Prend Buzhala: Roman humanist mbi njeriun, dinjitetin dhe vlerat njerëzore

ROMAN HUMANIST MBI NJERIUN, DINJITETIN DHE LUFTËN E TIJ PËR VLERAT NJERËZORE NË KOHË TË VËSHTIRA
(Romani
"Hijet e shpresës" i Ramiz Selimit, 2026)

Ramiz
Selimi vjen me romanin "Hijet e shpresës" i katërti me radhë, si
pjesë e tetralogjisë romanore. Së bashku me romanet "Rrënjët e
kujtesës", "Dëshirë e djegur" dhe "Shpirti i
plagosur", ndërton një tërësi epike rrëfimesh e një projekti më të gjerë
letrar. Si, deri më tash, ndërton një tetralogji romanore, e cila paraqet në
mënyrë të plotë përvojat historike, shoqërore, nacionale dhe shpirtërore të
popullit tonë në periudha të ndryshme. Secili prej këtyre romaneve trajton një
aspekt të veçantë të jetës njerëzore dhe kombëtare, por të katër lidhen nga
temat e përbashkëta të identitetit, kujtesës, vuajtjes, emigrimit, dashurisë,
sakrificës dhe shpresës. Në këtë mënyrë, autori krijon një tërësi epike, ku
personazhet dhe ngjarjet plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një pamje më të
gjerë të realitetit shqiptar.
Një
përbërës që e lidh këtë tetralogji romanore është personazhi i përbashkët,
Dardani, i cili shfaqet si figura kryesore në të katër romanet. Përmes jetës,
përvojave dhe zhvillimit të tij, autori ndërton një rrëfim të vazhdueshëm epik
që përfshin periudha të ndryshme historike dhe shoqërore. Dardani është protagonist që simbolizon qëndresën,
identitetin kombëtar, sakrificën dhe humanizmin e brezave shqiptarë. Brenda kësaj tetralogjie, “Hijet e Shpresës”
zë një vend të rëndësishëm, sepse trajton dramën e emigrimit dhe luftën e
njeriut për liri e dinjitet. Romani "Hijet e Shpresës” dëshmon ambicien
krijuese të Ramiz Selimit për të ndërtuar një tërësi epike me vlera letrare.
Këto romane plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë një panoramë të gjerë të
historisë, vuajtjeve, qëndresës dhe shpresës së njeriut shqiptar. Edhe ky roman
paraqet realitetin e rëndë të krajatave të popullit tonë gjatë viteve ’90.
1. Prirja epike e autorit në
romanin “Hijet e shpresës”
Romani
“Hijet e Shpresës” i Ramiz Selimit shquhet për prirjen e tij epike, e cila
vërehet në format e procedimet e rrëfimit, në gjerësinë e ngjarjeve dhe në
paraqitjen e jetës së një populli të
tërë. Autori nuk kufizohet vetëm te historia personale e Dardanit, por paraqet
fatin e shumë familjeve dhe emigrantëve shqiptarë, si dhe sfidat që ata
përjetojnë gjatë rrugëtimit drejt një jete më të mirë. Pikërisht kjo e bën
veprën të ketë karakter të theksuar epik. Prirja epike shfaqet para së gjithash
në rrëfimin e gjerë dhe kronologjik të ngjarjeve. Autori ndjek zhvillimin e
protagonistit nga jeta në Kosovë, largimi nga vendlindja, kalimi i kufijve,
përballja me trafikantët, qëndrimi në kampin e refugjatëve dhe sfidat e
emigrimit. Ngjarjet lidhen natyrshëm me njëra-tjetrën dhe krijojnë një tablo të
plotë të realitetit të kohës Përmes tyre, autori paraqet vuajtjet, shpresat dhe
përpjekjet e një populli të tërë, duke e shndërruar përvojën individuale në
përvojë kolektive. Kjo prirje vërehet edhe në përshkrimet e gjera të mjedisit
dhe të ngjarjeve. Kosova, kufijtë, pyjet, kampet e refugjatëve dhe vendet e
emigrimit përshkruhen me realizëm dhe hollësi, duke krijuar atmosferë dhe duke
e bërë lexuesin pjesë të rrugëtimit të personazheve. Megjithëse romani ka
karakter epik, autori nuk lë pas dore botën e brendshme të personazheve. Ai
ndërthur rrëfimin epik me analizën psikologjike, duke i paraqitur mendimet,
frikën, dilemat dhe shpresat e tyre. Kjo qasje e pasuron veprën dhe i jep asaj
përmasë më të thellë artistike. Përmes kësaj prirjeje epike, Ramiz Selimi arrin
ta paraqesë sa historinë e disa individëve, po aq edhe një periudhë të
rëndësishme historike dhe shoqërore të popullit tonë. Vepra bëhet kështu një
dëshmi letrare e emigrimit, e sakrificave dhe e qëndresës njerëzore.
Titulli
i një vepre letrare është elementi i parë që e orienton lexuesin drejt kuptimit
të saj. Në romanin “Hijet e shpresës”, Ramiz Selimi ka zgjedhur një titull me
domethënie të thellë simbolike, i cili përmbledh në mënyrë të përkryer
përmbajtjen, atmosferën dhe mesazhin e veprës. Ai bashkon dy nocione të
kundërta: hijet, që simbolizojnë
errësirën dhe vuajtjen, si dhe shpresën, që përfaqëson besimin dhe dritën e së
ardhmes.
Semantema
hijet simbolizon të gjitha
vështirësitë që përjetojnë personazhet gjatë rrugëtimit të tyre. Ajo ndërlidhet
me shtypjen politike, largimin nga vendlindja, emigrimin, pasigurinë,
varfërinë, frikën, humbjet dhe pengesat që hasin në kërkim të lirisë. Hijet
përfaqësojnë periudhat më të errëta të jetës, kur njeriu vihet përballë sfidave
që duken të pakapërcyeshme. Ndërsa fjala shpresë na e dëfton besimin se,
pavarësisht vuajtjeve, ekziston gjithmonë mundësia për një jetë më të mirë.
Shpresa është forca që i mban gjallë personazhet, i ndihmon t'i përballojnë
rreziqet dhe të mos dorëzohen. Ajo shfaqet si simbol i lirisë, i dinjitetit dhe
i besimit në të ardhmen. Titulli lidhet drejtpërdrejt me figurën e Dardanit, i
cili gjatë gjithë romanit kalon nëpër shumë hije, por nuk e humb asnjëherë
shpresën. Edhe personazhet e tjerë përjetojnë sprova të rënda,
3. Tipologjia e romanit dhe
trajtat e rrëfimit
Romani
“Hijet e shpresës” i Ramiz Selimit
trajton dramën e shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit XX. Në qendër të
veprës qëndron Dardani, një i ri idealist që detyrohet të largohet nga
vendlindja për shkak të shtypjes politike, dhunës dhe mungesës së lirisë.
Rrugëtimi i tij nga Kosova deri në kampet e emigrantëve në Evropë shndërrohet
në një simbol të fatit të mijëra shqiptarëve që kërkonin siguri, dinjitet dhe
një jetë më të mirë.
Në
aspektin tematik, romani ndërthur disa shtresa të rëndësishme. Fillimisht
trajtohet rezistenca paqësore e shqiptarëve dhe atmosfera e rëndë politike në
Kosovë, e cila i shtyn personazhet drejt emigrimit. Më pas, autori përshkruan
me realizëm rrugën e rrezikshme të emigrimit ilegal, mashtrimet e trafikantëve,
vuajtjet në kufij, humbjet njerëzore dhe jetën e vështirë në kampet e
refugjatëve. Në të gjitha këto etapa mbizotërojnë temat e lirisë, identitetit
kombëtar, humanizmit, dashurisë, sakrificës dhe shpresës.
Personazhi
kryesor, Dardani, pëson një zhvillim të vazhdueshëm psikologjik. Në fillim ai
paraqitet si një i ri idealist dhe patriot, ndërsa gjatë rrugëtimit bëhet
gjithnjë e më i pjekur. Ndeshjet me padrejtësinë, vdekjen, mashtrimin dhe
dhunën; këto ballafaqime nuk e shndërrojnë në njeri të egër, por e bëjnë edhe
më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Ai i ndihmon njerëzit në nevojë,
mbron Lorin, shpëton Semin dhe vazhdimisht përpiqet ta ruajë dinjitetin
njerëzor. Përmes tij autori e ndërton figurën e shqiptarit që nuk dorëzohet
përballë fatkeqësive.
Romani
“Hijet e Shpresës” i Ramiz Selimit është një vepër që ndërthur disa tipologji
letrare. Ai mund të cilësohet si roman shoqëror, psikologjik, realist, historik
dhe humanist, sepse trajton probleme të rëndësishme të shoqërisë shqiptare,
analizon botën e brendshme të personazheve dhe pasqyron me besnikëri realitetin
e kohës. Së pari, kjo vepër është roman shoqëror, pasi trajton fenomenin e
emigrimit, varfërinë, shtypjen politike, padrejtësinë dhe vështirësitë me të
cilat përballen shqiptarët. Autori nuk rrëfen vetëm historinë e një individi,
por paaqet fatin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare që u detyrua të
largohej nga vendlindja në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë. Së dyti, vepra
është roman psikologjik, sepse i kushton rëndësi të veçantë botës së brendshme
të personazheve. Dardani, Lori, Semi dhe personazhe të tjerë përjetojnë frikë,
ankth, shpresë, zhgënjim dhe dilema morale. Autori analizon ndjenjat, mendimet
dhe ndryshimet që ndodhin në karakterin e tyre gjatë rrugëtimit të vështirë.
Një
tipar tjetër i rëndësishëm është realizmi. Është roman realist, sepse ngjarjet,
personazhet dhe situatat janë të besueshme dhe të lidhura ngushtë me realitetin
historik e shoqëror. Përshkrimet e emigrimit, kampit të refugjatëve,
trafikantëve dhe vuajtjeve të emigrantëve paraqiten me vërtetësi, pa
idealizime. Po ashtu, mund të quhet edhe
roman historik, pasi zhvillohet në një periudhë të caktuar të historisë së
Kosovës dhe lidhet me shtypjen politike, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe
pasojat që këto ngjarje lanë në jetën e tyre. Edhe pse personazhet janë
artistikë, sfondi historik është real dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e
ngjarjeve. “Hijet e Shpresës” është edhe
roman humanist. Në qendër të tij qëndrojnë vlerat e njeriut: humanizmi, solidariteti,
dashuria, liria dhe dinjiteti. Përmes figurës së Dardanit, autori na tregon se
edhe në rrethanat më të vështira njeriu duhet të ruajë ndershmërinë, respektin
për të tjerët dhe besimin te e ardhmja.
“Hijet
e Shpresës” i Ramiz Selimit dallohet për përdorimin e larmishëm të trajtave të
rrëfimit, dialogut dhe përshkrimit, të cilat i japin veprës realizëm, gjallëri
dhe thellësi artistike. Përmes këtyre veçorive, autori e ndërton një rrëfim të
besueshëm dhe e afron lexuesin me botën e personazheve dhe me ngjarjet që
përjetojnë. Në roman mbizotëron rrëfimi në vetën e tretë, ku narratori i njeh
dhe i përshkruan ngjarjet, personazhet dhe mendimet e tyre. Ky tip rrëfimi i
jep autorit mundësi që ta paraqesë një pamje të gjerë të jetës së emigrantëve
dhe të realitetit shoqëror të kohës. Përveç rrëfimit kronologjik, autori përdor
edhe analizën psikologjike, duke paraqitur mendimet, dilemat dhe ndjenjat e
personazheve, sidomos të Dardanit. Në këtë mënyrë, lexuesi kupton jo vetëm atë
që ndodh, por edhe mënyrën se si personazhet i përjetojnë ngjarjet.
Dialogu
zë një vend të rëndësishëm në roman. Përmes bisedave ndërmjet personazheve,
autori zhvillon ngjarjen, zbulon karakterin e tyre dhe shpreh mendime të
ndryshme për emigrimin, lirinë, dashurinë dhe të ardhmen. Dialogët janë të
natyrshëm dhe realistë. Ata pasqyrojnë emocionet, konfliktet dhe marrëdhëniet
ndërmjet personazheve. Bisedat e Dardanit me Tonin, Lorin dhe Semin ndihmojnë
në ndërtimin e karaktereve dhe në përcjelljen e mesazheve kryesore të romanit.
Përshkrimet
janë një element tjetër me rëndësi artistike në roman. Autori përshkruan me
hollësi natyrën, kufijtë, pyjet, kampet e refugjatëve dhe rrugët e emigrimit.
Këto përshkrime krijojnë atmosferë dhe e bëjnë lexuesin ta përjetojë më afër
realitetin e personazheve. Përveç përshkrimeve të mjedisit, autori përdor edhe
përshkrime psikologjike, duke paraqitur frikën, ankthin, shpresën dhe
zhgënjimin e personazheve. Gjithashtu, përshkrimet fizike ndihmojnë në krijimin
e figurave të dallueshme dhe të besueshme.
3. Në vazhdën e shtjellimit të
ngjarjeve
Romani
hapet me paraqitjen e një atmosfere të rëndë, ku ankthi, pasiguria dhe shpresa
bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë. Ramiz Selimi e nis rrëfimin me një
përshkrim të natyrës, e cila shërben si sfond, por bëhet edhe rrezatim i gjendjes
shpirtërore të personazheve dhe i kohës historike në të cilën zhvillohen
ngjarjet. Qielli i ulur, mjegulla dhe heshtja e fshatit krijojnë ndjesinë se
vendi po pret një kthesë të madhe historike. Në këtë mënyrë, autori paralajmëron
se përpara personazheve nuk qëndron një rrugë e zakonshme, por një periudhë
plot sfida dhe sakrifica.
Takimi
i Dardanit me Tadin dhe Artin është boshti i kreut të parë. Dialogu mes tyre
nuk është vetëm një bisedë mes miqsh, por një debat ideologjik mbi rrugën që
duhet të ndjekë populli shqiptar. Tadi dhe Arti mbështesin organizimin e
protestave, krijimin e institucioneve paralele dhe rezistencën paqësore, ndërsa
Dardani ngre pyetje të vështira për çmimin e kësaj rruge. Fjalët e tij: “Zjarri luftohet me zjarr dhe plumbi me
plumb” shprehin bindjen se pushtuesi nuk ndalet vetëm me protesta. Kjo
pikëpamje e bën Dardanin një personazh realist, i cili e sheh me sy kritik
realitetin dhe nuk ushqen iluzione. Nga ana tjetër, autori sjell edhe
këndvështrimin politik përmes Artit dhe Tadit. Ata besojnë se mbështetja
ndërkombëtare dhe organizimi demokratik janë rruga drejt lirisë. Përmendja e
senatorit amerikan Bob Dole dhe nevoja për ndërtimin e institucioneve paralele
e vendos rrëfimin në një kontekst të qartë historik, duke treguar se lufta për
liri nuk zhvillohet vetëm në rrugë, por edhe në diplomaci, organizim dhe durim
politik.
Një
tjetër ide e rëndësishme e këtij kreu është bashkimi kombëtar. Personazhet e
kuptojnë se liria nuk mund të arrihet pa kapërcyer përçarjet e brendshme. Ata
flasin për faljen e gjaqeve, organizimin e popullit dhe krijimin e një fronti
të përbashkët. Fjalët e Tadit se “Duhet
t’i bashkojmë shqiptarët. Duhet t’i falim gjakmarrjet” tregojnë se autori e
sheh unitetin si kusht themelor për suksesin e rezistencës. Kështu, lufta nuk
paraqitet vetëm si ballafaqim me armikun, por edhe si përpjekje për ta forcuar
shoqërinë nga brenda.
Nëna
Rina dhe motra Zana përpiqen ta ndalin Dardanin të mos shkojë në protesta,
sepse ndiejnë se kohët po çojnë drejt luftës. Rina përfaqëson figurën e nënës
shqiptare që jeton mes frikës dhe krenarisë, ndërsa Zana simbolizon shqetësimin
e familjes për fatin e djalit të vetëm. Megjithatë, Dardani mbetet i
palëkundur. Ai e kupton se heshtja do të ishte tradhti ndaj vendit dhe shprehet
se populli ka vetëm tri rrugë: të luftojë, të largohet ose të jetojë si skllav
në tokën e vet.
Figura
e Trimit sjell qetësi, urtësi dhe guxim. Ai nuk flet me emocione të çastit, por
me bindjen se liria fitohet vetëm përmes veprimit. Fjalët e tij: “Kjo është rruga e vetme. Liria nuk vjen
vetë. Duhet ta thërrasim me zërin tonë, ta mbajmë me duart tona” përmbledhin
idenë kryesore të romanit dhe shndërrohen në një thirrje për përgjegjësi
kombëtare. Personazhet nuk janë heronj
të paarritshëm; ata kanë frikë, dyshime dhe dilema, por zgjedhin të mos
dorëzohen. Kur Dardani dhe Auloni
arrijnë pranë konvikteve, përballen me automjete të blinduara dhe me mungesën e
protestuesve. Ata e kuptojnë se qyteti është vënë nën kontroll policor dhe se
protesta është penguar me qëllim.
Turma
bashkohet nën udhëheqjen e Tadit dhe brohoret për Republikën e Kosovës, duke e
shndërruar protestën në simbol të rezistencës kombëtare. Parullat “Jetën e japim, Kosovën s’e japim!” dhe “Kosova Republikë!” nuk janë vetëm
slogane politike, por shprehje të identitetit dhe të gatishmërisë për
sakrificë. Ndërsa studentët kërkojnë
liri dhe të drejta, pushteti përgjigjet me gaz lotsjellës, topa uji dhe armë
zjarri.
Autori
e përshkruan dhunën me realizëm të fortë. Bombolat e gazit lotsjellës,
automjetet e blinduara dhe të shtënat krijojnë një atmosferë lufte. Studentët
përpiqen të mbrohen duke kthyer bombolat drejt policisë, ndërsa disa prej tyre
plagosen ose vriten. Figura e Veganit, i cili gjatë gjithë kohës kishte parandier
tragjedinë, merr një dimension tragjik kur plagoset rëndë. Ndërkohë, Dardani,
edhe pse plagoset në këmbë, nuk mendon për veten, por përpiqet të shpëtojë
studentët e plagosur.
Spikatet
edhe kontrasti mes humanizmit dhe barbarisë. Studentët mbajnë njëri-tjetrin për
dore, ndihmojnë të plagosurit dhe brohorasin për liri, ndërsa policia përdor
dhunë të pamëshirshme, madje edhe ndaj të plagosurve. Përshkrimi i
autoambulancës që shtyp demonstruesit dhe i policëve që godasin një student të
plagosur tregon se pushteti ka humbur çdo ndjenjë njerëzore. Një element tjetër
i rëndësishëm është transformimi psikologjik i Dardanit. Mendimi i tij se pushtuesi nuk ndalet me
gurë, por vetëm me armë, forcohet edhe më shumë pasi përjeton plagosjen dhe
sheh viktimat rreth vetes. Ky zhvillim paralajmëron rrugën që do të ndjekë
romani në vazhdim, ku protesta do të shndërrohet gradualisht në rezistencë të
armatosur.
Zbulimi
i policëve të maskuar dhe i bashkëpunëtorëve të regjimit krijon tension të
madh. Personazhi i Batonit, i cili mbron policin dhe kërcënon demonstruesit me
armë, shihet si simbol i tradhtisë dhe i njeriut që e humb besimin e popullit.
Akuza se ai është spiun e kthen menjëherë nga shok në armik, duke treguar se në
kohë shtypjeje tradhtia konsiderohet një nga krimet më të rënda. Përmes
profesorit dhe Tadit jepet një mesazh i rëndësishëm: shqiptarët nuk duhet të
luftojnë mes vete, sepse armiku i vërtetë është regjimi shtypës. Në këtë atmosferë tragjike spikat figura e
Metit, i cili vendos të mos tërhiqet. Ai sulmon policët me gurë dhe shkopinj,
edhe pse e di se mund të vritet. Plagosja dhe arrestimi i tij simbolizojnë
gatishmërinë për sakrificë në emër të lirisë.
Paraqitet edhe arrestimi i Tadit, organizatorit të protestës. Edhe pse i
plagosur rëndë dhe i lidhur nga policia, ai nuk dorëzohet. Fjalët e tij: “Do të bëhemi shtet patjetër...” dhe
bindja se shqiptarët do të fitojnë tregojnë forcën morale të personazhit.
Përmes Tadit autori përcjell idenë se idealet nuk mund të shuhen me burg, dhunë
apo kërcënime. Pas shpërndarjes së protestës, policia vazhdon ndjekjen e
demonstruesve nëpër rrugë dhe shkurre. Dardani kupton se qëllimi i regjimit nuk
është vetëm arrestimi, por edhe poshtërimi i shqiptarëve. Kur dëgjon britmën e
një vajze që kërkon ndihmë, ai vendos të rrezikojë jetën për ta shpëtuar. Ngjarja më dramatike është dhuna ndaj Aidës.
Autori e paraqet këtë skenë si simbol të mizorisë së pushtetit dhe të
përpjekjes për ta poshtëruar tërë popullin shqiptar përmes dhunës ndaj grave.
Reagimi i Dardanit, i plakës dhe më pas i Jakobit tregon se edhe në momentet më
të errëta ekzistojnë njerëz që zgjedhin të mbrojnë të pafajshmit. Jakobi, edhe
pse është polic shqiptar, nuk pranon ta mbështesë krimin dhe ngrihet kundër
kolegëve të tij, duke treguar se ndërgjegjja njerëzore është më e fortë se
uniforma.
Edhe në
momentet më tragjike, personazhet nuk e humbin shpresën, gjë që lidhet
drejtpërdrejt me simbolikën e titullit “Hijet e Shpresës”. Hijet përfaqësojnë
errësirën e pushtimit, ndërsa shpresa mbetet forca që i mban personazhet në
këmbë.
Kah
mesi i veprës paraqitet një kthesë e rëndësishme në jetën e Dardanit. Pas
ballafaqimit me dhunën, beteja e tij zhvendoset nga rrugët e protestës në botën
e brendshme. Frika nga arrestimi, ndjenja e pasigurisë, dëshira për të shpëtuar
dhe konflikti mes dashurisë për atdheun
dhe nevojës për emigrim bëhen temat kryesore të këtyre pjesëve të vepërs. Ramiz
Selimi tregon se dhuna nuk plagos vetëm trupin, por edhe mendjen dhe shpirtin e
njeriut.
Një nga
momentet më prekëse është biseda mes Dardanit
dhe Rinës për emigrimin. Dardani e kupton se largimi është mënyra e vetme për
të shpëtuar nga ndjekja politike, ndërsa Rina e përjeton emigrimin si një
humbje të madhe. Fjalët e saj “Emigrimi,
po ma ha shpirtin, bir” shprehin dhimbjen e mijëra nënave shqiptare që
detyroheshin t’i përcillnin fëmijët drejt një të panjohure për t’i shpëtuar
dhunës. Këtu autori paraqet konfliktin mes dashurisë për vendlindjen dhe
nevojës për mbijetesë. Kapitujt tjerë paraqesin një nga momentet më të
dhimbshme në jetën e Dardanit: ndarjen nga vendlindja dhe nisjen drejt
emigrimit.
Më
tutje, shfaqet edhe figura e Bertinit, pronarit të autobusit. Ai paraqitet si
personazh dinak dhe oportunist, i lidhur me interesa të errëta. Dardani nuk i
beson, sepse e njeh nga përvoja e mëparshme dhe e konsideron mashtrues. Përmes
Bertinit autori kritikon njerëzit që përfitojnë nga fatkeqësia e emigrantëve,
duke e kthyer nevojën e tyre në burim fitimi.
Udhëtarët janë njerëz të ndryshëm, secili me historinë dhe hallet e
veta, por të bashkuar nga dëshira për t’i shpëtuar një realiteti të rëndë.
Gruaja që kërkon mbështetjen e Dardanit nga ngacmimet e Bertinit tregon
pasigurinë dhe frikën që përjetojnë emigrantët edhe gjatë udhëtimit. Kjo
situatë zbulon se rruga drejt lirisë nuk është pa rreziqe dhe padrejtësi. Autori paraqet edhe fenomenin e korrupsionit
dhe kontrabandës. Ryshfeti ndaj policisë, kontrabandistët dhe mënyra se si
funksionon udhëtimi paraqesin një realitet ku ligji blihet me para.
Selimi
nuk e paraqet kufirin vetëm si një vijë ndarëse mes shteteve, por si kufirin
mes njerëzores dhe çnjerëzores. Dardani, Lori dhe emigrantët e tjerë
ballafaqohen me njerëz që përfitojnë nga fatkeqësia e tyre, por njëkohësisht
zbulojnë forcën morale, dinjitetin dhe solidaritetin njerëzor. Autobusi ndalet
papritur në mes të natës dhe udhëtarët kuptojnë se janë bërë viktima të një
mashtrimi. Bertini përdor gënjeshtra dhe kërcënime për t’i detyruar emigrantët
të zbresin, duke pretenduar se nuk mund ta kalojë kufirin me ta. Atmosfera
është e mbushur me ankth, pasiguri dhe frikë, ndërsa Dardani fillon ta kuptojë
se gjithçka është pjesë e një skeme të organizuar për të përfituar para nga
njerëzit e dëshpëruar. Kjo situatë paraqet emigrantin si viktimë të dyfishtë:
së pari të regjimit që e detyron të largohet dhe së dyti të trafikantëve që e
shfrytëzojnë.
Një rol
të rëndësishëm në këtë kapitull ka Lori, gruaja me dy fëmijë, e cila ndeshet me presionin dhe ngacmimet e
Bertinit. Ai përpiqet ta manipulojë duke i premtuar ndihmë, por në të vërtetë
synon ta shfrytëzojë. Lori, megjithëse e vetmuar dhe në një gjendje shumë të
vështirë, ruan dinjitetin dhe refuzon çdo kompromis me moralin e saj. Përmes
këtij personazhi autori lartëson figurën e gruas shqiptare, e cila mbetet e
fortë edhe në rrethanat më të rënda. Dardani
nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj padrejtësisë që i bëhet Lorit dhe
fëmijëve të saj. Solidariteti i tij e
dallon nga njerëzit egoistë që e rrethojnë.
Emigrantët
ndeshen me rrezikun e kalimit ilegal, me mungesën e strehimit dhe me të
panjohurën që i pret përpara. Megjithatë, në këtë errësirë lind edhe një
ndjenjë shprese. Marrëdhënia mes Dardanit dhe Lorit bëhet më e afërt, duke u
ndërtuar mbi besimin, respektin dhe ndihmën e ndërsjellë. Autori tregon se edhe
në kohët më të vështira mund të lindë humanizmi dhe solidariteti, të cilat i
japin kuptim jetës dhe e ndihmojnë njeriun të mos dorëzohet. Nga ana artistike,
Ramiz Selimi përdor kontrastin mes errësirës së natës dhe dritës së shpresës
për të thelluar mesazhin e romanit. Errësira simbolizon frikën, mashtrimin dhe
pasigurinë, ndërsa figurat e Dardanit dhe Lorit mishërojnë guximin,
ndershmërinë dhe rezistencën morale.
Pas
largimit nga trafikantët e parë, ata vazhdojnë përballjen me pasigurinë, frikën
dhe botën e errët të kontrabandës së emigrantëve. Lori ende ballafaqohet me të
tjerë: me ngacmimet dhe fyerjet e Tigrit, një trafikant që e sheh gruan vetëm
si objekt për të kënaqur dëshirat e tij. Fjalët vulgare, kërcënimet dhe
insistimi i tij tregojnë degradimin moral të botës kriminale ku kanë rënë
emigrantët. Megjithatë, Lori nuk dorëzohet. Ajo e mbron me vendosmëri
dinjitetin e saj dhe i kundërvihet Tigrit me guxim, duke dëshmuar forcën e
karakterit dhe krenarinë e një gruaje që nuk pranon të poshtërohet. Autori
tregon se emigrantët shpesh detyrohen të zgjedhin mes dy të këqijave, pa pasur
mundësi për një zgjidhje të sigurt. Rrugëtimi drejt një shtëpie të braktisur,
që trafikantët e quajnë me ironi "hotel", simbolizon zhgënjimin e
emigrantëve, të cilët ëndrrën për Evropën e gjejnë të mbuluar me varfëri dhe
pasiguri. Pas gjithë frikës dhe
pasigurisë që kanë përjetuar, mes tyre lind një afërsi emocionale: Lori e fton
Dardanin të flejë në dhomën e saj, fillimisht për arsye sigurie, por gjatë
natës kufiri mes mbrojtjes, besimit dhe ndjenjave fillon të zbehet. Dardani
përjeton një konflikt të madh të brendshëm, sepse përpiqet ta ruajë respektin
ndaj Lorit. Vetmia, frika, pasiguria dhe nevoja për mbështetje i shtyjnë drejt
një afërsie që më pas shoqërohet me pendim, hutim dhe dhimbje. Lufta më e madhe nuk zhvillohet vetëm kundër
pengesave të jashtme, por edhe brenda shpirtit të njeriut, ku përballen frika,
ndërgjegjja, dashuria dhe shpresa. Autori e thellon konfliktin mes shpresës dhe
dëshpërimit, duke e vendosur personazhin kryesor përballë një bote ku
trafikantët, varfëria dhe frika sundojnë mbi fatin e emigrantëve.
Një
burrë, i dëshpëruar nga mungesa e parave, kërcënon gruan dhe fëmijët, ndërsa
tensioni arrin deri në dhunë. Në këtë çast Dardani ndërhyn me guxim.
Solidariteti paraqitet si vlera më e rëndësishme njerëzore në një botë ku
shumica luftojnë vetëm për mbijetesë. Përmes figurës së Tigrit, autori kritikon
botën e kontrabandës, ku lakmia ka zëvendësuar çdo ndjenjë njerëzore.
Kulmi
dramatik është dhuna ndaj çiftit të
moshuar, të cilët nuk mund të paguajnë shumën që kërkon Tigri. Ata rrihen dhe
dëbohen me forcë nga bujtina, ndërsa Dardani dëshiron të ndërhyjë, por ndalohet
nga shokët. Më vonë ai mëson se gruaja kishte humbur jetën gjatë një tentative
tjetër emigrimi, duke e bërë këtë episod një nga më tragjikët e romanit. Përmes
kësaj ngjarjeje autori denoncon çnjerëzimin dhe babëzinë e trafikantëve.
Kah
fundi i romanit, Dardani ndeshet me ngjarje tragjike që e vënë në provë guximin dhe humanizmin e tij. Thuret një
atmosferë e rëndë psikologjike, ku kufiri mes jetës dhe vdekjes, shpresës dhe
dëshpërimit bëhet gjithnjë e më i hollë. Përmes këtyre ngjarjeve, romani
shndërrohet në një dëshmi të fuqishme për dramën e emigrimit ilegal dhe pasojat
e tij tragjike. Kur Dardani dhe shoku i tij dëgjojnë në errësirën e pyllit të
qarat e një fëmije ai vendos ta ndjekë zërin, sepse beson se jeta e një njeriu
është më e rëndësishme se rreziku personal. Aty ai gjen një familje shqiptare
të tmerruar, të fshehur në pyll. Pamja është tronditëse: një nënë e dëshpëruar,
tre fëmijë dhe një baba i shkatërruar psikologjikisht. Autori krijon një
atmosferë ankthi dhe pasigurie përmes përshkrimeve të natës, shiut, pyllit dhe
heshtjes së rëndë. Kulmi dramatik është rrëfimi se babai, nga frika e zbulimit
nga patrullat kufitare, i kishte mbyllur gojën vajzës njëvjeçare derisa ajo
kishte humbur jetën. Kjo tragjedi paraqet shkallën më të rëndë të dëshpërimit
që mund ta sjellë emigrimi. Dardani tronditet thellë, por nuk e humb njerëzoren.
Ai ndihmon familjen ta varrosë fëmijën në pyll dhe e detyron babanë të japë
besën se kurrë më nuk do ta sakrifikojë jetën e fëmijëve nga frika. Dardani
merr përsipër rolin e udhëheqësit dhe vendos të hyjë i pari në lumin kufitar
për të kontrolluar nëse kalimi është i sigurt.
Dardani
mbërrin në kampin e emigrantëve i rraskapitur, i mbuluar me baltë dhe i lodhur
nga udhëtimi. Gjendja e tij fizike shpreh edhe plagët e tij shpirtërore. Ai
tashmë nuk është më i njëjti djalë që kishte nisur udhëtimin nga Kosova.
Përvoja e kufirit, humbja e fëmijës, mashtrimet e trafikantëve dhe rreziku i
vazhdueshëm e kanë pjekur dhe e kanë bërë më të fortë. Në kamp ai kupton se
secili emigrant mbart historinë e vet të dhimbshme dhe se vuajtja është bërë
pjesë e përbashkët e të gjithëve.
Ramiz
Selimi e përshkruan emigrimin si një
udhëtim të dhimbshëm shpirtëror, ku njeriu ndeshet me paragjykimet, dhunën,
urrejtjen, dashurinë dhe shpresën. Kampi i emigrantëve shndërrohet në një
pasqyrë të botës moderne, ku bashkëjetojnë kultura të ndryshme, ndërsa njerëzit
përpiqen të mbijetojnë mes frikës dhe pasigurisë. Dardani njihet me Tonin, një
shqiptar me karakter të fortë, por të mbushur me paragjykime ndaj emigrantëve
afrikanë. Përmes dialogut mes tyre, autori ballafaqon dy mënyra të të
menduarit: urrejtjen që lind nga frika dhe humanizmin që buron nga përvoja.
Dardani përpiqet ta qetësojë Tonin dhe t'i kujtojë se vuajtja nuk ka ngjyrë apo
kombësi. Kampi, i ndërtuar mbi rrënojat e një ish-kampi përqendrimi, simbolizon
vazhdimësinë e dhimbjes njerëzore dhe dëshmon se historia mund të ndryshojë
emrin, por jo gjithmonë padrejtësinë. Paraqitet jeta kaotike në kamp, mungesa e
privatësisë, përplasja e kulturave dhe degradimi moral të disa
personazheve. Dardani e kupton se njeriu
mund ta humbë jo vetëm atdheun, por edhe qetësinë shpirtërore. Më tutje
vëmendja narrative përqendrohet te historia e Semit, një emigrant shqiptar që
bie në dashuri me Evën. Dashuria e tyre kapprcen caqet e një rrëfimi romantik
dhe përshkruhet si përplasje mes ndjenjës njerëzore dhe paragjykimeve etnike e
familjare. Semi beson verbërisht te dashuria. Kah fundi vjen kulmi dramatik i
romanit. Paralajmërimet bëhen realitet kur Semi sulmohet brutalisht nga persona
të maskuar. Sulmi nuk lidhet vetëm me xhelozinë, por edhe me interesa dhe
motive më të errëta, duke e bërë ngjarjen edhe më tragjike. Dardani dhe Toni
përpiqen ta shpëtojnë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në këtë moment shfaqet
qartë karakteri heroik i Dardanit, i cili nuk qëndron kurrë indiferent përballë
padrejtësisë. Autori dëshmon se njeriu i ndershëm aq sa lufton për veten, ai lufton edhe për jetën dhe
dinjitetin e të tjerëve.
Në
fund, personazhet fillojnë të mendojnë për një fillim të ri. Biseda e Dardanit
dhe Tonit për largimin nga kampi dhe gjetjen e punës në Linz, shënjon shpresën
se edhe pas vuajtjeve ekziston mundësia për ta rindërtuar jetën. Megjithëse
plagët mbeten të hapura, ata nuk dorëzohen. Pikërisht ky optimizëm i matur
është mesazhi kryesor i përfundimit të romanit.
4. Saga e një udhëtimi
Përveç
emigrimit, romani trajton edhe tema të tjera të rëndësishme si humanizmi,
solidariteti, dashuria, besnikëria, identiteti kombëtar dhe qëndresa morale.
Dardani ndihmon vazhdimisht njerëzit në nevojë, mbron dinjitetin e Lorit,
përpiqet të shpëtojë Semin dhe dëshmon se vlerat njerëzore janë më të forta se
frika dhe dhuna. Rrugëtimi i Dardanit
drejt Evropës është një nga rrëfimet simbolike më të rëndësishme të romanit
“Hijet e Shpresës”. Ai përfaqëson largimin fizik nga vendlindja, por edhe udhëtimin
shpirtëror të një njeriu që kërkon lirinë, sigurinë dhe dinjitetin. Përmes
këtij rrugëtimi, autori Ramiz Selimi paraqet sakrificat dhe vuajtjet që
përjetojnë emigrantët gjatë kërkimit të një jete më të mirë. Ky rrugëtim ka edhe një kuptim moral. Dardani
nuk e humb humanizmin gjatë vuajtjeve. Ai ndihmon emigrantë të tjerë, mbron të
pafajshmit dhe përpiqet ta ruajë dinjitetin edhe në rrethana të vështira.
Kështu, udhëtimi nuk e ndryshon karakterin e tij për keq, por e bën më të
fortë, më të pjekur dhe më të ndërgjegjshëm për vlerën e jetës. Dardani arrin të kuptojë se rruga drejt
lirisë nuk është e lehtë dhe se çdo fitore kërkon sakrificë. Prandaj, rrugëtimi
i tij simbolizon jo vetëm emigrimin shqiptar, por edhe luftën.
Në
romanin “Hijet e Shpresës”, trafikantët janë ndër personazhet më negativë dhe
njëkohësisht ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e ngjarjeve. Ata
nuk paraqiten si ndihmës të emigrantëve, por si njerëz që përfitojnë nga
dëshpërimi dhe fatkeqësia e tyre. Përmes tyre, autori Ramiz Selimi kritikon ata
që e shndërrojnë vuajtjen njerëzore në burim fitimi. Gjatë rrugëtimit të
emigrantëve, trafikantët i mashtrojnë, u marrin paratë dhe i braktisin në pyje
ose pranë kufijve pa asnjë përgjegjësi. Sjellja e tyre çon në tragjedi të shumta,
si humbja e jetëve, ndarja e familjeve dhe përjetimi i frikës së vazhdueshme.
Ata nuk tregojnë as mëshirë dhe as ndjenjë përgjegjësie për fatin e njerëzve që
u kanë besuar.
Një nga
episodet më tronditëse të romanit është historia e familjes që mbetet e humbur
në pyll, ku një fëmijë humb jetën si pasojë e panikut dhe e rrethanave të
krijuara nga trafikantët. Ky moment tregon se pasojat e veprimeve të tyre nuk
janë vetëm ekonomike, por edhe njerëzore dhe morale.
Lori
është një nga personazhet më të rëndësishme femërore të romanit “Hijet e
Shpresës”. Edhe pse përballet me shumë vështirësi gjatë emigrimit, ajo ruan
dinjitetin, ndershmërinë dhe forcën shpirtërore. Përmes figurës së saj, autori
Ramiz Selimi paraqet gruan shqiptare si simbol të qëndresës, sakrificës dhe
besimit te jeta.
Toni
është një nga personazhet më të rëndësishme që shfaqet në pjesën e fundit të
romanit “Hijet e Shpresës”. Ai nuk është vetëm shok udhëtimi i Dardanit, por
edhe një personazh që ndihmon në zbulimin e cilësive morale dhe njerëzore të
protagonistit.
Në
fillim, Toni paraqitet si një njeri me karakter të fortë, por edhe me
paragjykime ndaj emigrantëve të kombësive të tjera. Historia e Semit dhe Evës është një nga
episodet më domethënëse të pjesës përfundimtare të romanit “Hijet e Shpresës”.
Përmes kësaj historie, autori Ramiz Selimi dëshmon se edhe larg vendlindjes
njerëzit vazhdojnë të përballen me paragjykime, urrejtje dhe konflikte, ndërsa
dashuria shpesh vihet në provë nga rrethanat shoqërore dhe kulturore. Semi
dashurohet me Evën, një vajzë emigrante nga një vend tjetër. Ai beson se
dashuria mund të kapërcejë dallimet kombëtare dhe paragjykimet. Mirëpo, familja
e Evës dhe njerëz të tjerë e kundërshtojnë këtë lidhje, duke e shndërruar
historinë e tyre në burim konfliktesh dhe dhune. Përmes kësaj ngjarjeje, autori zgjeron
tematikën e romanit. Ai nuk flet më vetëm për vuajtjet e emigrantëve shqiptarë,
por edhe për problemet universale të njeriut, si paragjykimi, diskriminimi dhe
mungesa e tolerancës.
Në
romanin “Hijet e Shpresës”, marrëdhëniet ndërmjet emigrantëve me kombësi të
ndryshme paraqiten si të ndërlikuara dhe të ndryshueshme. Nga njëra anë, autori
Ramiz Selimi tregon se njerëzit që ndajnë të njëjtën fatkeqësi krijojnë lidhje
solidariteti dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Në kampin e refugjatëve jetojnë
njerëz nga vende të ndryshme, të cilët kanë përjetuar luftëra, varfëri dhe
përndjekje. Edhe pse kanë histori të ndryshme, ata bashkohen nga dëshira për të
jetuar të lirë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Në shumë raste ata
ndajnë ushqimin, përkrahin njëri-tjetrin dhe përpiqen të përballojnë së bashku
vështirësitë e jetës në kamp.
Në
romanin “Hijet e Shpresës”, telat me gjemba dhe kufijtë janë simbole me
domethënie të thellë. Ata shënjojnë pengesa fizike që emigrantët duhet të
kalojnë, por edhe kufizimet, padrejtësinë dhe vuajtjet që shoqërojnë jetën e
tyre.. Telat me gjemba simbolizojnë mungesën e lirisë dhe ndarjen mes njerëzve.
Ata i pengojnë emigrantët të arrijnë në vendin ku shpresojnë të ndërtojnë një
jetë më të mirë. Për personazhet e romanit, këto tela janë shenjë e frikës,
pasigurisë dhe rrezikut të vazhdueshëm.
Edhe
kufijtë kanë një kuptim më të gjerë se ai gjeografik. Ata paraqesin pengesat
politike, shoqërore dhe psikologjike që njeriu duhet të kapërcejë. Për Dardanin
dhe shokët e tij, kalimi i kufijve si
një udhëtim nga një shtet në tjetrin, është edhe një provë e karakterit,
guximit dhe qëndrueshmërisë.
Liria
është një nga temat qendrore të romanit “Hijet e Shpresës” dhe një nga idealet
më të rëndësishme që udhëheq personazhet gjatë gjithë rrëfimit. Përmes
ngjarjeve dhe përvojave të Dardanit, autori Ramiz Selimi tregon se liria është
një vlerë themelore, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë me dinjitet. Gjatë rrugëtimit, Dardani kupton se liria nuk
fitohet lehtë. Ai përballet me kufij, tela me gjemba, trafikantë dhe rreziqe të
shumta, duke e kuptuar se rruga drejt saj kërkon guxim, durim dhe sakrifica.
Edhe kur arrin në kampin e refugjatëve, ai e ndien se liria e plotë ende nuk
është arritur, sepse vazhdon të jetojë në pasiguri dhe pritje. Autori thekson
gjithashtu se liria nuk ka vetëm kuptim politik. Ajo lidhet edhe me dinjitetin,
të drejtën për të zgjedhur, respektin për tjetrin dhe mundësinë për të jetuar
pa frikë. Një njeri mund të jetë fizikisht i lirë, por nëse jeton nën urrejtje,
diskriminim ose padrejtësi, ai ende nuk e gëzon lirinë e vërtetë.
Vuajtjet
janë tipar që ndikon më së shumti në
formimin moral të Dardanit në romanin “Hijet e Shpresës”. Gjatë gjithë
rrugëtimit të tij, ai përballet me padrejtësi, rrezik, humbje dhe pasiguri, por
këto përvoja nuk e bëjnë të ashpër apo egoist. Përkundrazi, ato e forcojnë
karakterin dhe e bëjnë më të pjekur.
Romani “Hijet e Shpresës” paraqet natyrën njerëzore në rrethana të
jashtëzakonshme, ku lufta, emigrimi, varfëria dhe pasiguria i vënë në provë
karakteret e personazheve. Përmes këtyre situatave, autori Ramiz Selimi tregon
se njeriu mund të shfaqë si anën më të mirë, ashtu edhe anën më të errët të
personalitetit të tij.
Dardani,
personazhi kryesor i romanit “Hijet e Shpresës”, mund të konsiderohet një hero
që ndërthur tipare realiste dhe idealiste. Megjithatë, në tërësi ai paraqitet
më shumë si një hero realist, sepse vepron në rrethana të zakonshme jetësore
dhe përballet me probleme që kanë prekur mijëra emigrantë shqiptarë. Ai nuk
është një hero i pagabueshëm apo me fuqi të jashtëzakonshme. Përkundrazi,
Dardani ndien frikë, lodhje, pasiguri dhe dhimbje. Ai përjeton humbje,
përballet me trafikantë, kalon kufij të rrezikshëm dhe jeton në kamp refugjatësh.
Këto përvoja e bëjnë figurën e tij të besueshme dhe pranë realitetit.
Megjithatë,
Dardani ka edhe tipare idealiste. Ai beson vazhdimisht te drejtësia, liria dhe
humanizmi. Edhe kur përballet me padrejtësi, nuk hakmerret dhe nuk humbet
besimin te njerëzit. Ai ndihmon Lorin, shpëton Semin dhe përpiqet të zgjidhë
konfliktet me urtësi e mirëkuptim. Këto cilësi e bëjnë atë një model moral për
lexuesin. Një nga vlerat më të mëdha të romanit është mesazhi universal. Edhe
pse ngjarjet lidhen me fatin e shqiptarëve të Kosovës, autori e shtrin temën në
përmasa njerëzore. Ai tregon se
emigrimi aq sa është çështje politike apo ekonomike, por aq është
edhe një dramë morale dhe psikologjike. Njeriu mund t'i humbë shtëpinë,
pasurinë dhe vendlindjen, por nuk duhet ta humbë humanizmin, dinjitetin dhe
besimin te e ardhmja.
Një nga
problemet më të rëndësishme që vazhdon të ekzistojë është emigrimi. Edhe sot
shumë njerëz përballen me rrugë të rrezikshme, trafikantë dhe kushte të
vështira në kërkim të një jete më të mirë. Autori tregon se emigrimi nuk është
vetëm një udhëtim fizik, por edhe një përvojë e rëndë psikologjike dhe morale.
Romani
“Hijet e Shpresës” mund të konsiderohet një roman humanist, sepse në qendër të
tij qëndron njeriu, dinjiteti i tij dhe lufta për të mbrojtur vlerat njerëzore
edhe në rrethana shumë të vështira.
Korrik
2026


