Jahja Drançolli: Anekdota e Dhëmbit të Artë...

1h më parë

Anekdota e Dhëmbit të Artë: “Duhet forcë për t’i bërë ballë përroit, por jo për ta ndjekur atë.”, një lidhje me të sotmën tonë!

Historia e dhëmbit të artë të një fëmije shtatëvjeçar, me origjinë nga “Histoire des Oracles” (“Historia e Orakujve”) e autorit Bernard le Bovier de Fontenelle (1687), e cituar këtu siç gjendet në "La Crise de la conscience europeen" (Kriza e Mendjes Europiane 1680-1715) të Paul Hazard!

Nga Jahja Drançolli

Një pjesë e konsiderueshme e qendrave europiane e njohin historinë e "Dhëmbit të Artë", një histori argëtuese, e konceptuar mirë dhe plot kuptim. Le ta lexojmë edhe një herë, sepse mësimi i saj nuk vjetërohet kurrë, dhe ndërsa lexojmë le të kujtojmë ndjesinë që krijoi kur u shfaq për herë të parë. Fontenelle në "Histoire des Oracles" (1687) duket se edhe sot po shijon një zbavitje të vogël të padëmshme, në realitet ai ka prekur më pas tre tema me interes të thellë njerëzor: Shkencën, Historinë/Politikën dhe Fenë!

Në vitin 1593, raporti bëri të ditur se, diku në Silesia (rajon historik i vendosur kryesisht në atë që sot është Polonia), një fëmijë shtatëvjeçar kishte humbur të gjithë dhëmbët e tij, por se njëri nga molarët që mungonin ishte zëvendësuar nga një tjetër, i gjithi prej ari. Në vitin 1595, një person i shquar, Jacob Horstius (1537-1600), Profesor i Mjekësisë në Universitetin e Helmstadit (Gjermani), shkroi një përshkrim të këtij dhëmbi, duke e dhënë si mendimin e tij se ishte pjesërisht natyral, pjesërisht i mrekullueshëm, duke deklaruar se Zoti ia kishte dhuruar fëmijës për të ngushëlluar të krishterët shkroi në vitin 1595 historinë e këtij dhëmbi dhe pretendoi se ishte pjesërisht natyral dhe pjesërisht i mrekullueshëm, dhe se i ishte dërguar nga Zoti këtij fëmije, për të ngushëlluar të krishterët që në atë kohë ishin të prekur nga fushatat osmane. Vërtet, një lloj ngushëllimi i çuditshëm! Dhe çfarë shqetësimi mund të kishte ky dhëmb për të krishterët ose osmanët? Po atë vit, në mënyrë që Dhëmbi i Artë të mos u mungonte historianëve, Martin Rullandus shkroi një tjetër përshkrim të tij. Dy vjet më vonë, Ingolsteterus (Ingolstetter), një tjetër njeri i ditur, shkroi një vepër në të cilën kundërshtoi pikëpamjet e Rullandusit mbi Dhëmbin e Artë, pas së cilës Rullandus doli me një përgjigje të hollësishme dhe erudite. Një person tjetër i shquar, i quajtur Andreas Libavius, mblodhi dhe renditi të gjitha pohimet që ishin paraqitur në lidhje me dhëmbin, të cilave u bashkëngjiti një teori të vetën. Këto vepra ishin të gjitha shumë mbresëlënëse; Vetëm një gjë mungonte dhe kjo ishte një provë e qartë se dhëmbi ishte prej ari. Kur iu dorëzua një argjendari për ta ekzaminuar, ai zbuloi se një copë fletë ari ishte vendosur me një shkathtësi të mahnitshme mbi dhëmb. Së pari u shkruan librat rreth tij; më pas, ekzaminimi nga një ekspert nga argjendari.

Asgjë nuk është më natyrale sesa të bësh të njëjtën gjë me çdo lloj argumenti. Nuk jam aq i bindur për injorancën tonë rreth gjërave që ekzistojnë dhe për të cilat nuk e dimë arsyen, sa për gjërat që nuk ekzistojnë dhe për të cilat gjejmë një arsye. Kjo do të thotë që jo vetëm që na mungojnë parimet që çojnë te e vërteta, por kemi edhe të tjera që i japin vetes mundësinë për të qenë të pavërtetë.

Tre çështjet me shqetësim të Thellë Fontenelle e përdori këtë histori për të ilustruar se sa lehtë qeniet njerëzore ndikohen nga dëshira për të mrekullueshmen dhe mbinatyrshmen. Shkenca: Historia tregon se vëzhgimi empirik duhet t'i paraprijë shpjegimit teorik. Studiuesit krijuan teori komplekse për një fenomen që në fakt nuk ishte aspak një fenomen  (Fizikanët e mëdhenj kanë zbuluar me sukses pse vendet nëntokësore janë të ngrohta në dimër dhe të ftohta në verë: fizikanët edhe më të mëdhenj kanë zbuluar së fundmi se nuk është kështu). Historia: Fontenelle vë në dyshim besueshmërinë e rrëfimeve historike. Ai sugjeron që nëse të ashtuquajturit ekspertë mund të mashtrohen nga një mashtrim i thjeshtë, historianët ka të ngjarë të jenë po aq naivë, paragjykues ose të informuar dobët (Duhet hetuar dikush që ishte një vëzhgues i paanshëm, indiferent dhe i zellshëm). Religjioni: kur shkruhet për ngjarje fetare, është mjaft e vështirë, varësisht nga qëndrimi i dikujt, të mos i atribuosh një feje të rreme avantazhe që nuk i meriton, ose t'i japësh fesë së vërtetë avantazhe të rreme që nuk i nevojiten. Megjithatë, duhet të jemi të bindur se askush nuk mund t’i shtojë kurrë të vërtetë asaj që është tashmë e vërtetë, as t’i shtojë të vërtetë asaj që është e rreme.

Burimi: Bernard le Bovier de Fontenelle, (1657-1757). The History of Oracles, botuar në vitin 1687 në Francë "me privilegj mbretëror"; ribotim i vitit 2024: Shs Editions.

Etiketat: Jahja Drançolli