Mihal Gjergji: Vjeshta e vendlindjes

4h më parë

Mihal Gjergji

VJESHTA E VENDLINDJES

Do kthehem në viset e mia

Dhe shpirti rrebel më thotë, ik

S'të njohin profet në vendlindje

Ndaj tundesh nga trojet, or mik!


Kjo vjeshtë e praruar me ngjyra

Qilimat që ndjellin magji

Nuk di se ç'penel ka natyra

Ç’telajo floririn e pi…!


Mbi lugjet e mia zbret hëna

Freskohet në krojet e gurtë

(Mbyll sytë, më zgjat dorën nëna

Të futem në prehrin e butë!)


Vegimi a malli më zgjojnë

Trishtim e mërzi këtë radhë

Në dheun e lagësht pushojnë

Të shtrenjtit e mi zemërbardhë


Kjo vjeshtë pa nuse dhe këngë

Pa vallet që hidhen mbi gju

A thua lëngata ka rënë

Dhe njerëzit kanë humbur diku?


Ja lisi, me pjergull mbi supe

Tund krahët, nga larg përshëndet

E do një qafim a një lutje

Mbush shportën me rrushin që pret


Përkulet një mollë e një ftua

Pret dorën të zgjatet atje

As vetë nuk e di se çfarë dua

Mbi krye më shfaqet një re


Hedh këmbën mbi harkun e urës

Qemeri mban shekujt në shpinë

Balada zgjon zërat e luftës

Taborret janë nisur dhe vijnë


Shikimin karshi-Hodo Beu

Me dorën në pallë-Bilbilenjtë

Dhe ngrejnë furtunë, si Anteu

Se vdekja s'guxon që t'i prek


Kam mbritur në viset e mia

Puth pragun dhe dehem nektar

Besomëni, më priti Maria

Dhe Krishtin aty e kam parë!

Kurvelesh, Tetor 2020.

Admin