Xhelal Zejneli: Emigrimi i shqiptarëve në Itali – Arbëreshët
EMIGRIMI I SHQIPTARËVE PËR NË ITALI - ARBËRESHËT

Grupe të rralla shqiptarësh kishin
marrë rrugën drejt Italisë qysh në vitet 1272, 1388 dhe 1393, por ngulime të
dukshme kemi vetëm në mes të shekullit XV kur trupa shqiptare nën komandën e fisnikut
shqiptar në Kalabri dhe Sicili Dhimitër
Reres (Demetrius Reres) u thirrën në Itali nga mbreti i Napolit Alfonsi I Aragon (1396-1458), i cili
mbretëroi në vitet 1435-1458, për të mposhtur një kryengritje në Kalabri.
Ngulimet masive filluan me pushtimin e
Ballkanit nga Turqia, gjë që shpuri në një eksod të madh të shqiptarëve drejt
Italisë. Ky eksod u bë edhe më i ndjeshëm pas disfatës së qëndresës shqiptare
me vdekjen e Gjergj Kastriotit (1405-1468),
i cili kishte gjetur një mbështetje bujare nga Oborri Aragonas.
Në vitet 1468-1478 valë refugjatësh
braktisën Shqipërinë jugore për t’u ngulur në Basilikatë, Molize, Pulje dhe në
Kalabri. Pas shtrirjes së Turqisë në More, në vitet 1532-1533 shumë shqiptarë ikën
nga Greqia dhe u vendosën në Sicili. Këto valë refugjatësh formuan bërthamën e
kolonizimit shqiptar në Italinë jugore, ndonëse emigrantë të tjerë pasuan në
vitet e mëvonshme.
Në vitet 1744-1746, një grup nga
Piqerasi i krahinës së Himarës të Shqipërisë jugore u vendosën në Badhesë
(ital. Villa Badessa) afër Peskarës. Grupi më i fundit u vendos në Brindizi di
Montanja (ital. Brindisi di Montagna) afër Potencës, në vitin 1774.
Shqiptarët themeluan ose ripopulluan
mbi njëqind qytete dhe fshatra në Italinë jugore. Më tepër se gjysma e tyre gjenden
në malësinë e Kalabrisë. Kah fundi i shekullit XX, në rreth pesëdhjetë qytete
të shpërndara anembanë Mezzogiorno-s,
ende dëgjohet të flitet shqip. Këto bashkësi, që vlerësohet se përbëjnë një
popullsi shqipfolëse prej rreth 90.000 vetëve, ndodhen në shtatë krahina:
Abruce, Molize, Kampania, Pulje, Bazilikata, Kalabri dhe Sicili. Ato janë:
krahina e Peskarës, krahina Kampobaso, krahina Avelino, krahina Foxhia, krahina
Taranto, krahina Potenca, krahina Kozenca, krahina Katanxaro, krahina Palermo.
Edhe pse gjuha shqipe nuk është zhdukur
në Itali pas pesëqind vjetësh ekzistence, italishtja po mbisundon edhe në
fshatrat e veçuara malore. Në një numër bashkësish të lartpërmendura, shqipja
flitet ende nga të gjithë banorët, kurse në ngulime të tjera, vetëm të rriturit
janë dygjuhësh, kurse fëmijët flasin vetëm italisht. Në disa bashkësi të tjera,
vetëm pleqtë e kuptojnë shqipen. Në komunikim nëpër fshatra është kaluar
shkallë-shkallë nga shqipja në italishte dhe kjo për disa arsye: përdorimi i
detyrueshëm i italishtes në të gjitha shkollat, mungesa e njohjes zyrtare dhe e
mbështetjes nga qeveria italiane, mungesa e një territori të pandarë
shqipfolës, mjetet e komunikimit në gjuhën italiane dhe sidomos emigrimi stinor
për shkak të papunësisë kronike që ekziston në Italinë e jugut. Për komunikimi
me shkrim, shqipja është përdorur vetëm nga një pakicë intelektualësh përderisa
shkollimi dhe nxitjet kulturore të jashtme kanë qenë gjithmonë në gjuhën
italiane. Dallimet ndemjet dialekteve të shqipes që fliten në Italinë e jugut dhe
gjuhës letrare shqipe në Shqipëri, në Kosovë etj., e kanë bërë të vështirë për
arbëreshët që t’i përshtaten shqipes letrare, për të komunikuar me shkrim.
Një degë e fuqishme e letërsisë që do
të zhvillohej më vete jashtë Ballkanit ishte letërsia e italo-shqiptarëve apo e
arbëreshëve të Italisë jugore.
*
* *
Arbëreshë të Italisë quhen banorët e ngulimeve shqiptare që u vendosën në
Italinë e jugut në shekullin XV e më vonë. Pas pushtimit osman, valë të
popullsisë shqiptare, për të mos rënë në robëri, braktisën atdheun. Llogaritet
të jenë shpërngulur rreth 200 mijë vetë. Një pjesë e vendosur në veri të
Italisë në zotërimet venedikase, me kalimin e kohës u shkri. Të mërguarit nga
Shqipëria qendrore dhe jugore u vendosën në tokat e mbretërisë së Napolit, ku
iu caktuan vendbanime në Sicili, në Kalabri, në krahinat e Bazilikatës,
Kapitanatës, Puljes, Molizes etj. Pas vitit 1532, këtyre iu shtuan të mërguar
arbëreshë të ardhur nga Moreja. Valët e fundit të dyndjeve shqiptare arritën
deri në fund të shekullit XVII. Tokat në përgjithësi të ashpra dhe shterpe që
iu dhanë të mërguarve, këta me punë të palodhur i kthyen në toka buke, të
ardhurat kryesore të të cilave shkonin në dobi të pronarëve. U krijuan rreth 80
fshatra arbëreshe. Ngulimet arbëreshe sot ndodhen në tri zona: në afërsi të
Palermos fshatrat Hora e arbëreshëve (Piana degli albanesi) me dhjetë mijë
banorë dhe Palazzo Adriano; në Kalabri fshatrat rreth Kozencës: Ungër (Lungro),
Frashnit (Frascineto), Specano albaneze, Shën Mitër i Koronës etj. Fshatrat
rreth qytetit Katanxaro dhe ato të krahinave të tjera përbëjnë ishuj të
shpërndarë dhe të veçuar.
Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të
vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën deri në ditët tona gjuhën dhe
kulturën e vet, si dhe kultin e heroit Gjergj Kastriotit. Rol të rëndësishëm në
këtë luajtën traditat e tyre luftarake si dhe kontradiktat e thella që kishin
ata me banorët feudalë italianë dhe me kishën latine të Romës që synonte t’i
nënshtronte nën juridiksionin e vet. Në ruajtjen e traditave kombëtare luajtën
rol edhe shkollat si Kolegji
italo-shqiptar i Palermos dhe Kolegji
i Shën Adrianit në Kalabri, të
themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Nga gjiri i tyre dolën një varg
shkrimtarësh dhe njerëzish të ditur, të cilët dhanë ndihmesë të madhe për
lëvrimin e gjuhës së popullit dhe për njohjen e historisë së tij. Sidomos
Kolegji i Shën Adrianit me qendër në Shën Mitër të Korones u bë një vatër ku u
rritën breza të tërë të inteligjencies patriotike arbëreshe që u shquan edhe në
lëvizjen revolucionare të Risorxhimetos
për bashkimin e Italisë, por edhe si mendimtarë dhe shkrimtarë të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare, si zëdhënës të saj në botën e jashtme nëpërmjet organeve
të shtypit të tyre.
Figura e shquar e luftës për çlirimin
dhe bashkimin e Italisë, gjenerali Xhuzepe
Garibaldi (Giuseppe Garibaldi, 1807-1882) në një letër drejtuar shkrimtares
dhe publicistes Dora d’Istria (Elena
Gjika, 1829-1888) vlerësonte vetëmohimin e arbëreshëve të Italisë në luftën për
bashkimin e gadishullit italik dhe për krijimin e shtetit të pavarur italian.
Edhe pse ndryshimet e mëdha
ekonomiko-shoqërore bashkëkohore dhe shpërnguljet për punë jashtë vendit i kanë
gërryer, kolonitë arbëreshe po përjetojnë sot një zgjim të shënuar të
ndërgjegjes së tyre dhe një rritje të veprimtarisë në fushën e
kulturës. Këtë e dëshmojnë një varg revistash në gjuhën letrare shqipe,
në të cilën ata kanë aderuar duke nën shkruar vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Arbëreshët po bëjnë sot
përpjekje për të siguruar të drejtën për mësimin e gjuhës amtare në shkollat
fillore të komunave të tyre. Ata mbajnë lidhje të vazhdueshme me vendin mëmë,
Shqipërinë. Bashkë me gjuhën amtare, që ka tipare arkaike, kolonitë arbëreshe ruajnë deri në ditët e sotme doket dhe
zakonet, traditat e lashta në fushën e kulturës materiale dhe shpirtërore që
bëjnë të mundur që përmes tyre të njihet një pjesë e kulturës popullore
shqiptare të shekullit XV.
Dallohen sidomos kostumet popullore të
grave me bukuritë dhe pasuritë e stolisjeve të tyre, folklori i pasur me
poezinë epike heroike, në të cilin ruhet i gjallë deri në ditët e sotme kujtimi
i luftërave legjendare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Në zakonet e dasmës dhe të lindjes, në festat
popullore, në këngët, në lojërat dhe vallet që i shoqërojnë, ende ruhen shumë
elemente që janë të ngjashme me ato të atdheut amë. Ato dëshmojnë për njësinë
kulturore etnike të trungut të kombësisë shqiptare, nga i cili arbëreshët u
shkëputën para shumë shekujsh, pa humbur dashurinë dhe lidhjet gjithmonë të
gjalla me mëmëdheun e tyre të lashtë.
* * *
Në mesjetën e hershme gjuha shqipe
është quajtur arbërishte. Kështu e quajnë edhe sot arbëreshët e Italisë dhe
arbëreshët e Greqisë. Fjalët arbërisht dhe
gjuhë arbëreshe apo arbëneshe vijnë nga emri i hershëm etnik
i popullit shqiptar dhe i vendit të tij, arbër
a arbën. Në Shqipëri gjatë dy-tre
shekujve të fundit këto fjalë janë zëvendësuar nga fjalët shqip dhe gjuha shqipe.
Prej tyre janë formuar edhe emrat e prejardhur shqiptar dhe Shqipëri. Së
pari del e dokumentuar ndajfolja shqip
e cila haset një herë në “Mesharin” e
Gjon Buzukut (shekulli XVI) dhe
katër herë në veprat e Pjetër Budit (1566-1622).
* * *
Në shekujt XVIII dhe XIX, arbëreshët e
Italisë zhvilluan një letërsi me vlera artistike të çmueshme. Por, krijues i
parë ishte Lekë Matrënga (1567-1619),
i lindur në fshatin Hora e Arbërshëve afër Palermos, në Sicili. I përket shekullit
XVI dhe fillimit të shekullit XVII. Është autor i të parës poezi në gjuhën
shqipe “Canzona spirituale” (Kënga e përshpirtshme). Ky është i pari shkrim i shkruar në dialektin e toskërishtes. Pasojnë poetët e parë
arbëreshë të shekullit XVIII, si Nikollë
Brankati (1675-1741), Nikollë Filja (1682?
- 1769), Nikollë Keta (1740? -
1803). Ky është autor i tingëllimës
së parë shqiptare. T’u kthehemi maleve të Kalabrisë nga vjen i pari poet
arbëresh vërtet i talentuar Jul Variboba
(1724-1788). Ky lindi në fshatin Mbuzat në krahinën e Kozencës. Është autor
i poemës së parë në gjuhën shqipe “Gjella
e Shën Mërisë Virgjër (Jeta e Shën Mërisë Virgjër), Romë, 1762.
Shkrimtar më i njohur i letërsisë
arbëreshe dhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e
shekullit XIX është Jeronim De Rada (1814-1903).
Vjen nga malet e krahinës së Kozencës. Është katalizator i ndërgjegjes
kombëtare shqiptare. Mbajti letërkëmbim me figura të njohura të Rilindjes, si Thimi Mitko (1820-1890), Zef Jubani (1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904) dhe Dora d’Istria (1828-1888) si dhe me
studiues e shkrimtarë të huaj, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha Jozefin fon Knorr (Josephine von
Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak (Gustav
Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). De Rada pati edhe inkurajimin e poetit dhe
politikanit francez Alfons dë Lamartin (Alphonse
de Lamartine, 1790-1869). Poeti provansal Frederik
Mistarl (Frédéric Mistral, 1830-1914) e ka shprehur adhurimin e vet për
poemën “Këngët e Milosaos” (Napoli,
1836) të De Radës. Më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanisht
nga Hajnroh Kristof (Heinrich
Christoph Gottlieb Stier).
Zgjimi kulturor romantik i arbëreshëve
në mesin e shekullit XIX solli një tjetër shkrimtar me talent origjinal. Ky
është Françesk Anton Santori (1819-1894).
Vjen nga Picilia e krahinës së Kozencës. Është autor i së parës dramë të
shkruar në gjuhën shqipe “Emira”.
Disa pjesë të saj u botuan në vitin 1887 në revistën “Fiamuri Arbrit” të De Radës.
Pas De Radës dhe Santorit vjen Gavril Dara i Riu (1826-1885) nga
Pallac i Sicilisë. Është autor i baladës romantike “Kënka e sprasme e Balës” (Katanxaro 1906). Pason poeti lirik Zef Serembe (1844-1901) i lindur në
Strigar të krahinës kalabreze të Kozencës. Shpirt i shqetësuar, i parathënë për
të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Ishte poet i ndjenjës, i
vetmisë dhe i zhgënjimit.
Disa studiues arbëreshë janë marrë edhe
me folklorin e tyre, i kanë mbledhur dhe i kanë botuar këngë popullore të tyre
dhe thesarin shpirtëror.
Në shekullin XIX ka pasur edhe
shkrimtarë të tjerë arbëreshë, si: poeti dhe prifti arbëresh i fillimit të
shekullit XIX Benjamin Frashini, poeti arbëresh nga krahina e Kozencës Kostantino Askuri (1810-1871), shkrimtari Kostantin Beluçi Shalja (1796-1867), prifti dhe poeti arbëresh i shekullit XIX Euxhenio Peta, personaliteti arbëresh nga Pallaci, Itali Vinçenco Suli, prifti dhe poeti
arbëresh nga Sicilia Françesko Parrino (1754-1831)*, Demetrio Parrino (lindi në vitin
1852 në Piana degli Albanesi, Palermo, Siçili), mbledhësi i hershëm i folklorit
arbëresh në Sicili Gavril Dara Plaku*, i
biri Andrea Dara* (babai i Gavril Dara
të Riut), veprimtari arbëresh Mose
Troiano*, Karlo Dulçi* (midis viteve 1765-1850), poeti arbëresh Akil
Parapunja (1855–1883), kleriku dhe shkrimtari arbëresh i
shekullit XIX Bonifac Tamburi, prifti jezuit dhe shkrimtari arbëresh Zef Gualiata i lindur në vitin 1814; Vinçenc Bazile*, poeti arbëresh Vinçenc Stratigo (Vincenzo
Angelo Stratigò,
1822–1885), Zef Engjëll Noçiti (1832–1899)*, Bernard Bilota (Lindi në Frasnitë të
Kozencës, Kalabri, në vitin 1843; vdiq në vitin 1918. Ishte prift, poet, gjuhëtar dhe folklorist arbëresh.
* * *
Shënim: Françesko Parrino (Lindi në vitin 1754 – Vdiq në vitin 1831 në Hora të Arbëreshëve në Sicili
ose Piana degli Albanesi).
Njihet edhe si Nxhiku Prifti. Ishte një presbiter (prift) i ritit
bizantin, shkrimtar dhe poet arbëreshe.
Shënim: Gavril Dara Plaku është mbledhës i hershëm i folklorit shqiptar
në Siçili. Është gjyshi i poetit
romantik Gavril Dara i Riu*. Familja Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (1405-1468), shumë
familje bujarësh shqiptarë u shpërngulën nga zona e Rrjollit të Malësisë dhe u
vendosën në Palaco Adriano të Siçilisë. Një prej familjeve të tilla ishte edhe
ajo Darjve.
Shënim: Gavril Dara i
Riu (Pallaci, Sicili, 1826 – Agrigento, 1885). Lindi në një familje
bujarësh shqiptarë që e kishte kaluar Adriatikun pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (1405-1468). Gavril
Dara i Riu ishte mik me Xhuzepe
Garibaldin (1807-1882)*. Kur
jugu i Italisë luftonte me veriun për të mos u bashkuar, Gavril Dara i Riu
ishte për bashkimin e Italisë.
Shënim: Xhuzepe
Garibaldi (Giuseppe Garibaldi, 1807-1882) - gjeneral, patriot dhe revolucionar italian. Luajti rol vendimtar për bashkimin e Italisë
(Risorgimento). Konsiderohet
si një nga "baballarët e
atdheut", bashkë me Kamillo
Kavurin (Camillo Benso di Cavour, Torino, 1810 – Torino, 1861); politikanin,
gazetarin dhe veprimtarin radikal italian Xhuzepe
Macinin (Giuseppe Mazzini, 1805-1872) dhe mbretin Viktor Emanueli II (Victor Emmanuel II)*.
Shënim: Viktor Emanueli II (Victor Emmanuel II; Torino, 1820 - Roma, 1878).ishte
mbreti i parë i Italisë së bashkuar. Mbretëroi në vitet 1861-1878. Para kësaj, nga
viti 1849 ishte Mbret i Sardenjës.
Bashku me Kamillo Benso di Kavurin (Camillo Benso di Cavouri (Konti i
Cavourit) dhe Xhuzepe Garibaldin (Giuseppe
Garibaldi), luajti rol
qendror në lëvizjen për bashkimin e Italisë (Risorgimento).Mbret i Italisë në
vitet 1861–1878; Mbret i Sardenjës në vitet 1849–1861. E quanin Padre della
Patria (Baba i Atdheut).
Shënim: Andrea Dara (1796-1872),
i njohur edhe si Ndre Dara, ishte folklorist dhe gjuhëtar arbëresh nga fshati
Pallaci (Palazzo Sdriano) i Sicilisë. Është baba i poetit romantik Gavril Darës së Ri.
Shënim: Mosè Antonio Troiano - veprimtar arbëresh. Shërbeu
si kryetar i bashkisë së fshatit arbëresh Shën Pali i Arbëreshëve në rajonin e
Bazilikatës, Itali.
Shënim: Karlo Dulçi ka
qenë autor dhe poet arbëresh. Jetoi midis viteve 1765 dhe 1850. Rrjedh nga
ngulimi arbëresh në Sicili - Hora e
Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).
Shënim: Bonifac
Tamburi lindur në vitin 1799.
Klerik dhe shkrimtar arbëresh i shekullit XIX.
Shënim: Vinçenc Bazile (në italisht: Vincenzo
Basile, 1818–1882) ka qenë
prift jezuit italian dhe misionar që shërbeu në Shkodër. Është një nga jezuitët
e parë sicilianë i cili së bashku me priftin jezuit dhe shkrimtarin arbëresh Zef Gualiata (1814- ) dhe priftin
jezuit italian Salvator Bartolin, gjatë
shekullit XIX erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në mbrojtjen e besimit katolik.
Edhe pse me prejardhje italiane, Bazile dha ndihmesë të çmuar në lëvrimin e gjuhës shqipe
përmes veprave fetare dhe gjuhësore. Në vitin 1845 botoi në Romë veprën me 144
faqe “Rruga e Parrisit”.
Shënim: Salvator
Bartoli, Vinçenc Bazile dhe Zef
Gualiata janë misionarët e parë që hodhën themelet e Urdhrit Jezuit në
Shqipëri.
Shënim: Zef Engjëll Noçiti, 1832–1899) - poet, shkrimtar, mësues dhe albanolog i arbëresh.
Lindi dhe jetoi në Spixanë (Spezzano
Albanese) të rajonit të Kalabrisë në Itali.
* * *
Ndihmesë për kulturën shqiptare kanë
dhënë edhe shkrimtarë dhe studiues arbëreshë të cilët kanë shkruar italisht.
Arbëreshët janë marrë me krijimtari letrare artistike edhe në shekullin XX. Ata krijojnë art edhe sot, d.m.th. në shekullin XXI. Ka arbëreshë që merren edhe me studime dhe hulumtime shkencore.



