Sadbere Emshiu: Luan Krasniqi – kampioni që e kaloi ringun
Luan Krasniqi në ring, në një nga momentet simbolike të karrierës së tij
LUAN
KRASNIQI – KAMPIONI QË E KALOI RINGUN
Një
bisedë për sportin, identitetin, diasporën, humanizmin dhe jetën përtej fitores

Një fjalë nga autorja
Ka
figura që i përkasin një vendi, por që, me rrugëtimin e tyre, bëhen pjesë e një
bote më të gjerë. Për mua, Luan Krasniqi është një prej tyre. Ai e nisi rrugën
nga Kosova, u formua në Gjermani dhe u bë i njohur në arenën ndërkombëtare,
duke e bartur me vete jo vetëm emrin e tij, por edhe një pjesë të identitetit
shqiptar.
Në
këtë kuptim, ai më kujton figurën e Muhammad Aliut: një sportist që nuk mbeti
vetëm kampion në ring, por u bë simbol përtej tij.
E
respektoj Luan Krasniqin për kampionin që u bë, por e nderoj edhe më shumë për
njeriun që zgjodhi të mbetet.
Hyrje
Ka
njerëz që sporti i bën të njohur. Ka edhe të tillë që, përmes sportit, bëhen
pjesë e kujtesës së një brezi. Luan Krasniqi u përket të dyjave – por e dyta
është ajo që e vendos atë në krye: jo vetëm si kampion që u ngjit në majat e
sportit, por si njeri që la gjurmë përtej ringut.
Rruga
e tij nga fëmijëria, kur ëndërronte të ishte në ring duke parë boksierët
shqiptarë në ekranin televiziv, deri te majat e boksit ndërkombëtar, është një
histori e ndërtuar mbi guximin, disiplinën, talentin, sakrificën dhe një besim
të palëkundur te vetja.
Por
kjo bisedë nuk është vetëm për boksin.
Është
për njeriun që qëndron përtej sportistit. Për një djalë të ri që erdhi në
Gjermani dhe gjeti në Rottweil një derë të hapur drejt ëndrrës së tij. Për
trajnerët dhe njerëzit që i qëndruan pranë. Për fitoret që e ngritën dhe
humbjet që e bënë më të fortë. Për diasporën dhe brezin e ri shqiptar që po
ndërton identitetin e vet mes disa gjuhëve, kulturave dhe botëve. Për
humanizmin, për fëmijët, për arsimin, për përgjegjësinë shoqërore dhe për
besimin se suksesi ka vlerë të plotë vetëm atëherë kur mund t'u shërbejë edhe
të tjerëve.
Luan
Krasniqi ka qenë në ring, por jeta e tij nuk është kufizuar kurrë vetëm te
ring-u.
Ai
ka zgjedhur të vazhdojë të jetë pranë sportit, pranë të rinjve, pranë
institucioneve dhe aktiviteteve humanitare. Sot, këtë lidhje me boksin e jeton
edhe përmes nipave të tij, Ardianit dhe Arjanitit, të cilët kanë vazhduar
rrugëtimin familjar në këtë sport.
Ndoshta
kjo është edhe arsyeja pse, kur flet për boksin, duket sikur nuk po kujton
vetëm një periudhë të së kaluarës. Ai ende jeton me të.
Dhe,
në fund të këtij bashkëbisedimi, mbetet një fjali e tij që e përmbledh më bukur
se çdo përshkrim këtë lidhje të pazgjidhshme:
"Me
këtë intervistë më kthyet në ringun pa duel."
Është
një ring tjetër tani.
Pa
kundërshtar përballë.
Pa
gong. Pa duartrokitjet e një salle që pret rezultatin.
Por
me të njëjtin shpirt.
Sepse,
përtej grushtit, ekziston njeriu. Dhe përtej ringut fillon ajo pjesë e jetës ku
çdo fitore duhet të përkthehet në kuptim.
INTERVISTA ME LUAN
KRASNIQIN
Luan, çfarë të shtyu
fillimisht drejt boksit? Nga e more guximin dhe besimin e thellë në vetvete për
të hyrë në një botë kaq sfiduese?
Luan
Krasniqi: Para së gjithash, ju falënderoj për interesimin tuaj dhe, le të më
lejohet që përmes jush t'i përshëndes të gjithë sportdashësit dhe, sidomos,
dashamirët e boksit e simpatizuesit e mi, të cilët, kurdoherë, treguan
dashamirësi dhe më mbështetën në rrugëtimin tim sportiv.
Sa
i përket pyetjes suaj, ju them se sportin e boksit e kam dashur që herët dhe
inspiruesi kryesor ka qenë i madhi Lah Nimani dhe djelmoshat e tij, boksierë të
spikatur të atyre viteve, të cilët më fascinonin kur i shikoja përmes ekranit
televiziv.
Që
atëherë ëndërroja të isha edhe unë në ring dhe, me të arritur në Gjermani, u
interesova për klubin e boksit në qytetin Rottweil, ku boksi kishte traditë dhe
i kushtohej kujdes institucional.
Me
aktivizimin tim në këtë klub, filloi e tëra për mua dhe me boksin.
Në rrugëtimin tënd,
cilët kanë qenë njerëzit dhe vlerat që të kanë mbështetur më së shumti? Cilat
ishin shtyllat e tua në momentet më të vështira?
Luan
Krasniqi: Mos ta harrojmë faktin se unë erdha shumë i ri në Gjermani. Në
Rottweil më pritën krahëhapur. Ishte trajneri Theo Kerekesh, ndjesë pastë,
njeriu i mrekullueshëm dhe sportisti i përkushtuar, i cili më trasoi rrugën
drejt boksit dhe sukseseve të mia. Pa të dhe ndihmën e tij, vështirë se do të
arrija në nivelin ku isha, sepse ai ma krijoi bazamentin parësor të karrierës
sime.
Por,
edhe si rezultat i vendosmërisë sime dhe, me gjasë, vullnetit, disiplinës,
talentit e përkushtimit, erdhën edhe sukseset motivuese në gara të niveleve të
ndryshme.
Kur sot kthehesh pas dhe
e sheh rrugën tënde, çfarë të duket më thelbësore?
A ekziston një çast që e
ndryshoi drejtimin e jetës tënde?
Luan
Krasniqi: Pa dyshim, pas sukseseve të njëpasnjëshme, si kurorëzim i angazhimit
tim ishte pjesëmarrja në Olimpiadën në Atlanta dhe medalja e fituar atje – një
krenari e veçantë e imja.
Ky
sukses ishte bërthamor, sepse interesimi u shtua, fitova energji të reja,
mbështetja ishte më e fuqishme dhe, natyrshëm, boksit iu përkushtova me
përkushtim dhe vëmendje shpirtërore.
Edhe
më impresionues ishte fitimi dhe, më pas, edhe rikthimi i titullit të Kampionit
Evropian. Këto momente ishin më thelbësoret dhe ndër përjetimet më të veçanta
të karrierës time.
Ti je ndër të rrallët që
jo vetëm arritën majat e sportit, por edhe zgjodhën të kontribuojnë për të
tjerët – në organizime, në këshillim, në mbështetje. Dhe, megjithatë, mbetesh i
përulur.
Kush je ti në thelb,
Luan Krasniqi?
Si arrihet të jesh i
pranishëm në botë, pa u bërë pjesë e zhurmës së saj?
A ekziston një parim i
brendshëm, një udhërrëfyes që të ka mbajtur të qëndrueshëm në këtë rrugë?
Luan
Krasniqi: Bamirësia më fle në zemër dhe, i nxitur nga ky motiv, me kohë jam
përcaktuar që, krahas sportit, konceptit humanitar t'i qëndroj pranë pa
pretenduar që të bëhet bujë.
Ndonëse
në aksione humanitare jam angazhuar dhe angazhohem gjithherë kur më krijohet
hapësirë efektive, angazhohem me të njëjtin elan e energji sikur dikur edhe në
ring. E konsideroj për nder kur më krijohet rasti që të bëj aq sa mundem për
mirëqenien sociale të të përvuajturve. Këtë e kuptoj si të natyrshme dhe si
detyrë njerëzore...
Sidomos
angazhimi im për SOS Kinderdorfin, i cili ka bërë dhe po bën shumë për fëmijët
dhe që është një institucion tejet serioz dhe i rëndësishëm. SOS Kinderdorf u
mundëson fëmijëve që ka marrë në përkujdesje afërsisht atë jetë që do ta kishin
në një familje normale. Andaj, jam krenar që kam mundësi që, përmes SOS
Kinderdorfit, në formë proaktive, të jem edhe më tej në mbështetje të atyre
fëmijëve.
Po
ashtu, edhe për shkëmbimin e përvojave arsimore ndërmjet Gjermanisë e Kosovës,
forcimin e lidhjeve të shkollave kosovare me ato gjermane, angazhimi ishte
shumëdimensional.
Ndërkaq,
luftimin e varësisë nga lojërat e fatit, vite me radhë e kam pasur synim dhe në
qendër të angazhimit tim vullnetar. I gëzohem vlerësimeve të shumta se në këto
angazhime dhe shumë të tjera, suksesi nuk ka munguar.
Ndonëse
shumë veprimtari janë zhvilluar pa bërë zhurmë, siç thoni ju, motivi humanitar
ishte dhe mbetet ai që më forcon në përditshmëri dhe ftoj të gjithë ata që kanë
mundësi të bëjnë më shumë, sepse, duke vepruar me ndjenjën e humanizmit, jeta
merr kuptim më të plotë.
Çfarë roli ka humbja në
formimin tënd si njeri dhe si sportist? A ka pasur momente kur humbja të ka
mësuar më shumë se fitorja?
Luan
Krasniqi: Unë kam boksuar para së gjithash ngase boksi më bën kënaqësi.
Spektatorët, ndërkaq, më jepnin gjithnjë forcë të veçantë me mbështetjen e
tyre...
Synoja
të ngadhënjej kurdoherë, sepse kështu dëshiroja që t'i falënderoj tifozët, të
cilët tradicionalisht mbushnin sallat, kudo dhe kahdo që boksoja, si edhe
armatën milionëshe të fansave që, përmes ekraneve televizive, i ndiqnin meçet e
mia.
Por,
përkundër dëshirës dhe synimit për fitore, ka ndodhur të më shoqëronte edhe
mossuksesi në ring. Sporti është ai që ka fituesin dhe humbësin. Por, nga çdo
humbje kam dalë më i fortë, me përvojë më të madhe, me një bazë edhe më të
shëndoshë për meçin e radhës.
Prandaj,
edhe ato pak humbje dueli kanë qenë mësim për mua dhe, pikërisht për këtë, unë
dhe tifozët e mi kemi arritur një bilanc të shkëlqyer: 30 fitore në përpjekje
të arritjes së titullit të Kampionit Botëror, pra gjithherë në meçe që
zhvilloheshin në majat e majave të boksit internacional, dhe vetëm katër
humbje.
Si e përkufizon sot
suksesin? A ka ndryshuar ky kuptim nga fillimet e tua deri më sot?
Luan
Krasniqi: Bazë themelore e suksesit është guximi. Guximi që shënon fillimin.
Në
rrjedhën e kohës, varësisht nga vetëangazhimi dhe qëllimi, arrihet suksesi.
Njeriu është i prirë që suksesin ta parapërcaktojë dhe kjo është dëshmi e
synimit të shëndoshë që nga shkalla e parë e fillimit.
Të
arrish sukses do të thotë të sakrifikosh. Dhe unë këtë koncept e kultivoj edhe
sot e kësaj dite.
Asgjë
nuk ka ndryshuar në qasjen time sa i përket suksesit, të cilin e konsideroj
finalizim të secilit planifikim.
Çfarë do t'u thoshe të rinjve shqiptarë në
diasporë që kërkojnë rrugën e tyre mes sfidave dhe ëndrrave?
Luan
Krasniqi: Sa i përket rinisë tonë, mund të them se është e shkëlqyeshme. Më
gëzojnë sukseset e djelmoshave dhe vajzave gjithandej, të cilët po i
shfrytëzojnë mrekullueshëm mundësitë që po u ofrohen në diasporë.
Sukseset
e tyre janë pasqyrë e angazhimit dhe seriozitetit me të cilin e kanë fituar
besimin dhe respektin gjithandej.
Prandaj,
të rinjtë tanë sot, me profile të rëndësishme në të gjitha sferat, ndodhen
ballëlart kudo.
Ëndrrat
e baballarëve të tyre që bijtë të jenë të afirmuar në saje të punës me vlerë,
po sendërtohen gjithnjë e më shumë.
Prandaj,
duhet të vazhdohet edhe më me këmbëngulësi për arritje të reja në sport, po se
po, por edhe në ekonomi, ndërmarrësi, kulturë e sfera të tjera jetësore, duke
qenë krenarë për prejardhjen, por edhe mirënjohës për vendet e mundësive të
jashtëzakonshme ku na janë hapur dyert e jetës.
A mendon se sporti ka
një mision më të gjerë shoqëror? Si mund të ndikojë ai në ndërtimin e një
shoqërie më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme?
Luan
Krasniqi: Aty ku është sporti, aty është shëndeti, është fryma e shëndoshë.
Është toleranca, miqësia, shoqërimi dhe vlerat më të shenjta njerëzore.
Sporti
është paqe dhe dukuritë e shëmtuara nuk kanë vend në të.
Sporti
duhet të masovizohet kudo. Trevat tona kanë shumë më shumë nevojë për sport dhe
angazhim vullnetar në këtë sferë.
Shoqëria
me sport të zhvilluar është me vlerë të jashtëzakonshme dhe në të manifestohen
dimensionet më fisnike të civilizimit.
Prandaj,
edhe sporti meriton më shumë mbështetje në të gjitha nivelet dhe format.
Në heshtje, larg
publikut – kush je ti, Luan Krasniqi?
Çfarë e mban të fortë
shpirtërisht një njeri që ka kaluar kaq shumë?
Në fund, ndoshta
përgjigjet nuk do të jenë vetëm për sportin. Ndoshta ato do të jenë një kujtesë
për të gjithë ne: se madhështia nuk qëndron te ngritja e shpejtë, por te
qëndrueshmëria e qetë; jo te fitorja e një çasti, por te mënyra si e mban veten
gjatë gjithë jetës.
Sepse, përtej grushtit,
ekziston njeriu. Dhe përtej ringut fillon ajo pjesë e jetës ku çdo fitore duhet
të përkthehet në kuptim.
Luan
Krasniqi: Edhe pas kaq vitesh nga ndarja zyrtare prej boksit, jetoj me këtë
sport. Këtë ma mundësojnë edhe nipat e mi, Ardiani dhe Arjaniti, të cilët po më
fascinojnë me suksesin e tyre në boks. Jam tejet i lumtur që e kanë vazhduar
këtë rrugëtim.
Kjo
do të thotë se unë nuk kam pushuar me këtë sport. Përkundrazi, jetoj aktivisht
me ta, edhe pse nuk paraqitem në ring.
Ushtroj
me kënaqësi, si përfaqësues i boksit prezantoj në shumë organizime dhe
manifestime dhe kjo më bën krenar. Nuk i kam shkëputur kontaktet me shkollat,
me institucionet sportive, me organizata e shoqëri sportive, të cilat më
kontaktojnë dhe më ftojnë në aktivitete.
Të
gjitha këto më japin forcë të mëtejshme dhe nuk mendoj të largohem asnjëherë.
Pa mendjen e shpirtin te sporti i boksit, frymimi im nuk do të kishte kuptim.
Dua të shtoj se u jam mirënjohës për interesin e treguar dhe, me këtë intervistë, më kthyet në ringun pa duel, sepse, kur pyetem për boksin, e kujtoj një periudhë ngazëlluese kohore që ia dhurova këtij sporti, që as tash nuk më lë të qetë.
PËRTEJ FITORESNdoshta,
në fund, kjo intervistë nuk flet vetëm për një kampion boksi.
Flet
për një njeri që e ka kuptuar suksesin jo vetëm si një medalje, një titull apo
një fitore, por si përgjegjësi. Për një njeri që e ka mbajtur lidhjen me vendin
prej nga vjen, ndërsa ka ditur të jetë pjesë e vendit ku ndërtoi jetën. Për një
njeri që e ka përjetuar diasporën jo si një shkëputje, por si një hapësirë ku
identiteti, puna, kultura dhe mundësitë mund të bashkëjetojnë.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e vërtetë.
Sepse
ringu ka një kufi. Jeta jo.
Një
kampion mund të dalë nga ring-u, por vlerat që ka ndërtuar aty mund t'i mbajë
me vete gjatë gjithë jetës.
Luan
Krasniqi duket se ende është në ring. Vetëm se sot kundërshtari nuk është më
përballë tij. Është koha. Dhe ai vazhdon të ecë përpara – bashkë me të.











