Edison Ypi: Prishta me Halle

Prishta me Halle

Pak
minuta me makinë nga Çorovoda, me të kaluar mbi urën metalike mbi Osum, një
dorë e padukshme më tërhoqi në një rrugë të ngushtë të asfaltuar që shkonte
përpjetë plot me kthesa.
Dredhat
e asfaltit kallauz rrenacak, më rrotulluan nja gjysmë ore si kali në lëmë dhe
s'më çuan asgjëkundi.
Kisha
lajthitur rrugën. Duhej të isha kthyer te një kalldrëm më të djathtë sapo hodha
urën.
Kalldrëmi
më shpuri te një urë e sajuar mbi një përrua, por e fortë, me këmbë dhe trarë
betoni.
Mbi
atë urë desh rash dëshmor.
Kthesa,
ura e ngushtë, mungesa e parmakëve, dielli që më ra në sy si te "I
Huaji" i Albert Kamysë, u bënë shkak që diferenciali i përparëm i Jeep-it
të përplasej me zhurmë mbi betonin e urës. Rrota e përparme nga ana e
pasagjerit u var në erë mbi përroin shkëmbor. Rrota diagonale u ngrit përpjetë.
Lëkundje tmerruese si te filmat e horrorit. Kërcitje të frikshme të varjes në
humnerë.
Tërhoqa
menjëherë frenin e dorës, fika motorin, dola.
Vinçi
që erdhi nga Çorovoda sa hap e mbyll sytë, ndreqi gjithçka në pak minuta.
Asnjë
cen, asnjë lëndim, as unë, as makina.
Po
të ishte një dënim hyjnor, do kisha vajtur te të shumtët.
Ishte
një paralajmërim hyjnor nga shpirti i Abaz Aliut mbi qiellin e Skraparit, që më
pa dhe më bëri të ditur se në Prishtën me halle nuk shkohet si ai në dasmë, por
seriozisht dhe solemnisht për të kryer një Rit të moçëm. Si në çdo vend të
shenjtë — kishë, manastir, tempull — që ndodhen majë shkëmbinjve ose nëpër hone
e humnera, ku për t'i arritur duhet të udhëtosh një copë herë me këmbë, po
ashtu edhe vajtja në vendin e shenjtë, Prishta me halle, ka një çmim, ka një
haraç. Nuk shkohet te Prishta me halle me muzika dhe fantazira. Te Prishta me
halle shkohet duke kaluar nëpër ca vuajtje, nëpër një Purgator.
Freskova
surratin dhe gjymtyrët me ujin që e mora me vete për ta pirë, se përroi ishte i
thatë.
Ndala
muzikën. Hoqa nga puna navigatorin. Dhe u nisa.
Këtë
herë, sipas paralajmërimit hyjnor, i bindur për të vajtur te Prishta me halle
jo duke ëndërruar gjëra idilike si iso, polifoni etj. por duke vuajtur.
Rruga
për te Prishta me halle shkon përgjatë luginës së përroit të thatë të urës së
psherëtimave paralajmëruese hyjnore.
Pas
pak minutash ndalet e fundit lidhje me qytetërimin: valët e celularit.
Faleminderit,
Abaz Ali, që në vendin e shenjtë Prishta me halle nuk më lejon të vete me
djallëzira teknologjike.
Në
të dy anët e luginës, gjelbërim i dendur, i lartë. Aty-këtu drurë frutorë,
kryesisht rrush dhe mollë.
Tabelë
që të drejton te një rrugë e frikshme nga e djathta për në Dorës. Mes drurëve
dhe shkurreve, vështirë ta marrësh me mend ku struket Dorësi.
Në
përrua rrjedh një curril uji në proporcion të zhdrejtë me lartësinë. Sa më
përpjetë, aq më i trashë currili. Sa më tatëpjetë, aq më i hollë. Derisa te ura
ku desh rashë dëshmor i Atdhjeut me lapidar, pllakë përkujtimore, fjalime,
superlativa e të tjera e të tjera, currili thahet krejt.
E
dyta dhe e fundit tabelë deri te Prishta me halle, me shigjetë drejt mesit të
kurrkundit, për tek Kalaja e Orgesës dhe fshati Rehovicë, që veç Zoti e di ku
mund të ndodhen.
Më
tutje, rruga më së fundi e lë përroin nga e majta, hidhet në anën tjetër, dhe
ia ther përpjetë.
Ura
e ngushtë s'kishte qënë kushedi se çë. Aty nis e merr kuptim të plotë
paralajmërimi hyjnor për haraçin që duhet paguar drejt Prishtës me halle, vend
i shenjtë.
Përpara
del një hukubet me kthesa, gropa të pafundme, gunga, gurë, shkëmbinj, që e
bëjnë makinën të ecë më ngadalë se këmbësori, dhe s'do të ndahen edhe nja dy a
tri orë të tjera derisa me shenjtërinë ta kesh kryer Ritin, pavarësisht në je
qejfli udhëtimesh, çoban, baxhoxhi, aventurier, çek, polak, gjerman, austriak
apo gjithkush tjetër i magjepsur nga natyra shqiptare.
Prishta
me halle është si Londra: nuk merret vesh ku fillon e ku mbaron. Por ndërsa
Londra është "non-stop" e zhurmshme, Prishta me halle po fle, e ka
zënë një gjumë i thellë nën një jorgan të blertë rrethuar nga aromat dehëse dhe
cicërrimat e pyllit.
Dy
a tre prishtanakë të Prishtës me halle që takova, flasin me zë të ulët, si të
përkujdesur mos i dalë gjumi shenjtores Prishta me halle.
Pyeta
për rrugën heshtanakët prishtallinj. Atë që më tha i pari, e asgjësoi i treti.
Atë që më tha i dyti, e anuloi i pari. Atë që s'e tha asnjëri, e mora me mënt
vetë.
Një
tip pionieri me bluzë të kuqe, nja 12 vjeç, tha se e njihte mirë rrugën. Çekët,
polakët, gjermanët dhe të tjerët që kalonin andejpari (prej të cilëve unë nuk
pashë asnjë), i jepnin pionierit 100 euro për t'u treguar rrugën e vetme për
Zhepovë, Kajcë, Ballaban, Sukë.
Prishta
me halle është e zhytur në një javashllëk brenda të cilit s'ka asnjë rëndësi sa
është ora, sa është data, cila është java, muaji, viti, shekulli, nëse është
diktaturë, demokraci, sulltanat, republikë, mbretëri.
Në
Prishtën me halle horizonti është pothuaj krejt i mbyllur. Prishtës me halle
Zoti i ka lënë vetëm një dritare në lindje, nga ku duken madhështorët Tomorri
dhe Ostrovica pranë e pranë, si nuse e dhëndërr që zbritën e bënë foto te një
fotograf në Çorovodë.
Te
Prishta me halle mund të vish të falesh te Teqeja e famshme. Të kënaqesh me
ajrin dhe aromat e pyllit. Të kalosh për qef si unë dhe çekët e polakët e
padukshëm me motorë e fuoristrada.
Për
të jetuar në Prishtën me halle s'bëhet fjalë. Prishta me halle është tepër
larg. Tepër e vetmuar. Repër e harruar. Ca stane, ca baxho, ca bletarë, ca
blegtorë nuk premtojnë perspektivë.
Kur
një ditë rruga të ndreqet e të asfaltohet, Prishta me halle do të bëhet Prishta
pa halle — vend përrallë, vend fantastik klimatik e turistik me hotele e
restorante, ku do të hahet mish bio e do të gjerbet raki Skrapari — por fshat
në kuptimin klasik Prishta me halle nuk do të jetë më kurrë.
I
zhytur në aromat dehëse të pyllit dhe freskun e luginës, nuk i dhashë asnjë
prishtanaku kënaqësinë të mburrej: Këtu ishte shkolla, këtu zyrat e
kooperativës, ambulanca, mensa... e me radhë infrastruktura vajtimtare
diktatoriale komuniste.
Megjithatë,
Prishta me halle, Teqeja, Babai i Teqesë së Prishtës me halle — subjekte të
shpeshta të rrëfimeve të nënës sime, Hasijes — janë ende gjallë.
Sa
kohë ruan besimin, Bektashizmin, le të mbetet gërmadhë Prishta me halle. Edhe
Koloseu, lavdia e një perandorie të rrënuar, gërmadhë është.
Në
të dalë të Prishtës me halle rruga duket si e bombarduar dje.
Rruga
te Qafa e Muhrrit, rruga Kukur-Bishnicë, rruga Bizë-Fush Studë, nuk janë aq
tmerr sa rruga për te Prishta me halle.
Aty-këtu
ndonjë stan ose baxho e braktisur.
Shtëpi
pa njerëz. Bagëti pa çoban. Fshat pa tym oxhakësh dhe pa të lehura qensh.
Në
rrugë dhe anës rrugës ka parafango të shqyera dhe pjesë plastike nga makina që
guxuan të kalojnë këtejoari.
Rruga
ndjek përpikërisht rrudhat e pafundme të malit.
S'kam
asnjë ide sa mund të vazhdojë ferri i gropave dhe gungave që janë aq identike,
sa më duket se po vërtitem pafund brenda të njëjtës kthesë.
Por,
ashtu si nata shekspiriane që gjithmonë gdhin, edhe kjo rrugë diku mbaron.
Te
një qafë fërkoj sytë: jam zgjuar apo në ëndërr?
Përpara
më del një lumturim i rrallë i syrit dhe mendjes. Pamja më madhështore në botë.
Nga Qafa e Kiçokut, Trebeshina me rrudha e katunde te këmbët, deri në Këlcyrë.
Mirëpo,
në atë qafë s'di nga t'ia mbash:
Djathtas,
ku duken gjurmë gomash dhe me gjasa ndodhet Kajca?
Apo
majtas, nga ku nuk duket si rrugë, ka gjurmë rrotash, dhe terreni me kodra të
buta duket disi më i ëmbël?
Meqënse
aq ment kam, më rrëmbeu ëmbëlsia e kodrave si gjinj femrash.
Vazhdova
kodër më kodër në gjurmët mbi gjinj të udhëtarëve të tjerë, çekë, polakë,
gjermanë, turq, arabë, të verdhë, të kuq, të zinj, e të tjerë.
Tatëpjetë
mbi butësinë e gjinjve dhe mahnitjen e thithkave vullkanike, arrita te një
Tyrbe e shkretë.
As
Baba, as Dervish, as besimtarë, asgjë; edhe çesma e thatë. Vetëm një tabelë e
zezë nën një flamur që i është këputur shtiza e ka rënë, ku është shkruar:
"Këtu
do të ndërtohet tyrbja e Dervish Islam Bregut".
Tyrbja
është e ndërtuar. Duket si paradoks. Sikur në Përmet tabelat që paralajmërojnë
ndërtimin e tyrbeve vendosen pasi tyrbet ndërtohen.
Te
Tyrbja që pritet të ndërtohet edhe pse është ndërtuar, ky udhëtim mbaron.
Asnjë
makinë, asnjë motor, asnjë këmbësor, as tutje as tëhu nuk pashë.
Duke
zbritur tatëpjetë, u ktheva te një fshat ku bëra një rrugaçëri që s'e bëj
kurrë.
Një
mëhallë e vogël me pesë a gjashtë shtëpi ku më solli rruga, ishte aq e shkretë
dhe e pashpresë për të folur me dikë, sa, desha-s'desha, i rashë borisë.
Doli
menjëherë te porta një mesoburrë me gruan. Të dy buzagaz. Kur në fund të
bisedës për fshatin, ekonominë, emigracionin etj., i falënderova për
mirësjelljen dhe mikpritjen, më thanë me një gojë:
-
U, ç'është ay llaf, jemi përmetarë!
Kisha
lënë Prishtën me halle dhe Skraparin, kisha dalë në Përmet, në Zhepovë.
I
komplimentova burrë e grua që nuk kontribuojnë në shkretimin e Shqipërisë.
Që
aty e tatëpjetë deri në Sukë, nja njëzet minuta nëpër një rrugë të pa asfaltuar
me taban të fortë.
Në
Sukë, te një lokal ku piva ujë, kot për qejf, e vura banakierin të më thoshte
një për një emrat e katundeve të magjishme nën këmbët e Trebeshinës.
Në
Këlcyrë, te Tyrbja e Hasan Dedesë, jo se jam mëkatar, por për të kryer Ritin,
ndeza një qiri.
Skrapari,
Prishta me halle, rruga e skëterrshme, Përmeti, Këlcyra m'u bënë aq lëmsh, sa
më doli nga mendja të veja pak më tutje te një Baxho anës udhës të merrja pak
djathë bio a ndonjë gjizë të fundbotshme.
Nën
një hije përgjatë Grykës së magjishme të Këlcyrës hëngra ç'kisha marrë nga
shtëpia.
Pak
para kthesës së Frakullës, desh çova në Parajsë një tip me biçikletë që mbante
mbi shpinë pompën e spërkatjes dhe në zgarrë një bidon të madh.
Ku
kthen rruga për Bubullimë, thashë se bëra hatanë. Një i shkalluar me një Opel
të vogël frenoi befas para meje. Mezi shpëtova nga përplasja veten dhe të
shkalluarin, që kur e parakalova vura re se po vazhdonte të shkruante mesazhe
në celular.
Kështu
ndodhi që nga ëndrra për të dëgjuar iso përmetare dhe botërore në Prishtën me
halle, përfundova në një Rock and Roll me gropa dhe gurë.
Asgjë
më e rëndësishme asaj dite korriku në krejt hapësirën dardane nga Danubi në
Peloponez.



