Albert Habazaj: Një ditë në Njësinë Administrative Horë

22m më parë

NJË DITË NË NJËSINË ADMINISTRATIVE HORË

Buzë Lumit në Horë, nën malet me borë dhe në verë…

Nga Albert HABAZAJ

Në çdo kohë, sidomos sot, njerëzit kanë halle, shqetësime, përplasje, probleme e çështje që të çojnë në zyrat e shtetit, sepse kërkohet zgjidhje administrative, ligjore.

Duke qenë se kemi në Tërbaç shtëpinë, trojet dhe tokat e prindërve, largimi i tyre nga jeta, më ka detyruar që tok me vëllezërit, të merremi me pronat që na lanë prindërit, por që sorollatemi kaq kohë nëpër zyrat e administratës, nëpër noterë, avokatë e sekserë të tyre, që janë mjeshtra të mëdhenj të rraskapitjes së ngadaltë të njeriut që kërkon atë që i takon nëpër ato dyer të errëta, që të shfaqen me një heshtje të trembshme.

Jo kudo është kështu. Sikurse ka zyrtarë liliputë, që karrigen e postit funksional ku ulen e quajnë të gjithmonshme dhe zyrën e shtetit pronë private, patjetër që ka mjaft zyrtarë e sidomos specialistë shumë të mirë, të aftë dhe të gatshëm për të të shërbyer qytetarisht, që e meritojnë mirënjohjen tonë.

Rikthehemi tek objekti i këtij shkrimi:

Tërbaçi, sikurse fshatrat Vranisht, Bolenë, Kallarat, Kuç e Kuç Buronja janë në përbërje të Njësisë Administrative Horë - Vranisht, bashkia Himarë. Historikisht këto treva të Labërisë së Brendshme, Himarë kanë qenë dhe ashtu janë quajtur përgjatë rrjedhave të kohës. Dhe jo vetëm këto, por kënga e vjetër thotë: “Që në Gumenicë e lart/ Himarë i thonë çdo fshat…”. Himara dhe Labëria kanë qenë sinonime të njëra-tjetrës. Sot ne ndihemi mirë që na thonë himariotë, se jemi.

Në këto ditë të nxehta vere, më çoi nevoja në Horë, tek Komuna, i themi ne. Nuk më kishte çuar asnjë problem për të shkuar më parë në ato zyra. Katër qenë dokumentet/ vërtetimet që m’u deshën e s’është nevoja të citoj lëndën përkatëse të tyre, por atë ndjesi të fuqishme vlerësimi nga shërbimi i kulturuar qytetar i atij personeli teknik në zyrat e asaj njësie administrative sipër, në malësi të Labërisë, dua ta ndaj me lexuesin tonë, sepse më la përshtypje shumë të mira.  Kur shkova, e them me pastërti, që u ndjeva shumë mirë dhe mendova me kënaqësi që ka zyrtarë të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të devotshëm, të zotë e idealistë, mendjehapur dhe guximtare si Elena Memushaj (Administratore e Njësisë Horë - Vranisht, Bashkia Himarë, e cila di ta bëjë organizmin e vogël të punës në mënyrën më të mirë të mundshme) apo specialistët aq të mirësjellshëm, të thjeshtë dhe punëmbaruar, si Eliona Cacaj, Bjonkina Metaj, Emanuela Shirokaj, Santel Kapaj, Dionis Kapaj etj.

Atje pashë një shërbim korrekt të standardeve, që kërkon detyra, koha dhe integrimi në Bashkimin Europian.

Atje pashë një disiplinë të rreptë, si të ishe në mjediset e një reparti ushtarak të dalluar.

Atje pashë një komunikim të ngrohtë, sikur kishe të bëje vërtet me motra e vëllëzër.

Atje pashë një edukatë të njerëzishme, një edukatë pune, një edukatë estetike të shëndoshë, që të bën të ndihesh i vlerësuar si njeri.

Atje e pashë me sy humanizmin, si një ndjenjë e lartë dhe fisnike dhe dashuri të thellë ndaj njerëzve, kujdes e vëmendje për banorët, që mbulon kjo njësi administrative.

Dyert e Njësisë Administrative Horë - Vranisht, janë të hapura çdo ditë për çdo banor. Me përkushtim dhe përgjegjësi, punonjësit e saj janë pranë komunitetit për të dëgjuar, orientuar dhe gjetur zgjidhje për çdo shqetësim.

Njësia Administrative Horë ka një staf shembullor, që punën e shtetit e bëjnë me profesinalizëm dhe dashuri, jo rrallë herë edhe jashtë orarit të punës, jo thjesht për shkak të shtrirjes gjeografike dhe terrenit malor, por sepse e ndjejnë së brendshmi kryerjen e detyrës si shërbestarë të atij komuniteti.

Padiskutim, që mjeshtëria në drejtim dhe organizimi i punës në grup, aftësia, vizioni, dija, përvoja, marrëdhëniet e shëndosha me vartësit, virtytet dhe vlerat morale dhe qytetare të dr. Vangjel Tavo si kryetar i Bashkisë Himarë kanë efekt të fuqishëm dhe lënë gjurmë jo vetëm tek drejtuesit e njësive administrative të bashkisë që ai drejton, sikurse është dhe Hora jonë, por tek mbarë populli i kësaj zone, buzë Detit a buzë Lumit qofshin. Doktor Tavo nuk punon për efekte politike, por profesionale, se ndjen dhe ka mundësi të bëjë punë të mira, siç ka bërë e po bën e gëzon respekt jo vetëm në Tërbaçin tim, por nga mbarë himariotët e Detit dhe të Lumit.

Ndërkohë, Elena Memushaj, Administratorja e Nj.A. Horë, kjo vajzë labe e mancipuar, e  qetë, e matur, e urtë në gjykim e vendimarrje, e dëlirë si ujët e gurrës mbi krye, është edhe një artiste popullore, dashamirëse dhe përkrahëse e folklorit të zonës. Ajo di t’ia marrë bukur, pastër e ëmbël këngës labe; di të heqë vallen e kënduar labërisht, sipas stilit muzikor të Vranishtit, Kallaratit etj., në variantin grarisht; ajo di ta mbushë këngën labe me eee - në magjike.

Elena është edhe poete, shkruan vjersha lirike për kënaqësi të saj së pari e jo për t’u dukur. Ka një familje të mrekullueshme që e çmon të shenjtë. Lena ka ngritur edhe një kënd libri, një mikrobilibiotëk tek zyra e saj, me besim e shpresë që, edhe atje në mes të maleve të Çikës, Bogonicës dhe Çipinit të jetë një bibliotekë e merituar për ata banorë të mirë, bujarë, punëtorë e të etur për dije dhe kulturë. Pashë që në raftet e saj, ajo bibliotekë e vogël, porsi kukull drite, kishte libra tekniko-profesionalë dhe ligjorë, literaturë të huaj, sikurse m’u bë zemra mal, kur pashë libra të prof. dr. Bardhosh Gaçes, të prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, të prof. dr. Rami Memushaj (Lena, kjo bijë Vranishti është nuse në Kallarat, tek nipi i profesor Ramiut); pashë libra të shkrimtarit vlonjat Çlirim Hoxha etj. Edhe unë i dhurova librin “Buçet kënga labe: Festivali Folklorik, Drashovicë, 2018”, botuar para një muaj, në qershor 2026. Shkrimtarët e qytetit, veçanërisht poetët dhe shkrimtarët e Lumit të Bardhë (Lumit të Vlorës) është mirë të kenë libra të tyre edhe në Njësinë Administarive Horë.

Kemi nevojë të ndihemi njerëz dhe për këtë vlerë identitare ndikojnë për mirë apo shqetësim edhe drejtuesit, që nga qeliza zyrtare deri në kupolë. Elena Alikaj Memushaj është një nga ata drejtuese lokale, që e vë pikën mbi ì dhe na bën të ndihemi njerëz.


Elena Alikaj Memushaj, Albert Habazaj para Njësisë Administartive Horë, 20.07.2026



Elena Memushaj, Administratorja e Nj.A. Horë është dhe një artiste popullore, dashamirëse dhe përkrahëse e folklorit të zones


Elena Memushaj, Administratorja e Nj.A. Horë me Ansamblin Folklorik 10 Shqiponjat e Tërba-it, 20.01.2026


Njësia Administrative Horë - Vranisht


Stafi i Njësisë Administrative Horë - Vranisht