Ndue Dedaj: Rubiku, një histori e pazakontë mbitokë dhe nëntokë

1h më parë

RUBIKU, NJË HISTORI E PAZAKONTË MBITOKE DHE NËNTOKE

Dy kohët historike dhe e sotmja turistike e Rubikut


NGA NDUE DEDAJ

Ka gjasë që dy rremat e historisë së këtij vendi, e mbitokshme dhe e nëntokshme, të jenë të lashtë njësoj, kur mendon se ishin Pirustët, zotëruesit e bakrit të Matit e Mirditës, që e çuan zejen e tyre të nxjerrjes dhe përpunimit të këtij minerali me ngjyra deri në (Dakì) Rumani, ku lanë dhe një fshat në emrin e tyre. Rrallë ndonjë qytet tjetër në botën shqiptare i ka të gjitha shenjat, gjurmët dhe simbolikat e lashtësisë dhe bashkëkohësisë, piktogramet në guvën shkëmbore, gjurmët arkeologjike të shekujve II dhe I para Krishtit si vendbanim romak, kuvendin benediktin dhe afreskat e kishës së Shëlbuemit, kalanë e Rubikut - e antikitetit të vonë (Justiniane), Noviciatin në shekullin XIX - shkollë e nivelit të mesëm, ku mësohej kultura klasike etj. Në këtë areal ka qenë dhe njëra ndër shkollat e para dioqezane, ajo e Velës, e gjysmës së parë të shekullit XVII. Lugina e Fanit përshkohej nga rrugët e vjetra që vinin nga Adriatiku e shkonin nëpër Dardani, nga Prizreni në Nish. Në Rrasfik ka qenë e përmendur “Kulla e Skënderbeut” (fortesë), por dhe “Kulla e Barutit”, ku prodhohej baruti, si në Lunré. Në Rubik pikëpritën dy njësi etnografike të Mirditës, Bulgri dhe Kryezezi, por dhe Vela. Rubiku është dheu i lindjes së njërit prej njerëzve më të lartë të Shqipërisë, Imzot Prend Doçit dhe i origjinës së Pashko Vasës. Kuvendi Françeskan, nën kryesimin e At Pal Dodajt, qe një nga qendrat kryesore të Pavarësisë në Veri. Siç shihet, një “pëllëmbë” vend, i gjithi muze në natyrë, ku turistët kanë se ç’të shohin e prekin. Një qytet që malin e ka mbi shpinë, lumin te “këmbët” dhe detin një vrap…

Në shekullin XX Rubiku u ngjit në majat e industrisë shqiptare, me minierën nën nivelin e Fanit, metalurgjinë dhe uzinën e bakrit, i vetmi vend ku duke nisur nga vitet ’60 prodhohej ari. Me fillimet industriale të Rubikut lidhën emrat e gjeologëve Nopça dhe Novak, si dhe të sipërmarrësit shkodran Zef Boriçi. Greva e 400 punëtorëve të Rubikut më 1938 kundër sipërmarrësve kapitalistë italianë është e para në Shqipëri. Para Luftës, nga miniera e Dervenit minierali vinte me teleferik drejt e në Metalurgji. Në Rubik e Kuçovë u krijua për herë të parë klasa punëtore shqiptare, ku punuan specialistë nga më të shquarit e vendit, duke nisur me inxhinier Sulo Klosin, drejtor Xhavit Hatibin, kryeinxhinier Frrok Pjetër Gegën etj. Harta minerare e Rubikut mban dhe firmën e mjaft gjeologëve të huaj, austriakë, italianë, rus, kinez etj. Mjeshtrit e bakrit të Rubikut hapën galeritë e para në minierën e kromit të Bulqizës etj. “Teknikumi” i Rubikut në vitet ’70 ishte ndër shkollat industriale më në zë të vendit.

Shkurt, një histori e pazakontë mbitoke dhe nëntoke. Por uzina e rafinimit të bakrit, “kulla” më e madhe e industrisë së bakrit në vend, ka tridhjetë vjet që nuk nxjerr më tym dhe thuhet se do ta marrë Ushtria për të prodhuar armë dhe municion luftarak, duke e kthyer në një “Poliçan” të dytë, ndërkohë që e gjitha kjo industri nuk ka një muze, pasi ne i vumë qëllim vetes të zhduknim çdo gjurmë të “socializmit”.

Rubiku, që përshkohet nga Udha e Kombit, ka mbetur faktor dhe në kohën e sotme, me “Katundin e Vjetër” të një vargu bujtinash (që nisin me eko-hotel “Marubin”, ndërtuar me kontribut austriak), “Infokullën - Mirdita”, të vetmen në Shqipëri kësodore, shtegtimin e përvitshëm për në Malin e Velës dhe murgeshat katolike që mbajnë gjallë komunitetin dhe qendrën kulturore “Abat Doçi” të qytetit. Qytet i besimit, besës (betimi “pasha këtë gur”), mikpritjes, humorit, futbollit, gjuetisë etj. Kjo është jo vetëm një skedë e lakmueshme historike, por dhe turistike, aq më tepër që françeskani austriak Barkata, që kishte shëtitur Europën dhe Amerikën, luginën e Fanit e quante ndër më të bukurat e botës.

Në librin tonë “Fabian Barcata dhe Ditari i tij Shqiptar (2005) kemi  shkruar se Rubiku ka tri kohë historike të tij, lashtësinë antike kishtare, industrinë e bakrit të shekullit XX dhe të sotmen turistike.

Shëlbuemi i Rubikut, nga Benediktinët te Françeskanët

Mitet shqiptare shpesh janë të shoqëruara nga ato ballkanike. Sipas mitologjisë greke hyjnia Robigo ka qenë hyjnia që personifikonte ndryshkun, një sëmundje që prekte drithërat. Për nder të saj në këto anë bëheshin dhe festa, ku njerëzit i luteshin asaj që ta largonte ndryshkun nga drithërat. Në ato festa që ishin themeluar nga Numa Pompili e që organizoheshin me 25 prill, hyjnisë i thershin një dele dhe i blatonin verë. Mirëpo këtë perëndi në Rubik duhet ta ketë sjellë jo ndryshku i drithërave, po ai i tokës që ishte për shkak të mineralit të bakrit. Shpesh ujërat e tij acide i thanin bimët që në rrënjë. Kështu mund të ketë mbetur në këtë vend emri hyjnor Rubik, ashtu siç ekziston dhe ndonjë version tjetër. Por nëse në Rubik nuk qe ulur ndonjë hyjneshë e ndryshkut, nuk pati ndodhur e njëjta gjë me shenjtorët e dishepujt e tyre, që patën themeluar në këtë luginë në hershmëri një nga tempujt me të njohur të Krishtërimit në Shqipëri. Vetëm një çudi do të kishte mbase në kishën qindravjeçare të Shëlbuemit, në fillim shekullit XX nuk do të lejohej ta vizitonte atë mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve, Miss Edit Durham, që vinte me kalin e saj të lodhur brigjeve të Fanit. Por kjo grua fisnike nuk do të jetë zemëruar nga ky fakt duke e njohur jetën e rregulltarëve, ku nuk lejohej prania e femrave.

Edhe sot kisha e Rubikut tërheq vëmendjen e kalimtarëve të shumtë. Vendosur mbi shkrepin e bardhë, që ngrihet mbi lumë, dikur ishte një kompleks kishtar mesjetar me Kishën, qelën famullitare, Kuvendin, kumbanoren, rezidencën verore si dhe jo pak mjedise të tjera, ndërtuar me një arkitekturë të rrallë, me paraqitje të brendshme grafike artistike (afresket), ku bie në sy sidomos pamja ballore e kishës. Objektet janë restauruar kohë pas kohe. Korpusi kishtar lartësohej në një ballkon natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut në masivin dekorativ shkëmbor. Në tërësinë e vet, një vepër arti unikale, një pikë turistike e kërkuar dhe mbi të gjitha një monument kulture i veçantë.

Nisur nga stili i ndërtimit është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Teodor Ippen, përcakton vitin 1272. Historianët, nëpër ravgimet e mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht për kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër del për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166. Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristik vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Studiuesi Fulvio Cordignano thotë se Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është Kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), besohet që nga shekulli XV. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, profesor Zef Mirdita, citon Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskeve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me afreska dhe me citate nga Besëlidhja e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit martir të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin”. Danielo Farlati nga ana e tij njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë.

Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit. Me emrin dhe veprën e prelatëve të përvutë e zëmëdhenjt françeskanë është i lidhur çdo ndryshim dhe progres në historinë e këtij vendi sa të lakmuar për pozitën gjeografike dhe prirjen e njerëzve për qytetërim, aq të vështirë për ta kryer këtë mision për shkak të varfërisë, sëmundjeve, luftërave etj. Si kishë historike, Shëlbuemi i Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer te At Fabian Barcata, cili i tërheq vëmendjen vizitorit gjerman, Karl Shteinmetz, te viti 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gurë të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefen Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës komëtare. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Aty janë mbushur natë për natë fletët e ditarit historik të At Pal Dodajt. At Anton Harapi më 1919 do të vente aty mësues i seminaristëve. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i shquar françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Kuvend, i maskuar si stundet, do të strehohej për dy javë Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve Ahmet Zogu, derisa të krijohej mundësia nga murgjit largpamës të dërgohej në Vjenë.

Nga manteli hyjnor i Rubikut do të dilte njëri nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar, trim e atdhetar Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë misionare nëpër botë, Amerikë e Indi, po bëri Abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durham dhe i bëri një portret brilant më të fisëm se të lordëve të Anglisë. Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me formulën e tij unikale të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, për t’i rrëfyer botës të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë diku larg dheut të tij dhe diplomat e guvernator i Libanit. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj.

Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, i dokumentuar që nga viti 1166, edhe pse shumë shekuj më i lashtë se fillimet e mijëvjeçarit të dytë, me gjasë që në shekujt e parë të Krishtërimit, u bë tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për ta lidhur ngushtë emrin e tij me pishën e këtij vendi. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja e Judejve, që në popull njihej si e gjodhive.

Romani “Lule”, një libër margaritar për shqiptarët e vjetër

Rubiku, sa vend i mineraleve të çmuara, është dhe i mademeve kulturologjike. Aty do të qendronin shumë diejatër e shkrimtarë, nga Gjergj Fishta, Anton Harapi e Shtjefën Gjeçovi te Dhimitër Shutëriqi, por ai që do ta kurorëzonte këtë vend me një libër të rrallë do të ishte një huaj, austriaku At Fabian Barcatta (1868-1954), me romanin “Lule”, botuar në gjermanisht më 1924 dhe shqip në vitin 1930, përkthyer nga Karl Gurakuqi. Ai erdhi dy herë në Rubik si misionar, në kapërcyell të shekullit XX dhe u bë në këtë vend “më shqiptar se shqiptarët”, siç e cilëson ai në romanin e tij At Anastazin. Qendroi mes mirditorëve deri në vitin 1907.

Përshkrimi tij për Rubikun është mahnitës:

“…Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njënin nga tjetri tue përbamë në këtë mënyrë një luginë të vogël me nji kunorë malesh rreth e përqark. Në mes të kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me pamje të madhnueshme. Erdhën pastaj njerëzit, panë se atje ishte nji vend i bukur banimi, dhe themeluen mbi shkrep shtëpinë e vet të thjeshtë. Atje nalt jetuen e vdiqën brez pas brezi.

Ma vonë erdhi një popull pushtues, thadroj në majë të shkrepit shejet e veta të pushtimit me shqipet fitimtare të legjioneve ushtarake, bani forcime të ndryshme, themeloi mure vigane me pirgje e frengji, në atë mënyrë sa mali u ba nji fortesë romake e papushtueshme. Por dhe vetë madhnia e Romës ra dhe u shkatërrue. Muret u rrëzuen dhe njerëzit u zhdukën. Rubiku ngeli si andërr, i harruem nga të gjithë, deri sa prej viseve të largta erdhën disa njerëz të përshpirtshëm pa pushkë e pa top, kjo çerdhe u pëlqeu atyne. Mbi rrënimet e bamuna nga kamba pushtuese ngritën përmes lutjeve që i naltojshin Perëndisë, nji Kishë e nji Kuvend. Pastruen dhe rregulluen pyllin, e dlirën nga gjaja e egër dhe e rrezikshme; livadhe dhe ara bleruan nga duert e tyre kujdestare dhe vunë rreth e qark shumë bimë të bukura e të dobishme. Këso dore qe Abacia e Benediktinëve të Rubikut.

Kaluan me qinda e qinda vjet. Mbas zhgunit të zi erdh zhguni i murrmë: Benediktinët u zëvëndësuan prej Françeskanëve. Këta tue ndjek gojëdhënat e të parëve të vet, u përpoqën, vuejtën, u salvuen për të mirën e të mbarën e popullit të Shqipnisë. Prap kapërcyen qinda e qinda vjetësh, deri sa erdhi ora e zezë për tokën dhe popullin shqiptar. Ushtri turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plaçkit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue e tue zezue. Prap vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh. Vetëm kisha mbeti e papërkitun. Përsëri kaluen katërqind vjet dhe prap në Rubik gjindet një murg, i cili mundohet e përpiqet me ngjallë nji jetë të re mbi ato rrënoja…”

E ky murg ringjallës atë fillim shekulli XX ishte ai vetë, At Fabian Barcata, që për ata malësorë ishte gjithçka, prift, mjek, agronom, shkrimtar, piktor dhe kronikan i jetës së tyre në zgrip, përmes një ditari mjaft të veçantë, publikuar për herë të parë shtëpia botuese “Mirdita”, përkthyer nga Angjela Leka, Shkodër. “Ditari Shqiptar” i Barkatës është i mbushur me plot episode nga jeta e banorëve të Rubikut. Në fletën e datës 21 gusht 1905 përshkruhet një dialog nga më të pabesueshmit mes priftit dhe të vrarit, i cili ishte në frymën e fundit: “Ndrekë, a do ta falësh vrasësin tënd?” dhe ky i përgjigjet: “Oh, me gjithë zemër”. Kjo është bota e pashprishur e maleve shqiptare, kodet e së cilës shpesh nuk njihen ose paragjykohen. Rubiku ishte qytet me fat që dy nga famullitarët e tij të një kohe, njëri austriak e tjetri shqiptar, mbanin ditar, Fabian Barkata për njerëzit e famullisë së Kryezezit, Bulgrit e Rubikut, kurse At Pal Dodaj për ngjarjet e Pavarësisë.

Në Rubik herët e vonë ke njohur njerëz të mbrujtur me dije e urtësi, burra dhe gra me virtyte malësore, minatorë, gjeologë, metalurgë, poetë, mësues, pedagogë, ekonomistë etj., që nuk ia kanë kthyer shpinën këtij vendi, që u bë aq i dashur dhe për shumë kuadro të ardhur nga rrethet e tjera. Rubiku nuk mbahet me historinë, por përpiqet të ndërtojë të sotmen, ashtu siç çdo gjeneratë ka bërë të veten.