Ilir Muharremi: Drita e kujtesës

Drita e kujtesës

Në
hyrje të Institutit të Artit Bashkëkohor ARKIV, koha duket sikur ecën me ritëm
tjetër. Ish-shkolla “Vaso Pash Shkodrani”, e transformuar në një hapësirë arti
nga Sislej Xhafa në vitin 2018, ruan ende frymën e dikurshme të mësimit,
heshtjen e korridoreve dhe kujtesën e klasave që dikur mbusheshin me zërat e
nxënësve. Dyert e hapura të klasave krijojnë ndjesinë e një ecjeje ndërmjet së
kaluarës dhe së tashmes, disa dhoma janë të mbushura me vepra artistike, ndërsa
të tjerat kanë mbetur pothuajse të zbrazëta, si fragmente kujtese që refuzojnë
të zhduken plotësisht. Pikërisht kjo gjendje e ndërmjetme mes braktisjes dhe rigjallërimit prodhon një
nostalgji të heshtur, ku arkitektura e shkollës shndërrohet në pjesë të vetë
përvojës estetike. Në këtë ambient me ngarkesë të fortë emocionale dhe
simbolike, artistja Rina Krasniqi u prezantua me ekspozitën personale “Aty ku
ra drita”, kuruar nga artisti Leon Emra. Ekspozita ndërtohet mbi idenë se
historitë transformohen sa herë që rrëfehen, duke humbur ose fituar shtresa të
reja kuptimore. Krasniqi nuk kërkon të dokumentojë kujtesën në mënyrë lineare,
ajo merret me ato pjesë të saj që zakonisht mbeten jashtë narrativave të mëdha,
gjestet e vogla, përjetimet kalimtare dhe momentet që nuk ruhen në historinë
kolektive, por që në heshtje e formësojnë atë. Veprat e saj komunikojnë me vetë
strukturën e ish-shkollës. Drita që depërton nëpër klasat e vjetra, reflektimet
e zbehta në mure dhe prania e elementeve natyrore krijojnë ndjesinë e një
kujtese të fragmentuar. Në këtë ekspozitë, drita nuk është vetëm element
vizual, por një metaforë e kohës dhe e mbijetesës së kujtesës. Ajo shfaqet si
një prani e qetë, por e vazhdueshme, që reziston përballë ndryshimit dhe
harresës.
Krasniqi
ndërton një raport subtil mes hapësirës dhe kujtesës emocionale. Veprat nuk imponohen
mbi ambientin, por bashkëjetojnë me të, duke e bërë vetë ndërtesën pjesë të
narracionit artistik. Përmes kësaj qasjeje, “Aty ku ra drita” arrin të krijojë
një atmosferë meditimi, ku shikuesi nuk përballet vetëm me objektin artistik,
por edhe me përvojën personale të kujtesës, mungesës dhe kalueshmërisë së
kohës. Veprat e Rina Krasniqit ngjajnë
si fragmente kujtese që kanë mbetur pezull mes ëndrrës dhe reales. Ato nuk
kërkojnë ta pushtojnë hapësirën me zë të lartë, përkundrazi, hyjnë në heshtje,
si drita që bie ngadalë mbi muret e një klase të braktisur. Në këto imazhe,
përditshmëria nuk paraqitet si dokument, por si një gjendje shpirtërore. Një
tavolinë, një makinë, një dritare, një lule të gjitha bëhen dëshmi të vogla të
ekzistencës njerëzore, sikur artistja të përpiqet të shpëtojë nga harresa atë
që zakonisht kalon pa u vënë re. Duket si një poezi e qetë në mënyrën se si ajo
organizon ngjyrat dhe objektet. Kompozimet janë të mbushura me jetë, por edhe
me mungesë. Ato bartin ndjesinë e një bote të banuar dikur, ku njerëzit sapo
janë larguar dhe kanë lënë pas gjurmët e tyre, një karrige të shtyrë lehtë, një
bimë pranë dritares, një dhomë që ende ruan temperaturën emocionale të
kujtimeve. Pikërisht këtu qëndron forca e veprës së Krasniqit në aftësinë për
ta kthyer të zakonshmen në meditim mbi kohën.
Motivet
florale, të përsëritura mbi mur, krijojnë një ritëm pothuaj metafizik. Lulet
nuk janë vetëm zbukurim, ato duken si shenja të kujtesës që refuzojnë të
zhduken. Përsëritja e tyre prodhon ndjesinë se kujtesa njerëzore funksionon në
mënyrë ciklike, rikthehet vazhdimisht te të njëjtat imazhe, te të njëjtat
ndjenja, duke kërkuar një formë mbijetese përballë kalueshmërisë.
Në
pikturat e saj, koha nuk është lineare. E shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë
në të njëjtën sipërfaqe. Interieret urbane, objektet e zakonshme dhe ngjyrat e
ndezura krijojnë një tension mes intimes dhe kolektives, mes kujtimit personal
dhe memories së një qyteti. Shikuesi nuk përballet vetëm me një imazh, por me
një gjendje të brendshme, me ndjesinë se çdo hapësirë ruan një kujtesë të
fshehtë, edhe kur njerëzit mungojnë. Në veprat e kornizuara dallohen kompozime
të ndërtuara me kujdes, ku hapësira, objekti dhe figura bashkëjetojnë në një
mënyrë të rregulluar, por jo të ftohtë. Ka një ndjesi të qartë të skenës së
jetuar: karrige, tavolina, dritare, ndërtesa, makina, bimë, brendësi shtëpie.
Këto elemente nuk paraqiten vetëm si motive vizuale, por si gjurmë të një
historie të përditshme. Kjo e vendos artin e Krasniqit në një zonë ku kujtimi
personal dhe ambjenti social ndërthuren pa u shpërndarë në abstraksion të
pastër.
Në
këtë kuptim, arti i Rina Krasniqit është një reflektim mbi brishtësinë e
përvojës njerëzore. Ajo na kujton se jeta nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet e
mëdha, por nga ato çaste të vogla që drita i prek për një moment dhe më pas i
lë të zhduken ngadalë në heshtje.












