Pëllumb Gorica: Një udhëtim, ku koha ka ndaluar dhe natyra ka skalitur mrekulli
NJË UDHËTIM, KU KOHA KA NDALUAR DHE NATYRA KA SKALITUR MREKULLI
Një
dëshirë për bukuri, natyrë, liri dhe entuziazëm mistik më shtyn të arratisem.
S’ka rëndësi sa vështirë, por lë pas gjithçka të zakonshme, rutinën dhe gjërat
e përditshme.
Me
rikthimin e vapës, nuk e kam të lehtë të gjej një itinerar të këndshëm, as
tepër të gjatë e as tepër të vështirë. Ndërsa mosha bën të vetën, me trupin që
ndryshon dhe me ca dhimbje më tepër, i vështroj malet nga një këndvështrim
tjetër, të cilin ndoshta nuk i kam vlerësuar plotësisht deri vonë.
Nisem
ndërsa mban ende fresk, edhe pse e di se kjo nuk do të ndihmojë shumë.
Përkëdhelem nga tinguj lahutësisht fishtianë (në “Rrugën e Kombit”) drejt Fanit
të Mirditës, në trevën e Pirustëve Ilirë, këtë tokë xerorësh, të dymbëdhjetë
bajraqeve (copëtrojeve Pellazgo - Ilire) që ka shkruar emrin e saj në palcë të
gurit, me pëshpërima legjendash, balada, përralla, mite, artefakte…
Të
ecësh atje, do të thotë të marrësh frymë në këtë kullë qëndrese e katedrale në
shpirt.
Rruga
është vizatuar relativisht e drejtë, ndërsa lumi Fan gjarpëron me kthesa e
dredhime të panumërta. Në realitet, ato lëvizin në formë zigzagu, duke ecur
pothuajse krejtësisht paralelisht me njëri-tjetrin.
Zgjodha
një rrugë të bukur dhe piktoreske që ngjitet lartësive si një fjali kërkuese.
Por, siç e dimë, edhe është e bukur e piktoreske, ajo mjerisht, është në
gjendje të tmerrshme dhe e mirëmbajtur keq.
Eci
ngadalë, sikur gurët e lashtë pëshpërisin për një botë ku çdo detaj duket se
është vendosur nga shekujt që kanë kaluar.
Papritur,
pothuajse nga hiçi, shfaqen shigjeta të kuqe në gur dhe pemë. Ndalem, ulem mbi
një gur. I them vetes se kjo do t'i bëjë mirë trupit tim, i cili nuk ka bërë
asnjë pushim që kur kam nisur udhëtimin. Poshtë në luginë, shfaqen pamje të
gjera panoramike ku shikimi nuk njeh kufij, përveç majave të larta.
Para
syve Mali i Munellës,që dallohet lehtësisht nga profili elegant dhe i hollë, që
shkëlqen me bukurinë gri. Më duket sikur jam ulur para një katedraleje
gjigante, një tempull i vërtetë i ndërtuar nga vetë Zoti dhe ndjesia e paqes e
qetësisë që më mbush qenien, është hyjnore.
Munella
është vend i pasur në mbitokë e nëntokë që ka mineral ari, ku pirusët nxirrnin
fitime, prodhonin edhe monedha. Një miku im e ngjiti majat e saj me kënaqësi të
madhe më shumë se një dekadë më parë, i mrekulluar nga pamjet.
Në
shpatin malor të Munellës hijerendë shtrihet Domgjoni historik, trojet e
Fishtës së madh, e cila më magjeps si pak peizazhe të tjera me artefaktet e
lashta të Historisë:
Gurra,
e vetmja e tillë në Ballkan funksionale nga Shek. V para Krishtit: me shkallët
e përdredhura…
Më
tej, në të majtë, një rrugë e ngushtë të dërgon në Spaç, atje ku ngrihen
ndërtesat e burgut famëkeq të Diktaturës. Spaçi është kthyer tashmë në “muze kujtese”
për të dëshmuar, jo vetëm vetveten, por edhe atë çka ka qenë Komunizmi në
Shqipëri.
Rruga
gjarpëron larg vrullit të botës, duke ndjekur rrjedhën e ujërave, të shohë
çfarë fshihet pas një pylli, thellë në një luginë apo pas një kthese.
Shëngjini,
një fshat i shtrirë përgjatë një shpati të butë, me shtëpi të braktisura, të
mbuluara nga shkurret që arrijnë deri te çatitë, është i heshtur. Njerëzit që
takoj kanë buzëqeshje mikpritëse. Megjithatë, mbartin gjurmë të vështirësive të
mëdha, të gdhendura në fytyrat e tyre.
Një kreshtë shkëmbore
ngrihet lart në qiell
Ngjitem
më lart, pamja hapet; në të majtë ka formacione shkëmbore, në dukje të
skalitura, që shtrihen në perëndim. Vërej se pamja hapet më tej nga një
amfiteatër me emra madhështorë që evokojnë histori.
E
shikoj një gjigant malor, me një qetësi të vrarë nga kënga e gjinkallave,
freskuar nga aroma e pishave dhe ledhatuar sytë nga një horizont që shtrihet aq
larg (një këndvështrim i plotë 360 gradë e më gjerë) edhe pse, si zakonisht,
pamja ndonjëherë preket paksa nga mjegulla e nxehtësisë.
Një
ndjesi e thellë lumturie më mbush, duke vizatuar në fytyrë një buzëqeshje që e
kanë fëmijët kur qëndrojnë para një këndi lojërash. Aty, pranë Shëngjinit buzë
rrugës u përpoqa të kap pamjen përmes magjisë së fotografisë.
Është
një kreshtë dhe, ndërsa ngjitesh drejt Xhuxhës, e kisha parë këtë prag shkëmbor
të dallohej nga Rruga e Kombit, mes një rrëmuje gurësh gjigantë sipër dhe rreth
nesh, që flasin me gjelbërimin e thellë. Është shpati i thiktë i Kepit të Nuses.
Emërtimi i tij ka të bëjë me njerëzit që, kur kalonin poshtë gurit, thonin: “Sa
i bukur ky guri, që rri në këmbë si nuse”. Legjenda e rrëfyer përafron me
Shkëmbin e Vajës në Krujë dhe Malin e Sulit në Çamëri, ku hedhja e vajzave dhe
nuseve në humnerë për të mos rënë në dorë të pushtuesit turk ishte kthyer në
një rit.
‘’Në
kohë të hershme thuhet se barinjtë që kullosnin bagëtitë këtu u sulmuan nga
pushtues. Ata u vranë të gjithë, por mbeti një bareshë nuse, së cilës iu
vërsulën. Ajo hidhet nga guri (shkëmbi) dhe vdes.
Banorët
e kësaj krahine, ndoshta e përjetuan këtë tragjedi dhe për respekt u quajt
“Kepi i Nuses”.
Bëj
një pushim, duke vështruar kreshtën, ndoshta aq pranë 200 ose 300 metra larg
(ndonëse është shumë më larg), megjithëse fjala “pranë” është relative; kuadri
“i duhur” kërkon një orë ecje deri në bazën e saj.
Ndonjë
fragment i rrugës, të ngrin buzëqeshjen, ngase të tillë nuk mund ta quash.
Manaferrat që rriten buzë rrugës më bëjnë të ndalem herë pas here. I ha ato pa
asnjë merak, pasi asnjë makinë nuk ka kaluar aty në dhjetë kilometrat e fundit.
Pason
një orë tjetër, gjatë së cilës lodhja rëndon mbi këmbët e mia dhe çdo hap
kërkon shumë më tepër mund se zakonisht. Eci me kokën lart, duke vështruar
zogjtë e shumtë grabitqarë që sillen vërdallë në qiell.
Tanimë
udhëtimi ngjan me “kalërim” në një rrugë që gjarpëron përgjatë shkëmbinjve të
pjerrët, dhe nga vija e pandërprerë e kurorave të larta të pemëve.
Dikur
kjo rrugë gumëzhinte nga zërat e sharrëtarëve dhe zhurmat e “SKODA” - ve të
transportit të drurit. Ah sa pyje ka shkretuar ajo rrugë. Pyjet zgjoheshin nga
kënga e motosharrave. Sikur të jetonim në kohën e socializmit, ndonjë poet i
zjarrtë mund të kishte thurur vargje për këngën e sharrave dhe triumfin e
njeriut mbi natyrën e egër. Megjithatë, po të ishte dëshmitar i gjithë kësaj
pamjeje të zymtë ndonjë plak i urtë i një epoke të shkuar, me gjasë do të
këndonte, mes lotësh, këngën: “Pylli ka nisur të qajë...”
Ndërsa
fitoj lartësi, vapa e cila ishte intensive herë pas here zbutej nga një fllad i
lehtë.
Ecim
një sy te rruga, tjetrin te peizazhi që ndryshon vazhdimisht.
Pamje madhështore ka
dhënë Krijuesi-Natyra
Eci
përmes bimësisë së dendur, dhe një katastrofe shkëmbinjsh gëlqerorë. Nga aty
vështrimi humbet në një det të gjerë majash të larta. Herë të ngjajnë sikur
janë mbledhur kokë me kokë dhe herë - herë janë larguar. Të duket sikur prek me
dorë malin e Qershisë. Nga lartësitë, toka dukej sikur tkurrej në një hartë
xhepi: në veriperëndim, vetë mali Korabi të kthen përshëndetjen me solemnitetin
e patriarkëve të lashtë. Nëse e ktheje shikimin nga veriu, mund të përfytyrojë
veten si një shpend grabitqar që fluturon mbi pasqyrat ujore të liqenit të
Fierzës. Duke parë, pamja sfidonte vetë shikimin, konturet e fshatratrave të
Kuksit e gjer tutje të Dibrës.
Jam
krejtësisht i magjepsur nga loja e reve, që vijnë e ikin. Këtu, çdo hap gdhend
shtegun, ndërsa bari është i gjatë, i thatë dhe i rrëshqitshëm, por mos u
shqetëso për këtë; ec përpara, të dëgjosh heshtjen, të vështrosh kullat që
pasqyrojnë periudha të ndryshme ndërtimi.
Reja
gri që rrethonte malin Zepa shpërndahet sapo mbërrij në një livadh me bimësi të
larmishme dhe lule shumëngjyrëshe si një kopsht botanik.
Shumica
e pronave kanë në krye shtëpiza të vogla, të vendosura mbi një kodër të sheshtë
dhe mjaft të thatë. Toka është e përshkuar nga të çara të gjera, të shkaktuara
nga thatësira e zgjatur.
Bisedat
e këndshme me banorë më zbulon kënaqësinë e takimit me njerëz që janë në kërkim
të së vërtetës mbi jetën. Të gjithë zotërojnë njohuri të gjera rreth një stili
jetese të shëndetshëm. Ndihem shkëlqyeshëm, i mbushur me energji nga entuziazmi
i tyre për jetën.
Një
burrë në të pesëdhjetat, që po kullot një tufë lopësh, më del përpara; duket
qartë se dëshiron të nisë një bisedë, me ankesat e zakonshme për shtetin,
bashkinë, fqinjët, autoritetet dhe kush e di se çfarë tjetër – gjithçka e
ngjeshur në një minutë të vetme, sa për të shfryrë gjithë mjerimin e tij para
se unë të mund të them qoftë edhe një fjalë.
I
etur për të rrëfyer, të flet për jetën që po shuhet në Xhuxhë.
-Dikur,
Xhuxha ishte shumë më e madhe, dukshëm pa e ditur se kështu ndodhte me të
gjitha fshatrat. Sot në Xhuxhë dëshmohet një braktisje demografike e saj drejt
qyteteve.
Eh,
ç’trishtim, t’i lesh këto troje të begata. Ndoshta do të kthehen njerëzit (si
dallëndyshet) në folezat e vjetra.
Kam
ende rrugë të gjatë përpara, nuk ka kohë për të humbur, nëpër vendet që dikur
ishin vendfshehje për kund?rshtarët e regjimit turk, të kohës së Zogut dhe
Komunizmit, që i k?rkonin p?r t’i likuiduar, nga ata me shpirt satanik, të
cilët persekutuan, vranë dhe shpërfytyruan dhjetëra burra e gra të pafajshëm të
Xhuxhës.
Ngjitu
edhe më lart, më shumë bar, disa lule që ndriçohen nga drita e diellit. Kam
ndjesinë sikur ndodhem në një cep të Edenit biblik.
Atje,
mali ka zgjedhur të vesh një frak madhështor, një pyll pishe, aq i dendur e
elegant sa ngjitej pa drojë për të kurorëzuar vetë majën e tij dhe dukej si
gratë që marrin frymë lirisht, aq sa mushkëritë bëhen të pastra, gjaku i pasur
me oksigjen dhe sytë të çlodhur.
Një
fllad i lehtë të sjell pak freski, por ti je pothuajse në terrenin e pjerrët.
Dëgjon ankesat e heshtura të muskujve të këmbëve dhe brenda një kohe të
shkurtër, jam në një pirg gurësh, “një kështjellë shkëmbore”: kalaja e Batos e
cila qëndron prej shekujsh, në një vend të zgjedhur te Kepi i Qytezës
krejtësisht i zhveshur, të kall frikën. Kalimi aty ishte si të shihje një
fisnik që dilte nga Shpella e Manecit, para se të hynte te Kodra e Kuvenit dhe
pastaj të ulet për të drekuar te Sofra e Lekës. Pikërisht, aty është ndërtuar
një kullë dykatëshe, si gjithë kullat e Fanit, që përcjellin art dhe mjeshtri,
përcjellin traditë, pse jo qytetari. Është kulla e mikut tim Frrok Bardhi, që
të mahnit me teknikën e ndërtimit dhe arkitekturën me mure të trasha. Të ngjan
me një lloj kështjellë në rast lufte, e gdhendur me figura gjeometrike.
Zbresim
përmes pyllit dhe arrijmë te një përrua. Një vragë rruge, që dukej plotësisht e
braktisur, por edhe sikur dikush nuk donte ta gjente kurrë, më udhëhoqi në një
terren të pjerrët dhe të thyer. Aty u zbulua kohë më parë një strukturë e
lashtë piktogramesh, të një qytetërimi të lashtë.
Xhuxha foli me
piktograme
Guri
në Xhuxhë të Mirditës (në truallin e maleve, ujit, qiellit dhe legjendave të
shenjta historike) që përfaqësojnë një libër të vërtetë, të pasur me simbole
dhe figura dëshmon për traditat e njerëzve që kanë jetuar këtu gjatë
mijëvjeçarit. (I përket periudhës së Homosapiensit, deri në Epokën e Bronxit të
vonë). Por, përtej kësaj, me një ngjeshje figurash, që nuk kanë ndryshime nga
vendgjetjet e tjera, ajo ka bashkvepruar e ruajtur kujtesën njerëzore të
trojeve tona.
Guri,
si një dritare magjepsëse, duke ofruar një vështrim në jetën dhe besimet e
njerëzve të epokave të kaluara ruan historinë në shekuj dhe nuk ka të
krahasuar, për nga shumëllojshmëria e simboleve dhe motiveve figurative (mbi të
janë gdhendur një seri gravurash gjeometrike).
Në
gdhendjet e gurit të Xhuxhës bie në sy harku, i cili përfaqëson pajimet më të
hershme të luftimeve. Ndërsa vendet e rrethuara me nga një kryq në mes ishin
ato të luftimeve. Drejtkëndëshi vendvarri i të rënëve në luftë. Dy gropa të
vogla si dy sy që i ndan në mes një vijë e drejtë paraqiten vrojtuese të
pagabueshëm të të gjithë jetës në tokë dhe në qiell.
Vështrohej
simboli i pemës tempull, që adhurohet si lisi hyjnor i Dodonës. Simbolet e
stërlashta tregojnë për kultin prehistorik të diellit, më i lashtë i njerzimit,
Hyjni i stërgjyshëve tanë të lashtë, që u bë më vonë simboli i Perëndisë Ilire
nëpër kështjella, kulla, varre, etj.
Guri
mund të ketë qenë pjesë e një qendre pelegrinazhi i fisit të lashtë
“Mirmidonas” të Akilit (Aqileu-t, sipas Mitheve) që u larguan nga vendi i tyre,
ashtu si trojanët, në kërkim të një vendbanimi të ri. Mirmidonasit janë
përmendur nga Homeri në Luftën e Trojës si mbrojtjës të saj dhe gjenden edhe në
Hartën e Hondius-it.
U
end dilema e banorëve të Xhuxhës, e gazetarëve, e dashamirësve dhe e
studiuesëve nëse do të qëndrojë aty ku është gjetur ky simbol i Kohëve të
Lashta, apo do të dërgohet në muze, që të ruhet më mirë.
Një
valë opinionesh gëloi për të mos e lëshuar atë gur nga vendi ku është gjetur.
Atje ai gur qëndroi për shekuj, por tani që u gjet, nuk mund të rrinte më si
një gjel i vogël që nuk këndon, ndërsa në Tiranë kthehet në një këngëtar të
famshëm.
Në
përgjithësi qëndrojnë atje ku zbulohen, me disa përjashtime që, për arsye e
rrethana të caktuara, çohen në qëndra të specializuara, ku studiohen e
analizohen.
Kemi
dëgjuar me dhjetëra herë se janë shkatërruar kisha, janë trafikuar ikona, pllaka
me mbishkrime e këmbana. Janë dhunuar varre, gurë e mure, të pushtuara nga
ndërtimet pa leje. Janë shkatërruar stalaktitet dhe stalagmitet nëpër shpella,
nga të cilat na kanë mbetur vetëm fotografitë. Për të vazhduar me përrallën e
njohur “zbulo dhe tjetërso”, për të zbehur historinë tonë mijëravjeçare.
Sepse
atje ku ishte gjetur guri me piktograme, nuk kishte siguri të plotë; sepse
keqdashësit e Historisë Shqiptare mund ta shkatërronin, por s’përjashtohet edhe
mundësia e rrëmbimit për ta paraqitur si zbulim në tokën e tyre.
Ndërkohë
lind pyetja: Çfarë vlere ka ky gur kur nuk është në vendin e zbuluar?!
Kjo
vepër e mijëvjeçarëve duhet të qëndronte aty ku është gjetur dhe Arkeologjia të
thotë fjalën e vet. Sepse: “Guri i rëndë peshon në vendin e vet.”
Do
ishte mirë që këtij monumenti të historisë njerëzore në fazat e hershme të
zhvillimit tij (të cilin e tregon përmes simbolikës së shenjave dhe mesazheve
të kohës së realizimit) t’i ngrihej godina e strehimit në vendin ku u zbulua,
të ruhej nga të papërgjegjshmit, nga dielli përvëlues, nga i ftohti i maleve,
apo nga mjegulla; me konservimin më këmbë, duke e kthyer në vend peligrinazhi,
si një muze për të gjithë Mirditën dhe Kombin.
Ndaj,
për një mijë e një arsye, nuk duhej të lëvizej nga vendi ku u zbulua, pasi ka
rëndësi pozicioni, orientimi me horizontin (lindjen ose perëndimin e Diellit)
thellësia ku është gjetur; relievi, formacioni gjeologjik, gjurmët e rrugëve të
hershme, apo shenjat e qytetërimit, për t’u dhënë dritë të dhënave në shtigjet e
epokave të ndryshme.
(Fatkeqësisht
guri dergjet i flakur dhunshëm dhe mbuluar me mushama, në një cep të Muzeut
Kombëtar.
Ende
nuk ka një përgjigje shteruese në shpiegimin e këtij artefakti, me interpretime
historike dhe gjeologjike, as për misterin e tij, sepse bota ku jetojmë fsheh
të panjohura, nga zbulimi i të cilave mund të krijojmë një tjetër tablo nga ajo
që njohim sot. Dikur (në thellësinë e një tejkohe të largët të Prehistorisë) në
dhjetëra mijëravjeçarë të Shoqërisë Njerëzore popujt e lashtë lanë shenja të
gdhendura, gjurmë të ekzistencës së tyre, që pas shekujsh dhe betejash i
groposi thellë nën tokë për t’i ruajtur.
Por,
çuditërisht, toka s’mund t’i mbante dot më, i nxori në dritë, për të na kujtuar
se janë dëshmi të miteve të lashta, apo dritëza që mbajnë ndezur shkëlqimin e
asaj kohe.
***
Shtrihem në një livadh dhe çlodhem, duke u përkëdhelur nga rrezet e diellit që duken dembele në orët e vona të pasdites. Retë lëviznin ngadalë nëpër qiell. Nuk ka kërcënime për shi. Thjesht një shfaqje madhështore. Sikur qielli të thoshte: “Prit pak. Edhe unë do të të tregoj diçka edhe për ty sot.” Ndërsa jam duke bërë foto, vërej një rrugë tjetër, ndaj vendos të zbres nga Xhuxha e mistereve të Kohës Neolitike.
*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejen e autorit.









