Edison Ypi: Çemerrica mon amour
Çemerrica mon amour

Nuk
do lejoj të më ikë jeta me adhurues të flamingove që ushqehen me pisllëqe,
spiunë me mëditje të Iranit që duan ta ndajnë Shqipërinë nga Perëndimi, të
cilit i përket me gjithçka, dhe ta shtyjnë me zor në Lindje, ku s'ka asnjë
lidhje gjeografike, historike, kulturore; besimtarët e çartallosur të Islamit
të kurdisur nga Sali Kulla dhe dhëndërr loqa, me garuzhde në brez me shpresën e
kotë se do vazhdojnë të vjedhin.
Nuk
do iki në asnjë qytet, atraksion turistik, aq më pak resort apo restorant. Do
iki në një katund. Jo, nuk do iki te asnjë katund. Do iki tek emri tmerrësisht
i bukur i një katundi, në Çemerricë, që s'mund të jetë më pak e bukur se emri
që ka brenda të gjithë tingujt dhe nuancat, nga kënga e bilbilit te simfonitë e
Bethovenit, nga Big Bangu te kakarisja mëngjesore e gjelave.
Të
gjithë më thonë se në Çemerricë shkohet. Por se nga cila rrugë shkohet në
Çemerricë, nuk e di as Google, çka është garancia më e sigurt për të vuajtur
dhe humbur, jo si langaraq që qurravitet nëpër kafenera dhe restorante, por si
udhëtar i vërtetë nga një shenjtëri në tjetrën.
Me
gjasa, rruga për në Çemerricë nis pak kilometra në jug të Voskopojës në drejtim
të Vithkuqit. Ku një tabelë e madhe, e rëndë, e ngulur thellë në tokë, që nuk e
merr era e nuk ka ç'i bën shiu e bora, tregon:
Vithkuq
Gjergjevicë
Lekas
Gjonbabas
Mali
i Ostrovicës
Punë
me mend që kjo tabelë nuk e tregon Çemerricën. E fsheh si pjesë të bukurisë së
vuajtjes, lavdisë së humbjes.
S'e
mban tabela, nuk do të thotë se Çemerrica nuk ekziston. Ekziston, por rri paksa
mënjanë për t'u ruajtur nga ndotja e kallaballëkut që nuk kupton, nuk ndjen,
nuk meriton.
Nëpër
ato nahije të magjishme, pamjet, pyjet, dredhat e rrugës janë të tilla që nuk
habitesh aspak nëse rrugës ndesh dhe përshëndet Themistokli Gërmenjin me çetën
e tij, apo Mihal Gramenon që ka ndalur nën një hije për t'u çlodhur dhe seç po
lexon, apo një karvan me mushka ose kuaj që transportojnë mallra, bulmet,
drithë, ullinj, lëkurë, por edhe sende kulturore artizanale që u vlejnë
kryeqendrave me nam: Voskopojë, Vithkuq, Llëngë, Grabovë, etj.
Nga
tabela shpëtimtare, të hedhësh sytë në perëndim, male e male, e male prapë,
fushë kurrkund s'sheh syri, as fshat.
Sa
nisesh në perëndim, rruga ndjek një përrua aq të freskët e të bukur, e me një
fllad që të futet në mish, sa s'do që përroi të mbarojë kurrë.
Megjithatë,
përroi, pylli dhe flladi mbarojnë në Gjergjevicë.
Gjergjevica,
e strukur në një zgëq gjigant me pamje nga veriu, është një "Dardhë"
e vogël. Pa dënglat e Dardhës (sikur qysh në vitet '20 ka pasur linjë të
rregullt me taksi që lidheshin me aeroportin e Korçës etj., etj.), por plot
energji. Pasi gjatë viteve '90 e braktisën këtë vend klimatik, të lemeritur nga
fukarallëku, vetmia dhe mungesa e perspektivës, tani u janë kthyer shtëpive të
vjetra e po i bëjnë shtëpi verimi të reja. Të hedhësh sytë rrotull brenda
Gjergjevicës së zhytur në jeshilllëk, sheh nja tridhjetë a dyzet shtëpi të
rindërtuara, me mure guri, çati metalike të mbërthyera fort që mos t'i rrëzojë
dëbora e mos t'i ngrejë era e tërbuar e dimrit.
Nga
guva e stërmadhe ku prej shekujsh prehet e strukur Gjergjevica, nis një luginë
malore drejt veriut. Kur e pyeta një gjergjevicar dymetrosh se ku mbaron kjo
luginë, tha: "Në Moglicë". Nuk e besova. Ishte aq mahnitëse ajo
luginë, sa fundi i saj nuk mund të qe tjetërkund veçse në infinit.
Shtëpitë
e Gjergjevicës e kanë shpinën nga veriu. Dyert, dritaret, oborret shohin nga
jugu. Por diellin e pengon mali. Që ta ngrohë Gjergjevicën, diellit i duhet të
jetë në zenit. Aq e ftohtë është Gjergjevica.
Një
tjetër banor i Gjergjevicës, që shtëpinë e vjetër po e bën të re, nga oborri
plot llaç e tulla, paralajmëron:
-
Te qafa e malit dy kilometra më lart, ruaju mos luash mendsh!
I
them:
-
Pa merak. I lojtur jam.
Tek
qafa e luajtjes mendsh ka një tabelë me shigjetë djathtas: Lekas.
Tabelë
që të tregojë ku të çon rruga majtas, nuk ka.
Thuaj
shyqyr që nuk ka tabelë për Çemerricë. Je nisur për të humbur. Me tabela dhe
rrugë nuk mund të humbësh. Vazhdo pa tabela dhe pa rrugë... të humbësh?
Gjergjevicari
kishte pasur të drejtë.
Para
syve, Opari si nuk e kishe përfytyruar.
Male
dhe male dhe male prapë... nuk del e vërtetë.
Ostrovica
me borë në majë, shpatet shkëmbore sikur i ka shkallmuar Zoti me tritol,
përrenj me shkumë që rrjedhin tatëpjetë luginëzave, rrugë ose shtigje të
ngushta që gjarpërojnë mbi kurrizin e Ostrovicës, rrugë e përrua rrëzë
Ostrovicës që ndjekin njëri-tjetrin nëpër kthesa, malësia plot pyje e Oparit
përballë.
Mund
të bërtasësh, të ulurasësh, të qash, të lotosh, të çirresh me thonj, të
zhgërryhesh në tokë, të recitosh vargje si i lojtur, mund të pëshpërisësh lutje
për shpëtimin e shpirtit, faljen e mëkateve - asgjë nuk mjafton për të shprehur
me çfarë Opari shpirtin e udhëtarit e befason.
Drejt
Çemerricës, çfarë të shohin sytë, dëgjoinë veshët e nuhasin hundët, është përtej
çdo aftësi deskriptive.
Shqipëria
është plot me perla të vogla të fshehura nëpër guacka.
Opari,
nga Çemerrica në Moglicë, është e tëra një perlë kilometrike e fshehur mes
maleve, që e ka gdhendur Zoti me daltën e vet.
Në
Gjonbabas, dy vëllezër oparakë, gurëgdhendës me nam, që po skalitin me shumë
kujdes dy gurë varri, më thonë:
-
Pak më tutje ke një hidrocentral, kujdes mos kalo urën se përfundon në Marjan.
Për Çemerricë, therja përpjetë!
Bëj
si më thonë gjonbabasit.
Deri
në Çemerricë, dushknajë e pafundme me kthesa të panumërta.
Sa
më lart, shtohen ujërat, pellgjet, baltrat, përrockat. Duket sikur Çemerrica ka
nën vete Oqeanin Paqësor.
Çemerrica
në të djathtë.
Halli
është se për të vajtur te një grusht shtëpish me emrin Çemerricë, duhet kaluar
mbi digën e një rezervuari të madh.
Nuk
guxoj të kaloj me Jeep mbi një digë dheu plot baltë. Edhe ajo më duhet: të
vijnë të më nxjerrin nga baltrat e Çemerricës dronët e Erdoganit.
Bëj
tutje, përpjetë, ku i vetmi ngushëllim se s'ke humbur përgjithmonë janë gjurmët
e gomave që kanë kaluar përmes baltovinës së dushknajës.
E
vetmja shenjë se nuk je në Tibet, por në Çemerricë, janë majat shkëmbore të
Ostrovicës që vegojnë mbi degët e dushqeve herë pas herë në të djathtë.
Diku
në anë të shtegut të baltës mes dushknajës, si te filmi "Pagesa e
Frikës", Memoriali i Xhelal Bej Koprënckës. Bukur. Aty e gjetën, aty e
vranë. Jo si në vende të tjera ku luftërat janë bërë, diversantët janë kapur,
dëshmorët kanë rënë, në vende të dukshme, majë shkëmbinjve, nëpër kryqëzime të
rëndësishme.
Pas
pothuajse dy orësh nga "Tibeti", pra nga Çemerrica, bie në rrugën e
asfaltuar mes Vithkuqit dhe të madhërishmes Qafa e Martës.
Çemerricën
ndoshta e dinë që ekziston, por pak e kanë parë, prekur, ledhatuar, dashuruar.
Opari
është një univers i vetëmjaftueshëm me dritën, qiejt, diejt, mistikën,
sofistikimin e vet.
Opari
është një Tibet i vogël.
Tibeti
është një Opar i madh.
Kot
shkojnë në Himalajë, në Tibet.
Ja
ku është Ostrovica, Opari.
Të
vish nga Opari e Çemerrica, e të mos hidhesh deri te Qafa e Martës, të vret
Zoti.
Duke
u kthyer nga Qafa e Martës, te një kthesë, marr një autostopist. Goxha burrë
tek të 60-at. Thotë se është pronar tokash, latifondist. Bën be për Edi Ramën.
Mallkon me rrënjë e degë Sali Hajdutin me gjithë sorollop.
Në
Shtyllë mora djathë te një baxho që ma tregoi autostopisti.
Ishullin
më të vogël në botë, atë në mes të Liqenit të Gjançit me vetëm një shelg në
mes, e gjeta ku e pata lënë herën e kaluar.
Kthesa
për Lubonjë më kujtoi një nga njohjet më fatkeqe të jetës, Fatos Këllirën.
Pak
përtej Sovjanit, ndala te një lavazh.
Pronari,
dhe njëkohësisht punëtori i këtij "One Man Car Wash"-i, kishte qenë
13 vjet kamionist në Europë. Ishte kthyer për shkak të një problemi me shtyllën
kurrizore nga orët e pafundme mbi timon. Pasi kishte çuar Sovjanin në Itali, në
kthim kishte sjellë Italinë në Sovjan. Vilë madhështore me tre kate, me basen
të kaltër, me kangjella, me të tëra. Dhe lavazh ultra-modern. Teknikat më të
fundit të larjes. Deri edhe larje automatike nga poshtë me grilë me presion.
Disa vendlarje, me dhe pa mbulesë. Vajra lubrifikantë. Lëngje të ndryshme.
Solucione për larje. Kafene. Disa frigoriferë me pije dhe birra. Tavolinë për
udhëtarin e lodhur. Ndërkohë që u la makina nga baltrat e shenjta të Çemerricës
oparake, u ula dhe mbusha barkun me tavë, djathë, ujë e bukë nga shtëpia.
Drejt
Tiranës: Qeshu rini, qeshu, Opari është i yti.
Plot
12 orë mbi timon. Unë që dukem ngordhalaq.






