Spica Metalike: Pavdekësia dhe Robotizmi

Satirike
Pavdekësia
dhe Robotizmi
Po vjen koha, siç shkencëtarët po thonë,
njeriu s’do të vdesë, do të rrojë gjithmonë.
Do të ndërrohen mushkëritë, zemra e syri,
si gomat e makinës te Servisi “Ali Besiri”.
Liderët shpenzojnë miliarda në laborator,
ta ndalin plakjen, ta bëjë njeriun perandor.
Qelizat do riparohen, organet ndërrohen,
vdekja harrohet, njerëzit do të gëzohen!
Derisa liderët pavdekësinë e kanë projekt,
dikush i veshur në çelik në derë na troket:
- Mirëdita o njerëz, pse merakoseni kot?
Nga sot e tutje punët mbarohen me robot!
Në fabrikë ai punon pa bukë e shpërblim,
nuk kërkon rrogë, as për në deti në verim.
S'bën grevë, s'bën protesta, as s’mban inat,
punon si gomari pa pushuar ditë e natë.
Paskëtaj, tha dikush
me mendje "gjeniale":
- Pse të mos ketë edhe detyra sentimentale?
Dhe roboti metalik, me zemër prej llamarine,
u shpall dashnor model për aventura intime!
Nuk është xheloz, as i lodhur nëpër takime,
asnjëherë s'thotë: - Sot kam ca shqetësime!
Programi i tij s'njeh as tradhti, as lot, as limit,
veç "restart" kur i bllokohen ndopak bateritë.
Dhe teksa robotët vallëzojnë nëpër planet,
njeriu mes zbulimeve e kruan kokën e vetë:
- Mirë që vdekjen e mundëm me aq sakrificë,
po tani kujt po i hyjmë në punë me patericë?
O njerëz, kjo është satira e epokës digjitale,
këndej ku marrëzitë na shiten si ide gjeniale...
Kur roboti bëhet ushtar, punëtor e dashnor,
atëherë na mbetet veç ta kapim kokën me dorë!
Spica Metalike
(Karikatura: Elkin DW, marrë nga interneti)






