Selman Etemi: Në njëvjetorin e zbulimit të bustit të Azem Bejtës në Grabanicë të Klinës

NË NJËVJETORIN E ZBULIMIT TË BUSTIT TË AZEM BEJTËS NË GRABANICË TË KLINËS

Kur
dëshira e kahershme bëhet e realizuar, qetësia shpirtërore mbledh në vete të
gjitha ato kujtime, qofshin edhe ato që na rënduan dhe na munduan në kohë. Tani
ato më bëjnë krenar që, bashkë edhe me të tjerët, i kemi dëshmi të një rezistence
të pathyeshme në kohë dhe rrethana të caktuara.
Sikur
me stuhitë dhe rrebeshet e luftës me të cilat u përball heroi i kombit Azem
Bejta, edhe ne ishim në përballje për mbrojtjen e emërtimit të shkollës në
Grabanicë me emrin e tij. Këtë dëshirë ia kisha vënë vetes obligim që patjetër
kjo vatër e diturisë ta ketë bustin e këtij heroi, flakadan i çlirimit dhe
bashkimit të trojeve shqiptare.
Një
vit para se të vendosej busti, shfaqa idenë dhe gatishmërinë që busti i këtij
heroi të bëhej realitet. Këtë ua paraqita edhe përfaqësuesve të komunitetit të
fshatit Grabanicë, kryesisht Sejdi Balecit dhe të tjerëve, me të cilët
bashkëvepruam edhe gjatë viteve të stuhishme të ’90-ave, sidomos për mbijetesën
e shkollës në atë kohë.
Një
ide e tillë iu komunikua edhe drejtorit aktual të shkollës, i cili në parim u
pajtua të angazhohej, por duke thënë se “në këtë vit (2025) nuk mund të besoj
se do ta kremtojmë Ditën e shkollës, sepse i kemi disa prioritete”.
Fillimisht
parashtruam kërkesën me shkrim tek organet komunale, ku Asambleja e miratoi dhe
na u lejua vendosja e bustit në shkollën e Grabanicës.
Pas
kontaktit me skulptorin e njohur Ylber Krasniqi, u përcaktuan format e punës
dhe kostoja e përafërt (7000 deri 9000 euro).
Filloi
grumbullimi i mjeteve financiare nga qytetarët e Grabanicës. Për këtë u
autorizuan përfaqësuesit e fshatit: Sejdi Baleci, Halil Sahiti dhe të tjerë.
Me
kalimin e kohës, faktori komunal, e sidomos Drejtoria Komunale e Arsimit me në
krye drejtorin Qemajl Sejdija, shprehu gatishmërinë që punimi i bustit të
financohej nga komuna.
Falë
angazhimit të përfaqësuesve të fshatit Grabanicë, të gjitha punët u kryen me
sukses dhe në kohë, dhe busti u bë gati për t’u vendosur më 15 maj 2025, datë
që tradicionalisht shënon Ditën e shkollës që nga viti 1972.
Shumë
ngjarje lidhen me këtë datë; edhe përkundër pengesave dhe kërcënimeve gjatë
kohës së okupimit, kjo ditë është kremtuar. Pikërisht më 15.05.1992, heroi i
kombit Tahir Berisha, pas një përballjeje me policinë serbe, më vonë vrau një
polic dhe plagosi tjetrin, ndërsa vetë ra në altarin e lirisë.
Megjithatë,
zbulimi i bustit u bë në mënyrë madhështore, falë qytetarëve, nxënësve dhe
faktorit përkatës të shkollës dhe komunës, me pjesëmarrje dinjitoze.
Falënderojmë
të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti me përmasa
historike. Falënderoj qytetarët e Grabanicës që ndihmuan financiarisht, ndonëse
në fund, me vendim të përfaqësuesve të lokalitetit, mjetet e grumbulluara u
përdorën për organizimin e drekës për pjesëmarrësit në restaurantin “Gëzimi” në
Klinë, si dhe për disa shpenzime organizative.
Mendoj
se, sadopak, e kryem një obligim ndaj heroit tonë Azem Bejta.
Zbulimi
i bustit u bë më 23.05.2025, në oborrin e shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë të
Klinës.
Kjo
shkollë, për shumë dekada, e ka mbajtur me krenari këtë emër, por një bust i
tillë na mungonte. Tani e realizuam këtë dëshirë dhe nevojë të domosdoshme.
Do
të doja të isha edhe më modest në këtë prezantim, sikur të theksohej nga
organet zyrtare të shkollës apo komunës se me iniciativën e kujt filloi
ndërtimi i bustit dhe kush e udhëhoqi gjithë procedurën deri në përurim, sepse
akti solemn nuk do të thotë përvetësim i gjithë procesit.
Ne
(unë dhe përfaqësuesit e fshatit Grabanicë) nuk e bëmë për lavdi personale, por
për nderimin e heroit të kombit Azem Bejta, emër që edhe sot për disa mbetet i
papranueshëm.
Pavarësisht
disa zërave për devijim apo minimizim të kësaj vepre, projekti u realizua me
sukses dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pra,
shkurt: iniciativën e kam dhënë unë, është përkrahur nga përfaqësuesit e
fshatit Grabanicë, është bërë grumbullimi i mjeteve, ndërsa pagesa
përfundimtare është marrë përsipër nga komuna, për çka jemi mirënjohës.
Tani
me krenari qëndron busti i luftëtarit nacionalist, i cili deri në flijim luftoi
për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Urime
dhe gëzuar bustin e Heroit të Kombit, shkolla tradicionalisht më e veçantë në
Dukagjin dhe më gjerë në kohët më të vështira!
Video: https://www.youtube.com/watch?v=flmKFGWsm1E
Selman Etemi (ish
punëtor dhe drejtor i kësaj shkolle si dhe kryetar i LASH-it në Klinë)
12 maj 2026
Dërgoi për botim: Florim
Zeqa








