleritjen e tij dhe
shpopullimin e pandalshëm të Shqipërisë.
Dhe
kjo është arsyeja pse “Gjyqi i kafes” si pikënisje nuk duhet të jetë fundi i
debatit. Duhet të jetë pikërisht fillimi i pyetjes mbi atë që nuk u gjykua.


