Tahir Bezhani: Gruaja e mashtruar
Tregim
nga Tahir Bezhani
Dimri
sapo kishte ikur, duke çaluar. Akoma stomeve të arave e lugjeve kishin mbetur
lara të holla bore. Një ere jugu as ato
lara nuk i bënë ballë, u treten si floska. Mes marsi kishte filluar me lule të
hershme si zakonisht, akaciet, lulebora,
kumbulla e tjera. Nuk vonoi prilli dhe e mbushi fushën me gjelbërim,
pasi temperaturat rriteshin çdo ditë. Maji, muaj më i bukur në të katër stinët
e viti, e kishte mbështjellë natyrën kudo me gjelbërim, dushkimi i kishte dhënë
natyrës një pamje piktoreske. Në atë aromë lulesh, duke shtuar mrekullinë
aromatike të bagremit, pakkush rrinte në
shtëpi, posaçërisht të moshuarit. Mali afër qytetit i ngjante një tregu ato
ditë pranvere, posaçërisht ditëve të vikendit. Shëtitjet ishin në çifte
bashkëshortësh, por edhe moshë e re, të
dashuruar.
Lekë Shkoza, burrë
afër të 70-tave, me rekomandim të mjekut
shëtiste n ‘atë oazë të bukur thuaja gjithë vitin, bile edhe vite me
radhë. Kështu i kishte thënë kardiologu profesionalist, për cilësinë e ajrit me
pisha dhe arsyeve të tjera shëndetësore. Brenda kompleksit të asaj oaze malore
kishte të ndërtuara edhe tri hotele ku pas shëtitjes, njerëzit
freskoheshin me pije të ndryshe, kafe e
lëngje të llojllojshme. Kishte edhe ushqime të tjera. Ditëve të vikendit e kishe
vështirë të gjeje karrige të zbrazur nga mëngjesi deri në orët e vona të natës.
Lekë
Shkozat, si shëtitësi më vjetër, i pandalshëm i asaj pishnaje, shpesh shkonte
me bashkëshorten e tij dhe gjenin mrekullinë e ditës me orë të tëra. Në përditshmërinë e shëtitjeve të Lekës, një
dukuri i ra në sy e cila filloi ta ngacmonte për shumë e shumë arsye të
paditura. Herë te hyrja e njërit hotel, herë tek tjetri, vërente vazhdimisht
një grua ulur buzë rruge duke kërkuar lëmoshë. Ajo, me një plaf të vjetër mbështillte
dy carroket e saj kur i zintë gjumi, të cilët vonë zgjoheshin nga ndikimi i
ajrit të pastër.
Pastaj
kërkonin ushqime, ajo me paratë e falura iu blinte nga diçka sa për t’i
mashtruar deri në darkë te shtëpia. Ajo e pinte duhanin në prani të fëmijëve dhe
njerëzve kalimtarë, të cilët shpesh e qortonin. Më detyrojnë “mendtë e kresë
”-thoshte ajo dhe ulte kokën si në faj të madh....”
Lekës
ditë të tëra nuk e hiqej nga mendja ajo grua me dy fëmijët e saj, i rrinte para
syve kudo, ndiente dhimbje e keqardhje të skajshme. E mundonin edhe arsyet e
asaj gjendje familjare. Ajo, lëmoshatarja, ishte e re, ishte e bukur, kishte
flokë të gjata ngjyrë të zezë, fytyrë të rrumbullakët me hijeshi te veçantë.
Sytë e zi e vetullat si krah dallëndysheje. Ajo pamje e saj i mahniste
njerëzit, shëtitësit e vikendeve. Kishin
dyshime në “arsyen” e lëmoshës së saj. Vetëm rrobat veshur dhe fëmijët pas vetes, të bënin të
kuptoje hallin e saj pa hile.
Një
mëngjes të hershëm Lekë Shkoza, pasi kreu orarin e shëtitjes, duke ikur për te
shtëpia me bashkëshorten, ndaloi para saj me një keqardhje tronditëse por edhe
shume seriozë, duke iu drejtuar me fjalë:
-Çfarë
halli ke zonjë që del në këtë vend që afër tre muaj ? Ke familje, ke burrë,
a ke shtëpi? Si është halli jote?
Ajo
uli kokën duke medituar në largësi e afërsi të ngjarjeve të saj, e preken emocionet të thella deri në
shpirte dhe me lot në faqe ngriti kokën drejtë
Lekës duke pëshpëritur.
-Hallet
o vëlla, problemet familjare, skamja, mos i provofsh ti e askush tjetër. Më ra
“hisja” e Zotit’’- përfundoi skamnorja.
-Si
e pate emrin, nëse ka mundësi ta di?
-Manike
quhem.
-A
e ke burrin, ku punon ai?-pyeti Leka!
-Po
ti si e pate emrin zotëri?- Pyeti
Manika!
-Lekë
më quajnë, Lek Shkoza i lagjes “Malësorët” këtu në qytet.
-Dëgjo
Lekë, të flas si vëllait. Burri im është punëtor krahu. Punon çdo ditë, por
kurrë në shtëpi asgjë nuk sjell ,as për fëmijët e vet. Punon tërë ditën dhe
gjithë natën luan panten e pin alkool.
Dy vitet e fundit rrallë vjen te shtëpia, te fëmija. Nuk dij as ku flenë, ku e zë nata atë faqezi që më la
rrugëve me këta carrok. Carrokët shpesh me tundojnë me pyetje se “ku është
babi, kur vjen babi..” Ç ka të them me shumë o vëlla Lekë! Më plasi zemra për së gjalli në këtë moshë të re. Në fillim të
martesës sonë, tri vite më parë, ishte çdo gjë për mrekulli. Kështu ecën punët
z. Lekë!-përfundoi Manika përgjigjen e saj.
Manikës
i shkonin lotët faqeve nga pesha e rëndë e gjendjes jetësore. Duart nuk i hiqte
nga carrokët që i rrinin në prehër si pëllumba të urtë. Shikimin e drejtonte
kah kalimtarët e rastit për lëmoshën, pastaj shikonte diellin se deri ku kishte
vajtur dita. Leka akoma qëndronte para saj duke vështruar çdo lëvizje me dhimbsuni. Ajo gjendje e kishte prekur
shume edhe Lekën ,të cilit pa dashje i shkuan disa pika lot faqeve, ku i lanë
vazhda brazdave të rrudhosura.. Nuk pati durimin dhe Manikës ia bëri edhe disa
pyetje.
-Si
e njohe Manikë këtë faqeziun tënd, a mos prindërit të detyruan?!
-Mos
vet vëlla Lekë!. Jo prindërit. Vetja ime. Vet pata faje, isha e pa përvojë, nuk
e njihja jetën. Për fatkeqësinë time u njohëm në një dasmë në qytet. Pak fjale
aty, shpejtë shkëmbyem numrat e telefonave. Bardhi ma tha emrin dhe iku. Pastaj
vazhduam të shkëmbenim mesazhe dhe biseda
tjera. Me pjekurinë time mendova se u sqaruam për çdo gjë për jetën. Në
veten time isha e sigurte, andaj Bardhit ia
kërkova “besën” që mos të më tradhtojë, por, vonë, shumë vonë kuptova
se kishte qenë i pabesë fatziu im, për
gjithë jetë. Mbeta rrugëve siç po më shikon.
I
prekur thellë Lekë Shkoza mbylli bisedën dhe nga xhepi nxori dy monedha letre dhe ua hodhi dy carrokëve që luanin me
guralecë në afërsi të hotelit, nën
pishat e freskëta. Paç ndihmën e Zotit me këta dy bukuroshë, Manikë e nderuar!.
Duke
i uruar fat e shëndet në jetë Manikës, Leka mori drejtimin e shtëpisë së tij,
së bashku me bashkëshorten Hanën, duke
bartur në zemër e shpirt gjithë brengën e asaj gruaje të bukur, te mashtruar
nga një maskara i kohëve të pakohë.
Dy
ditë radhazi Leka nuk doli në shëtitje. Ndjeu një lodhje të befasishme në
gjithë trupin. Nuk i hiqej nga sytë ajo pamje e rëndë e Manikës me ata carrokë
si lulet në pranverë. Pas tre ditësh iu drejtua mjekut, kardiologut personal, nga i cili mori rekomandime që të
pushojë disa ditë, të jetë sa më i qetë, t’i ikë ngarkesa psikologjike.
Duke
parë gjendjen shëndetësore se po i
rëndohej edhe nga vapa e verës, vendosi që të ikë në lartësitë e majave
bjeshkore, atje ku qetësia dhe bukuria e natyrës është ilaç shpirti. Ajri, uji
i ftoftë, boronicat, mjedrat e dredhëzat, ia kishin ndërruar qelizat e gjakut,
ishte përmirësuar mirë në shëndet. Atje në bjeshkë ndejti deri në fund të atij
gushti, kur edhe moti filloi të ndjell melodinë vjeshtare.
Pas
dy javësh pushimi nga bjeshka, Leka sërish vazhdoi avazin e vjetër, shëtitjen
në oazën e pishnajave afër qytetit, aty ku vite me radhe e kishte gjetur veten si më së miri. Ai vend
malor i dukej si një sanatorium shëndetësor për gjendjen e tij emocionale e
kardiologjike.
Befas
i shkuan sytë në shtyllat afër hotelit,
në mesin e pishnajës dhe pa fotografinë e Manikës. Me dhimbje të madh lexoj
lajmin mortor. “ E ndjera la pas vetës dy carrokë pa asnjë mbikëqyrje, në
mëshirën e Zotit. E tradhtoi zemra në mungesën e durimit të gjendjes së keqe!”
Leka
fshiu lotët dhe me pikëllim u drejtua kah shtëpia duke pëshpëritur uratat më të
mira për dy bonjakët e mbetur jetimë në lulen e rinisë, atëherë kur iu duhej më
së shumti dashuria ,përkëdhelja dhe ndihma amnore....










