Paulin Zefi: Lezha (Lisi) gjatë sundimit të mbretit të fundit ilir, Gentit

Lezha (Lisi) gjatë sundimit të mbretit të fundit ilir, Gentit (181–168 p.K.): Roli strategjik, ushtarak, politik dhe ekonomik
Nga
Paulin Zefi
Gjatë
kohës kur në fron ishte mbreti Pleurati III (197 - 181 p.K.), Lisi përjetoi një
zhvillim të madh ekonomik dhe vazhdoi të ruante vetëqeverisjen brenda
Mbretërisë Ilire të Labeatëve. Mirëpo, vetëqeverisja u bë e vështirë, kur
sundimtar i këtij shteti u bë i biri i Pleuratit III, Genti (181 - 168 p.K.)
(1). Nga ana tjetër, zhvillimi ekonomik i qytetit arrin fazën e tij kulmore
pikërisht gjatë kësaj periudhe (2). Kjo vihet re sidomos në vitin 169 p.K., kur
mbreti Gent e mbajti qytetin si rezidencë provizore (3) dhe e ktheu atë në një
qendër kryesore për ushtrinë e tij, duke i ndërtuar kazermat e ushtrisë
mbretërore brenda murit rrethues (4). Kjo bazë e fuqishme ushtarake mund të
akomodonte deri në 15.000 ushtarë me armatim të plotë (5). Efektivi i kësaj ushtrie
përbën një tregues të rëndësishëm edhe për vlerësimin e potencialit demografik
të qytetit. Nëse fortifikimi i Lisit, që rrethonte një sipërfaqe prej afërsisht
20 ha, kishte kapacitet për të strehuar deri në 15.000 ushtarë të armatosur,
atëherë është e qartë se ai ishte konceptuar për të përballuar një përqendrim
njerëzor shumë më të madh sesa ai i popullsisë së zakonshme urbane. Duke marrë
në konsideratë praninë e familjeve, zejtarëve, tregtarëve dhe kategorive të
tjera të popullsisë civile, mund të supozohet se numri i banorëve të përhershëm
të qytetit gjatë shek. II p.K. duhet të jetë luhatur ndërmjet 5.000 dhe 8.000
vetëve. Në rrethana të jashtëzakonshme, si gjatë konflikteve ushtarake ose
mobilizimit të përgjithshëm të popullsisë së territorit përreth, numri i
njerëzve të strehuar brenda mureve mbrojtës mund të arrinte ose edhe të
tejkalonte shifrën prej 15.000 personash. Ndërkohë, pikërisht në shek. II p.K.,
kur përjetonte një nga periudhat e tij më të begata ekonomike dhe urbane,
Butrinti, i konsideruar ndër qytetet më të zhvilluara të Ilirisë dhe një qendër
e rëndësishme e Pellgut të Mesdheut, vlerësohet të mos ketë pasur më shumë se
3.000 banorë (6). Ky fakt e bën edhe më domethënës potencialin demografik të
Lisit, duke sugjeruar se ai zinte një vend shumë të rëndësishëm në rrjetin
urban të Ilirisë së Jugut dhe se fortifikimet e tij ishin projektuar për të
përballuar jo vetëm nevojat e popullsisë së përhershme, por edhe kërkesat e
mbrojtjes së një territori shumë më të gjerë. Periudha e sundimit të Gentit
përfaqëson edhe fazën e dytë të prerjes autonome të monedhave të qytetit (7),
ku në faqet e këtyre monedhave u vendos portreti i Gentit, i cili mban në kokë
një kapele të tipit “Kausia” dhe në anën tjetër të tyre paraqitet një anije
ilire me legjendën “LISSI-TAN (." Kjo prerje e re e monedhave
shënon edhe fazën fillestare të reformës së mbretit Gent në sistemin monetar, e
cila bazohej në këto drejtime kryesore: A) Unifikimi i monedhave të prera nga
dy qytetet e rëndësishme, Shkodra dhe Lisi, në një monedhë të vetme, duke i
hequr kështu këtyre qendrave autonominë monetare; B)Vendosja e emrit dhe
portretit të mbretit mbi monedha, për të afirmuar autoritetin mbretëror; C)
Ruajtja e simboleve tradicionale të monedhave të mëparshme, që i siguronin
monedhës së re vazhdimësinë dhe me të cilat popullsia ishte mësuar; D) Mbajtja
e së njëjtës peshë dhe masë si monedhat ekzistuese, për të mos krijuar
konfuzion në tregti dhe ekonomi (9). Gjatë gërmimeve arkeologjike dhe punimeve
restauruese në muret antike të Lisit, si dhe në sipërfaqen e terrenit, janë
gjetur mbi 200 monedha prej bronzi (10). Nga studimi i tyre rezulton se në
qytetin e Lisit janë prerë dhe vënë në qarkullim 6 tipe të ndryshme monedhash,
një element që dëshmon qartë për një aktivitet të gjerë monetar (11). Duke
analizuar ndikimin e kultit ilir mbi monedhat antike të vendit tonë, numizmati
i parë shqiptar, H.Ceka, vëren se legjendat greke të përdorura në monedha, si
“Hermes” dhe “Artemis”, mund të jenë thjesht “justifikime greke”, ndërkohë që
figura hyjnore pas tyre ka të ngjarë të ketë origjinë ilirike. Ai argumenton se
monedhat, të cilat mund të konsiderohen “greke”, janë në të vërtetë pjesë e një
tradite më autoktone ilire, veçanërisht për qytetin e Lisit (12). Në rrjetin
tregtar antik të Ilirisë së Jugut, Lisi shërbente si një nyje strategjike
thelbësore, duke lidhur brendësinë me bregdetin dhe duke lehtësuar qarkullimin
e mallrave përmes lumenjve dhe rrugëve tregtare natyrore (13). Gjatë periudhës
së mbretit Gent, Lisi u bë kryqëzimi më i rëndësishëm tregtar i Ilirisë së
Jugut, pasi kontrollonte portin strategjik në Adriatik, lidhej me lumin Drin që
e hapte drejt Dardanisë dhe rajoneve të tjera në brendësi të Europës
Juglindore, shërbente si qendër tranziti, doganare dhe magazinimi, kishte
prodhime zejtarie të zhvilluara dhe funksiononte si qendër import-eksporti.
Krahas rolit të rezidencës mbretërore të Gentit në vitin 169 p.K. dhe
kryeqendrës ushtarake të Mbretërisë Ilire, një shtet që I.Topich e cilëson si
“l’Impero di Genzio (14)”, pra “Perandoria e Gentit”, Lisi shërbeu edhe si
kryeqytet diplomatik. Pasi kishin shkuar më parë në Shkodër (15), dy ambasadorë
të mbretit të Maqedonisë, Perseut, të cilët ishin Adeu maqedonas dhe Pleurati
ilir, erdhën dhe u takuan me mbretin Gent brenda mureve të Lisit, me qëllim që
të lidhnin aleancë kundër armikut të përbashkët, Republikës Romake (16).
Bisedimet filluan në Lis në muajin janar të vitit 169 p.K. dhe pasi u rimorën
disa herë gjatë këtij viti, përfunduan në janarin e vitit tjetër 168 p.k., kur
Genti e theu aleancën me Romën (17) dhe pikërisht në këtë qytet, në vitin 168
p.K., ai mblodhi forcat e tij për të luftuar me romakët (18). Gjatë Luftës së
Tretë Iliro – Romake (168 p.K.), e cila zgjati vetëm 30 ditë (19), një luftë që
Apiani i Aleksandrisë e zbret në 20 ditë (20), Lisi u bë pika e përqendrimit të
ushtrisë mbretërore dhe baza kryesore operacionale e forcave tokësore dhe atyre
detare, që niseshin nga ky qytet për të sulmuar romakët (21). Kundër mbretit
Gent u angazhua komandanti romak, Lucius Anicius Gallus, i cili, duke ardhur
nga Italia e Jugut, zbarkoi pranë Apollonisë me flotën e tij, madhësia e së
cilës nuk dihet me siguri. Forcat e tij përbëheshin nga dy legjione romake, me
gjithsej 10.400 këmbësorë dhe 600 kalorës, si dhe nga kontingjentë të aleatëve
italikë, që përfshinin 10.000 këmbësorë dhe 800 kalorës. Këto trupa u
përforcuan më tej nga një kontingjent prej 5.000 marinarësh, ndërsa kësaj force
të konsiderueshme iu shtuan edhe 2.000 këmbësorë dhe 200 kalorës të fisit ilir
të Parthinëve, aleatë të Republikës Romake (22). Mjafton përdorimi i një metode
të thjeshtë krahasuese midis dy fuqive ndërluftuese për të kuptuar arsyet pse
ushtria e Gentit nuk ishte në gjendje të përballonte numerikisht forcat e
kombinuara të Lucius Anicius Gallus, si dhe pse përplasjet ushtarake ndërmjet
tyre u zhvilluan brenda një periudhe të shkurtër kohore, që nuk i kaloi 30
ditë. Përplasja e parë me peshë ushtarake ndërmjet mbretit Gent dhe komandantit
romak, Lucius Anicius Gallus, u zhvillua pikërisht në qytetin e Lisit, i cili
përbënte një pikë strategjike kyçe në teatrin e operacioneve të kësaj fushate
(23). Genti pësoi disfatë, qyteti i Lisit u pushtua me sulm nga ushtria romake,
dhe një pjesë e konsiderueshme e mureve u shkatërruan (24). Pas fitores ndaj
Gentit në Lis, duke e detyruar të tërhiqej drejt veriut, Lucius Anicius Gallus
e ndoqi atë deri në muret e Shkodrës, ku mbreti ilir pësoi disfatën
përfundimtare (25). Të njëjtin fat si Genti e pësoi edhe aleati i tij, Perseu,
mbreti i Maqedonisë (26). Dy mbretërit e mundur, Genti dhe Perseu së bashku me
familjet e tyre, me plaçkë dhe robër të shumtë lufte u dërguan në qytetin e
Romës dhe në këtë mënyrë morën fund dy shtetet e fuqishme të Ballkanit, duke u
krijuar mundësi romakëve, që ata të depërtonin lehtësisht me pushtimet e tyre
nëpër krahinat e tjera të Ballkanit dhe të pellgut të Egjeut (27). Komandanti
romak, Lucius Anicius Gallus, jo vetëm që fitoi luftën kundër Gentit, por bëri
edhe një plaçkë të madhe, pasi mori me vete 54 okë flori (69.2 kg), 38 okë
argjend (48.7 kg) dhe 123.000 copë monedha argjendi (28). Këtu shihet shumë
qartë se sa i pasur ka qenë mbreti Gent në ato kohë. Ushtarët romakë që morën
pjesë në këtë luftë u shpërblyen gjithsecili me 10 monedha për person, prijësit
dyfish më shumë, ndërsa kalorësit tri herë më shumë (29). Mirëpo, pjesa më e
rëndësishme e plaçkës së sekuestruar në Mbretërinë Ilire të Labeatëve përbëhej
nga 220 anije të flotës së saj madhështore, të cilat, me një dekret të posaçëm
të Senatit Romak, iu dhuruan banorëve të Korkyrës, Apolonisë dhe Epidamnit.
Mbreti Gent, me bashkëshorten e tij, mbretëreshën Etleva, bijtë Skerdilaid dhe
Pleurat, si edhe vëllai i tij, Karavantius, u parakaluan në rrugët e Romës dhe
u futën në Kapitol përpara karrocës triumfuese të pretorit Lucius Anicius
Gallus (30). Pas këtij poshtërimi publik, familja mbretërore u dërgua së pari
në Spoleto (31) dhe më pas në qytetin Iguvium (Gubio), ku mbreti Gent jetoi dhe
vdiq si rob (32). Nga ana tjetër, pushtimi i Lisit nga romakët nuk shënoi
fundin e jetës në këtë qytet, por ai vazhdoi të jetonte, veçanërisht në brigjet
e lumit Drin, ku kantieret e mëdha të anijeve ilire tashmë punonin për flotën
romake. Pas fitores mbi Gentin, Republika Romake e ndau Mbretërinë Ilire në tri
njësi të veçanta administrative (33) dhe njësia e parë, e cila përfshinte
territorin midis lumit Mat dhe kufijve jugorë të Labeatëve, kishte si qendër
pikërisht Lisin (34). Njësia pseudoautonome e Lisit nën kontrollin e Republikës
Romake, mendohet të ketë përfshirë territoret e bashkësisë së mëparshme ilire
të Lisit, e cila mbulonte afërsisht trevat ndërmjet lumenjve Drin e Bunë në
veri, duke përfshirë në lindje krejt Mirditën dhe Lurën e sotme, si dhe pjesën
më të madhe të trevës së Matit, ndërsa nga jugu atë e ndante nga Parthinët lumi
i Matit (35). Në përmbyllje, mund të thuhet se Lisi (Lezha) gjatë sundimit të
mbretit të fundit ilir, Gentit, përfaqësonte qendrën e dytë më të rëndësishme
politike, ushtarake dhe ekonomike të Mbretërisë Ilire, pas Shkodrës. Pozita
strategjike e qytetit, sistemi i fuqishëm i fortifikimit dhe roli i tij në
organizimin ushtarak të shtetit ilir dëshmojnë për peshën e veçantë që Lisi
gëzonte në kuadër të politikës shtetformuese të Gentit. Burimet historike dhe
të dhënat arkeologjike tregojnë se Lisi nuk ishte thjesht një qendër urbane e
zhvilluar, por edhe një nyje shumë e rëndësishme e kontrollit territorial dhe e
komunikimit ndërmjet hinterlandit ilir dhe hapësirës adriatike. Megjithëse
disfata e Gentit në Luftëb e Tretë Iliro-Romake (168 p.K.) shënoi fundin e
pavarësisë së shtetit ilir, rëndësia e Lisit nuk u zbeh. Përkundrazi, qyteti
vijoi të ruante rolin e tij si një qendër shumë e rëndësishme urbane edhe gjatë
periudhës romake, duke dëshmuar se zhvillimi i arritur në epokën e Gentit dhe
të mbretërve ilirë paraardhës, kishte krijuar themele të qëndrueshme për
vazhdimësinë e jetës qytetare. Në këtë kontekst, studimi i Lezhës së shek. II
p.K. nuk ndihmon vetëm në kuptimin e organizimit politik dhe ushtarak të
Mbretërisë Ilire, por edhe në vlerësimin e rolit që ky qytet luajti në
historinë e hershme urbane të bregdetit lindor të Adriatikut. Për këtë arsye,
Lezha mbetet një dëshmi shumë e rëndësishme e nivelit të zhvillimit shtetëror,
ekonomik, ushtarak dhe kulturor të ilirëve në prag të pushtimit romak, duke
zënë një vend të privilegjuar në historinë e Qytetërimit Ilir.
BIBLIOGRAFIA:
1-
N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 47; Sh.Gjongecaj, Emisione të reja
monetare nga qyteti antik i Shkodrës (Scodra) / New monetary issues from the
ancient city of Shkodra (Scodra), në: Iliria, vol. 40, 2016, f. 97-109.
2-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore:
Studime për Mesjetën, f. 179.
3-
S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 22.
4-
N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 47.
5-
S.Islami, Shteti ilir në luftat kundër Romës (231 - 168 para e. sonë), në:
Iliria, vol. 3, 1974, f. 40; A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri,
Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 489.
6-
N.Ceka, Butrinto, f. 29.
7-
K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 50; L.Brunga, Lissus, the city of 12 gates, f. 39.
8-
S.Islami, Prerjet monetare të Skodrës, Lisit dhe Gentit (Përpjekje për një
rishqyrtim të problemit), në: Iliria, Vol. 2, 1972. Qyteti Ilir. Botim i
veçantë me rastin e « Kuvendit të parë të studimeve Ilire » mbajtur në Tiranë
me 15-21 Shtator 1972, II. f. 351-376; Sh.Gjongecaj, Emisione të reja monetare
nga qyteti antik i Shkodrës (Scodra) / New monetary issues from the ancient
city of Shkodra (Scodra), në: Iliria, vol. 40, 2016, f. 97-109; E.Malaj,
Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për
Mesjetën, f. 180-181.
9-
Sh.Gjongecaj, Emisione të reja monetare nga qyteti antik i Shkodrës (Scodra) /
New monetary issues from the ancient city of Shkodra (Scodra), në: Iliria, vol.
40, 2016, f. 106.
10-
K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 48-49.
11-
Ibidem, f. 52.
12-
H.Ceka, Ndikimi zotërues i kultit ilir mbi monetat antike të vendit tonë / The
Influence of the Illyrian Cult on Ancient Coins from Albania, në: Iliria, vol.
30, 2001, f. 5-8.
13-
A.Mano, Tregtia dhe arteriet tregtare në llirinë e Jugut / Commerce et artères
commerciales en Illyrie du Sud, në: Iliria, vol. 6, 1976, f. 113-124.
14-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 327.
15-
S.Islami, Shteti ilir në luftat kundër Romës (231 - 168 para e. sonë), në:
Iliria, vol. 3, 1974, f. 38.
16-
E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017,
Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 19.
17-
S.Islami, Shteti ilir në luftat kundër Romës (231 - 168 para e. sonë), në:
Iliria, vol. 3, 1974, f. 38.
18-
N.G.L.Hammond & F.W.Walbank, A History of Macedonia: 336-167 B.C., Vol.
III, Oxford: Clarendon Press, 1972, f. 537; E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së
Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f.
19.
19-
A.Stipçeviç, Ilirët, f. 48; N.G.L.Hammond & F.W.Walbank, A History of
Macedonia: 336-167 B.C., Vol. III, Oxford: Clarendon Press, 1972, f. 538.
20-
Appian of Alexandria, The Roman History, (Translated from the Greek by Horace
White), Vol. I: The Foreign Wars, London & New York: George Bell and Sons,
1899, f. 263.
21-
S.Islami, Shteti ilir në luftat kundër Romës (231 - 168 para e. sonë), në:
Iliria, vol. 3, 1974, f. 30-41.
22-
N.G.L.Hammond & F.W.Walbank, A History of Macedonia: 336-167 B.C., Vol.
III, Oxford: Clarendon Press, 1972, f. 538.
23-
H.G.Liddell, A History of Rome, from the Earliest Times to the Establishment of
the Empire, New York and London: Harper & Brothers, 1899, f. 462.
24-
N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 47.
25-
H.G.Liddell, A History of Rome, from the Earliest Times to the Establishment of
the Empire, New York and London: Harper & Brothers, 1899, f. 462.
26-
M.Tartari, Nga pellazgët te shqiptarët, f. 134-135.
27-
E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017,
Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 19-20.
28-
L.Thallóczy, Të ndodhunat e Shqypnís, Botimi i Tretë, f. 104.
29-
Ibidem, f. 104.
30-
K.Patsch, Ilirët, (Përkthyem prej Karl Gurakuqit), Tiranë: Nikaj, 1923, f. 17.
31-
W.Smith, A Dictionary of Greek and Roman Biography and Mythology. Vol. II:
Earinus–Nyx. London: John Murray, 1880, f. 245; A.Stipçeviç, Ilirët, f. 48.
32-
K.Patsch, Ilirët, (Përkthyem prej Karl Gurakuqit), Tiranë: Nikaj, 1923, f. 17.
33-
K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 54.
34-
S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 23.
35-
H.Ceka, Shënime nga geografia historike e Ilirisë së Jugut / Réflexions sur la
géographie historique de l'Illyrie Méridionale, në: Iliria, vol. 14 n°1, 1984,
f. 17.
Paulin Zefi
Akropoli Ilir i Lisit: 03.06.2026.









