Albert Vataj: Atentati që tronditi botën 45 vite më parë
Atentati që tronditi botën 45 vite më parë, turku Mehmet Ali Agça qëllon në Sheshin e Shën Pjetrit dhe plagos rëndë, Papa Gjon Pali II

Ata
ishin krismat që u dëgjuan në të katër anët e botës. Më shumë se një atentat
ishte një ngulm për ta futur njerëzimin në një erë të re. U nis si një ngjarje
e madhe, por shpirti i epërm i kristianizmit e shndërroi atë në një gjest të
hyjshëm faljeje. Doli nga thellë lartësia e qiejve të besimit ky shpirt që i
blatohet çfarë Jezusi tha në Kryq: “Fali o Zot se s’dinë ç’farë bëjnë”. Dhe
Zoti e vuri në sprovë besimin, siç yshti në tundim shpirtin e trazuar. Plumbat
plagosën një Papë, zbritën në duart e plakura qiellin e një faljeje, duke vrarë
çdo mosbesim dhe shpërblyer me paqe çdo zemër të lënduar dhe dritur çdo mendje
të errët.
Sot
45 vite më parë, më 13 maj 1981, Papa Gjon Pali II qëllohet dhe plagoset rëndë
nga një turk i arratisur nga burgu, i quajtur, Mehmet Ali Agça, në Sheshin e
Shën Pjetrit, Vatikan. Motivet e vërteta për të vrarë kreun e Kishës Katolike
Romake edhe sot vazhdojnë të mbeten enigmë.
Sepse,
ndoshta, pikërisht ky mister e shndërron gjithë këtë skenë në një kulmim
pështjellimesh, që këtë tragjizëm trazimtar dhe këtë qëllimsi ogurzezë ta mbajë
të tashëm si kërcënim në çdo kohë.
Pasi
u shërua nga plagët e marra në këtë atentat, Papa e vizitoi atentatorin, Mehmet
Agçan në burg dhe i ofroi falje, një gjest ky që rrëzoi çdo dashakeqësi të
ngatërrese ndërfetare që u projektua. Dora e faljes së Papës ishte një bekim.
Ne jemi të gjithë bijtë e Krijuesit dhe bashkëjetesa e harmonishme është një
shpërblim, edhe për fajtorët, dhe Papa bëri atë që botën mbushi me shpresë.
Gjatë
procesit të hetimeve, Agça çoi në arrestimin e tre bullgarëve dhe tre turqve,
të cilët dolën në gjyq në vitin 1985. Agça ishte dëshmitar kyç i shtetit. Në
gjyq, ai e përshkroi veten si Jezu Krisht, parashikoi fundin e shpejtë të botës
dhe e shpjegoi skenarin bullgar të atentatit, si të sajuar nga zbulimet
perëndimore. Agça tha se Perëndia e kishte udhëhequr për të kryer atentatin. Ai
e lidhi sulmin me Sekretin e tretë të Fatimas, tre mesazhet profetike, sipas
traditës katolike, që Madona, Virgjëresha Mari, ua tregoi tre fëmijëve baresha
portugeze, të cilave iu shfaq në vitin 1917.
Mesazhi
i parë thuhet se parashikoi Luftën e Dytë Botërore. Mesazhi i dytë lidhej me
rritjen a zgjerimin e Rusisë (Bashkim Sovjetik). Dhe sekreti i tretë, i zbuluar
nga këshilli i Vatikanit më 1985, parajmëronte, '[Rusia] do të përhapë gabimet
e saj në të gjithë botën, duke shkaktuar luftëra dhe persekutime të Kishës. E
mira do të martirizohet. Ati i Shenjtë do të provojë vuajtje (plagosje), dhe
kombe të ndryshme do të shuhen' (13 korrik 1917).
Ngjarjet
rrodhën. Më 1986, të pandehurit bullgarë dhe turq u liruan për mungesë provash.
Më 1991, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari. Në vitin 2000, pas 19 vjetësh
burg në Itali, Agça u ekstradua në Turqi, ku kreu dënimin e mbetur nga koha e
arratisjes, u lirua në janar 2010.
Sot
jemi 45 vite më pas, vite ku shumë gjëra kanë ndryshuar, vite kur bota ende
zien nga luftrat dhe besimi vihet gjithnjë në provë.










