Resmi Osmani: Atdheu dhe atdhedashuria në poezinë e Ndre Mjedës
2. ATDHEU DHE ATDHEDASHURIA NË POETIKËN E NDRE MJEDËS

Nga
Prof. Dr. Resmi Osmani
Krijimtaria
poetike e Ndre Mjedës, e nisur në fundin e shekullit XIX, krahas rilindasve te
tjere te shquar, përmbushi dhe tejkaloi një shekull. I mbijetoi kohës dhe mbeti
e freskët, e bukur, tingëlluese, e dashur ngazëllyese dhe e pëlqyer për
lexuesit. Shumë syresh, duke qenë antologjike, janë mësuar përmenç dhe janë
recituar. Sido që e pakët, vetëm e përfshirë në një libër,”Juvenilja”,që vlerësohet
si ndër librat e vyer të poezisë shqipe, ajo ze vend nderi dhe vetë poeti
rreshtohet në panteonin e poetëve të shquar shqiptarë të të gjitha kohëve.
Për
artin e vjershërimit mjeshtëror të Mjedës, në gjithë aspektet, është folur e
shkruar nga shumë studjues, ndaj në këtë sprovë nuk do të ndalem te arti poetik
i Mjedës, pasi siç e kam vënë në dukje në një shkrim tjetër dhe si e thekson
stdjuesi dhe poeti Agim Vinca: “Mjeda nuk shkruan me laps, por gdhend me daltë”,
por në një aspekt tjetër,në tematikën e saj e veçanërisht te dashuria për
atdheun, e cila ka frymëzuar lexuesit e
kohës kur u shkruan por edhe brezat e mëpasmë.
Ato
mbeten aktuale edhe ne ditet tona, për shkak te rrethanave historike të
krijuara, që pasoi mërgatën e shqiptarëve në vende të huaj.
Ndre
Mjeda lindi në shkodër më 20 nëntor 1866. I ati vdes dhe i lë të vegjël Ndreun
dhe të vëllanë Lazrin. I rriti e ëma, me të keq, duke punuar si rrobalarëse në
dyer të botës. Fëmijëri e palumtur dhe në varfëri. E marrin nën kujdes etërit
jezuit dhe gjejnë në të mençuri, zgjuarsi dhe vullnet të spikatur për të nxënë,
që e bëjnë të dallohet mes shokësh dhe të
arrijë përvetësimin e shpejtë të dijeve.
Më
1879, pa i mbushur trembëdhjetë vjeç, thuajse ende fëmijë, ai ndahet nga gjiri
i familjes, nga njerëzit e dashur, nga qyteti i lindjes,nga viset ku hodhi
shtat. Atë e dërgojnë në një kurs privat për pedagogji në Spanjë. Që nga ai vit, deri më 1899, për afro njëzet
vjet, kur u kthye në Shqipëri, kaloi një sërë shkollash, kursesh dhe
universitetesh në Spanjë, Poloni, Kroaci, Itali, ku përvetesoi dije dhe tetë
gjuhë të huaja.Një pasuri e tërë diturore që për kohën, edhe pse klerik, e
renditën ndër intelektualët më të ditur të Shqipërisë.
Gjithsesi,
edhe pse jo i detyruar, ky ishte një mërgim, larg Atdheut, larg njerëzve të
dashur, në vende të huaj. Natyrë e qetë, i heshtur dhe i përmbajtur, disi ëmdërrimtar,
ai mba brenda vetes një mall e dashuri përvëluese për Atdheun, që rënkon nën
robërinë turke. Një flakë që nuk shuhet asnjëherë, edhe pse jeton në vende të
lira, të zhvilluara e të pasura të Europës së atëhershme.
Ndreu
nuk bëhet një qytetar kozmopolit, as atdhemohues, kur i duhej të krahasonte
Shqipërinë me bukuritë dhe zhvillimin e vendeve të tjera. E do marrëzisht Shqipërinë.
I shfaqet vezullia e vargmaleve që duket sikur zbresin nga qielli, e shqipes që
e lirë fluturon mbi ‘to, fushat, lumenjtë, burrat trima e gratë si zana. Ai
mbetet shqiptar deri në palcë të eshtrave dhe pikën e fundit të gjakut.
E
kanë thënë dhe të tjerë,ndaj nuk them gjë të re, se vepra është vetë njeriu,
krijuesi i saj. Në ‘të gjejmë të kyçur ndjenjat,shqetsimet, brengat, dëshirat,
kumtet. Dhe nëse do të dish atë që ka në shpirt poeti, merakun dhe shqetsimet e
poetit, shih se cilat fjalë janë ato që përsëriten dhe përsillen më shpesh në
poezitë e tij. Te poezitë e Mjedës, fjalët që hasen dhe përsëriten më shumë janë:
Atdhe, Atme, shqype,male,zana, pyje e ograja, shqyptaria, ilirët dhe iliria,
gjithëçka ngërthen brenda vetes, dhe shpreh poetikisht,si një dashuri të përjetshme,
atë që quhet Atdhe, Shqipëri.
Është
me interes të shihet se me çfar emrash e quan Mjeda hapsirën e banuar nga
Shqiptarët bashkëkombasit e vet. Më të shpeshtë janë Atdhe, më rrall Atme, po
asnjeherë Mëmëdhe, pra tokë e atit, tokë e burrave. Ndersa në aspektin hapsinor
gjeografik Shqipni, kurse atdhetarizmin dhe përpjekjet për atdheun e quan
shqyptari. Mjeda i njeh mirë përcaktimet moderne të Atdheut, kombësisë dhe
kombit. Në poezitë e tij, brenda gjeohapsirës perandorake turke, Mjeda ve caqet
e territorit të kombësisë shqiptare, nga Tivari në Prevezë, nga alpet e Namuna
në Vardar, nga Malsia në Jalli. Pra të katër vilajetet,sipas kërkesave dhe
percaktimeve të Lidhjes së Prizrenit. Këto toka janë shqiptare, historikisht, që
së lashti, se atje kanë jetuar Ilirët, se atje jetojnë shqiptarët,pasardhës të
tyre dhe flitet shqip. E kësaj gjuhe,veç që edhe është studjues i saj, ai i
thur vargje të mrekullueshme, jo vetëm për bukurinë dhe tingëllimin si kënga e
bilbilit, lashtësinë e saj, por edhe si njësi bashkuese e kombit: “Prej Tivarit në Prevezë/Nji a gjuha e kombi
nji/Ku lshon dielli njato rreze/Qi veç toka jote i di.” Dhe më tej”Gegë e Toskë, Malci, jallija/Jan nji komb,
m’u da s’duron/Fund e majë nji a Shqypnia/ E një gjuhë t’gjithë n’a bashkon”.
Këto
vargje janë edhe për të sotmen, edhe pse ende shqiptarët, nga padrejt?sitë historike, jetojnë në trojet e veta të shpërndarë në pesë shtete, gjuha mbetet njeri nga faktorët përbashkues
të kombit. Por, veç kësaj, ajo është edhe e bukur: E këndshme si vera…/Përmallshëm si era, /Që napin zymylat,/Nder lule ma
s’parit,/A g juha e Shqyptarit.

Atdhedashuria,
kalohet nga brezi në brez, nga nëna te biri, porosia e nanës:Nji nanë tjetër,thoshe ke/Bir n’kët dhe/
Nana jote a Shqypnia …..Dhe plotësimi i amanetit nga biri:Mbas fjalësh t’tua përher shkova/ E
t’ndigjova/Shqyptarin nuk e korita. Atdheu, Shqipëria, i trazojnë gjumin, i
shfaqen në ëndërr , me bukurin e një vashe-ëngjëll dhe kur ai pyet se kush është,
vjen përgjigja befasuese: ”Motër e nanë, tha,
m’ke-jam shqyptaria”.Brengosëse është vdekja në vend të huaj, larg atdheut,
në dhera të huaj dhe, në çastet e shpirtfluturimit, për në amshim,mendja shkon
te atdheu, dhe fjala e mbrame që mërmërin është: Shqypni(Në dekë të shoqit tim
Gj.S.)
Atdheu
ka histori, ku nuk mungojnë lavdia, trimëria, guximi, lufta për mbrojtjen e
trojeve nga armiqtë, ku janë shquar burrat trima të Ilirisë, me prijës
Bardhylin, Gentin, Me Skënderbeun e lavdishëm ,Aranitin dhe Topian, në qëndresën
çerek shekullore. E gjitha kjo për të ngjallur te bashkatdhetarët ndjenjën e
krenarisë për Atdheun, trojet e të parëve, shqipërinë dhe Shqyptarinë, atëhere
kur për atë epokë historike, Pashko Vasa shkruante: “Ti ke pas kenë i zojë e randë/Burrat e dheut të qujshin nanë”. Në
kushtet e robërisë së urryer të gjysmëhënës,
poeti u kujton bashkatdhetarëve se kush kemi qenë, duke ua vendosur përpara
si një pasqyrë, ku shqiptari duhet të shohij veten. Më së shumti dhe më së
miri, kjo evidentohet në sonetet e poemthave “Lisus”,”Skodra” dhe “Liria”.
Liria,
nuk dhurohet, ajo fitohet dhe, fitohet me luftë, me sakrifica me jetë dhe gjak.
Poeti, i nxitur nga kryengritjet kundraturke të Malësisë së Veriut më 1909, i
lind shpresa e çlirimit nga zgjedha e robërisë. Jep kushtrimin e luftës.”Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcija”
dhe bën pyetjen, si në një kuvend burrash:”A
ka lirim ky dhe që na shklet kamba/ A veç t’mjerin e mblon anë mb’anë robnija?”
Mbi zhgunin e klerikut, ai hedh në krah pushkën, në tjetrën shpatën dhe
flamurin me shqypen dykrenore, kthehet në këngaëtar, tribun i lirisë dhe rebel,
luftëtar kryengritës. Në poezitë “Lirija”, “Bashkonju”, ”Vorri i Skanderbegut”,
”Mahmud Pasha në Mal të Zi”,”Shqypes arbnore”, vargjet janë kushtrim, ushtojnë
nga thirrjet e luftës. Ato ftojnë shqiptarët që të bashkohen: për rrëketë e gjakut
të derdhur, kujen e nënave për bijtë e rënë,
për nderin e vashave shqiptare, për tokat e lëna shkretë,për eshtrat e dhunuara
të Skënderbeut, për gjithë këto dhe lirinë , bëhet thirrja e bashkimit nën
flamurin e shqipërisë, për unitetin kombëtar. Pasi: “Prej nji gjaku, nji gjinis/A shqyptari kand e kand” dhe se “Nji gjuhë shejte t’gjith kuvesim/Nji istori, nji atdhe ne kemi/Geg e Toskë nji
zemre jemi”. Janë vargje aktuale edhe në ditët tona, kur shqiptarët jetojnë
të ndarë në pesë shtete dhe kur pas pavarsimit të Kosovës, ka lindur si kërkesë
aspirata e bashkimit kombëtar, e Shqipërisë natyrore.
Mjeda,me
metafora, epitete dhe krahasime brilante,si: djelmnia kulshedr e malcive, si
stuhi e përmnershme, rrufe bubullore, me xhixha ndër sy si shqypojet majë
bjeshkve,kelmendasit e rreshtuar majë bjeshkëve. E tjera kësodore, që shkrepëtijnë
e venë në dukje trimërinë, atdhedashurinë dhe burrërinë, u bën thirrje
krahinave të malësisë: Lekëve(Malsorëve) Hotit, Grudës, Kastratit, Shkrelit, Kelmendit,
të lënë mënjanë dasmat, pendët në hulli të arës, tufën e bagëtive në kullotë,të
ndërpresin vadën në të mihurat, ngaqë pushkë e shpatë , janë parmendë e janë
kosë. Të rrëmbejnë armët dhe të turren në luftë kundra halldupit otoman.
Është
për t’u vënë në dukje, se Mjeda, shpresën
e kryengritjes së armatosur dhe çlirimin e Shqipërisë, forcën lëvizëse të kësaj
lufte e sheh në shtresat e gjera të fshatarsisë, qofshin ata malsorë apo
fusharakë, pa patur besim te shtresa e feudalëve, te ata që flejnë mbi thaës
florinjsh, ndaj të cilëve zbraz mllefin te poezia Mustafa Pasha në Babunë.
Edhe
pse gjendja e vendit nën sundimin e të huajit është e rëndë, Mjeda nuk e humbet
shpresën se Shqipëria do të çlirohet dhe mëvetësohet. Këtë e shpreh më së miri
në sonetin VI të poemthit Liria: “Po nuk
u shuejti edhe,jo, shqyptaria:/Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti/Lodhun
prej territ ku robnimi e qiti/Shpreson me e zgjue fluturim mënia. Në vargje
sillet ngjallja e frymës së lirisë, se ndër male përhapet shkëndija e lirimit të
Atdheut, se ndër kasolle fshehtas shëtit hija e Skënderbeut, e se nënat në gji
u shtjenë bijve urrejtjen për armikun, dhe, se, ndër male, bukuri mbretnore,
hap flatrat e mnershme që përshndrisin, me thonj të harkuar Shqipja arbërore.
Ca më shumë, shpresa e çlirimit shpërthen plot mllef kundër sulltanit otoman,
por edhe shpresë për shqiptarët, në nbyllje të poezis ”Për një shkollë shqype
mbyllun prej qeveris otomane” më1902.
Në
figurën e Mjedës, krijimtaria atdhetare, është e pandarë nga veprimtaria e tij
në lëvizjen patriotike dhe jetën politike si dhe atë publicistike e studimore. Më
1908, pjeëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, në komisionin që caktoi
alfabetin. Në vitet 1916-17, Mjeda qe një ndër veprimtarët më të shquar të
Komisisë Letrare të Shkodrës. I përfshirë në lëvizjen politike në krahun
demokratik,1920-1924 qe deputet i opozitës në Kuvendin Kombëtar dhe Asamblenë
Kushtetuese. Me kthimin e Zogut, ai u tërhoq nga jeta politike dhe në vitet
1930-37, shërbeu si mësonjës I gjuhës dhe letërsisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër.
U
nda nga jeta më 1 gusht 1937, duke na lënë trashëgim krijimtarinë e tij të
pamort.
Tiranë, prill 2023-maj
2026








