Viron Kona: Kapteri i lagjes sonë

-Tregim
nga fëmijëria-
Nga
Viron KONA
-Pse e theve këtë bredhin e vogël ti? - e
qortonte kapter Zylfoja, shokun tonë që kishte thyer bredhin e porsambjellë.
Dhe, duke i tërhequr veshin i thoshte: -Të dhemb veshi ty? Po, të dhemb, por ta dish vogëlush se dhembje ka
ndjerë edhe bredhi i vogël kur ti e
theve. Ai s`ka gojë të ankohet, kurse ti
fëmijë i prapë, gojën e ke vetëm për të ulëritur rrugëve e rrugicave të
lagjes dhe për t`i krijuar shqetësime familjes dhe neve. -Pas këtij qortimi, ai
lajmëronte prindin e djalit fajtor që të
siguronte një bredh të ri në fidanishte dhe atë bredh ta mbillte së
bashku me të birin që e kishte thyer, përndryshe do të gjobitej.
Kapter Zylfoja ishte polici i lagjeve “Skelë”
e “Kume” dhe kishte autoritet tek të
gjithë banorët, por veçanërisht tek ne fëmijët...Këshillat dhe qortimet e tij
për ne ishim mësime, që duheshin zbatuar. Ai na thoshte:
-Do të shkoni të luani nga pylli, hë! Por,
kujdes se mos keni ndonjë shkrepëse me vete, se mos ndonjëri nga ju më të
rriturit pi cigare! Po kapa ndonjërin që ka vese të tilla, do ta bëj problem në këshillin e lagjes, e morët vesh apo jo?
-Po, - i thoshim ne, - e morëm vesh.
-Me njërin vesh apo me të dy?
-Me të dy veshët xhaxhi Zylfo, me të dy! - i
përgjigjeshim ne si në kor.
-Atëherë, pa më thoni si do të veproni? Ja,
ma thuaj ti, i biri i Tolit.
Unë dilja përpara të tjerëve, e shihja kapterin në sy dhe nisja të përsëritja
porositë e tij, ashtu siç thosha mësimin përpara mësueses:
-Ne, xhaxhi Zylfo, do të shkojmë në pyll
vetëm për të luajtur. Ne nuk marrim shkrepëse me vete dhe nuk pimë cigare. Në
shkollë ne kemi mësuar se pyjet kanë rëndësi për
jetën tonë, sepse e mbajnë ajrin të pastër. Ne do ta
ruajmë pyllin, sepse drurët e atij pylli i kanë mbjellë prindërit tanë, por
edhe ne kemi ndihmuar në mbjelljen e tyre. Veç të mirave të mëdha që ka, pylli
është edhe shtëpia e zogjve, të cilët janë miqtë e vegjël të njeriut...
-Mirë, për pyllin kam besim se nuk do ta
dëmtoni, por vetëm do të luani dhe do të argëtoheni. E di edhe se ju nuk do të
vrisni zogjtë me llastiqe. Llastiqet kam kohë që jua kam ndaluar, apo jo?
-Po, xhaxhi Zylfo, po, ne nuk kemi llastiqe,
ato i kemi djegur dhe i kemi bërë copë - copë...
-Mirë, e mora vesh, por unë kam edhe një
merak të dytë, që jua kam përsëritur dhjetëra herë. E dini apo s`e dini merakun
tim të dytë? - ngrinte zërin ai dhe mbante veshët ngritur duke pritur
përgjigjen tonë.
-E dimë xhaxhi Zylfo, e dimë “ujë” fare!
-Atëherë, fol ti Astrit, nipi i Qaniut.
-Ne xhaxhi Zylfo, - përgjigjej Astriti, - nuk
harrojmë asnjëherë porosinë tuaj që të mos futemi në det kur ka dallgë, por nuk
do të lejojmë të futen në detin me dallgë sidomos ata fëmijë që nuk e kanë
mësuar ende notin. Ti xhaxhi Zylfo na ke mësuar shprehjen: “Po s`dite notin,
mos u fut në ujë!”
-Duhet të dini mirë, - vijonte ai,- se ju
fëmijët e vegjël, tani e mësoni notin dhe i çani dallgët duke qenë në krahët e
prindërve tuaj, por, ama kur të rriteni, do t`i çani dallgët vetë, si notarë të
vërtetë. Tani, pa më thoni edhe ato dy këshillat e tjera për detin që ju kam
porositur t`i mësoni përmendsh?
Dhe ne përsëritnim në kor: Këshilla e parë: “Deti është i bukur, por nga
bregu”; këshilla e dytë, e cila do të na vlejë kur të rritemi, është: “Kapiteni
i mirë duket në detin me dallgë e furtunë!”
Atëherë ai largohej i kënaqur dhe ecte serbes
nga njëra lagje në tjetrën, herë duke zgjidhur një mosmarrëveshje apo grindje
mes banorëve, herë duke gjykuar ndonjë vjedhje, herë duke vendosur rregull kur
në lagje qarkullonte me shpejtësi ndonjë makinë, apo kur karrocat me kuaj
ndotnin rrugicat e lagjes.
Kapter Zylfoja nuk pranonte asnjë lloj
ryshfeti nga banorët. Kur një nga fqinjat
tona, që rriste pula dhe kishte vezë me bollëk i ofroi një ditë një
shportë të vogël me vezë, ai, jo vetëm nuk e pranoi, po i dha një përgjigje që
mbeti e fiksuar fort në kujtesën e banorëve të lagjes dhe përsëritej shpesh në
bisedat që bëheshin në klub dhe në mëhallë.
-Ç`po bën moj shoqe, e kupton se në ç ‘rrugë
pa krye po më fut? - i kishte thënë fqinjës sonë kapter Zylfoja.
-Ku, o kapter në cilën rrugë po të fut, unë
vetëm sa po të japë disa kokrra vezë!
-Faleminderit, moj shoqe, por a e di se çfarë
thotë Saadiu?
-Për cilin Saadi e ke fjalën zotërote?
-Për atë poetin e madh arab.
-Eh, ç` punë
kam unë me arapin, unë as që e
njoh!
-E po ja, do ta njohësh nga këto që do të të
them unë. Ai ka thënë: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!”
Unë s`jam mbret, por jam polic dhe i plotfuqishëm dhe, këtu në lagje duhet të
jem shembull, të mos pranoj asnjë ryshfet nga banorët.
-Uaa, po këto janë vezë të pulave të mia, unë
po t`i japë vetë, ti s`po m`i vjedh si ai mbreti që tregove zotërote! Unë po t`i jap me dëshirën time se e kam shpirtin
dhe zemrën borë të bardhë. Po deshi ai, Saadiu, i jap edhe atij ndonjë shportë
me vezë, meqenëse ti e respekton. Ai sa
të shohë këto vezë, ka për t`iu prishur mendja dhe do t`i thotë ndryshe fjalët që paska thënë për mbretin dhe ata
ministrat që hanë pula si dhelprat...
-S`ka nevojë Saadiu për vezët e tua, moj
shoqe! Nuk i duhen, se ai ka mbi 800 vjet që nuk jeton, por jetojnë e
mbretërojnë librat që ai ka shkruar. Vërtetë kjo shporrtë që po kërkon të më
japësh nuk është vjedhje, por është ryshfet. Ti ma jep mua me interes, sepse
unë jam polic, jam i plotfuqishmi i lagjes. Po të kishe shpirtin dhe
zemrën siç po thua, ti do t`i jepje vezë
falas familjes së Kenos që ka 12 fëmijë, por t`i i shet vezët dhe druan se mos
unë vij e të bëj kontroll.
Dhe duke thënë këto fjalë ai u largua
duke e
lënë fqinjën si të shastisur, ama në lagje, që atëherë u përhap thënia e
Saadiut: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” 1)
Zylfoja na tregonte lloj-lloj historish nga fshati i tij në Përmet,
i cili quhet Podgoran, në
rrëzë të malit të Trebeshinës. Edhe vet emri Podgoran ka kuptimin “fshat
rrëzë malit”.
-E dini ju djem se fshati im
po ta shohësh nga lart ka formën e një trekëndëshi? Është fshat me lëndina dhe
kullota të bukura, me përrenj, me malin që ngrihet mbi të... Trebeshina u ka
vlejtur në shekuj bashkëfshatarëve të mi për kullota, për blegtorinë, për lëndë drusore, por edhe si një kala mbrojtëse
kur vinin pushtuesit. Atje ajri është i
pastër dhe i mbushur me aromat e lule trëndelinave, zambakëve, luleshqerrave,
kurse bletët shëtisin nëpër lule dhe mbledhin nektarin. E dini ju sesa punëtore
të mëdha janë bletët? Në fshatin tim thuhet: “Ashtu si bleta punon për
kosheren e saj, ashtu duhet të punojmë të gjithë ne për atdheun tonë”. Ju
jeni të vegjël dhe detyra e parë për ju janë mësimet, por kur të rriteni mos e
harroni asnjëherë fjalën e Naimit, që thoshte: “Punë, punë,
natë dhe ditë...,
-Që të shohim pakëz dritë!” - plotësonim ne të gjithë në një zë, teksa shihnim
sesi kapter Zylfos i ndriste fytyra nga kënaqësia. Në ato çaste ai treste
vështrimin diku në hapësirë dhe thoshte:
-E dini ju që fshati Frashër
ku ka lindur Naimi dhe vëllezërit e tij të famshëm Samiu dhe Abdyli nuk është
larg nga fshati im? Naimi u këndonte maleve të Shqipërisë, fushave me lule,
pyjeve me lisa të gjelbëruar, bregoreve dhe lumenjve, barinjve dhe bagëtive.
Edhe fshati im i ka të gjitha ato që thoshte me vargje Naimi. Në shtëpitë e
bashkëfshatarëve të mi bëhen hardhitë e rrushit, në mal bëhet çaji, i cili ka
një aromë që të merr mendjen. Bëhet salepi dhe shumë bimë të tjera mjekësore...
Atje mali i Trebeshinës duket sikur takohet me qiellin, kurse gjatë verës
kullotat gjallërohen nga këmborët dhe zilet e bagëtive, nga blegërimat e
dhënëve dhe te lehurat e qenve roje, nga jehonat e këngëve të barinjve që e
hedhin sharkun krahëve dhe mbajnë kërrabë në dorë... Në fshat disa barinj janë
mjeshtër të këngëve me fyell, aq bukur këndojnë, saqë edhe zogjtë ndalin këngët
e tyre, ata marrosen pas melodive të bukura të barinjve tanë. Atje në fshatin
tim, të vegjlit i respektojnë shumë më të rriturit. I madhi i shtëpisë dëgjohet
me vëmendje, pranë tij rri vëllai i madh e pastaj të tjerët. Të vegjlit më
shumë dëgjojnë. E dini ju pse ne njerëzit kemi vetëm një gojë dhe dy veshë? Pa
ma thuaj ti djali i Minait.
-Ne, - niste të përgjigjej
Lendi, - duhet të dëgjojmë më shumë sesa të flasim dhe jo siç bëjnë disa fëmijë
që nuk lënë radhë të flasin të rriturit, ata “bëjnë zhurmë si fuçia që është
bosh”, ata “janë kokëpërpjetë si kalliri i misrit kur s`ka kokrra”, ata...
-Pa më thoni, si quhen ata
njerëz që flasin vetë dhe dëgjojnë vetë?
-Ata quhen llafazanë, - i
përgjigjeshim ne kapter Zylfos në kor.
Një ditë unë e pyeta:
-Xhaxhi Zylfo, po dasma bëhen
atje në fshatin tënd?
-Po mor xhan, si nuk bëhen
dasma, kudo bëhen dasma. Në dasmat e fshatit vjen i gjithë fshati, edhe ata që
e kanë fis apo nuk e kanë fis atë që martohet. Dasma zgjat një
javë. Muzika buçet dhe mali i Trebeshinës e kthen jehonën dhe e
përhap në të gjithë luginën. Ke
qejf të jesh në një dasmë në Podgoran, të gëzosh apo të këndosh këngën
përmetare “A kanë ujë ato burime?”, apo të kënaqesh duke dëgjuar
gërnetën e Laver Bariut, apo të kërcesh
valle popullore, apo të vallëzosh dans. Atje, nuk ndodh si në një dasmë që
pashë vjet, diku nga lagjja tjetër afër jush, që njëri u martua dhe e gjithë
lagjja u tërbua! U pinë e u dehën sa s`mbanin dot më dhe e lëshuan
gjuhën pa fre. Kësisoj u ndez edhe sherri midis krushqve dhe dasma sikur u
kthye në fushë lufte. Arriti sherri deri aty sa krushqit nxirrnin opingat dhe i
binin njëri-tjetrit, pastaj me gota, me pjata, me karrige e me çdo send tjetër
që ndodhej brenda shtëpisë. Na u desh
më shumë se gjashtë muaj që t`i pajtonim krushqit me njëri-tjetrin! Sigurisht ai
një rast ishte, por s`duhej të ndodh më. Dasmat
janë gëzim dhe mbarësi. Ju e dini se
duke u martuar njerëzit krijojnë familje, lindin fëmijë, shtohet familja,
fshati, lagjja, qyteti. Shqipëria është e vogël dhe popullsia po rritet. Besoj
se e dini edhe atë ligjin që, kur një familje ka 12 fëmijë i jepet falas një
lopë. E dini këtë apo jo?
-E dimë, si nuk e dimë! -
përgjigjeshim ne.
-Unë kam tezen në fshat, - tha
Xhekoja, - kur ajo lindi fëmijën e dymbëdhjetë, që i vunë emrin Fundore, atyre u dhanë një lopë. Të gjithë fëmijët
mblidhen rreth lopës dhe gëzojnë, secili përpiqet t`i hedhë sa më shumë bar të
freskët, sepse prej asaj ata pinë qumështin çdo mëngjes. Lopa gëzon kur sheh
fëmijët, kthehet herë nga njëri dhe herë nga tjetri duke marrë me buzë barin që
ata mbajnë në duar, ajo do që t`i gëzojë të gjithë fëmijët, edhe ata të vegjlit
që rrinë prapa saj, se lopa shikon edhe prapa, kështu më ka thënë babai.
-Si, shikon edhe prapa?! Na i
sqaro këtë. – i tha kapteri.
-Po, kur dikush i shkon prapa
lopës që t`i hedh litarin në qafë, ajo pa e kthyer kokën e shikon keqbërësin
apo hajdutin dhe i largohet. Ajo i bindet vetëm të zotit.
-Çfarë tjetër të
ka mësuar babai për lopën - e pyeti kapter Zylfoja.
-Babai më ka
mësuar se lopa është “fabrika e
familjes”, ajo është e dashur dhe paqësore. Në disa vende, - na tregon babai, -
si për shembull në Indi, lopa quhet e shenjtë. Kur ajo kalon nga njëri krah i
rrugës në krahun tjetër, njerëzit i hapin rrugë me respekt, kurse makinat
ndalojnë që ajo të kalojë e qetë. Ai që vret, apo plagos një lopë, dënohet edhe
me burg. Lopa ka nuhatje dhe i dallon aromat nga shumë larg, për shembull nga
lagjja “Kume” ku jemi ne, deri te “Sheshi i Flamurit”, edhe më larg. Lopa e
dallon menjëherë barin që është helmues...
Ne dëgjonim dhe e
shihnim Xhekon disi me zili, por edhe me inat. Thoshim me vete: Po sikur kapter
Zylfos t`i mbushet mendja dhe të na thoshte që t`i mësonim përmendësh fjalët që
po thoshte Xhekoja për lopën!?
Kur Xhekoja
mbaroi, kapteri tha:
-Ja, e dëgjuat shokun tuaj se
sa bukur foli!, - dhe duke thënë këto fjalë ai e ledhatoi Xhekon, gjë që e
bënte shumë rrallë.
Një ditë kapter Zylfoja na tha:
-E dini ju që nga
maja e malit të fshatit tim, në kohë të kthjellët duket edhe gjiri i Vlorës,
vendi ku jemi ne tani?
-Si mund të ndodh
kjo! – u shfaqëm ne të habitur, - Përmeti
është shumë larg nga Vlora!
-Çfarë thoni ju,
ore, - na ndërpreu Den Dominoja, - ato që thotë kapter Zylfoja janë të vërteta.
Edhe nga Kanina, kur është koha e kthjellët, sidomos pas shiut, në mbrëmje, duken dritat e
Italisë...
-Or djalë, ç`po
thua! - u hodh përpjetë kapter Zylfoja, sikur ta kishte pickuar grerëza. Mblodhi
veten dhe ashtu i vrenjtur iu kthye Den Dominosë me ton qortues:
-Nga i ke dëgjuar
ti ato fjalë?
Vetëm atëherë Den
Dominoja kuptoi se diku kishte gabuar, ndaj duke dashur t`i mbulojë ato që tha
nisi të flas përçart, pa e marrë vesh as vet se çfarë po thoshte:
-Ishte një burrë
plak, shumë plak, thoshin se ishte nja 200 vjeç, ai thoshte ndonjëherë gjëra të
tilla, por ai nuk jeton më, ohu, ka nja 100 vjet që ka vdekur...
-Si, paska 100 vjet
që s’jeton dhe ti e paske njohur?!
-Jo, u ngatërrova,
më falë, xhaxhi Zylfo, unë vetëm sa kam dëgjuar, por edhe ato që kam
dëgjuar i kam harruar.
-E po, ngatërrohesh
dhe harron ti se nuk e ke mendjen kur flasin të tjerët. Nuk ta kanë vënë emrin
kot Den Dominoja se luan gjithë ditën vetëm domino dhe të duket sikur e
gjithë bota e ka emrin domino.
-Jo xhaxhi Zylfo,
unë mbaj mend edhe gjëra të tjera.
-Për shembull,
çfarë mban mend?
-Mbaj mend fjalët
që më tha vëllai i madh përpara dy ditëve. Ai më tregoi për ndërtimin e një
hidrocentrali që do të bëj dritë të gjithë Shqipërinë.
-Bravo, ja kështu
flitet! - u qetësua disi kapter Zylfoja dhe shtoi:
-Ne nuk na duhen
ato dritat e vendeve të huaja, ne kemi dritat tona, që vijnë nga hidrocentralet
e Partisë sonë...
Kur vinte koha që do të
largohej, Kapter Zylfoja na thoshte:
-Pas pak unë do të shkojë nga
lagjja tjetër, por jam i bindur se ju nuk do të vraponi rrugëve, duke
ulëritur; nuk do të nxirrni llastiqet e fshehura dhe do të goditni me ato
shtëpitë, makinat, karrocat, pëllumbat dhe zogjtë, por as njëri-tjetrin; nuk do
të talleni dhe nuk do të fyeni të moshuarit; nuk do të ngacmoni kosheret e
bletëve, se bletët do t`jua bëjnë fytyrën gunga-gunga; nuk do të shqyeni
gardhet si derrat e egër dhe nuk do të hyni fshehurazi në bahçet e fqinjëve për
të vjedhur ftonj; nuk do të ngacmoni qentë e lagjes, sepse mund të jetë ndonjëri i tërbuar edhe ju tërbon edhe juve...
Pas këtyre porosive, ai
na thoshte “mirupafshim!” dhe largohej, ashtu trupvogël, i veshur me uniformën
e policit, që i rrinte e madhe në trup dhe me
koburen që i varej në brez... Ecte gjithnjë i vëmendshëm dhe vigjilent
nga njëri skaj i lagjes në tjetrin, futej në rrugë e rrugica, kurdoherë i
kudondodhur atje ku sapo ishte bërë një vjedhje apo një grindje dhe, vinte
rregull dhe disiplinë, si të ishte jo një polic i vetëm, por një batalion i
tërë policësh...
.....
1).Libri i Saadiut “Gjylistani
dhe Bostani“, i përkthyer nga Vehxhi Buharaja, u botua për
herë të parë në vitin 1961. Ndërkohë, shumë rrëfenja dhe poezi të Saadiut
njiheshin përmendësh nga disa breza të asaj kohe dhe më pas.
2).Emrat e personazheve janë thjesht emra artistikë.






