Ndue Dragusha: I lirshëm, i thellë, i guximshëm dhe zë origjinal
Portret krijuesi
I LIRSHËM, I THELLË, I
GUXIMSHËM E ZË ORIGJINAL
-
Rreth veprimtarisë ktijuese e studimore të shkrimtarit Llesh Ndoj - portret i
pa autorizuar -

Nëse
do të më duhej ta përshkruaja me një fjali portretin e intelektualit dhe shkrimtarit
te njohur Llesh Ndoj, poet, studjues, gazetar e shkrimtar tashmë i njohur në
Lezhë e më tej, këto janë të parat gjëra që më vijnë ndërmend rreth punës së
tij shumëdimensionale: i lirshëm në poezi, i thellë në studime, i guximshëm në
publicistikë dhe një zë origjinal në jetë e në krijimtari. Këto fjalë –
konkluzion rreth portretit të tij krijues e intelektual nuk është e lehtë t’i
arrish nëse nuk e njeh në brendi atë çfarë ky njeri ka sjell si gjurmë në
letrat shqipe, por edhe si njeri, karakteristikë e të cilit është ecja pa
zhurmë e bujë në udhën e tij si intelektual e krijues, me synimin që të lej pas
gjurmë që mund t’i qëndrojnë kohës e jo thjeshtë një tymtajë që kalon sapo koha
të ndryshojë. Ky tipar i tij nuk ka lindur dje, por e ka shoqëruar
personalitetin e tij që në rininë e hershme, ku edhe pse në kohë të vështira
për të gjithë, ai ka ditur ta shënojë mjeshtërisht emrin e vet. I shkolluar aty
ku i thanë, se e tillë ishte koha, ai arriti rezultate maksimale në mësime, të
tilla që e projektuan për në katedër, por rryma e kohës e kërkoi të
kontribuonte në Mirditën e tij. Dhe Lleshi nuk u merakos aspak, përkundrazi, iu
përvesh punës që të shënonte emrin e vet aty në vendlindjen e tij fort të
dashur. Kur sapo i kishte mbushur të njëzet e gjashtat, koha e thërriti si
drejtues të njërës nga ekonomitë bujqësore më të vështira në rrethin e
Mirditës, dhe ai e shënoi me sukses emrin e tij, në mos me rezultate, të cilat
ishin tepër të vështira për t’u arritur, me sjelljen e tij njerëzore dhe
intelektuale. Ai me krenari e thotë se vendin ku punova, drejtova e jetova për
disa vite në sistemin e kaluar, e konsideroj si vendlindjen time të dytë… Unë
nuk kam qenë disident, të thotë Lleshi, kur e pyet për atë periudhë, por nuk
kam munguar që organeve partiake e shtetërore të kohës t’ua bëj të qartë atë se
çfarë çalonte në ekonominë e përbashkët, gjë që i ka sjellë edhe përplasje e
ndëshkime prej tyre. Bile edhe më përpara kësaj, student në fakultet, shokët e
tij tregojnë se ai ishte përplasur edhe më pedagogët më të “vështirë” të kohës,
vetëm e vetëm për mësimdhënien, tekstet e mënyrën e kontrollit të dijeve.
I
tillë mbeti edhe në demokraci, sepse për Lleshin nuk ka e nuk mund të ketë dy
të vërteta. Edhe pse me dy fakultete e me rezultate të krahasueshme me pak si
ai në shkallë vendi, Lleshi ka rreth 25 vite që merret me një punë të tij si i
punësuar në sektorin privat, krejt i pavarur nga shteti, pasi ai mbetet
gjithnjë kritik kur vjen fjala për punët e shtetit dhe nuk e njeh “përkuljen”
para autoritetit të karriges, por vetëm para autoritetit të ligjit dhe
rezultateve që flasin pa patur nevojë për altoporlante. Ai kurrë nuk aplikoi
për një punë shteti, jo se të ardhurat që realizon në punën që ka janë më të
larta, por se për të, pavarësia është ajo për të cilën meriton të paguhet çdo
çmim. E Lleshi, jo vetëm nuk duket i penduar për këtë, por ndjehet krenar edhe
për faktin që, si e thotë ai, ky pozicion i detyruar nga rrethanat e kohës, ka
vite që është bërë zgjedhja e tij, dhe kjo zgjedhje i ka dhënë gjithë lirinë e
kërkuar të merret me letërsi, me studime e gazetari. Për këtë fakt atij nuk i
dhimbsen as të njëzet vitet e shkollës e rezultatet e arritura në to, ndonëse
s’kishin të bënin me fushën që ka zgjedhur të kontribuojë sot. I hodha një
vështrim librit të tij më të fundit të botuar deri më tani, titulluar
“Këndvështrime 3 - Publicistikë” (Marianistët, 2026) dhe lexova këtë shënim të
tijin: “Në rini më pëlqeu politika,
ngase e mendova atë si mjetin me të cilin mund ta afroja të ardhmen, sot merrem
me të aq sa jam i detyruar të merrem me një mjet të prishur që më ka bllokuar
udhën…”, shënim që më duket se e shpreh bukur edhe qëndrimin e tij.
Tani
le të përqëndrohemi në portretin e tij si krijues. Lleshi, kur e pyet se kur ka
nisur të merret me letërsi, nuk ka një datë të saktë të ta thotë, pasi gjuha
shqipe dhe letërsia kanë qenë pjesë e tij që në vegjëlinë e hershme, por
natyrisht që ai e ka një datë kur ka dalë para lexuesit me librin e parë, dhe
kjo datë ka qenë relativisht e vonë e shënon vitin 2005. Por që nga ajo kohë ai
nuk ka patur të ndalur, duke sjellë për lexuesit një numër të konsiderueshëm
botimesh në poezi, në studime, por edhe në prozë të mirëfilltë letrare. Janë
aktualisht të botuara 12 vëllime me poezi, dy me studime monografike, disa me
studime për personalietet shoqërore e të fushës së letërsisë, një libër me
humor dhe një roman, por ka në dorë e të gatshëm për botim, siç na e shpjegon
ai, edhe dy libra të rinj me poezi, një hulumtim mbi pasuritë gjuhësore
mirditase, një roman e plot projekte krijuese në të gjitha zhanrrat letrare.
“
- Poezi është jeta, kur qanë e qesh!”. Kështu shkruante poeti i madh kosovar
Azem Shkreli e ky motiv duket se është përvetësuar denjësisht në veprimtarinë
krijuese poetike të autorit Llesh Ndoj. Po t’i hedhësh një sy faqes së tij në
rrjetin social facebook, ai i përshëndet ndjekësit e tij të shumtë thuajse çdo
ditë me nga një poezi të re, apo nga një e shprehur poetike, gjë që më bën të
besoj se ai e krijon lirshëm poezinë. E ka konstatuar mjeshtërisht këtë fakt
studjuesi, kritiku e krijuesi i përmasave kombëtare, prof.dr. Anton Nikë
Berisha, në një seminar shkencorë që, nën kujdesin e tij, poetë, shkrimtarë e
studjues të Kosovës mbajtën në Klinë kushtuar veprimtarisë krijuese të Llesh Ndojit.
Ja si e thekson ai thelbin e krijimtarisë poetike të Llesh Ndojit: “…sot e
vështrojmë veprën e një poeti sa të natyrshëm, aq edhe të mëvetësishëm.”, për
të vijuar me karakteristikat e poezisë së këtij autori, me “Çështja e parë që
bindesh kur i lexon me vëmendje poezitë e botuara të Llesh Ndojit është se ato
janë hartuar me lehtësi dhe me natyrshmëri.”, dhe rendit fakte e shembuj që e
justifikojnë këtë përcaktim, për të vijuar me “Çështja e dytë që bie në sy në
poezinë e Llesh Ndojit është se ai përligj mprehtësinë e mendjes me aftësinë e
shtjellimit të tekstit poetik,…”, duke sjell në vëmendje të lexuesve shprehjen
e shkencëtarit Ryder e konstatimin e tij se një mendje e mprehtë nuk është
fenomen, por mpleksja e të dyjave, e dhuratës poetike dhe mendjes së mprehtë,
takohet rrallë. Besoj se sado të mundohesh e të gjeshë diçka më përfaqësuese
rreth poezive të këtij autori, nuk mund të sjellësh më shumë se kaq e se, ngado
që t’i biesh, në konkluzione të përafërta do të përfundosh, sepse si e thotë
vetë autori Llesh Ndoj (“Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm”, “Faik Konica”
Prishtinë, 2025), “E vërteta është se më “vështirësi” ndjejë në një komunikim
të zakonshëm me të tjerët…, se sa në një bashkëbisedim me vetveten në vargje
poetike.”. Poezia për këtë autor ka motive jete nga përditshmëria. Vargjet e
tij janë dhimbje e gëzim, e qeshur me shpirt e lot që të përvëlon, janë
frymëzim e dashuri që nisin nga gjërat e thjeshta e tentojnë të ngrihen në
vargje hyjnore, por kurrë ato nuk nisen nga motive urrejtje. Lleshi shkruan në
të gjitha tipet e poezisë, shkruan poezi të strukturuara me numër rrokjesh e me
metrikë të rregullt, por kryesisht shkruan në vargje të lira, dhe si e thotë
vetë ai, në raportin mes ngrohtësisë së mesazhit të vargut me normat strikte të
poezisë, ai anon nga e para. Për të mesazhi është i pari dhe ky mesazh duhet
doemos të kaloje nga zemra e të përmbajë ngrohtësinë e saj, edhe nëse forma nuk
i përmbush pltësisht normat e poezisë. Jo vetëm kaq, por në bindjen e tij
artistike është formësuar tashmë mendimi se artit në përgjithësi dhe poezisë në
veçanti “i rri ngushtë çdo kostum” i gatshëm dhe se nuk janë normat që e
kushtëzojnë poezinë, por poezia që nxit evoluimin e normave. Tradita, gjuha
shqipe dhe realiteti shqiptar janë pjesë e përkushtimit të autorit Llesh Ndoj.
E konstaton këtë edhe prof.dr.Labinot Berisha kur thotë: “…vepra poetike dhe
studimore e Llesh Ndojit shfaqet si një dëshmi e qartë e pasionit krijues, e
mendimit të thellë dhe e përkushtimit përballë traditës, gjuhës dhe realitetit
shqiptar.”, ndërsa poeti Prend Buzhala, potencon për autorin se “…shkruan për
të tashmen me mallin e së kaluarës dhe shpresën e një të ardhmeje.”, pohim që
gjenë miratimin e plotë të autorit kur thekson se “Gjithnjë e mendoj dhe
mundohem edhe ta shpreh atë në të gjitha format që merr fjala, se në të sotmen
gjenden njëkohësisht tri kohë: e djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja, ndaj
mundohem që më të bukurën e të djeshmes ta qëmtoj në të sotmen e ta projektoj
edhe në të nesërmen,…”.

Edhe
në librat monografikë kushtuar figurave të tilla si shkrimtari kosovar me
origjinë mirditore, Hasan Hasani, Ndue Frrok Prendi apo gazetari Gjon Gjoni (me
bashkëautor), Lleshi shënon gjurmë krijimtarie, pasi zbërthimin e tipareve të
personazheve të veta e bën nga brenda, jo nisur nga kornizat standarte
biografike të kohës, duke depërtuar thellë në tiparet e personazhit që vendos
në vëmendje të lexuesit. Jo vetëm në këta libra, por edhe në recensat e
ndryshme, apo analizat e veprave letrare të shkrimtarëve të ndryshëm, qofshin
ata të përmasave kombëtare apo lokale, kjo anë e zbërthimit të krijimtarisë së
tyre përbën një veçanti lehtësisht të dallueshme. Duke qenë edhe vetë një
shkrimtarë lokal, ai jo vetëm nuk i nënvleftëson shkrimtarët e këtij niveli,
por shkruan për ta dhe i vlerëson rregullisht me analizat e recensionet e tij,
ashtu siç paraqitet edhe si pjesë e krijimtarisë së tyre, herë si recensent e
herë si redaktor, apo herë tjetër si përgatitës për botim i veprës. Për autorin
Llesh Ndoj nuk ka libër e shkrimtarë të këqinj, por lexues që nuk gjejnë atë që
duhet me marrë nga vepra e tyre, sepse të dalësh me një libër është mund e
sakrificë, por edhe guxim që mendimet tuaja t’i bësh publike e të ballafaqohesh
me opinionin përmes tyre. Jeta shpalos të gjitha anët e saj, e në krijimtarinë
e Lleshit s’kishte si të mungonte as humori. Ai e shfaq këtë përmasë edhe në
poezi, edhe në prozë, edhe në publicistikë, ku humori i hollë e deri sarkazma,
nuk mungojnë në librat e tij. Libri “T’bame e t’pa bame” (grimca humoristike,
viti 2025), është i gjithi i kësaj gjinie letrare. Duke folur rreth këtij
libri, shkrimtari e regjizori Alket Bushpepa, do të shprehej se Lleshi ka
“…krijimtari të pasur e të larmishme në zhanrre, të ngulitur thellë në
identitetin kulturor shqiptar, sidomos në atë mirditor.”, ku ve në dukje se
humori i pasqyruar prej tij në këtë libër është vjelë nga mençuria popullore,
por nuk mungojnë në të as humori politik e ai erotik, të shprehura me një gjuhë
lakonike dhe të pasur. Në romanin e tij të parë “Shtjellë fatesh” (2025) që po
gjenë terren të kandshëm tek lexuesit, krahas traditës e kulturës popullore,
gjenë vend bukur e natyrshëm edhe humori politik. Promovimi i këtij libri në
Lezhë, përmes fjalës së Anton Nikë Berishës, Nikoll Lokës, Pashk Aliajt, Dod
Pjetrit, Ded Rramanit, Martin Dedës, poetit Fran Laska, gazetarit Frrok Çupi,
pedagogut Pjetër Ndreca, ushtarakut Ded Prenga e diskutantëve të tjerë,
shpalosi vlerat reale të këtij libri e të autorit Llesh Ndoj, duke veçuar
traditën e përcjelljen e saj si një nga anët më pozitive. Libri vazhdon të
ndiqet me kërshëri e rreth tij vazhdon të ketë reagime pozitive në shtyp.
Gazetari Frrok Çupi e quajti atë si prurje të guximshme dhe si vazhdim të
librave monografikë Fani e Domgjoni, përmes një gjuhe ku arti i fjalës të lejon
të shprehesh më tepër se sa një studim strikt monografik, siç janë ato.

Lleshi
dhe vepra e tij janë një vlerë e shtuar në letrat e letërsinë shqipe, dhe do të
zënë vendin që meritojnë e do të pasqyrohen gjithnjë e më shumë në opinionet e
analizat e kritikës letrare në vijimësi.






