Beqir Cikaqi: Atdheu – vendi më i bukur

1h më parë

ATDHEU – VENDI MË I BUKUR

Një ditë e paharruar e Shoqatës “DARDANIA” nga Montebelluno e Italisë në Kosovë

Nga Beqir Cikaqi

“Atdheu – vendi më i bukur” ishte titulli dhe njëherazi mesazhi i një vizite të veçantë njëditore, të organizuar nga Shoqata “DARDANIA” nga Montebelluno e Italisë, e cila bashkoi drejtuesit e shoqatës, nxënësit e Shkollës Shqipe, anëtarët e saj dhe mysafirë të veçantë, në një udhëtim njohjeje, historie, kulture dhe krenarie kombëtare.

Ka udhëtime që bëhen për të parë vende të bukura, por ka edhe udhëtime që bëhen për të prekur rrënjët dhe për të ndier më afër atdheun. E tillë ishte vizita njëditore e Shoqatës “DARDANIA” nga Montebelluno e Italisë, e cila solli në Kosovë drejtuesit e saj, nxënësit e Shkollës Shqipe, anëtarët e shoqatës dhe mysafirë të veçantë.

Në krye të këtij grupi ishte kryetari dhe njëherësh mësuesi i Shkollës Shqipe pranë Shoqatës “DARDANIA”, profesor Faik Tafolli, i cili me përkushtim të vazhdueshëm punon për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare te brezat e rinj në mërgatë. Profesor Tafollin herë pas here e ndihmonin edhe i riu Leonard Gashi, anëtar i kryesisë së shoqatës, dhe Agnesa Krasniqi, ish nxënëse e shkollës shqipe që funksionon në gjirin e Shoqatës “DARDANIA”, cila tani e luan edhe rolin e mësimdhënëses krah për krah profesorit të dëshmuar Faik Tafollit.

Pjesë e këtij udhëtimi ishin edhe profesori i njohur i historisë, z. Fadil Bytyqi, dhe poeti Beqir Cikaqi, duke i dhënë vizitës një dimension të veçantë historik, kulturor dhe letrar.

NË SUHAREKË – NA URUAN MIRËSEARDHJE NË ATDHE

Dita nisi në Suharekë, ku delegacioni vizitoi Policinë e Kosovës, të cilëve edhe iu uruan mirëseardhje, duke i pritur në lokalet e brendshme të stacionit policorë. Takimi ishte një mundësi për të shprehur respektin për institucionin dhe për të gjithë ata që me përkushtim i shërbejnë qytetarëve dhe vendit. Nga zyrtarët e lartë policor u njoftuan për detyrat dhe obligime që kanë ndaj profesionit të sigurisë.

Mesazhi i qëllimi të vizitës ishte:

- Vijmë nga mërgata në atdhe, dhe që në orët e para të ditës – një përshëndetje për ata që i shërbejnë Kosovës

SHPELLA E GADIMES – MREKULLIA NËN TOKË E ATDHEUT

Në vazhdim, në bashkëpunim me kompaninë “Jaha Tours”, udhëtimi vazhdoi drejt Shpellës së Gadimës, një prej pasurive të veçanta natyrore të Kosovës.

Për nxënësit e Shkollës Shqipe ishte një përvojë e veçantë: një mundësi për të parë nga afër një pjesë të bukur të natyrës së vendit të tyre dhe për ta njohur Kosovën përtej faqeve të librave. Aty hollësisht u njoftuan nga ciceroni, duke i vizituar sallat dhe të gjitha korridoret e mundshme për t’i parë nga afër stalagmitet e stalaktitet dhe figurat e ndryshme interesante të vet formuara, që për syrin e vizitorit, vërtetë janë magjepse.

Mesazhi i përbashkët i vizitorëve në dalje të shpellës, ishte i qartë:

- Kosova është e bukur edhe aty ku bukuria fshihet nën tokë.


ULPIANA – KUR GURËT FLASIN

Një tjetër ndalesë me rëndësi ishte Ulpiana antike, ku gur themelet dhe gjurmët e qytetërimit të lashtë e afruan brezin e ri me një histori të hershme dhe të pasur. Profesori i historisë, Fadil Bytyqi, e kishte fjalën kryesore, duke dhënë sqarime shumë bindëse për këtë vend antikë.

Aty, e kaluara nuk mbetet vetëm në tekstet shkollore. Ajo shfaqet përpara syve përmes gurëve, rrënojave dhe gjurmëve të qytetërimit. Ndërsa poeti, paraqiti vargjet e skalitura kohë ma parë për këtë vend:

Ulpiana, qytet ilir në tokën dardane

para njëzetë shekujve ngritur

në stilin romak të kohës

lakmuar e pushtuar

nga perandorët e fillim-epokës

para bishave Karpate

e arnautëve anadollakë ...”

Mesazhi i përbashkët për këtë vend ilire dardan, ishte:

- Gurët e Ulpianës flasin në heshtje, por historia e tyre dëgjohet brez pas brezi.

PRISHTINA – NËN HIJEN E HISTORISË

Udhëtimi vazhdoi në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ku pjesëmarrësit u ndalën fillimisht në një restorant për të drekuar në një nga lagjet periferike, dhe mandej vazhduan për në qendër të qytetit, pranë përmendoreve të figurave të rëndësishme të historisë sonë, ndër to Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Presidenti Ibrahim Rugova dhe Heroi i Kosovës, Zahir Pajaziti.

Fotografitë pranë këtyre figurave u shndërruan në kujtime të veçanta për nxënësit, të cilët historinë e tyre e mësojnë në mërgatë dhe tani patën mundësinë ta përjetojnë nga afër.

Aty bën incizime dy nga mediat  e rëndësishme të të kanaleve televizive RTK dhe ATV, duke marrë  përshtypjet dhe prononcimet nga drejtuesit e ekskursionit, si  edhe nga nxënës e natar tjerë të shoqatës.

Këtu u qëndrua më gjatë, ku morën fotografi, madje u freskuan me pije freskuese e akullore, dhe formuan mesazhin e domethënës për kryeqytet:

-  Një fotografi, një kujtim, një histori – një lidhje e drejtpërdrejtë me atdheun


NË SUHAREKË – MËRGATA NË SKENËN E ATDHEUT

Dita ishte e shkurt për të vizituar vende tjera, prandaj aty ku u nis kjo vizitë (nga Suhareka) edhe u kthyem për të vazhduar kompletimin e këtij ekskursioni një ditorë.

Në orët e mbrëmjes, në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi” në Suharekë, dita u kurorëzua me një program kulturor. Këngë, recitime, valle, duartrokitje dhe emocione u bënë pjesë e një mbrëmjeje ku mërgata dhe atdheu u bashkuan përmes kulturës.

Nxënësit e Shkollës Shqipe sollën në skenën e Kosovës atë që e ruajnë me dashuri larg vendlindjes: gjuhën shqipe, këngën, traditën dhe shpirtin shqiptar. Ishte një dëshmi e bukur se puna e mësuesve dhe e shoqatave shqiptare në mërgatë po mbjell te brezi i ri dashurinë për gjuhën dhe identitetin kombëtar. Nuk mungoi, as fjala e poetit me poezi dedikuar këtij qyteti. Ndërsa profesori i historisë që shoqëroi grupin, rrëfente ngjarje nga lufta e fundit heroike e UÇK – kur ky ishte edhe reporter lufte në këtë zonë.

Për atë kohë sa zgjati programi kulturor,  salla ushtonte, dhe sikur iu tregonte të gjithëve, edhe jashtë Shtëpisë së Kulturës, mesazhin përcjellës, se:

- Mërgata kur këndon në atdhe – gjuha dhe kultura nuk njohin kufij.

MIRËNJOHJE PËR SHOQATËN “DARDANIA”

Në përmbyllje të kësaj dite të veçantë, Komuna e Suharekës e nderoi Shoqatën “DARDANIA” me mirënjohje, në shenjë respekti për veprimtarinë dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatë. Mirënjohjen e dorëzuan zyrtarët e komunës z. Ibrahim Thaqi dhe Remzi Bajselmani, derisa në emër të shoqatës epranoi  kryetari i Shoqatës “DARDANIA” Faik Tafolli. Nga një dhuratë, kryetari i shoqatës pranoi edhe nga artisti i artit Refki Gallopeni, si dhe ngai riu Faton Morina.


Kjo mirënjohje ishte edhe një vlerësim për punën e palodhur të drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë që fëmijët shqiptarë të rriten me gjuhën dhe kulturën e të parëve. Ky episod i kësaj vizite, solli mesazhin e fuqishëm:

- Një MIRËNJOHJE që bëhet kujtim, e kujtimi që bëhet krenari.

NJË DARKË, NJË FAMILJE

Dita u përmbyll me një darkë kolektive, në një atmosferë të ngrohtë miqësie, respekti dhe vëllazërie, shtruar nga kryetari i komunës. Një darkë e përbashkët, si një familje shqiptare e kohës së shkuar. Biseda, batuta, shkëmbim numrash, e malesh, etj.

Kështu, pas një dite të gjatë, mbetën buzëqeshjet, fotografitë, përqafimet dhe kujtimet. Sepse kur shqiptarët takohen në atdhe, largësia prej mijëra kilometrash duket sikur zhduket për një çast. Dhe, kur jemi bashkë, largësia nuk ekziston.

NJË DITË, SHUMË KUJTIME

Nga Montebelluno në Suharekë, nga Shkolla Shqipe te monumentet e historisë, nga Shpella e Gadimes te Ulpiana, nga Prishtina te skena e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi” – kjo ishte një ditë që bashkoi arsimin, kulturën, historinë dhe dashurinë për atdheun. Për nxënësit e Shoqatës “DARDANIA”, kjo nuk ishte thjesht një vizitë në Kosovë.

Ishte një kthim te rrënjët dhe një mësim në gjuhën e zemrës.

Si dhe një takim me historinë dhe një përqafim me atdheun.

Sepse atdheu nuk është vetëm toka ku kemi lindur. Atdheu është gjuha që flasim, historia që kujtojmë, kultura që ruajmë, flamuri që na bashkon dhe dashuria që ua përcjellim brezave.

Dhe për fëmijët shqiptarë që rriten në mërgatë, ta njohësh Kosovën do të thotë të njohësh një pjesë të vetvetes. Pa asnjë dilemë: ATDHEU ËSHTË VENDI MË I BUKUR!

Fund gusht '26