Albert Vataj: Fyerja që i bëhet një gruaje nga burrat
Fyerja që i bëhet një gruaje nga burrat

Fyerja
poshtëruese që i bëhet një gruaje nga burrat nuk është ajo që tingëllon si
ofendim, por ajo që maskohet si vlerësim. Po, fyerja më e pafalshme është ta
vlerësosh për atë që ka, dhe jo për atë që është. Sepse “ajo që ka” është një
dhuratë e natyrës, një përkatësi gjinore që nuk buron nga zgjedhja, por nga
ligjësitë e panegociueshme të qenies. Ndërsa “ajo që është” është një ndërtim i
thellë, një arkitekturë e brendshme që kërkon kohë për t’u njohur dhe guxim për
t’u pranuar. Nuk mund të njohësh një grua që mburret për atë që ka mes këmbëve,
siç nuk mund të mos ndjesh një lloj neverie të heshtur për burrat që e
ngatërrojnë burrërinë me një atribut biologjik, duke e shndërruar krenarinë në
një gjest banal, në një qëndrim të zbrazët, ku identiteti reduktohet në një
simbol të varfër të vetvetes. Ne jemi, pa dyshim, krijesa epshi, të udhëhequra
nga impulse që kërkojnë përmbushje, por do të ishte një padrejtësi e madhe ndaj
vetë idesë së ekzistencës që qendra e saj të vendosej aty ku nis instinkti,
duke lënë në hije gjithçka tjetër që e bën njeriun njeri
Ajo
është një fyerje që nuk bërtet për të qenë denoncuese, nuk shpërthen për të
qenë reflektuese, nuk lë gjurmë të dukshme në sipërfaqe për të qenë lëngim dhe
plagë, por është çfarë atë e gërryen në thelb, ajo që e redukton atë në një
pjesë të vetes së saj.
Një
fyerje që nuk qëndron në fjalën e rëndë, por në mënyrën se si ajo shihet, matet
dhe vlerësohet. Dhe kjo fyerje, ndoshta më e rafinuara dhe më e përhapura,
është ta vlerësosh për atë që ka, dhe jo për atë që është.
Sepse
“ajo që ka” është e dukshme, e prekshme, e menjëhershme, ndërsa “ajo që është”
kërkon kohë, vëmendje, një akt njohjeje që nuk është as i lehtë dhe as i
zakonshëm. Në këtë hendek midis të dukshmes dhe të qenësishmes lind një nga
padrejtësitë më të mëdha të përvojës njerëzore, reduktimi i qenies në funksion,
i subjektit në objekt.
Në
këtë kuptim, ajo që Simone de Beauvoir e artikuloi si “Tjetri” nuk është
thjesht një kategori filozofike, por një përvojë e përditshme. Gruaja, e parë
përmes syrit që kërkon ta zotërojë, nuk është më një qenie që ekziston për
veten, por një sipërfaqe mbi të cilën projektohen dëshirat, frikërat dhe
pasiguritë e tjetrit. Ajo nuk është më një histori, por një imazh, jo më një
vetëdije, por një funksion.
Por
ky reduktim nuk është vetëm një akt i padrejtë ndaj saj, është edhe një dëshmi
e varfërisë së atij që e kryen. Sepse ai që nuk arrin të shohë përtej trupit,
nuk është thjesht i padrejtë, ai është i kufizuar. Ai dëshmon se horizonti i
tij i perceptimit ndalet aty ku fillon kompleksiteti i tjetrit.
Në
planin psikologjik, kjo është një formë kontrolli. Të reduktosh tjetrin do të
thotë ta bësh më të parashikueshëm, më të menaxhueshëm, më pak kërcënues.
Një
grua që është vetëm trup nuk të sfidon, një grua që është mendje, vullnet,
krijimtari, po. Prandaj reduktimi është një mënyrë për të shmangur përballjen
me një subjekt të barabartë.
Në
planin anatomik, kjo është një keqlexim i trupit. Trupi nuk është identiteti,
por mediumi i tij. Organet nuk janë kuptimi, ato janë vetëm një nga mënyrat
përmes të cilave jeta shprehet.
T’i
japësh trupit statusin e thelbit është një akt i njëanshëm interpretimi, një
ideologji e maskuar si natyrë. Sepse natyra nuk flet me kategori morale, janë
kulturat që i ngarkojnë ato me kuptime.

Megjithatë,
ky nuk është një fat i njëanshëm. Edhe burri, në mënyrën e vet, bie në të
njëjtin kurth. Kur ai e ndërton identitetin mbi atributet biologjike, mbi një
ide të varfër të virilitetit. Ai nuk bën gjë tjetër veçse e redukton veten. Ai
nuk është më një qenie që krijon kuptim, por një trup që kërkon ta dëshmojë
veten. Dhe në këtë përpjekje, shpesh bëhet karikaturë e asaj që mendon se
është.
Në
planin ekzistencial, kjo është një krizë e dallimit midis të qenit dhe të
pasurit.
Erich
Fromm e ka formuluar këtë me një qartësi të rrallë, njeriu që mat veten me atë
që ka, e humbet lidhjen me atë që është. Dhe kur kjo logjikë aplikohet mbi
tjetrin, atëherë ai nuk shihet më si një qenie që ekziston, por si një objekt
që mund të zotërohet, krahasohet, konsumohen.
Kjo
është pika ku fyerja bëhet e plotë. Jo sepse trupi është i ulët, përkundrazi,
ai është pjesë e dinjitetit tonë, por sepse ai merret si e tëra. Sepse një
pjesë zëvendëson kompleksitetin, një aspekt fshin tërësinë.
Dhe
megjithatë, njeriu nuk është ndërtuar për reduktime. Ai është një shumësi, trup
dhe mendje, instinkt dhe vetëdije, dëshirë dhe kuptim. Ta zhvendosësh qendrën e
ekzistencës “mes këmbëve” është një metaforë e fortë, por ajo tregon pikërisht
këtë devijim, një përmbysje të hierarkive të brendshme, ku ajo që është mjet
bëhet qëllim, dhe ajo që është qëllim harrohet.
Kësisoj
pyetja që shtrohet nuk është se çfarë ka një grua, por çfarë është ajo në
tërësinë e saj. Dhe përgjigjja nuk mund të jepet me një shikim të shpejtë, as
me një gjykim të thjeshtë. Ajo kërkon një akt njohjeje që është njëkohësisht etik
dhe estetik, të shohësh tjetrin jo si një objekt që të shërben, por si një botë
që të sfidon.
Sepse
vetëm atëherë, kur tjetri shihet si botë dhe jo si funksion, marrëdhënia
njerëzore ngrihet mbi instinktin dhe bëhet ajo që mund të jetë, një takim i dy qenieve
që nuk reduktohen, por njihen.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi që na shpëton nga rënia, në aftësinë për
të mos e ngatërruar themelin me kulmin, mjetin me qëllimin, trupin me qenien.
Sepse fyerja më e madhe nuk është te ajo që thuhet, por te ajo që mohohet,
mohim i thellësisë, i mendjes, i shpirtit, i historisë personale që çdo grua
mbart përtej çdo përkufizimi biologjik.
Një
burrë që e sheh gruan vetëm si trup, në të vërtetë nuk e ka parë kurrë atë, ai
ka parë vetëm kufirin e vet. Dhe një grua që pranon të matet vetëm me atë që
ka, rrezikon të harrojë atë që është. Prandaj, nuk është çështje gjinie, por
çështje dinjiteti, të mos lejojmë që qendra e ekzistencës të bjerë në nivelin e
instinktit, kur ajo është thirrur të ngrihet në vetëdije. Vetëm atëherë
marrëdhënia mes burrit dhe gruas pushon së qeni një raport funksionesh dhe
bëhet ajo që duhet të ishte gjithmonë, një takim i dy qenieve që nuk maten me
atë që kanë, por me atë që janë.








