Albert Vataj: Të duheni vërtetë, jo si një përrallë dëshirimesh, por si jetë sakrificash dhe përjetimesh
Të duheni vërtetë, jo si një përrallë dëshirimesh, por si jetë sakrificash dhe përjetimesh

Po,
ata duhen!
Ata
janë aty për njëri-tjetrin, për ta veshur me dritë të etershme praninë dhe
flakur yjshëm përjetimin.
Po...
Ka
dashuri që nuk poterisin dynjanë me spektaklin e nevojës për të rënë në sy, por
veprojnë njëjtë si limfa që qarkullon brenda një peme, si një vërshim që vetëm
përgjimi i jetës mund ta dëgjojë.
Po,
patjetër që ka dhe ju ndoshta i shihni, i jetoni, pse jo, por perceptimi i
ndrydhur nga mendësi dhe pështjellime, nuk e pikas, duke e lënë këtë mbretërim
të magjisë së dashurisë së hyjshme, të mbrëtërojë.
Ajo
nuk ka nevojë ndoshta të kalojë domosdoshmërisht përmes ceremonialiteti të
buqetave me lule apo darkave romantike, surprizave dhe larmisë dehëse të
dhuratave, setesh fotografike apo protagonizmit të garës.
Jo!
Me
shumë gjasë që jo!
Ato
jetojnë në ditët që përsëriten, në punët që ndahen, në përqafimet që nuk
kërkojnë leje, në spontanitetin e gjesteve lajkatare, në shikimet vjedhacake e
puthjet e befta, edhe... në intimitetin që i mbush.
Ato
janë dashuritë që nuk bien në sy, por kanë ardhur me mision të sjellin në jetë
shembullin e hyjt të dashurisë së jetës, të dashurisë si shënjim i rrugëtimit
së bashku, me gjithë ndalesat, rrëzimet e ringritjet, zemërthyerjet dhe
shpirtlëndimet, zhgënjimet dhe vetëbesimi i bashkëndarë si një energji që
shërben të marrë gjithnjë me vete barrën e jetës, si veten.
Kjo
dashuri, nuk ka nevojë të dëshmojë asgjë, sepse është gjithçka që ata kanë,
gjithçka që bën, që kjo mrekulli të jetuari, të jetë si në ëndërrime, pikërisht
ashtu; sikur nuk kanë mundur ta zbulojnë ëndjet krijuese, ta qëndisin penat e
shpirtshme të përfytyrimit idilik, apo ta gdhendin daltat e pasionit, duke e
nxjerrë atë nga mermeret e ftohtë të nëntokës, në zjarrin e ndijimit.
Përkushtimi
i përjetshëm shpesh keqkuptohet, ndoshta ngase kemi krijuar steriotipe të
pagjasa të jetë reale, të prekshme dhe të jetueshme.
E
ngatërrojmë me idenë romantike të zgjimeve të qeta me kafe të ngrohtë e mëngjes
në krevat, me përqafime që zgjatin deri në gjumë, me një shtëpi të pastër e një
tavolinë plot çdo ditë, si në promocionet pozitiviste.
Por
dashuria e vërtetë, ajo që zgjat përjetësisht, ajo, për të cilën flitet rrallë
dhe dëgjojmë për të gjithnjë e më pak, nuk është e veshur me pëlhura të
mëndafshta përrallash, apo stolisur me gurë të shndritshëm, gishtërinjtë
mbushur me metale të shkëlqimta me simbole mistike e shënjime domethënëse.
Ajo
është gdhendur me thjeshtësinë e përditshmërisë dhe me përballjen e guximshme
të papërsosmërisë. Në një farë kuptimi, ajo gjendet në betejën e përditshme të
të jetuarit.

Po,
po, është ajo dashuri që të pret çdo mbrëmje në të njëjtin vend, me të njëjtin
njeri, i cili të njeh, të do, dhe të pranon, pavarësisht kush je, por pikërisht
sepse je ai që je.
Është
të qeshurit me ato momente kur bëre ndonjë marrëzi, dhe askush nuk të gjykon.
Janë
rrobat e hedhura pa kujdes dhe rrëmuja që krijon situata, pa treguar me gisht,
se kush e ka fajin apo kush duhet të kthejë gjërat në vendin e vet.
Është
ndihmesa në punët e shtëpisë dhe angazhimet e përditshme, sepse nuk jeni në
garë kush bën më shumë, por jeni bashkë në këtë përpjekje për të jetuar çdo
çast duke qenë të dy bashkë.
Kjo
dashuri, për të cilën po flasim, ndoshta është edhe të kafshosh gjuhën pasi ke
thënë diçka në gjaknxehtësi e sipër, e pse jo edhe të heshtësh pa thënë fjalët
e hidhura, kur ato mund të lëndojnë. Është të hash një supë të thjeshtë në orën
10 të darkës, sepse keni pasur një ditë të lodhshme, por keni zgjedhur ta
përfundoni bashkë.
Është
të kesh një rrëzim emocional dhe të ndjesh dikë që të rri pranë, të përqafon
dhe të thotë: “Gjithçka do të bëhet mirë”, dhe ti, e çuditshme, e beson, sepse
dashuria kur është e vërtetë, flet me zë të besueshëm, perceptohet me një
shqisë të ndjeshme të të kuptuarit, sikur po dëgjon një pëshpërimë brenda
vetes.
Dashuria
e përjetshme është kur strukeni pranë njëri-tjetrit nën një mbulesë dhe ndiqni
në TV emisionin tuaj të preferuar, apo një film që u kujton aventurat e rinisë,
dhe ashtu kridheni në një gjumë të ëmbël, për t’u zgjuar nga një kollitje.
Kjo
dashuri e madhe dhe krejt e zakonshme, është ta duash dikë edhe atëherë kur ta
heq trurin me tekat dhe romuzet e tij, të zemëron, të lëndon, por që si një
fëmijë i zënë në faj afrohet duke të mbuluar me puthje dhe ndjesë. Dhe ti,
rimore atë emocion që gjithnjë të mëson, se si të mos zemërohesh kot, se si nuk
ia vlen të trazohesh, sepse në fund të fundit ky trap që të ka rënë për hise,
është gjëja më e bukur që të ka ndodhur në jetë, dhe për të je gjithçka.
Po,
kjo dashuri është gjithashtu kur dikush të do në trupin që ndryshon, me
shëndetin që bën naze, në ehhhh, e ufff-et ankimtare, në buzëqeshjen që
nganjëherë mungon, në ditët me diell dhe në kohët e vërenjtura, në atë që ju
tregon se nuk jeni vetëm dhe se gjithçka do të ndryshojë, duke ju hedhur në një
tjetër përmasë dëshirimi. Të mbyllësh sytë një moment, duke ëndërruar, dhe kur
ti hapësh, të jetë sërish ai, vështrimi i tij në kokërr të syrit dhe zëri i tij
që të përkëdhel, duke mos lënë të harrosh vajzën lozonjare brenda vetes.
Të
jetosh me njeriun që do, nuk është gjithmonë e lehtë, nuk është gjithmonë
romantike, por është thellësisht njerëzore, ngushëlluese, ndonjëherë edhe
hyjnore në përmasën e durimit dhe përkushtimit, gatishmërisë për të qenë aty
kur secili është në nevojë për atë që është gjithnjë aty.
Kjo
është ajo dashuria e atyre që duhen vërtetë, e atyre që nuk e vrasin mendjen
për emërtime e përkufizime, por e jetojnë atë si një përvojë që të ndriçon në
mënyrën më të thjeshtë dhe më të vërtetë.
Ndoshta
jo rrallë ndodh kështu, jetohet në këtë mënyrë... dhe çfarë jete e
mrekullueshme që është, sepse siç do të thote Antoine de Saint-Exupéry:
"Dashuria nuk është të shikoni njëri-tjetrin në sy, por të shikoni të dy
në të njëjtin drejtim."










