Driton Gashi: Adieu, Basil Schader!

3h më parë

ADIEU, BASIL SCHADER!

(1951 - 2026)

Nga Driton Gashi

Ka ndërruar jetë një njeri i madh i epokës sonë, profesori i nderuar zviceran Basil Schader!

Një gjeni i filologjisë gjermane, letërsisë, didaktikës dhe metodologjisë së gjuhëve të huaja!

Një albanolog i shkëlqyer!

Një autor dhe përkthyes letrar dhe mbi të gjitha

një njeri me vlera dhe virtyte të larta!

Krenohem që pata fatin ta njoh e të bashkëpunoj me profesor Basilin!

Për ta nderuar jetën dhe veprën e tij, po e postoj  këtu intervistën e plotë të botuar në librin tim "Njerëz" (Idea Multimedia, Prishtinë 2025).

"Shqiptarët janë të integruar për bukuri dhe japin kontribute tepër të vlefshme për shtetin dhe shoqërinë zvicerane!"

Intervistë e profesor Basil Schader-it

profesor i gjermanishtes, albanolog, autor, përkthyes e kritik letrar

Profesor i nderuar, së pari ju falënderoj shumë për gatishmërinë dhe vullnetin për të më dhënë intervistën!

Shqiptarët e të gjitha trevave kanë respekt të madh për atdheun tuaj, Zvicrën. Bile, disa i kanë thurur edhe vargje poezie, duke e shprehur në këtë formë letrare lidhjen e jashtëzakonshme emocionale që e kanë.

Poeti i njohur pogradecar, Agim Shehu, e shfaq admirimin e tij ndaj Zvicrës në poezinë vijuese:

NXËNËSIT ZVICERANË

„Ecin drejt shkollës

me Pestalocin në mendje

dhe Rusoin në zemër,

nën Harkun diellor të Vilhelm Telit.

Në vend të *mollës* mbi kokë

për t'u gjuajtur,

nxënësja ka një fjongo të kuqe

që ia ndjekin me zili fluturat.

Në oborre lozin si çamarrokë

e në klasë rrinë si burra shteti.

Në pushim bredhin mes blerimit

e bëjnë buqetë

me tërë ngjyrat e kantoneve.

Te punonjësja e thjeshtë e shkollës

nderojnë dhe Presidentin e shtetit".

Një poet anonim shpalos këto emocione:

Poezi për Zvicrën

(...)

„Ky vend, pa të cilin s'e di si do të jetoja,

e poezi për atdheun nuk e di a do të mund të shkruaja...

ky vend i lulishteve,

i ajrit të pastër e gjelbërimit pa fund,

sa i qetë nga jashtë

e sa shumë vlon nga brenda..."

(...)

Çfarë ndjenjash keni dhe çfarë përjetimesh ju bien në mend, kur lexoni poezi të tilla?

Në njërën anë ndihem krenar që një poet i njohur shqiptar, si Agim Shehu, gjen fjalë aq lavdëruese për Zvicrën, sidomos për nxënësit zviceranë. Nga ana tjetër, ato vargje më duken larg realitetit dhe tepër idealizuese. Edhe para 50 vjetëve (sepse ndoshta poeti i ka shkruar atëherë), nxënësit tanë kishin në mendje e në zemër çfarëdolloj sendesh, por sigurisht jo Pestalocin dhe Rusoin. Të njëjtin idealizimin tregon edhe poezia e dytë, e cila e përshkruan Zvicrën me disa klishe si një vend bukolik i së kaluarës dhe nuk ka të bëjë shumë me realitetin e shoqërisë sonë të industrializuar, shumëkulturore dhe jo rrallë konfliktuoze.

A ju kujtohet kur jeni takuar për herë të parë me shqiptarët në Zvicër? Si tingëllonte atëherë gjuha shqipe për veshin tuaj? Cilat ishin përshtypjet tuaja të para?

Kontaktet e para me shqiptarët i lidha në fillim të viteve 1990, në kuadër të një projekti për një libër mësimi. Kërkoja një bashkëpunëtor shqiptar të kualifikuar dhe e gjeta te personi Femzi Braha, me të cilin e botova librin "Shqip" në vitin 1996. Shqipen atëherë nuk e flisja, mirëpo tingulli i saj më pëlqente shumë. Po aq shumë më pëlqeu përzemërsia dhe mikpritja e shqiptarëve, të cilët më kanë pranuar prej fillimit si një partner të barabartë.

Ju jeni profesor i gjermanishtes dhe keni punuar me dekada të tëra në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zürich. Jeni specializuar në fushën e mësimdhënies, të didaktikës së gjuhëve, studimeve ndërkulturore dhe fenomenit të dygjuhësisë e shumëgjuhësisë. Si lindi ideja dhe vullneti i madh për ta mësuar gjuhën shqipe, të cilën ju e flisni dhe e shkruani në nivelin më të përsosur akademik?

Lidhur me punën time si didakt i gjuhës kisha shumë dëshirë dhe motivim për të mësuar një tjetër gjuhë të re, kështu që të mund t'i kuptoja më mirë problemet e nxënësve që mësojnë gjermanishten si gjuhë të dytë. Duke marrë parasysh numrin e madh të shqiptarëve në Zvicër, dhe kontaktet e mia me shumë shqiptarë, e kisha të qartë që do ta mësoja shqipen – aq më shumë sa ajo më pëlqen shumë dhe është edhe një gjuhë shumë interesante nga ana linguistike.

Keni kryer edhe doktoraturën në fushën e albanologjisë në Universitetin e Tiranës. Cilat kujtime nga ajo kohë janë ngulitur në mendjen tuaj? A i njohët më mirë shqiptarët gjatë studimeve në Shqipëri?

I kreva studimet në Tiranë si "studime në distancë" (Fernstudium), d.m.th. isha në Tiranë për ca ditë çdo 2-3 muaj. Atje jam njohur edhe me akademikun, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, tek i cili e përfundova doktoraturën time të dytë. Tema ishin kompetencat dhe praktika gjuhësore të nxënësve shqiptarë në Zvicër. Me prof. Gjovalinin dhe bashkëshorten e tij jemi miq familjarë prej vitesh, përveç atij u njoha edhe me shumë njerëz të tjerë.

Ju e keni privilegjin e këndvështrimit nga jashtë, do të thotë që si qytetar zviceran, por edhe si shkencëtar e keni distancën e duhur për t'i vlerësuar veçantitë e shqiptarëve. Nëse dikush nga miqtë tuaj ju pyet se si janë shqiptarët, çfarë mendësie kanë, çka i karakterizon ata etj., çfarë përgjigjeje do të kishit për ta?

Do t'i thosha që nuk mund të flitet për shqiptarët në përgjithësi, sepse shoqëria e tyre është po aq heterogjene si ajo e Zvicrës. Si tipar të përbashkët do ta përmendja përzemërsinë, ngrohtësinë, zemërgjerësinë dhe mikpritjen e tyre, si dhe gatishmërinë për përkrahjen dhe interesin e tyre për çka ndodhet jashtë Shqipërisë.

Zvicra shquhet për stabilitet politik e mirëqenie të lartë ekonomike, për siguri, për solidaritet, mbrojtje e strehim të refugjatëve nga mbarë bota, për arsimim të mirëfilltë, për shkencë, letërsi e art, për kulturë të lartë pune, për shëndetësi e kushte të mira për të moshuar, për kujdesin e respektin ndaj trashëgimisë kulturore, për mbrojtje të ambientit, për bukuritë natyrore, për shumëllojshmëri etnike, fetare dhe gjuhësore, për tolerancë dhe pranim të të qenit ndryshe etj. Cilat tipare tjera të vendit tuaj do t'i shtonit ju?

Paskeni përmendur vetëm tipare pozitive, nganjëherë bile pak të klishuara. Do t'u shtoja problemet e shumta që Zvicra u krijon mërgimtarëve për sa i përket integrimit dhe përkrahjes, p.sh. në mësimin e gjuhës të vendit. Edhe sistemi ynë shkollor ka mjaft pika që mund dhe duhet të përmirësohen sidomos duke marrë parasysh nxënësit me prejardhje të huaj. Më në fund, do të dëshiroja nga zemra më shumë tolerancë, më shumë përpjekje për bashkimin dhe integrimin e shoqërisë, si dhe më pak racizëm.

Përveç ligjërimit dhe studimeve në lëndët tuaja akademike, ju keni hulumtuar edhe aftësitë gjuhësore të fëmijëve mërgimtarë dhe keni hartuar mjete mësimore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në mërgatë. Nëse mund t'i krahasoni njohuritë e gjuhës standarde shqipe të gjeneratës së parë të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër me brezin e ri, çfarë bie në sy?

Brezi i parë zakonisht është shkolluar në vendin e prejardhjes dhe di të lexojë e të shkruajë në gjuhën amtare. Kurse te brezat e mëvonshëm kompetenca në gjuhën amtare është shpeshherë e kufizuar në përdorimin e gjuhës amtare vetëm në të folurit dhe në dialekt. Një përjashtim bëjnë fëmijët që e ndjekin mësimin plotësues në gjuhën e tyre amtare. Numri i tyre, për fat shumë të keq, është shumë i vogël në Zvicër; mund të flasim për më pak se 10%. Sikur mësimi plotësues do të ishte integruar më mirë në sistemin shkollor, kjo situatë do të ndryshohej dhe potenciali shumëgjuhësor i nxënësve mund të shfrytëzohej më shumë – për të mirën e tyre, por edhe të Zvicrës.

Jeni përkrahës i madh i shkollës shqipe në Zvicër dhe gjithandej në mërgatën shqiptare. Si filloi dhe si u zhvillua konkretisht mbështetja juaj me një përkushtim aq të madh, si dhe bashkëpunimi me mësimdhënësit shqiptarë në mërgatë dhe me institucionet përkatëse në trevat shqiptare?

Ky angazhim filloi në kuadër të projektit që përmenda lart, d.m.th. të librit "Shqip". Atë e parashikova sidomos për klasat shumëgjuhësore, mirëpo pastaj kam parë që ky libër përdoret edhe shumë shpesh në mësimin plotësues shqip. U interesova për këtë mësim, bëja vizita nëpër shkolla dhe fola me shumë mësues dhe mësuese. Kam parë që mësimi plotësues është diçka me shumë vlerë (këtë e verifikova në një studim shkencor), mirëpo që ai nuk përkrahet dhe integrohet si duhet nga sistemi shkollor zviceran. Kam parë po ashtu që tekste dhe mjete mësimore aktuale mungojnë shpesh dhe që mësuesit dhe mësueset e mësimit plotësues nuk kanë informacione të nevojshme për sistemin shkollor zviceran. Atëherë u nisa me angazhimin tim për përmirësimin e kësaj situate.

Sa i përket gjuhës gjermane, si e flasin atë shqiptarët në Zvicër? Po aftësitë gjuhësore në të shkruar, në çfarë niveli janë (nëse mund të jepet një përshkrim i përgjithshëm)?

Një vlerësim i përgjithshëm nuk mund të jepet, sepse ndikojnë shumë faktorë, si gjendja socio-ekonomike, niveli i arsimimit e familjes etj., etj. Një vështirësi për të gjithë të huajt është patjetër që gjermanishtja në pjesën gjermanishtfolëse përdoret në trajtën dialektore (zvicerançe), e cila dallon mjaft prej gjermanishtes letrare siç ajo përdoret në shkollë dhe për shkrim dhe lexim. Dallimi i të dy trajtave mund të krahasohet me atë në mes të gegërishtes dhe gjuhës letrare shqipe.

Cilët faktorë luajnë rolin më të madh në mësimin e një gjuhe të re?

Nëse flasim për fëmijët e të rinj/të reja, do të përmendja në radhë të parë integrimin, d.m.th. që të kesh miq dhe mikesha që e flasin gjuhën e re, pastaj përkrahja nga prindërit dhe nga mësuesi/mësuesja, si dhe nga sistemi shkollor, p.sh. përmes orëve mësimi të veçanta për gjermanishten si gjuhë të dytë. Ka një varg faktorësh të tjerë, të cilët nuk mund t'i përmend të gjithë.

Profesori dhe miku juaj i çmuar, akademik Gjovalin Shkurtaj, shpreh brengën dhe kritikën e tij, si vijon:

„Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë anglishten e gjuhë të tjera të huaja. Kjo duhet vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë- shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa mëtojmë (dhe arrijmë përherë e më shumë) të flasim dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera."

(Prof. Gjovalin Shkurtaj, marrë nga intervista për gazetën "Ex-Libris", maj 2022.)

Si e komentoni ju këtë mendim të profesor Shkurtajt?

Jam plotësisht dakord me mikun tim të shtrenjtë, akademik prof. dr. Shkurtaj. Edhe mua më vjen tepër keq kur shoh sa keq e plot gabime shkruajnë shumë të rinj/të reja shqiptarë, edhe pse përveç kësaj janë tepër të zgjuar dhe inteligjentë. Mjeti më i mirë patjetër për t'iu shmangur këtij rreziku është mësimi plotësues, mirëpo do të ishte shumë mirë po të ekzistonin edhe kurse, p.sh. për studentë/studente në universitet. ­– Këtë nuk e them si konservator ose purist fondamentalist, sepse e kam të qartë që secila gjuhë në rrjedhën e kohës ndryshon. Mirëpo inkompetenca e shumë shqiptarëve në shkrim dhe në gramatikë është përtej këtij ndryshimi, është më shumë një shenjë degradimi.

Përveç botimeve të shumta shkencore dhe të mjeteve mësimore, ju shkruani edhe poezi, kritika letrare, si dhe përktheni vepra letrare nga gjuha shqipe në gjermanisht. Vitin e kaluar keni botuar librin poetik „Wo man sich noch Gevatter sagt", vjersha me motive baritore, të cilat i përkasin një zhanri të lashtë letrar. Kjo vepër është pritur shumë mirë dhe është vlerësuar në fejtonet e gazetave prestigjioze. Cili ishte frymëzimi juaj për të shkruar poezi të tilla dhe si mund t'ia përshkruani lexuesit shqiptar gjenezën dhe misterin e tyre?

Më keni nderuar së tepërmi, i dashur! Libri im me poezi vërtet nuk është një bestseller dhe nuk kam parë më shumë sesa dy recensione. Sidoqoftë, unë e dua poezinë baroke me metrikën e saj të rreptë. Përveç kësaj, këto poezi më kanë lejuar të merrem me shumë tema dhe t'i trajtoj me humor. Kështu që përpunimi i këtij libri më ka gëzuar shumë.

Merreni edhe me përkthime letrare nga shqipja në gjermanisht. A ka interes për letërsinë shqiptare në hapësirën gjermanishtfolëse? Cilat janë sfidat që duhet të përballojë përkthyesi letrar? A kemi përkthime me vlerë nga shqipja në gjermanisht? Cilin autor shqiptar do ta përkthenit me dëshirë dhe për çfarë arsyeje?

Interes për letërsinë shqiptare ka në vendet gjermanishtfolëse, shih një varg librash sidomos nga shkrimtaret e reja që janë botuar në 20 vjetët e fundit. Sidoqoftë, konkurrenca nga ana e letërsisë gjermane dhe nga gjuhët e tjera është shumë e fortë, kështu që është shumë vështirë të gjesh një botues.

Besoj se ekzistojnë përkthime shumë të mira e të vlefshme nga shqipja në gjermanisht, p.sh. nga pena e Joachim Röhm-it, i cili përktheu shumë libra të Ismail Kadaresë. Personalisht do të kisha dëshirë të përktheja edhe një roman të Fatos Kongolit, prej të cilit kam përkthyer dy libra.

Sipas Zyrës Federale Statistikore, në Zvicër jetojnë rreth 300.000 shqiptarë nga të gjitha trevat. Bazuar në hulumtimet tuaja shkencore, përvojat dhe kontaktet e shumta që keni, a mund të na jepni një konstatim se ku gjendet komuniteti shqiptar në Zvicrën e sotme? A mund të flasim për integrim të mirëfilltë? Po për participim politik e shoqëror? Si qëndron puna me identifikimin emocional me Zvicrën si vend të tyre?

Besoj se gati kudo në Zvicër jetojnë shqiptarët. Në disa krahina ata vijnë sidomos nga Maqedonia e Veriut, në disa të tjera nga Kosova. Shumë prej tyre e kanë pasaportën zvicerane, janë të integruar për bukuri dhe japin kontribute tepër të vlefshme për shtetin dhe shoqërinë zvicerane. Edhe në zgjedhje gjenden gjithnjë e më shumë emra të kandidatëve ose kandidateve shqiptare. Besoj që sidomos ata që janë bërë shtetas zviceranë identifikohen shumë me Zvicrën, sepse këtu zakonisht kanë perspektivë më të mirë sesa në atdhe. Një gëzim i madh është që gjithnjë e më shumë prej tyre bëjnë karriera shumë të mira, bëhen mjekë nëpër spitale ose zënë pozita të rëndësishme në industri dhe në banka.

Së bashku me bashkëshorten tuaj, Erica Schader, ndjesë pastë, jeni angazhuar shumë për t'ju ndihmuar fshatrave të varfra të Lezhës në Shqipëri. Keni gjetur sponsorë të shumtë, të cilët kanë mundësuar meremetimin e disa shkollave. Si lindi ideja dhe si u zhvillua ajo konkretisht? Çfarë përjetimesh keni nga ky aktivitet humanitar? A mund t'i mbani gjallë kontaktet me popullatën vendëse? Si e pritën ata këtë ndihmë aq të madhe nga ju dhe bashkëshortja juaj?

Shumë thjesht: në vitin 1996 kemi vizituar për herë të parë Shqipërinë, ndërsa një mik yni punonte në Spitalin e Lezhës. Me të kemi shkuar në Torovicë dhe pamë mjerimin e atjeshëm tepër prekës. Menjëherë vendosëm të angazhohemi për shkolla në Torovicë dhe pastaj edhe në Balldren dhe Kolajak. Për fat të mirë kemi gjetur sponsorë zemërmëdhenj. Kontaktet i mbaj gjallë sidomos përmes internetit, sepse në vitet e fundit udhëtimet nuk ishin të mundura. Çdo vit i përkrahim shkollat e atjeshme me një shumë të kufizuar, për çfarë kolegët tanë të atjeshëm janë shumë mirënjohës. Me shumë prej tyre jemi bërë miq të vërtetë, çdo takim është një gëzim i madh.

E vizitoni shpesh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut e viset e tjera shqiptare? Si e shihni ju zhvillimin e përgjithshëm që është bërë gjithandej? Çfarë duhet vepruar më mirë?

Prej vitit në vit duken përparime sa u përket rrugëve, shtëpive, turizmit etj. Besoj se ka shumë zhvillim; ende më shumë do të kishte nëse s'do të kishte korrupsion. Besoj se këtij ndryshimi i duhet shumë kohë, por besoj po ashtu që me gjeneratat e reja situata do të stabilizohe

Cila këngë shqiptare ju ka pëlqyer që në dëgjim të parë?

Pyetje e vështirë! Ka aq shumë këngë shqiptare që më pëlqejnë fort, saqë nuk mund të caktoj "favoritin" tim. Aq më pak, sa shpeshherë e njoh melodinë, por jo titullin e këngës. Më falni!

I nderuari profesor, faleminderit shumë!