Sevdail Hyseni: “Bubu”- rre(n)cat online

2h më parë

Sevdail Hyseni

Satirike

“Bubu”- rre(n)cat online

Na dolën “trimoshat” e tastierës pa emër,

me mendjet e krisura, pa shpirt pa zemër.

Dje “Rinia vendos”, me pankarta në dorë,

sot “bubu” në komente, pa zgjedhur fjalor.

Nga “Hejbe” në “Bubu” - si modë sezonale,

ndërrojnë maska shpesh, me fytyra banale.

Si buburreca dalin kur bie terri mbi plehra,

me dritë telefoni e me shprehje aq të mjera.

Me krahë të zinj dhe me stomakun pafund,

dalin në mëngjes te “Centralla” në katund.

Për të marrë “informacione” me plot porosi,

që i ngarkon me mision “mama dhia”- parti!

Shpifjen e kanë ushqim, fyerjen profesion,

përgojimet për ta s’kanë asnjë destinacion.

Klikojnë për pagesë dhe shajnë me kontratë,

krenarë kur hedhin gjithandej gurë dhe baltë.

Janë një kor që zërin e ngritin në qiell fort,

kur shefi fishkëllen: “Sulm!” - si në sport.

Por kur ndizet drita, si në teatër, loja mbaron,

“Bubu”-ja zhduket - veç turpi si hije qëndron.

Mbase “Spica” nuk merret me kokat fatale,

ajo është si bubullima që nuk godet në hale.

“Bubu”-t i kap i shtrydh si morrat në grusht,

kur i zë në befasi - si ata karkalecat ngushtë!

(Karikatura marrë nga interneti)