Anton Marku: Cikël me poezi nga Anton Marku

3h më parë

Anton Marku


Dashuria është ëndërr e madhe

për t’u parë vetëm


FSHEHUR MES SHKRONJAVE


Kur u bëre e imja

mendova se do të jesh

vetëm një presje

në vargun tim


T’i arnojmë disi netët

me ndonjë puthje tinëz


Gjunjët e pamësuar me lutje

refuzonin të përkuleshin


Në diellin e parë u ktheheshim

jetëve të mëparshme

të sotmen ta shtynim për nesër


Dashuria është ëndërr e madhe

për t’u parë vetëm.


KAJSITË


Tani është radha jote

Mbathi këpucët e mia dhe nisu


ikjeve të ditëpërditshme

Pas çdo dihatje

kajsitë e vona


shtrydhi me sy

Me të njëjtët hapa

lakoje rrugën


Murgjit t’i zërë gjumi

pa e thënë

lutjen e pasdarkës.


ENIGMË


Aq lehtë

ra në rrjetë

ajo natë


Shpirti im

u zu peng

në trupin tënd


Një nga një i zhveshi

pëlhurat e tepërta


Me shi u veshën

orët tona


Uji na piu

fund e krye


Pa u zdritur mirë

më flake tutje.


Para derës mbetën

këpucët e njërit prej nesh.


MES NESH


Ishte ndër ato të rrallat

që nuk kishte arsye për ta fshehur

ndonjë fjalë nën gjuhë


Në këtë botë

nuk kishte ardhur vetëm

për t’i fërkuar duart


Në sytë e saj

nuk kishte vend

për asnjë tjetër.


LETRA E BARDHË


Desha të të shkruaj

por letra mbeti e bardhë


E ndjeva se si vjen

nga ana tjetër e hijes


Dalë nga një lumë

që po zbrazej


Asnjë mur

nuk ia arriti

ta ndalë erën


Loti im

gjeti një rrugë tjetër

për të prekur dhembjen.

Anton Marku

Vjenë, 16.05.2026