Albert Vataj: Katherine Stinson, vajza që ëndërroi pianon dhe pushtoi qiellin me guximin e një epoke të re

1h më parë


Katherine Stinson, vajza që ëndërroi pianon dhe pushtoi qiellin me guximin e një epoke të re

Përgatiti: Albert Vataj

Ajo kishte ëndrra, por edhe një shpirt gati për t'u ndeshur në agun e betejave të përmbushjes. Ka fate, si i saj dhe i shumë të tjerave, që nuk ndjekin udhën që të shpien te ëndrrat e fëmijërisë, kah shkohet. Siç, këso jete erdhën njerëz që nisen drejt një skene dhe përfundojnë duke hyrë në histori nga një derë krejt tjetër, për të mbërritur ndoshta jo tamam në destinacion. Kështu ndodhi me Katherine Stinson, vajzën që dikur dëshironte të bëhej pianiste, por që qielli e joshi më fort sesa tastiera e pianos. Ajo donte të jetonte mes tingujve, por përfundoi duke shkruar muzikën e saj në ajër, me motorë, flakë, guxim dhe fluturime që sfidonin kufijtë e kohës.

Ëndrra e saj e parë ishte arti. Për të financuar studimet muzikore, Katherine nisi të mësonte të tjerët të pilotonin avionë, në një kohë kur aviacioni ishte ende një aventurë primitive dhe e rrezikshme, më shumë afër marrëzisë sesa shkencës dhe mundësisë.

Por ndodhi ajo që ndodh shpesh me pasionet e mëdha, mjeti u bë qëllim, krahëhekurti u bënë flatrat e shpirtit. Fluturimi ia vrau ëndrrën e pianistes dhe në vend të saj lindi një tjetër identitet, ai i gruas që do të hynte në historinë e aviacionit si një nga figurat më të guximshme të fillimshekullit XX.

Në vitin 1912, vetëm 21 vjeçe, Katherine Stinson u bë gruaja e katërt në Shtetet e Bashkuara që fitoi licencën e pilotit nga Federata Aeronautike Ndërkombëtare (FAI). Në atë epokë, kur qielli konsiderohej territor mashkullor dhe gratë ende luftonin për të drejtën e votës, një vajzë e re me fytyrë engjëllore po sfidonte gravitetin dhe paragjykimin njëkohësisht.

Pas marrjes së certifikatës, ajo u kthye pranë familjes në Hot Springs të Arkansasit. Aty nisi jo vetëm një karrierë personale, por edhe një sipërmarrje familjare që do të bëhej pjesë e historisë amerikane të aviacionit. Së bashku me të ëmën, Emën, themeluan “Stinson Aviation Company”, një kompani që synonte prodhimin, shitjen dhe përdorimin e avionëve në një kohë kur aviacioni sapo kishte filluar të dilte nga faza eksperimentale. Ishte një vizion i rrallë për kohën, një familje e tërë e përkushtuar ndaj qiellit.

Në vitin 1915, familja Stinson themeloi Aeroportin Komunal Stinson dhe Shkollën e Fluturimit Stinson në San Antonio të Teksasit, një nga qendrat më të hershme të aviacionit civil në Amerikë. Nëna menaxhonte shkollën, Katherine siguronte financimin përmes shfaqjeve ajrore, vëllai Eddie punonte si mekanik, ndërsa motra Marjorie instruktonte pilotët e rinj. Ishte një dinasti e lindur mbi pistat e baltosura të aviacionit pionier.

Por Katherine nuk ishte thjesht instruktore. Ajo u bë një fenomen publik. Turmat e adhuronin për pamjen e saj rinore dhe për guximin që dukej pothuaj i pabesueshëm për një grua të asaj kohe. Mediat e quajtën “Nxënësja fluturuese” dhe “Ylli i qielltë i Amerikës”, duke krijuar rreth saj një mit ku hijeshia femërore dhe trimëria mekanike bashkëjetonin në mënyrë magjepsëse.

Në korrik të vitit 1915, në Cicero Field të Çikagos, ajo realizoi një vertikale të plotë ajrore, një nga manovrat më të rrezikshme të kohës. Dhe nuk u ndal me kaq, e përsëriti këtë çmenduri spektakli të kufinjve ekstrem afro 500 herë pa pësuar asnjë aksident. Në një epokë kur pilotët vdisnin pothuaj rregullisht gjatë eksperimenteve ajrore, ky nuk ishte vetëm talent, nuk ishte thjeshtë një dimension i ri i mundësisë, por një disiplinë e jashtëzakonshme teknike dhe psikologjike e kurorëzuar si cak ky pasioni e shpie shpirtin.

Jo vetëm kaq, ajo ishte gjithashtu ndër gratë e para që fluturoi natën. Në një prej shfaqjeve më spektakolare, Katherine fluturoi mbi Los Anxhelos me fishekzjarre të lidhura në avion dhe shkroi në qiell fjalën “CAL”, duke hyrë në histori si pionierja e parë e “shkrimit qiellor” natën. Ishte një përzierje e reklamës, teatrit dhe revolucionit teknologjik, një mënyrë për t’i treguar botës se qielli nuk ishte më vetëm hapësirë, por edhe skenë.

Në vitin 1916, ajo madje sfidoi në garë automobilistike kampionin e Indianapolis 500, Dario Resta. Ishte koha kur shpejtësia po bëhej feja e re e modernitetit dhe Katherine Stinson ishte një nga priftëreshat e saj më të devotshme.

Më 1917 ajo ndërmori një turne gjashtëmujor në Kinë dhe Japoni, duke u bërë një nga gratë e para që fluturoi në Azi. Japonezët e pagëzuan “Mbretëresha e Ajrit”, një titull që nuk i referohej vetëm aftësive të saj, por mënyrës se si ajo mishëronte idenë romantike të njeriut që ngrihet mbi tokë për të sfiduar fatin.

Më 11 dhjetor 1917, Katherine realizoi një fluturim rekord prej 610 miljesh pa ndalesë nga San Diego në San Francisko, duke vendosur një rekord amerikan distance. Një vit më pas, në Kanada, ajo u bë civilja e parë që transportoi postë ajrore nga Calgary në Edmonton. Këto nuk ishin më vetëm akrobaci spektakolare, ishin hapa konkretë drejt transformimit të aviacionit në një mjet real komunikimi dhe transporti.

Megjithatë, Lufta e Parë Botërore ndryshoi gjithçka. Me hyrjen e SHBA-së në luftë, aviacioni civil u kufizua dhe shumë shkolla fluturimi u mbyllën. Katherine u lejua të fluturonte vetëm për aktivitete bamirësie në mbështetje të Kryqit të Kuq Amerikan. Ajo tentoi të hynte edhe në shërbimin postar ajror, një nga pak sektorët civilë të mbetur aktivë. Madje aplikoi si pilote postare në linjën New York–Philadelphia dhe u pranua, por paragjykimet dhe keqkuptimet e shtypit krijuan tensione në ambientin e punës, duke e detyruar të largohej pas pak kohësh.

Më pas, ajo u nis drejt Europës si shofere ambulance për Kryqin e Kuq gjatë luftës. Ishte fundi i karrierës së saj ajrore. Lufta nuk i rrëzoi avionin, por trupin. Kushtet e rënda dhe moti i egër i Europës e sëmurën rëndë. Fillimisht gripi, më pas tuberkulozi, e kthyen gruan që dikur sfidonte retë në një paciente të gjatë sanatoriumesh.

Dhe këtu historia e Katherine Stinson merr një kthesë tragjike e poetike njëkohësisht. Gruaja që kishte jetuar mbi tokë, e detyruar tashmë të jetonte në heshtjen e dhomave të bardha të sanatoriumeve. Aviatorja që kishte pushtuar qiellin me motorë dhe flakë, luftonte tani për një frymëmarrje të qetë.

Ajo jetoi gjatë, deri në vitin 1977, duke u shuar në Santa Fe në moshën 86-vjeçare. Por jeta e saj mbeti si një metaforë e epokës së pionierëve, njerëz që u ngritën drejt së pamundurës, duke paguar shpesh me trupin dhe vetminë çmimin e guximit të tyre.

Katherine Stinson nuk mbeti në histori vetëm sepse fluturoi. Shumë fluturuan. Ajo mbeti sepse sfidoi një botë që nuk e imagjinonte dot një grua në kabinën e avionit, sepse e shndërroi qiellin në skenë të lirisë femërore dhe sepse dëshmoi se ndonjëherë njeriu nuk bëhet ai që kishte ëndërruar të ishte, por ai që guxon të bëhet pavarësisht përkatësisë gjinore.