Albert Vataj: "Nân" e Alis, plaga shqiptare që shndërrohet në art universal në Vjenën e Eurovision Song Contest 2026

"Nân" e Alis, plaga shqiptare që shndërrohet në art universal në Vjenën e Eurovision Song Contest 2026

Më
12-16 maj, kënga e re e kontinentit plak, do të shndërrojë Vjenën e gjigandëve
të muzikës dhe artit, arkitekturës dhe mendimit, në kryeqendrën e
kryengjarjeve.
Me
nisjen e gjysmëfinaleve në Vjenë këtë të martë, kryeqyteti austriak është
shndërruar në epiqendrën e një tërmeti artistik që ka përfshirë mbarë
kontinentin. Eurovision Song Contest 2026 nuk është thjesht një garë
televizive; është rikthimi i një rituali dekadash që e shndërron muzikën në të
vetmen gjuhë ku emocionet dhe identiteti europian bashkëjetojnë pa pasur nevojë
për përkthim.
Në
këtë atmosferë të ndezur, rrjeti prestigjioz britanik BBC ka publikuar një
analizë shteruese të 35 këngëve konkurruese, duke skanuar çdo detaj nga
produksioni deri te mesazhet gjeopolitike.
Skena
e madhe e Vjenës këtë vit nuk po dëshmon thjesht një performancë muzikore, por
një akt rrëqethës dëshmie njerëzore. BBC e ka klasifikuar këngën
"Nan" të Alis në kategorinë elitare të "Teksteve me kulturë të
lartë", duke e vlerësuar si një nga narrativat më të fuqishme emocionale
të edicionit të fundit të Eurovisionit.
Ajo
që nisi si një moment katarktik në netët e Festivalit të Këngës në RTSH, tashmë
është shndërruar në një himn të dhimbjes universale. Alis, me një vokal që
duket se mbledh lotët e një kombi, ka arritur të thyejë barrierën gjuhësore.
Kritika ndërkombëtare e BBC-së vëren se kënga nuk është thjesht një baladë, por
një përjetim: "Alis e interpreton "Nân" me një sinqeritet dhe
pasion që është i vështirë të krahasohet; ai nuk këndon thjesht vargjet, ai
jeton traumën e ndarjes."
Në
thelb të këngës qëndron figura e nënës, një simbol i qëndresës dhe dëshpërimit,
e cila pret në pragun e shtëpisë, në zemrën e çarë nga dhimbja e mungimit,
kthimin e fëmijës nga emigrimi. BBC nënvizon se ky tekst godet fort sepse buron
nga një realitet historik në plagën e tranzicionit. Tema e emigrimit është
"vula" e historisë shqiptare post-1991.
Përtej
dhimbjes, kënga rrezaton një shpresë kokëfortë që vetëm dashuria prindërore
mund ta mbajë gjallë.
Përdorimi
i elementeve autentike e bën "Nân" një manifest të kulturës së
Ballkanit, ku pritja është shndërruar në art.
Sipas
ekspertëve të muzikës, suksesi i "Nân" qëndron te thjeshtësia e saj
brutale. Ndërsa shumë shtete konkurrojnë me efekte vizuale dhe ritme sintetike,
Shqipëria këtë vit ka zgjedhur zhveshjen shpirtërore. Ky rikthim te
"teksti me peshë" tregon se muzika mbetet mjeti më i fuqishëm për të
treguar historitë që shifrat e emigrimit nuk mund t'i shpjegojnë dot.
Vjena,
kryeqyteti i muzikës klasike, duket se e ka gjetur te zëri i Alis atë
"shpirtin e humbur" që arti modern shpesh e harron në kërkim të
spektaklit.
Në
një kohë kur zhvillimet globale po diktojnë ndarje dhe mure, skena e Vjenës
ofron atë që diplomacia shpesh dështon ta bëjë, bashkimin përmes estetikës. Për
Shqipërinë, "Nân" nuk është vetëm një këngë, por një mjet i
"soft power", duke treguar se pasuria jonë më e madhe mbetet
autenticiteti emocional.
"Nëse
ka një këngë këtë vit që të bën të harrosh se po dëgjon një garë dhe të kujton
se po dëgjon një shpirt, ajo është "Nân" nga Alis." citohet në
esen kritike të BBC.









