Albert Vataj: Erdha n'Shkodër, tek'njaty ku m'bjen malli e m'presin kujtimet
Erdha n'Shkodër, tek'njaty ku m'bjen malli e m'presin kujtimet

Erdha,
Shkodër, t'gjeta kredhun nan nji qiell gri, por me kumtin tand t'hirshëm,
qendisun në shpirtjen qysh un t'shoh e t'ndij.
Erdha
tekku malli m'pruni, tue mos lan qi harrimi me ra mbi rrigët ku e shkuemja jeme
rendi, tue m'kallxu shtegun kah e tashmja.
Erdha
prap, si tue u drasht mos me u ba i huaj i njasaj andje qi më mëkoi si
tamëlytimin e çasteve qi s'kthejnë ma, njashtu edhe idhnimin e plagëve qi tue
m'dhimt lypin diçka me m'tha.
Erdha
përngut me mujt me i gjet ndezun hala zjermet e kujtimeve, edhe pse dimnat e
shirat ju ndërsyne trazimshëm pritjeve, por tue mos mujt me zhba ç'ka enda me
fijet e mallit.
Erdha
me pa e me u dvet, me miq e t'shtrenjtit, t'etershmit e t'frymshmit, me njata
zemra e shpirtna, qi janë e përditshmja e këtij qyteti. Gjithçqysh njata qi
munden me kenë motivimet që më mbajnë lidhun me dashnin e këtij qyteti, arsyen
me riardh.
Erdha,
po, me mujt me përtri n'shpirt ç'ka largsia ngulmon me e venit, i'a beha me
rrëzu ndamjen qi guxoi e na hyni në mes.
Erdha
pa çue fjalë, por tue e gjet t'shtrume sofrën e galdimeve, ku dashnia asht
dashni, fjala bahet me flatra, heshtja bzan me pëshpëritje kujtimesh, e zemra
rreh tue gufu.
Erdha
tue besu se vitet kaluen psipri gjanave dhe gjendjeve, ku mbruna çastet që më
kthejnë te njikjo ardhja, por; piktura dhe poezia, muzika e hiri, magjepsja e
mrekullimi, mbetun kanë t'pashlyme krejtkund syni mallshëm kqyr.
I'a mbërrina n'Shkodër, njaty ku, ndihem prej ajri, njaty ku mësova me ecë e me nga, me këndu e me kja, njaty ku andja m'ban me flatra, e mundem me fluturu... gazmimi.









