Sevdail Hyseni: 1 Maji “festiv”

1h më parë

Sevdail Hyseni

Satirike

1 Maji “festiv”

Menduam këtë vit s’ka krizë si më parë,

T’ia mbathim në piknik, me mish e skarë.

Po na dolën përpara “hallet” me rabush,

Jo virusi, por çmimet, që djegin si prush.

Na ftoi festa e 1 Majit: “Dilni, festoni!”

Xhepi tha: “Rri brenda, mos më turpëroni!”

Se paga ka mbetur si foto e varur në mur,

Ndërsa faturat peshojnë si thasë me gur.

Dikur kishim frikë nga maskat në fytyra,

Sot kemi frikë nga faturat shumë të fryra.

Bukë me kredi e mish me këste mujore,

Dhe ajri duket sikur ka hyrë në doganore.

Politika flet, si gjithmonë, me takt e stil,

“Rritje ekonomike” - në letër dhe profil.

Ne rritemi veç në halle e borxhe pa rima,

Se premtimet u bënë si balona me vrima.

Prapë 1 Maji na gjen me humor e satirë,

Se qeshja jonë është bërë ilaçi më i mirë.

Edhe kur s’kemi mish, bëjmë pak humor,

Se ironia na mban gjallë kur jemi në zor.

Dhe në fund i themi kësaj kohe me marifet:

- Na more shumë, por s’na more dot lezet!

Se populli ynë mirë di të qeshë edhe në hall,

Dhe kur s’ka skarë -  i pjek batutat në zjarr.

Në Preshevë ndizet muhabeti me kënaqësi:

- A po dalim për 1 Maj, apo rrimë në shtëpi?

Se xhepi është bërë shoshë - daulle e shpuar,

Sot futet në kuletë rroga - nesër është harruar.

Dhe në fund i themi kësaj kohe pa fije turpi:

- Na more bukën, po jo humorin nga trupi!

Se Lugina di një sekret të vjetër, sakaq të rrallë:

Kur s’ka bukë në sofër - satira shërben si dhallë.

(Karikatura marrë nga interneti)