Ndue Ukaj: Ibrahim Rugova - “Me varg në shpirt m’çeli pranvera…”

Ibrahim
Rugova: “Me varg në shpirt m’çeli pranvera…”
Sot,
në promovimin e librit “Poezia shqipe”,
që përmban studimet e Ibrahim Rugovës për poezinë shqipe, të botuara në
librat e tij dhe në shtypin e kohës, përgatitur nga Munish Hyseni, fola për
krijuesin, që me varg në shpirt e çeli pranvera, për krijuesin që ndër vite u
shndërrua në një pranverë të mrekullueshme për kombin shqiptar, frytet e së
cilës, janë të mëdha, në kulturë e politikë.
Ibrahim
Rugova, fillimet krijuese i nisi si poet, aktivitetin kulmor letrar e vazhdoi
si studiues, duke e kurorëzuar si krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës.
Në
thelb, Rugova ishte një shpirt i bukur poetik, një krijues i ndjeshëm, gjë të
cilën e pohonte, kur thoshte se nuk donte të ishte si ballkanasit që vetëm
kritikojnë, por donte të krijonte.
Në
vitin 1969, ai shkroi poezinë “Vargje e lotë”, ku ka një varg domethënës: “Me varg në shpirt m’çeli pranvera”. Kjo
është edhe poezia e fundit e poetit, që do të bëhet intelektual dhe studiues i
madh i poezisë në veçanti dhe letërsisë në përgjithësi.
Ky
varg në shpirt me të cilin Rugovën e çeli pranvera, jetoi në jetën e Rugovës
deri në fund, duke e bërë veprën e tij një pranverë plot jetë e dritë në jetën
kulturore shqiptare.








