Gjon Marku: Mall

Tregim nga Gjon Marku
Krevati i boshatisur i dukej si një pellg uji të ftohtë, ndërsa
minutat, pas mesnate, njëra pas tjetrës, ecnin ngadalë, si hapat e një plaku të
lodhur. Gjumi ishte tretur larg. Nuk rrinte dot vetëm, prandaj doli të shihte
mos gjente ndonjë nga lokalet e hapura deri vonë natën. Ndoshta atje do të mund
të largonte fishkëllimat e vetmisë dhe ankthin e asaj nate. Qielli i kujtesës
iu nda në dysh.
Eh, si vijnë kohët, - mendoi
me vete, duke ecur në trotuarin e heshtur. Ai, vite më parë, kishte ecur në atë
trotuar drejt shtëpisë së saj, duke këmbëngulur që ajo të bëhej bashkëshortja e
tij, edhe pse familja e saj nuk e donte atë lidhje. Pastaj, netëve vonë, e
kishte përcjellë të përqafuar me të, si një trup i vetëm, drejt banesës së saj.
Aty, në fund të rrugicës ku gjendej shtëpia, ai priste derisa silueta e saj
fshihej pas portës. Pastaj shihte një dritë që ndizej në katin e dytë, ku
gjendej dhoma e saj, dhe largohej për t'u kthyer ta priste përsëri të nesërmen.
Por tashmë
ishte krejt ndryshe. Rruga i dukej e shkretë, e frikshme dhe e errët si një
pus. Kur mendoi se s'do të kthehej më, minutat e asaj nate i dukeshin sikur e
gjuanin me gurë.
U përpoq
të shtrydhte heshtjen dhe të gjente një grimcë nga përkëdhelja e saj, ta
rrëmbente e ta shtrëngonte në shpirt, të prekte me buzët e tij buzëqeshjen e
saj që tani po e çmendte. Eh, -
ofshau thellë. Nxori rrëmbimthi nga xhepi një paketë cigaresh. E ndezi të
fundit që i kishte mbetur asaj dhe ndjeu sikur ishte hedhur në një botë tjetër.
Dëgjoi fëshfërimën e lehtë të erës, ngadalësoi hapin dhe pëshpëriti me vete
fjalët që kishte thënë atë natë kur, për herë të parë, kishte ndjerë puthjen e
buzëve të saj: "Me ty, lumturia ime ndizet nëpër ndjenja." Ajo
fëshfërimë ere i dukej si fëshfërima e duarve dhe e trupave të tyre të ngjeshur
pranë njëri-tjetrit.
Vërtet,
lumturia e tij ndizej nëpër deje, aq sa ai bëhej njeri tjetër. Ishte ajo,
buzëqeshja e saj, lulet e puthjeve të saj që shpërthenin nëpër damarët e tij.
Ajo strukej pranë tij dhe pushtonte tërë shpirtin e tij, duke i dhënë veç
lumturi. Po, lumturi pa fund i kishte dhënë edhe në ato vite që kishin jetuar
bashkë.
Ai e
mbante brenda vetes si gjënë më të shtrenjtë, më të çmuar, aq sa shpesh i
kishte qëlluar të mburrej me të. Orë të tëra shihej në pasqyrë para se të nisej
për tek ajo. Pastaj vinin vitet e para të martesës, kur ai nuk ngopej duke e
shikuar e duke jetuar pranë saj.
Por tani
ishte krejt ndryshe. Ajo mungonte, mungonte buzëqeshja e saj që dukej sikur i
kishte ngrirë në buzë. Iu kujtua dita e dasmës së të birit, kur kishte kërcyer
me nusen, pastaj ajo puthje e tyre intime, ndoshta pak e tepruar. S'kishte
mbushur ende as një vit që kur ajo prehej nën dhé, ndërsa i biri, dukej, e
kishte harruar - por ishte dasma e tij dhe ai s'kishte pse të mendonte gjëra të
këqija.
Kur ai
kishte kthyer shpinën me nxitim, për të mos e parë atë çast, i ishte kujtuar
puthja e tij e parë dhe mungesa e saj. Brenda tij i qe dukur sikur diçka ishte
plasur. Mos vallë ishte bërë ziliqar ndaj qenies më të shtrenjtë për të në botë
- të birit? A mund të bëhet prindi ziliqar ndaj të vetmit qenie për të cilën
nuk ndjen dhe s'ka shfaqur kurrë as më të voglën xhelozi?
Shpejt pas
martesës së djalit, kishin nisur ditë jo aq të mira për të. Ai kërkonte shumë
nga vetja, por edhe nga të tjerët. Vetëm ajo dinte t'ia plotësonte çdo gjë.
Nusja e djalit nuk i duronte dot kërkesat e tij. Dalëngadalë, vetja iu duk jashtë
kohe, jashtë mode. Sa shpesh dilte në mëngjes e kthehej vetëm në darkë - nuk
donte t'u bëhej barrë djalit e nuses. Ua kishte dhënë të gjitha dhe përpiqej
gjithnjë të qëndronte sa më pak në shtëpi kur ishin ata aty. Paradite lexonte,
pasdite merrte njërin nga librat e tij dhe dilte.
Papritur
kishte ardhur vendimi: ata do të shpërnguleshin drejt një vendi perëndimor. Po unë? - kishte pyetur me gjysmë zëri,
dhe pothuajse ia kishte dhënë vajit, por s'kishte folur më. E kishte kuptuar
mirë: ajo kishte triumfuar mbi të dhe, përfundimisht, ia kishte marrë një herë
e mirë të birin, që i bindej verbërisht.
Nëpër
netët e gjata të vetmisë, kishte kujtuar gjithë ngjarjet e jetës së tij. Derisa
shtëpia kishte nisur t'i dukej si një ferr. Kishte kohë pa biseduar as në
telefon me të birin - në fund të fundit, ai ishte tepër larg. Ndihej i vetmuar,
si një zog me krahë të thyer në një natë stuhie. U drejtua drejt njërit prej
lokaleve në cep të rrugicës dhe piu, një zot e di sa, derisa kamarieri - një
djalë i ri e i pashëm - erdhi tek ai dhe e nxori jashtë. Nëpër atë turbullirë
dehjeje e vetmie të përzier bashkë, kishte dashur ta përqafonte atë djalosh në
vend të të birit, qoftë edhe për një çast të vetëm, por djaloshi vetëm sa e
kishte shtyrë lehtë drejt trotuarit. Vetja iu duk si një qen që ka vite që i ka
rënë lija.
Në vend që
të merrte rrugën për në shtëpi, kishte marrë atë drejt varrezave, ku prehej e
shoqja, që tani i mungonte aq shumë. Ndoshta ajo kishte nevojë për të, për
ndonjë fjalë të tij. Sa kohë kishin që nuk bisedonin, nuk i thoshin gjëra
njëri-tjetrit.
Nata ishte
në kulm kur ai kishte kaluar portën e varrezave dhe, ashtu i lëkundur, herë
duke u rrëzuar, herë duke u mbajtur pas pllakave të varreve, kishte arritur te
varri i së shoqes. Një zot e di si ia kishte dalë të ndiznte njërën nga
gjysmëqirinjtë e mbetur aty prej kohësh, pastaj kishte nisur t'i tregonte
hallet e tij nga vdekja e saj e këtej, dhe mungesën që asgjë tjetër s'ia
mbushte dot. Pllaka e bardhë e varrit i dukej shpesh si petku i një frati.
Ndonjëherë i dukej sikur ishte i biri i veshur me petkun e priftit. Eh, ajo
vajzë, nusja e të birit, ia kishte rrëmbyer dritën e syve, dhe tani ai gjendej
me të diku përtej oqeanit.
Ndjej se në këtë çast fjalët e mia janë si një himn dashurie - i pëshpëriti asaj. Pastaj u mbështet mbi pllakën e
ftohtë të varrit dhe mendoi se edhe ajo ishte vetëm, në një shtëpi të ftohtë e
të errët. Mos ndjej asnjë çast vetmie,
se unë jam këtu - u përpoq ta ngushëllonte atë që prehej nën dhé, e
cila nuk dëgjonte më asgjë; në fakt, ngushëllonte veten. Ndjeu një dhimbje të
fortë në gjoks, pastaj disa valë të nxehta konjaku, të përziera me gjak, i
dolën nga goja. U rrëzua përtokë dhe nuk u ngrit më kurrë.
Në
shtëpinë e tij u gjet një shënim, shkruar në një bllok, që mbante pikërisht datën
e ditës kur do të vdiste, dhe askush nuk arriti të vendoste për kë ishte
shkruar - për të shoqen, apo për të birin. Të dy mungonin: njëri larg, edhe pse
i gjallë, tjetra e vdekur.
"Heshtjen shtrydha dhe i rrëmbeva grimcat e përkëdhelive të
tua, me mall nëpër ëndërr, po ku të të gjej ty, o shpirti im?"
Në ato pak
fjalë, të lëna si një testament pa adresë, njerëzit u përpoqën të lexonin
nëntekstin. Pastaj komentonin mungesën e të birit në ditën e vdekjes së tij;
dikush kujtonte vdekjen e së shoqes; dikush martesën e të birit me atë
"zuskën"...
Dikush tha
se ai s'kishte arritur të thoshte fjalët e fundit, amanetin e tij të mbramë,
dhe se prandaj kishte lënë të shkruara ato fjalë, në dukje pa kuptim.


