Edison Ypi: Ku Kaçaku vrau Policin

Ku Kaçaku vrau Policin

Po
iki në Lozhan. Ku Kaçaku vrau policin.
Rruga
Qukës–Plloçë, si rrugë virtuale, propagandistike, televizive, është tmerr,
është për ibret, është plot me rreziqe.
Por
shyqyr, thuaj, që rruga Qukës–Plloçë, si rrugë reale, ekzistuese, e prekshme,
është aq fantastike, sa të deh, të mrekullon, të rrëmben në një vorbull
kënaqësie.
Mokra,
plot njerëz të urtë, me ujërat e burimeve të ndryshme nga njëri-tjetri po aq sa
edhe verërat, dhe plot histori frymëndalëse që nga lashtësia në ditët tona,
është vendi ku, siç thonë italianët për Romën dhe Firencen, "la storia è
quasi tangibile". Por që ta ndjesh të tillë këtë rrugë nuk mjafton të dish
alfabetin dhe të bësh postime me 5 fjalë në Fejsbuk. Duhet të kesh lexuar edhe
ndonjë libër. Përndryshe, në Mokër futesh si hu gardhi e del si zall lumi.
U
ndala në Sovjan te një karburant i braktisur ku rakipllarët luajnë domino, pinë
ndonjë kafe, gjerbin ndonjë gastare. Aty pyeta një Rakipllar të moshuar për
Kaçakun e Lozhanit që vrau policin, ku fshihej trimi, si shkohet te baxhua mes
pyllit ku Robin Hudi i Lozhanit gdhihej e ngrysej, pse Kaçaku kryelartë e vrau
policin e gjorë. "Këto i di mirë unë", tha Rakipllari i moshuar,
"se në kohën e Xhaxhit kam punuar me ndjekjen e diversantëve, kam qenë në
Sigurim".
Duke
iu afruar Lozhanit, nuk gjen dot kallauz të tregojë ku u gdhi e u ngrys vite të
tëra Kaçaku. Të gjithë bëjnë "mëc-mëc" duke kruar kokën.
Desha
s'desha, iu drejtova për ndihmë kallauzit më të pabesë në botë. Kallauzit
virtual, navigatorit, që e tregon ku ndodhen Kasollet e Bodesë, dhe me gjasa
është vendi ku rrinte i fshehur, dhe njëkohësisht i kapardisur, Kaçaku. Por për
të mësuar nga hyhet e dilet për te Kasollet e Bodesë, ku Pylli i Bodesë është
një pyll i pafund si pyjet e Bolivisë te filmi "Sorcerer" (Pagesa e
Frikës), edhe navigatori dorëzohet, hesht si peshk.
Të
gjesh se ku tamam, ku realisht, ku faktikisht ndodhen Kasollet e Bodesë, është
një mision i pamundur. Më kollaj gjen gjilpërën në Kashtën e Kumtrit, sesa
vendin ku gdhihej e ngrysej Kaçaku.
Në
Lozhan të thonë se Kaçakun e pyllit të Bodesë e njohin me dhëmbë e dhëmballë.
Por të habisin pak kur nguten të shtojnë se Kaçaku nuk ka pirë kurrë kafe në
Lozhan. Edhe e njohin me dhëmbë e dhëmballë, edhe s'pinte kafe në Lozhan –
sikur s'shkon. Është e qartë që, më tepër sesa si njeri, e njohin si mit, si
legjendë. Prite kur ndonjë ditë t'i ngrenë këngë.
Gjindja
e kafeneve në Lozhan të tregon secili variantin e vet se si shkohet te Kasollet
e famshme. Megjithatë, nëse variantet e ndryshme i filtron, rrugët janë tri:
Nga
Tresova. Por ka mbi dhjetë vjet që nuk përdoret. Harroje.
Nga
Lozhani, që aty ku je, te kthesa, te çesma. Por ka nja 15 vjet që s'është parë
asnjë makinë të futet.
E
treta, vazhdo drejt Gramshit. Te kthesa e Strelcës, mos u ngjit lart se
përfundon në Strelcë, te Çartallozi, te Reis Petriti. Hyr në rrugën e vjetër
anës Devollit. Q'aty orientohu me yjet në qiell, nxirr busullën, nxirr
Sekstantin, dhe vazhdo për te Kaçaku i Ferrës mes pyllit oqeanik të Bodesë.
Atë
bëra. Vazhdova deri te kthesa e Strelcës. U ktheva majtas te rruga e vjetër
anës lumit. Kur, as 500 metra, rruga është vidhisur. E ka marrë Devolli të
tërën. Ka mbetur vetëm nja 2 metra gjerësi. Ku po u fute, ike në lumë, nga lumi
në det, nga deti te flamingot në Zvërnec.
Në
këto kushte, për të vajtur te Kasollet e Bodesë, ku policia vajti për të kapur
Kaçakun e Lozhanit që vrau policin, duhet helikopteri i NATO-s, dronët e
Erdoganit, ose të paktën tanket e Putinit.
Kthehem.
Në Lozhan po ato muhabete... ka qenë marins, ruhej me qen... dënim tepër i madh
për 2 gramë hashash në shtëpi dhe 6 gramë në baxho në pyll, në mal... ishte një
Robin Hud, një çun i mirë, që e donte dhe e do me shpirt vendin e vet, u
ngatërrua pa shkak madhor me policinë, për aq pak hashash e dënuan aq
rëndë...duket e çuditshme, dhe pak e dyshimtë, gjithë ajo qeveri, gjithë ky
shtet, nuk kapin dot 1 çoban vetmitar, sado kaçak, sado komit, sado Robin
Hud... Gora ka pyje, por Gora dhe Bodea nuk janë Bolivia dhe Argjentina ku
fshiheshin nazistët... e bënë Kaçakun fshehur në Lozhan si Hitleri fshehur në
Paraguaj. Si nuk u vidhis ca ditë përpara ajo dreq rruge anës lumit, të kishte
shpëtuar polici.
Në
kthim, nga Lozhani drejt Maliqit, harrova që këtu s'erdha për të humbur. U
ngatërrova me tabelat për të vajtur në një katund me emër fantastik: Qënckë.
Zonja me Kone. Zonja me Qen. Zonja me Qënckë.

Në
Maliq, pasi u medova pak nga t'ia mbaj, ia thera drejt në thellësi të fushës
për në Pyllin e Fazanëve.
E
para me të cilën fola dhe u mirëkuptova qe një sorkadhe e shtrirë brenda në
kafaz.
Sorkadhja
tha: "Ik se s'ta kam ngenë. Nuk e di pse më kanë plasur në këtë kafaz. As
avokat, asgjë prej gjëje. Kështu si jam katandisur, s'di si do t'i dal para
burrit, Kaprollit".
Pak
më tutje, në një tjetër kafaz, fola me një fazan.
Fazani,
me bisht të gjatë sa një fshesë, nuk u ankua për kafazin. Dëshmoi me fjalë
prekëse keqardhje të sinqertë për kushërinjtë e largët, flamingot e Zvërnecit.
Në
thellësi të Pyllit të Fazanëve ndodhet një ngrehinë ku gjatë behareve, i lodhur
me përgatitjet e revolucionit proletar botëror, vinte e pushonte Kurvi.
Gjithandej
nëpër pyll, nxënës dhe mësues. Ka ardhur për ekskursion shkolla 9-vjeçare e
Pojanit, i famshëm për fasulet pllaqi, fasulet kokërmdhaia.
"Jeni
demokratë apo socialistë?" pyes nja gjashtë a shtatë djem.
"Jemi
gango", përgjigjen në një gojë dy prej tyre. Të tjerët heshtin.
Ii
them një mësueseje me celular në vesh: "Çfarë deshën të thonë dy fëmijë që
kur i pyeta për preferencë politike thanë 'jemi gango', ndërkohë që të tjerët
heshtën?"
"Domethënë",
tha mësuesja duke hequr celularin nga veshi, "se prindërit e gangove janë
hajdutë, klientë të Sali Kullës. Ndërsa prindërit e heshtanakëve janë njerëz
normalë, pa bombë klienteliste në tru".

Duke
ikur, në dalje të pyllit, brenda një parkingu në natyrë, një pamje lumturuese
për sytë dhe shëruese për zemrën: Autobus për nxënësit dhe makinat e mësueseve
të fshatit Pojan. Fatkeqet e një herë e një kohe, ato që "në udhëkryqe
ndanë xhadeve, nxirrnin dorën nga makinat herë dy nga dy herë veç e veç",
sot secila ka makinën e vet.
Te
një tezgë ku ndala për të marrë ca qershi, njëri që më njohu nga Fejsbuku, më
thotë se Kryetari i Bashkisë së Maliqit ka shpikur rrotën. Ka zhdukur nga faqja
e dheut Partinë Demokratike të Maliqit duke i gjetur punë të mirë çdo demokrati
që ngrinte krye.
Ndala
pak në Sovjan për t'u çmpirë nga qëndrimi i gjatë në makinë.
Tek
iki, një tebdil që rrinte në një qoshe, më thotë: "A më merr deri në
Pogradec?" I them se do iki për Tiranë. "Po deshe deri në Plloçë,
eja". Erdhi. Por kishte qenë tapë. Çlironte avuj alkooli si lokomotivë.
Ishte nga Stravanji. Vendi ku jam tmerrësisht kurioz të vete ta shoh pas shumë
vitesh. Duke më rreshtuar toponimet mallëngjyese rrotull Stravanjit, gjëja më
intriguese dhe më mahnitëse që më tha ishte se nga Stravanji mund të dilet në
Poroçan. E falënderova me gjithë shpirt për këtë udhërrëfim magjepsës që së
shpejti do të kthehet në udhëtim përrallor. Autostopisti i dehur në një moment
e dhjeu. Pa arritur në Çërravë, kur pa mbi një kodër ca si çadra kampingu tha:
"I sheh ato pallatet atje? Vetëm në Suedi Sali Kulla ka 47 të tilla".
Pak më tutje 47-ën e bëri 97. E hodha në Plloçë.
Te
një ballkon panoramik përtej Trebinjës ndala për të ngrënë fasule, djathë, kos,
bukë dhe për të pirë ujë, që i marr çdo herë me vete.
Panoramë
mahnitëse:
Dunica
ku bënë masakër partizanët. Vende ku luftuan dhe u varrosën grekë, italianë,
austriakë, francezë, serbë, bullgarë. Rruga për te Manastiri i Shën Marenës.
Valamara me borë në majë. Stravanji. Pak Poroçani. Mali i Llëngës. Shumica
toponime shqiptare, disa me origjinë latine, si Laktesh-Qumësht, ose
Llëngë-Lunga e të tjerë.
Para
ca muajsh, kur kalova këndej, pak pa vajtur te një shesh ku gjatë ndërtimit të
rrugës ka qenë një kantier me kamionë dhe fjetore, te një dyqan i pastër i
rregullt anës rrugës, mora ca djathë, trahana, pekmez.
Hyra
përsëri në atë dyqan. Herën e kaluar ishte një burrë i vjetër, i sjellshëm.
Këtë herë një grua zevzeke. Djathi dhe pekmezi, tmerr. Ika. Pak më tutje pyeta
një vendali: "Ku ndodhet ai shitësi i vjetër ku para ca kohësh bleva gjëra
të mira?" "Në qiell", tha mokrari.
Në
Tiranë, pas pothuajse 12 orëve mbi makinë, arrita i vdekur për gjumë. As
hëngra, as piva. Veç fjeta. Në ëndërr pashë shpendë krahëhapur në fluturim:
flamingo, lejlekë, mjelma, nositë, pelikanë, pallonj, fazanë.







