Fran Gjoka: Viron Kona - Kolipoçi shkon urgjent në bashki
Mesazhe mbresëlënëse të librit “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, të shkrimtarit Viron Kona

I njohur
veçanërisht për personazhin e tij simpatik dhe të dashur për fëmijë, Bubulino dhe
aventurat e tij tërheqëse, shkrimtari Viron Kona vjen përpara lexuesve të
vegjël me një personazh tjetër po aq simpatik, me Kolipoçin, të cilin shoqet
dhe shokët e tij të vegjël të lagjes “Pranvera”, e kanë ngarkuar të shkojë të takojë
kryetarin e bashkisë së qytetit dhe ai të
zgjidh një problem që preokupon fëmijët...
Shkrimtari
Kona e njeh mirë botën e fëmijëve, ndaj ai shkruan me realizëm e vërtetësi për
botën e tyre. Në këtë libër, ai i merr artistikisht në mbrojtje fëmijët dhe
sikur na thotë: “Kujdesuni për fëmijët, mos harroni se ata janë më të dashurit
tanë! Ata
janë vazhdimi ynë, e ardhmja e vendit. Ata jetojnë dhe ekzistojnë sot, ata
rriten dhe zhvillohen çdo ditë përpara
syve tanë, jeta e tyre nuk është vetëm e nesërmja, por ajo, në radhë të parë,
është e sotmja, e tashmja. S`ka pse i imponojmë fëmijës kapërcimin e
menjëhershëm të “shkallëve” të jetës, ndërkohë që prindi s`duhet të harrojë fëmijërinë
e tij, dhe ashtu si ai dikur, edhe fëmija sot dëshiron të argëtohet,
të luaj, të plotësojë disa
dëshira e kërkesa; atij i pëlqen të bisedojë
dhe të qesh me shokët e shoqet, do që të bëhet interesant dhe të
dallohet me dijet dhe shkathtësitë, ai dëshiron
të imitojë aktorë të mëdhenj,
këngëtarë të mëdhenj, shkencëtarë të mëdhenj, eksploratorë të mëdhenj,
sportistë të mëdhenj…Ai do që të
bëhet “dikushi”, dhe, ne kësisoj, e gjithë shoqëria dhe prindërit, kemi për
detyrë të respektojmë zgjedhjen, dëshirën dhe ëndrrën e fëmijës. Jeta, me të
vërtetë që nuk është ëndërr, por ëndrrat e mbajnë jetën, shpesh nga
ëndrrat fillojnë gjërat e mëdha.
Fëmijës t`i krijojmë kushte, qoftë edhe
me sakrifica, jo me paternalizëm, por me edukim të vazhdueshëm përmes veprës,
përmes shembullit më të mirë, që ai, të gjej vetveten, të orientohet drejt, të
lëvizë me guxim dhe iniciativë në “skenën” e jetës, të tregohet origjinalë, të
tregojë aftësitë dhe talentin e vetë. Ai është fëmija ynë dhe, ne, t`i krijojmë
atij kushte që ta jetojë të plotë fëmijërinë e tij.
Kolipoçi me
një çantë të madhe shkon në bashki dhe kërkon me ngulm që të takojë kryetarin e
bashkisë dhe t`i shpreh atij shqetësimin
që kanë fëmijët e lagjes “Pranvera”.
-Ku po shkon me kaq nxitim, o Kolipoç?
-Në bashki.
-Ç ‘punë ke ti në bashki?
-Kam një problem urgjent, vetëm kryetari i bashkisë mund të ma zgjidhë!
Në çantën e
tij ai mban dhjetëra letra, të cilat duhet t`i lexojë kryetari i bashkisë, në mënyrë që t`u zgjidh fëmijëve
shqetësimin që ata kanë: Kompania e ndërtimit me emrin “Qiellorja”, të mos ua marrë fëmijëve
fushën ku ata luajnë, ngaqë kërkon që të ndërtojë në atë fushë një
qiellgërvishtës. Kësisoj, fëmijët janë të detyruar të gjejnë sheshe
lojërash në rrugë e rrugica, në tarraca pallatesh, në sheshe të ngushtë, ku
lëvrijnë dhjetëra njerëz e makina. Ata, doemos që do të luajnë diku, atyre
s`mund t`ua ndalë askush lojën: në radhë të parë mësimet, por edhe argëtimi,
janë pjesë të rëndësishme të jetës së tyre.
Shkrimtari
ynë e zhvillon drejt këtë temë të thjesht në dukje, por shumë të ndjeshme për
fëmijët. Ai e shkruan me sinqeritet dhe
me dashuri për fëmijët dhe duket sikur thotë: “Mos harroni kërkesat dhe
dëshirat e fëmijëve! Kujtoni fëmijërinë
tuaj! Fëmijët kanë të drejtat e tyre, të cilat duhen mbrojtur”.

-Çudi, o Kolipoç,-i thotë vogëlushit specialistja e
artit,- mua më duket se ka rënë shumë interesimi për librin... fëmijëve u kanë
mbetur sytë dhe mendja vetëm te celularët. S’kam kundërshtim që t’i shikojnë
celularët, por çdo gjë e ka një masë, s’duhet të teprohet. Si thua ti, Kolipoç,
kam apo s’kam të drejtë në këto që po them?
-Po, zonjë, keni shumë të drejtë. Celulari ka shumë
vlera, ai edhe na ndihmon, edhe na argëton, ne vërtet që s’e heqim dot nga
dora, por libri është përhapësi më i madh i dijeve
njerëzore...
Ndërkaq, Kolipoçi tregon se te hyrja e
shkollës, një shitës shiste fara luledielli. E sillte kazanin e mbushur plot e
përplot me fara në mëngjes dhe, kur mbaronte mësimi, kazani ishte krejt i boshatisur. Nxënësit përtypin gjithë ditën
fara luledielli, në vend që të “përtypin” libra.
Siç shkruan
autori, “nuk është e lehtë të takosh një kryetar bashkie.”, ndaj në mënyrë mjaft domethënëse, Viron Kona, këtë
ide e shpalos edhe në bashkëbisedën e heroit të librit, Kolipoçit me zyrtarin
burokrat të bashkisë, i cili e pengon që të shkojë e të takoj kryetarin e bashkisë,
madje ai kërkon që ta zbojë se gjoja vogëlushin e kërkojnë prindërit. Por
Kolipoçi do që të arrijë qëllimin e tij,
ndaj reagon çdo herë me zgjuarsi dhe me argumente bindëse:
-Më fal që po
të pyes, por, ti zotëri nuk ke qenë asnjëherë i vogël? - e pyeti Kolipoçi.
-Sigurisht,
unë s`kam lindur burrë i madh!
-E po, kur ti
ishe i vogël, kështu do të doje të silleshin të rriturit me ty!? Unë besoj që
kur ke qenë fëmijë, dikush s’i ka dëgjuar kërkesat e tua për të luajtur e për
t`u argëtuar, apo jo? Dikush me siguri atëherë të ka thënë: “Qepe gojën dhe mos
bëj fjalë! Ne kemi halle të mëdha, po na nxjerr koka tym nga hallet që kemi,
kurse ty të është bërë mendja fushë futbolli dhe top!” Më thuaj të drejtën, të
ka ndodhur ndonjëherë ndonjë gjë e tillë?
Ky dialog e
bën nëpunësin burokrat që edhe ai të kujtojë episode dhe ngjarje nga fëmijëria
e tij, ndaj dhe, në fund ai e lejon vogëlushin të futet te zyra e kryetarit të
bashkisë.
Dialogët dhe
batutat e librit rrjedhin fare natyrshëm, teksa ne, si lexues të rritur ato na vënë
në mendime, madje na bëjnë shpesh herë
të mbajmë qëndrim kritik ndaj vetes sonë, por dhe të nxjerrim mësime për t`u
krijuar fëmijëve hapësirat e nevojshme që ata të jetojnë fëmijërinë e tyre.
Libri vijon
me pjesën ku Kolipoçi mirëpritet nga kryetari dhe zhvillon me të një bisedë
mbresëlënëse dhe interesante.
Janë
tërheqëse vizatimet e thjeshta të shoqeve e shokëve të Kolipoçit, të cilat
vogëlushi ia tregon kryetarit e ku fëmijët vënë në lojë përdorimin pa fre të celularit
dhe braktisjen e librit.
Lexuesi i
vogël, mëson se Kolipoçi jo vetëm që përfaqëson mendimin e shumë shoqeve dhe
shokëve të tij të vegjël, por ai ka shokë edhe Bubulinon, personazhin e njohur
të fëmijëve. Autori u kujton lexuesve të
vegjël se Bubulinoja vijon me ëndrrat dhe dëshirat e tij, të cilat ai do që t`i
bëjë realitet. Ai doemos do të jetë i pari që do të shkojë në planetin Mars,
por, tashmë që në rend të ditës është ngrohja globale, ai dhe ekspedita që ai
drejton ka nisur punën kundër ngrohjes
globale, duke bërë atë që mund të bëjnë fëmijët, të mbajnë pastër mjediset, të
mbjellin sa më shumë pemë, të cilat siç dihet bëjnë të mundur pastrimin e ajrit
nga ndotjet dhe nga gazi karbonik apo dhe gazrat e tjerë.
Kryetari i
bashkisë ia vlerëson kërkesat Kolipoçit dhe fëmijëve të lagjes “Pranvera”,
ndërkohë që ai u jep edhe rrugëzgjidhjet e duhura, duke paraqitur përpara tyre
seriozitet dhe vizione bashkëkohore.
Kryetari u shkëput nga letrat dhe foli me dikë në
telefon, debatoi një copë herë dhe pastaj iu kthye vogëlushit:
-Ankesën tuaj, Kolipoç, për fushën e futbollit do ta
shqyrtojmë menjëherë. Në hapësirën ku sot ndodhet fusha juaj, do të projektojmë
një park të madh sportiv me disa fusha, por edhe me mjedise të tjera kulturore,
artistike dhe argëtuese. Qiellgërvishtësin do ta ndërtojmë në një vend tjetër.
Të pëlqen ideja që të ndërtojmë te fusha juaj një park të madh sportiv?
-Po, më pëlqen, veçse ju lutem, kur të diskutoni
projektin, na ftoni edhe ne fëmijët që të shfaqim mendimet tona. Më jepni
fjalën, xhaxhi kryetar?
-Po, Kolipoç, fjalë burrash!
Episodet,
informacioni, si dhe mesazhet e shumta të
librit kanë ndikim të madh te lexuesit
e vegjël. Ndërkohë që libri ka
mesazhe të mëdha edhe për të rriturit, veçanërisht kur me takt dhe natyrshëm
shkrimtari përmend dhe u kujton lexuesve 23 prillin - Ditën Ndërkombëtare të Librit,
e cila është caktuar në kujtim të shkrimtarëve Servantes, Shekspir, De Vega, e
ku në Ditën e Librit, në Katalonja të Spanjës, atij që blinte një libër i
dhurohej një trëndafil. Kolipoçi, shoqet dhe shokët e tij kanë marrë iniciativë
që, atë Ditë (23 prill), por dhe në Ditën e Librit për Fëmijë, (që është caktuar më 2 prill,
ditën e lindjes së shkrimtarit të madh danez Andersen), pra, ato ditë, fëmijët duan
t`i rigjallërojnë, ata do të shkojnë pranë librarisë së madhe të qytetit dhe,
cilitdo që blen një libër, ata do t’i dhurojnë nga një trëndafil...Gjithashtu, nëpërmjet episodeve, dialogëve,
batutave dhe bashkëbisedave shfaqen mendime sesi libri të bëhet më tërheqës dhe
në këtë drejtim duhet të angazhohen më mirë të rriturit, prindërit e fëmijëve,
mësuesit dhe shkolla, por edhe institucionet kulturore e artistike.

-Keni dëshirë t’i takojmë
disa prej tyre?-u kishte thënë shoqeve dhe shokëve të vegjël Bubulinoja.
-Ku t’i takojmë, o
Bubulino? Ç’po na thua?! – vërejtën ata të habitur.
-Atje pra, në
bibliotekë, - u tha ai, - koha ikën dhe nuk ndalet, prandaj të mos
e shpërdorojmë, ata na presin.
Kështu që shumë fëmijët të lagjes “Pranvera”, janë bërë
anëtarë të bibliotekës së shkollës dhe asaj të qytetit. Koha e tyre më e bukur,
është kur ata flasim e diskutojmë me njëri - tjetrin për librat që kanë
lexuar...
Është
mbresëlënëse në libër thënia e shkrimtarit të madh amerikan Xhek London: “Në
qoftë se ju nuk do të gjeni kohë të lexoni, atëherë edhe bota nuk do të gjej
kohë t`ju vërë veshin e t`ju dëgjojë”.








