Ndue Dedaj: Nga “Shpella e Ciklopit” në Himarë te “Shpella e Orëve” në Gojan

2h më parë

NGA “SHPELLA E CIKLOPIT” NË HIMARË TE  “SHPELLA E ORËVE” NË GOJAN

(Në vend të një reportazhi “speleologjik”)

NGA NDUE DEDAJ

Shqipëria ka një larmi dhe madhështi tipologjike objektesh dhe monumentesh mitologjike, arkeologjike e historike, por nuk mund të themi se e ka na lartësinë e tyre Ministrinë e Kulturës, që jep miliona euro për një koncert muzikor të një artisti amerikan në Tiranë, mundësisht duke i ngritur enkas një “stadium” njëzetekatërorësh në Kashar, ndërkohë që ia kanë mbuluar ferrat sitet arkeologjike, kështjellat skënderbegiane dhe monumentet e shumta në gur, përfshi dhe qyteza antike të rëndësishme si Zgërdheshi në Fushë-Krujë. Ka shpëtuar vetëm Porta e Luanit në Butrint, por jo dhe vetë ky tempull i lashtë nga betonizimi, siç thuhet, me “bekim” ministror.

Jemi me fat që ende ruhen shpellat e lashtësisë shqiptare, nga ajo e Ciklopit në Himarë te “Shpella e Orëve” në Gojan. E para në jug dhe e dyta në veri. Njëra buzë detit Jon, krejt në rrugën nacionale, e dyta në një kreshtë të lartë të Fandit të Madh, rrëzë bjeshkës, ku nuk është e lehtë të ngjitet as droni. Dhe këto janë vetëm dy nga shpellat mitologjike të vendit tonë, ndër dhjetëra e qindra shpella të ngjashme prehistorike në mbarë hapësirën shqiptare, ku mbase e vetmja e ndriçuar është ajo e Gadimës në Kosovë.

Kaluam të dielën pasdite nëpër Himarë, duke u kthyer nga Borshi dhe “Shpella e Ciklopit” ishte si zakonisht me dry “Tutius”, si një qeli burgu me kangjella hekuri në qiell të hapur. Kanë protestuar banorët, kanë bërë thirrje e argmentuar bindshëm historianë dhe ekspertë të njohur të monumenteve, mjedisit dhe turizmit bregdetar, kanë shkuar aty dhe emisionet investigative nga Tirana, ka shkruar dhe gazeta “Panorama”, por asnjë nga këto nuk ia ka mbushur mendjen Ministrisë së Kulturës të bëjë detyrën ndaj këtij aseti të rrallë të trashëgimisë kulturore. Ka mbetur tash të protestojnë vetëm turistët e huaj, se si është e mundur që vetë ne sillemi kështu me pasuritë tona, qoftë dhe ato me vlerë universale, si Shpella e Ciklopit, që lidhet me epokën homerike. Shpellën e Piratëve në Dhërmi e “shpëtoi” duke e përjetësuar në një roman shkrimtari i madh Petro Marko, por nuk kemi një tjetër patriark të Bregut si ai që të na e shpëtojë këtë simotrën e saj të Himarës. Me sa duket asgjë në këtë vend nuk mbrohet pa protestuar fort banorët, a thua se qeveria nuk është aty për të plotësuar vullnetin e tyre.

Edhe “Shpella e Orëve” në Gojan pret më e pakta një sinjalistikë të përshtatshme për t’u orientuar për atje vizitorët më fuoristrada, të cilët kanë një epje të paparë për shpellat, për t’i eksploruar ato dhe “lexuar” lashtësinë tonë në faqet e tyre shkëmbore mbushur me stalaktite dhe stalakmite. Por dhe për t’i përshkruar e jetëzuar në giuda, duke i ndërlidhur me atraksionet e tjera turistike të zonës, si mullinjtë e blojës, gatimet tipike mirditase etj. Orët dhe zanat kanë zbritur nga Alpet deri në këto vende, do të thoshim gjysmalpine, ku në anën tjetër të lumit Fan hasim “Orën e Mirditës” që veron e flladitet gurrave, krojeve dhe lendinave bjeshkëtare, duke pasë hyrë dhe në raposditë fishtiane. “Falmeshndet Ora e Mirditës / Falmeshndet un u kam çue / Qê npër gurra të Mundellës / Më shkon vera tue u freskue...” E mitologjia gërshetohet me traditën e moçme të punimit të qeramikës në këto anë, saktësisht enëve të dheut të Gojanit, vegshave (kuçave dhe vorbave) për zierjen e ushqimeve tradicionale, të cilat prodhohen vetëm nga një lloji dheu i veçantë që nxirret në një faqe mali në anën e tejme të lumit Fan. Është rikthyer kjo traditë në banorët e sotëm dhe ne kemi pasur kënaqësinë ta vizitojmë punishten e tyre artizanale, në mjediset e shtëpisë, sa dimë, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, prodhimet e të cilës janë mjaft të kërkuara brenda dhe jashtë vendit.

Nëse orët e zanat sot nuk “shihen” më askund, ndryshe ndodh me kafshët e egra si arusha me të vegjlit e saj, e kapur dhe nga kamerat që vëzhgojnë pandërpretë një banor tjetër special të Munellës, rrëqebullin e fundit të Ballkanit, që rron vetëm në këtë habitet, në fare pak krerë, sa numërohen me gishtat e dorës. Ka një shoqatë të posaçme që e mbron rrëqebullin si specie endemike, por nuk dimë të ketë ndonjë “inventar” të Ministrisë së Bujqësisë që administron dhe pyjet për kafshët e egra, lë pastaj ndonjë park zoologjik, rezervat (jo gjuetie) etj. Dikur ishte njeriu, tash janë kafshët dhe shpendët e egra banorë të shpellave, aq sa ndonjëherë kanë marrë dhe emrin e tyre, si “Shpella e Stërçokëve” në Orosh. Nuk është çështja për t’ia “plasur” të gjitha Ministrisë në derë, janë dhe organet vendore, me njerëz që paguhen edhe për shpezët e malit, paçka sa ata shpesh e ndiejnë këtë si barrë dhe jo si detyrë të veten. Kush është rritur me llastiqe në duar duke vrarë zogj në fëmijëri, e ka të vështirë të shndërrohet në mbrojtës të tyre dhe të natyrës!...

Në pamje të parë, neve që nuk kemi një traditë të jetëzimit estetik e funksional të shpellave, na duket se ato ashtu kanë qenë e ashtu do të jenë jetë e mot, të shkreta, jashtë vëmendjes dhe dorës së njeriut. Na kujtohet se gjysmë shekulli më parë, kur ishim gjimnazistë, patëm vizituar në Selitë “Shpellën e Doçit”, nga më të mëdhatë e më të njohurat e asaj zone, në fshatin Mërkuth, që ndanë me Krejë-Lurën. Asgjë nuk ka ndodhur prej atëherë e më sot me të, përpos njëherë, në kohën e Luftës së Ftohtë, kur ushtria deshi ta kthente në tunel për qëllime mbrojtjeje. Po kështu dhe disa shpella të tjera karstike të asaj ane, të ekspolurara nga studiues të huaj, sidomos pas 90-ës. Mirëpo me sa duket pajtorët e natyrës tonë nuk na lënë në harresë, kështu austriakja e shquar Marianne Graf, në bashkëveprim me “Infokullën” e Rubikut, para pak vitesh, zbuloi “Shpellën e Tokës” që njihet dhe si “Shpella e Lufajve”, në terrenin më të vështirë të zonës, në Trangë, në brigjet tejet të thyera shkëmbore të Kanionit të Urakës dhe iu vu punës për ta bërë të vizitueshme, me shtigje, shkallë, sinjalistikë, ndriçim etj., por dhe me shëmbëllesën në skulpturë të një dragoi, që thuhet se e ka pasur në “zotërim” këtë shpëllë në kohën e saj mitologjike. E kërkojmë Ministrinë tonë të Kulturës në terren dhe e “gjejmë” në personin e kësaj zonje të huaj, që ka tridhjetë e sa vite që ndërton në Mirditë, Shkodër, Pukë, Mat, Divjakë, Kosovë etj. të bukurën autentike shqiptare, me gjithnur projektesh rivitalizimi. Historia e saj qër t’iu rikthyer malësorëve identitetin që kishin është e pazakontë, me restaurimin e një vargu kullash nëpër katunde të largëta malesh, ndërtim bujtinash, pusesh uji, rrugësh, urash, kishëzash, vathnajësh për gjënë e gjallë, marketim shtigjesh për hiking, pa harruar dhe një “stacion të dashuruarish” në udhën e Velës, të gjitha këto pas një vargu shkollash, qendrash shëndetësore e kulturore. Ajo punon në “vetminë” e saj mes kreshtave të verilindjes, pa u vizituar nga askush prej qeveritarëve, por me mbështetjen e vazhdueshme të kryebashkiakëve të Mirditës.

Po a duhet të fillojmë t’i bëjmë gjerat vetë dhe në standarde? Integrimi në Bashkimin Europian këtë presupozon, përvojën e fituar nga Perëndimi në trajtimin e trashëgimisë kulturore ta vëmë në zbatim. Nuk na falet që për trashëgiminë tonë bëjnë më shumë të huajtë se vetë ne.

Ishte kënaqësi të shkoje këto ditë te kalaja e Sopotit në Borsh përmes një rruge të re të asfaltuar dhe të shihje se kalaja po restaurohej; po ashtu rruga e re kishte bërë që, nga vërshimi i turistëve të huaj, të mos gjeje vend ku të parkoje makinën në “Qeparo fshat”, ndonëse do të dëshiroje fort që një fshat i tillë njëmijëvjeçar, si një qytezë muzeale në kodrën kështjellore, të trajtohej i gjithi si monument kulture kompleks, duke iu nënshtruar një restaurimi të përgjithshëm të banesave, rrugicave me kalldrëm, kishave etj. Por, nëse kjo nuk është dhe aq e lehtë, për shkak të fondeve të nevojshme, “Shpella e Ciklopit” në Himarë nuk kërkon asgjë përveç vullnetit të mirë të Ministrisë së Kulturës dhe pushtetit vendor.

Shpellat janë shprehje e një qytetërimi të lashtë. Nga një shpellë monumentale, ajo e “Pëllumbasit”, përndryshe “Shpella e Zezë”, ka dalë vetë Tirana, kryeqyteti ynë, ndaj atje ka gjithnjë vizitorë...