Albert Vataj: “Nân” e Alis, kanga e mungimit, zani i shpirtit qi u flet nanave e vetmimit që dhemb, përmes zanit t’bijve qi nuk kthehen

1h më parë

“Nân” e Alis, kanga e mungimit, zani i shpirtit qi u flet nanave e vetmimit që dhemb, përmes zanit t’bijve qi nuk kthehen

Nga Albert Vataj

“Nân”... kur fjala, poezia, shpirti, zani tue u ba kangë, e tue ardh përmes një virtuoziteti të Alis, munden me hy njaq thellë, sa me mujt me lëkund; edhe themelet e burrit ma t’fortë, djalit ma trim, e zemrës ma të zjermshme. E sakaq arrijnë me shpërfaqë në skënën e madhe të Eurovision 2026, fuqin e artit shqiptar, atë qi e shenjtnon mrekullia e krijimit.

Përfaqsimi i Shqipnis, në ngjarjen ma t’randsishme t’kangës, me “Nân” të Alis, asht në tansinë e vet, nji tregus i artit të madh, talenteve të jashtëzakonshme qi mëkon kjo shpirtje shqiptare e shndrrume n’altar.

Çdo fjalë e varg, strofë e refren e kësaj kange, asht një za etern, thirrja e një shpirti galaktik qi depërton thellë si një sëmbim në plagën e ikjes, nanave qi t’vetmume presin fmijët që nuk kthehen, shpirtin e tyne që vuan dhe synin qi nuk teret. E kujt nuk guxon me i fol kjo fjalë, me ju përgjëru kjo lutje, me trand kjo dhimbje.

“Nân” e shkodranit Alis Kallaçi, asht nji hymn, asht një za i zemërt e thirrje e shpirtshme qi shpërthen nga thellë, atje ku struket drojet, e këndon vajtushëm; pritja e nanave, nanat qi err e terr mbajnë vesh se dera troket e zilja bjen, e zemra i çon ata me hapa t’mundimshëm, te krahnori qi gjimon mallit dhe dhimbjes, me mëku puthje qi dridhen e me u pa sysh të mbytun në dete të trazimt t’idhnimit.

“Nân” nuk ngulmon për me mbërrit te figuracioni i randuem, as te ndërtimet poetike të stërhollueme. Ajo njimendet me ken drithëruse, njejt si nji prekje e drojshme qi ngucat lëngime e landime që flenë n’thellsi t’shpirtit t’nanave. Fuqia e ksaj kange gufon prej intimitetit, prej atij boshllëkut t’heshtun e tronditës qi krijon ikja e fëmijëve.

Vargu “Nâna në prag aty ngel në derë”, asht ndoshta boshti emocional i krejt kangës. Aty përmblidhet jo veç simbolika ikonike e nans e ngjizun në ndërkohje dhe e gdhendun n’shkam me daltën e vetimave t’dhimbjes, idhnimit e faljes. Pragu këtu nuk asht vetëm nji vend fizik, ai bahet kufi mes jetës qi hup nëpër botë zogjt, n’kërkim t’andrrave, e jetës që mbetet pezull. Dy javë e dy vjet shkrijnë njani-tjetrin në perceptimin e mungesës qi kafshon dhe dhemb. Si tue dasht me kumtu, se koha nuk matet ma me kalendar, por me mall.

Teksti ka meritën se e shmang melodramën në fjalën e drejtpërdrejt, por dukshëm e struk në metafor dhe thjeshtësi. Dhembja nuk klith, gjithqysh, por rrjedh kadalë nëpër detaje të vogla, mistike ndoshta, si hijet në korridor, zanat që duken sikur ndigjohen ende n’oborr, shtrimi i vendeve për fjetje edhe pse askush nuk kthehet. N’tansi ky panoramim i varguar asht nji pamje krejt e zakont, por tejshpuese. Dhe pikërisht aty qëndron e vërteta dhe thelbsorja artistike e kangs. Nuk ka familje shqiptare qi nuk e vuan kët mungim, qi nuk i dhemb kjo plagë, ku nuk asht nji nanë qi pret.

Në fund, “Kur po vjen, moj nân’? / Se malli m’than” e përmbys këndvështrimin. Deri aty kemi ndigjue zanin e nanës që pret, mandej del zani i fëmijës që tash e kupton peshën e mungimit. Kjo kthesë e beftë i nep kangës nji frymëmarrje ciklike, nana pret fëmijën, e fëmija, larg, nis me kërkue nanën, për epje, prehje e mall.

“Nân” nuk asht nji kangë që kërkon me tronditë me madhështi poetike, ajo fiton sepse asht e ndishme, sa ç’asht e dhimbshme vetmia e nanave qi presin, sa ç’mbetet trishtuse ikja e fëmijëve.

Dhe në këtë akt komunikimi, kanga, përmes fjalës, vargut, mesazhit, zanit, muzikës, krejt këtij teatraliteti solemn, vjen për të dëshmu jo vetëm fuqinë e artit, sa edhe me zgju zemrat me i ba vend këtij ndijimi, me i thirr shpirtnat, me ju ba krah këtij fluturimi etern, me sëmbu tana vetmit e nanave qi dhimbja i struk te pritja, te..., oh

“Ta dish se nâna po ju pret,

Ee nâna ju po ju përcjell.

Nâna në prag aty ngel në derë,

dy javë, dy vjet, iku kjo verë...”.

S’mundesh lotin e kafshue e dhimbjes me i dalë ballë.