Sadik Reçi: Udhëtim në krijimtarinë e Vilhelme Vrana Haxhirajt
UDHËTIM NË KRIJIMTATINË E VILHELME VRANA HAXHIRAJ
Emri dhe vepra
e shkrimtares së madhe nuk do të shuhen kurrë!

“Mjeshtre e madhe e Penës”,
znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj, hyri me guxim në portën e letërsisë shqiptare, në
kohën që vendit i duhej talenti dhe personalitet i saj. I duhej atdheut, si
njeri që jetoi e sakrifikoi gjithë jetën në padrejtësinë dhe ndëshkimin e
diktaturës, në emër të luftës së klasave. Ishte fat për ne që doli në dritë një
penë e ndritur, që rrëfeu me aq guxim e vërtetësi bëmat dhe pësimet, mbi jetën
e saj, por që në një mënyrë ishte pasqyrë e gjithë sistemit sundues ndaj
gjysmës, mbase më shumë se gjysmës së popullsisë shqiptare.
Ajo erdhi....! Kjo tokë
e bekuar e Zotit e meritonte një shkrimtare dhe veprimtare që trimërisht mori
pjesë në ndryshimet e sistemit, pavarësisht se pësoi zhgënjim edhe nga e
“Djathta” shqiptare, të cilës i përkiste nga origjina, tashmë mbetur
“Proletare”, pa pronë e pa pasuri.
Ajo me stilin e saj të
veçantë, letrar, poetik e filozofik, në të gjitha gjinitë letrare, kishte
leksikun e veçantë në përshtatje me temat që trajtonte. Mendim dhe stil të
ëmbël, të qetë, fllad e dashuri sa njerëzor aq edhe shoqëror, shpesh edhe të
ashpër, tufan pa ngritur erën me acar e suferinë për hakmarrje. Ajo me fjalën
dhe artin e saj të fuqishëm analizon në skaner, jetën shpirtërore të popullit
tonë, sa krenar aq edhe të përvuajtur në përçarje, në izolim, skamje e mjerim
të pa rrëfyer.
-Të lexosh “Elitat e
mohuara...... Krenari e kombit”, ndjen dhembje dhe krenari, për njerëzit e
këtij dheu që kanë bërë emër, por të lënë qëllimisht në harresë. Pse.......?
-Të lexosh librin
historik ”Genti, mbreti Ilir i Ardianëve.”, ndjen krenari të ligjshme,
për mbretërit e këtij vendi, si forma më e lartë e organizimit shtetëror, për
kohën që jetuan. Keqardhje që dinastitë e tyre nuk jetuan gjatë. Koha dhe
historia e ndëshkuan popullin dhe truallin e Iirëve.
-Të lexosh romanin “Rikthimi
i Ismail Qmalit”, besoj se çdo njëri
nga ne këndonjësit do ndjejë ngrohtësi dhe atdhedashuri, për këtë burrë shteti
me mendje të fuqishme, që braktisi postet e larta, karrierën politike që i
siguronte “Porta e lartë”, humbi pasurinë, me synim për t’u kthyer në tokën
amtare, për të firmosur “Mëvetësinë”, bashkë me “burrat e dheut”, duke i
shërbyer mëmëdheut.
-Të lexosh në librin “Rrugëtimi
filozofik i Isuf Luzajt”, filozof shqiptar, lindur në Kaninë, i diplomuar
dhe me dy doktoratura në Sorbonë të Francës, ndjen krenari dhe trishtim më
shumë, pasi një figurë e tilla që e nderon bota mbarë, duke e dekoruar me çmime
nga dy presidentët e SHBA-ve, njëkohësisht i vlerësuar si një nga shtatë
filozofë më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Trishtim, pasi nga qeveritarët
tanë, që në ditët e para të Çlirimit, u kërkua për ta dënuar e pushkatuar si
armik i popullit. Vallë kush e deshtë më shumë Shqipërinë......, ai që u largua
për t’i shpëtuar vdekjes, apo ata që sunduan!?

-Të lexosh novelën, “Ngërçi
i hakmarrjes........”, një tjetër diamant i letrave shqipe, për nga forma,
stili, forca e mendimit, psikologja dhe filozofia e jetës në hapësirën
shqiptare, duke ngritur pyetjen. Ngërç apo hakmarrje...?.
-Të lexosh librin
monografi “Kush jam unë........”, një rrëfim për fisnikërinë e saj të
trashëguar, që nuk u venit, nuk u njollos dhe nuk u përbalt dot nga diktatura.
Një pikturë e vendosur në mur, në tavolinë apo kanatat e dollapëve te shtëpisë,
mrekullohesh nga stili dhe gjuha e përdorur, nga mënyra e rrëfimit, duke
kuvenduar me vetveten, për t’u kuptuar nga cilido lexues, pavarësisht shkollës
dhe ngritjes arsimore. Një bashkëpunim i përkryer me gazetarin Gëzim Marku, për
intervistën që organizon.
Nuk them se e njoh
tërësisht veprën e znj. Vivra. Janë plot 72 botime, secili një histori e botë më
vete. Unë sapo përmenda disa prej tyre, ndaj po mjaftohem, ndryshe do më duhet
të mbush faqe të tëra pa fund. Një detyrë që duhet ta kryejnë studiues të
veprës së shkrimtares “Princesha e Kaninës”, mbase më mirë katedra të letërsisë
dhe historisë.
Unë e mbaj veten si
lexues i pasionuar pas letërsisë së bukur, por ndjej madhështi në thjeshtësi të
znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj, në analizën e jetës dhe mësimet që nxjerr nga
përvoja, si ngadhënjim mbi vuajtjen dhe shtypjen shpirtërore, duke u ngritur
për t’i shërbyer vetes, të vërtetës, atdheut dhe kombit.
Vivra nuk është më në
mesin tonë, por vetëm fizikisht, pasi vepra e saj jeton mes nesh për t’u
kujtuar në përjetësi. Edhe nëse koha hesht, prushi i saj mbete ndezur edhe nën
hi.
Nderim në përjetësi,
emrit dhe veprës së Vilhelme Vrana Haxhiraj..!
Sadik Reçi
Durrës. Pranverë 2026.


