Meti Rexhepi: Çelësi magjik i fëmijërisë

2h më parë

ÇELËSI MAGJIK I FËMIJËRISË (Trajtesë analitike)

Xheladin MJEKU: “NJË PIKNIK NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK”; “NËN GJETHE KAM SHTËPINË”; “LULET NUK KANË MOSHË” (Trilogji poetike për fëmijë), botoi Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës; shtypur në Shtypshkronjën Lena Graphic, Prishtinë, 2026

Nga Meti REXHEPI

Shkrimtari Xheladin MJEKU me rastin e 65 vjetorit të lindjes së tij, botoi tri vëllime librash me poezi për fëmijë: “NJË PIKNIK NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK”, “NËN GJETHE KAM SHTËPINË” dhe “LULET NUK KANË MOSHË” poezi për moshën më të re të fëmijëve. Tre librat me ilustrime u botuan në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të miratuar nga Profesor Dr. Shyqeri Galica, redaktuar nga Profesor Dr. Adem Zejnullahu, recensuar nga Xheladin Çitaku dhe Qazim Berisha. Trilogjia për fëmijë u shtyp në Shtypshkronjën “ Lena Graphic” në Prishtinë, më 2026.

“NJË PIKNIK NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK” është poemë në vargje e rimuar, e ndërtuar kryesisht mbi dy personazhe; njëri është i drejtpërdrejtë, ndërsa tjetri bartësi i përvojës është gjyshi. Gjysh mund të ishte secili nga gjyshërit e përkushtuar për nipërit dhe mbesat, por në këtë hapësirë kureshtjesh për botën e faunës është gjyshi me shije prijatare, Ai që zgjon dhe ushqen kureshtjet e vogëlushit Matin.

Që në fragmentin e dytë të poemës gjyshi me shije poetike është i prirë nipit t’i sjellë pamje të drejtpërdrejta, të përfytyruara vetëm në kallëzime gojore përrallash... Tash ndodh përballja e pa frikshme me natyrën e frymorëve të egër, por e rrethuar me grila të fortë metali të kopshtit zoologjik:

“Mund të shfletosh

Libra të pa fund,

Por pamje të këtilla

Nuk i gjen askund.

--

Brenda këtyre bjeshkëve,

Rrethuar nga çdo anë,

Botanikë e mahnitshme

Që frymën ta ndalë” 1

Nga rrethoja në rrethojë veta e përvojës vijon me durim t’ia zgjojë ndjeshmërinë dhe kërshërinë vocërrakut për botën harmonike të shtazëve:

“Që ka krijuar natyra” dhe se natyra:

Është fontanë dëshirash...” (Po aty; f. 8)

Teksti poetik ia zbukuron funksionin jetësor natyrës: natyra ka aq begati sa gjithfarë dëshirash mund t’i plotësojë, gjithçka që dëshiron “Do ta gjesh aty.” Pra, nuk ka dyshim për mungesë mospërmbushjeje dëshirash në atë hambar të madh të natyrës. Krahas shijes së fjalësit të derdhur në vargje, kundruall faqes tjetër është pamja e blertë e shkrirë në ngjyra të kaltra të qiellit, e bardhë - hirta e reve tufa - tufa të shpërndara në kaltërsi, pastaj e blerta e kurorave të drunjve gjethe - plotë  e pyllit, e verdha e lule verdhave, e përhirta e gardhit dhe, tej malet hir - kaltëroshe të tablosë.

1 Xheladin MJEKU: “Një piknik në kopshtin zoologjik”; Lena graphic”, Prishtinë, 2026, f. 8

Gjithnjë fjalët dhe ngjyrat, vargjet dhe pikturat e shtojnë joshjen e shijes brenda kopertinave të librit.

Gjyshi, personazh i përvojës, duke e tërhequr nipin afër rrethojës së kopshtit zoologjik, i jep shkas atij të ngre një mori pyetjesh dhe të ndërtojë dialogun e trajtave të shumta të kureshtjeve, që nuk është e lehtë të jepen si përgjigje më të pranueshme për moshën e vocërrakut, sidomos përmes masës së paraqitjes së vargut:

“- Gjysh, pse unë veç një top,

Leopardi ka topa plot?” (Po aty; f. 10)

Shpesh herë kureshtjet e fëmijëve madhorin e lënë pa tekst. Të jemi fare të sinqertë, ndonjë herë nuk ia dalim pyetjeve të tyre t’ua japim përgjigjet më të mira të mundshme dhe, doemos në psiken e fëmijës mbeten paqartësi enigmatike. Por, pikërisht këmbënguljet për t’i kapur kuptimet e gjë sendeve zgjojnë shqisat e botës së tyre imagjinare. Mu në përgjigjet e pyetjeve të fëmijëve, shfaqet apo do të duhej të shfaqej shkathtësia e poetit ose shkrimtarit që merr të trajtojë botën e shpirtrave të tyre pa mëkate në poemë ose në një prozë të gjatë.

Rregullat e kopshtit zoologjik vogëlushit i lënë përshtypje krejtësisht tjetër fare. Jo si paraqiten në përrallat e arealit tonë të pasur gojor: për arinjtë, luanët, ujqërit, krokodilët e ujërave të nxehtë, për leopardët, elefantët, gjarpërinjtë helmues, hienat, për kafshët shtëpiake dhe shpezët e buta e të egra.

Nga vizita në kopshtin zoologjik me nipin për dore kultivohet mbresa e një edukimi paqësor mes grabitqarësh e pa parë dhe e pa dëgjuar! Kopsht mbajtësit kishin arritur t’i harmonizojnë të kundërtat e karaktereve grabitqare në një frymë bashkëjetese:

“Është për t’u çuditur

Me këtë bashkëjetesë,

Përballë ujku e dhia,

Sikur dajë e mbesë!” (Po aty; f. 14)

Mirëpo, me gjithë mëdyshjen e aty për atyshme, “nipçja” e kuptoi se paqja mes grabitqarëve nuk ishte arritur nga vullneti që kishin ata. Ajo ishte kushtëzuar prej rregullave ndërmjet grilave që kishin vendosur zotëruesit e kopshtit:

“Dhe sikur të mendohej

Ndonjë armiqësi,

Mes këtyre grilave

S’kanë asnjë mundësi” (Po aty; f. 20)

Pyetje pas pyetjesh, përmes personazhit të “nipçes”, vijojnë të shtrohen kureshtjet dhe, zhvillohet diskursi poetik i përgjigjeve që përmbushin tridhjetë fragmentet pesë strofash të tërësisë së poemës. Mirëpo, krahas vargjeve njëkohësisht janë ilustrimet me ngjyra, të cilat, e joshin anën pamore të lexuesit duke ndërthurë atmosferë të gjallë, ritme e nuanca ngjyrash, përjetimesh të ngrohta për lexuesit njomakë. Nëpërmjet figurave të lehta poetike të personifikimit, të njerizimit, të metaforave, të krahasimit, të zmadhimit dhe efekteve tjera stilistike, poeti zbuloi veset dhe instinktet karakteristike të botës shtazore. Të gjitha këto u shërbejnë njomakëve si përvojë njohëse e të jetuarit në bashkësi, por edhe si mënyra jetese.

Rrëfimi poetik dhe përtrollitja e imagjinatës pamore sjellin kënaqësinë e mbresave për përmbajtjen e shkruar, por edhe për pamjet e ilustrimeve nën kornizën e një bote brenda grilave e fortë prej metali.

Duke lexuar secilën pjesë, kryesisht nga pesë strofa, gjithsej tridhjetë s’osh, sa i ka kjo poemë, për secilën shtazë të botës së egër, edhe të atyre që njeriut iu përshtatën plotësisht, autori Xheladin MJEKU ua spikati tiparet e veçanta dhe të përgjithshme të tyre. Interesantja dhe kureshtja qëndrojnë brenda vargjeve. Sytë e njomakut i pikasin ato. Në këtë rrjedh shkrimi, me anë të gjuhës së kapshme artistike, lexuesve të njomë, përkatësisht Matinit, përpos përjetimit mbresëlënës, i hapen horizonte të panjohura të përballjes me një botë që e zbret nga përrallat...

Megjithatë, pak para e fundit të poemës “NJË PIKNIK NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK”, përshtypjet e mrekullueshme të Matinit reflektuan edhe për anën tjetër, atë të padukshmen e lirisë së shtazëve në natyrë:

“ - Ne sot u mrekulluam,

Por këtu bëjnë tjetër jetë,

Të mbyllur nëpër kafaze,

Në okupim të vërtetë”

Kësisoj, dialogu mes Matinit dhe gjyshit nxori përfundimin jo aq të këndshëm:

“- Nipi im i dashur,

Kështu ndonjëherë ndodh,

Dikush rri pas grilave,

Të tjerët të lirë rrojnë!” (Po aty; f. 60)

Një përmbyllje e tillë e përgjithësuar nga diskursi i përgjigjes së poetit lë hapësirë për qasje shumështresore.

“NËN GJETHE E KAM SHTËPINË”

Vëllimi vjershëtor “NËN GJETHE E KAM SHTËPINË”, në shtatë cikle e realizon tërësinë e tij librore, kryesisht me vjersha katër vargjesh. Gjashtëdhjetë e pesë s’osh që autori i quan “tingëllima.”

Shkrimtari Xheladin MJEKU në gjashtëdhjetë e pesë vjetorin e datëlindjes së tij, solli ndjesitë e këndshme, më të bukurat, grishjet e gazmores së jetës të bekuarën fëmijëri. Çfarë hasim këtu në këto “tingëllima” katër vargësh? Në këtë hapësirë shkrimi lexuesi që zotëron shkrim - leximin has natyrën dhe mrekullitë që i shpalos libri i madhërishëm dhe i bukur i natyrës. Shpalimi i natyrës fëmijërore nis nga çerdhja ose shtëpia e zogjve:

“Nën gjethe e kam shtëpinë,

Atdhe e kam qiellin,

Me të aguar dita

Në ballë e puth diellin!”

Shtrirja e shpalimit të gjithë kësaj atmosfere e shpirtit fëmijëror, mandej e ritmeve, e kontrasteve dhe larushisë së ngjyrave të stinëve të jetës, prekjet e gazmores së çunave e të çupave... Vargjet prej një strofe, gjashtëdhjetë e pesë strofat e librit mëtojnë t’i zbërthejnë ngërthesat e djeshme dhe të sotme, fluturimet e dëshirave, sikurse shpezët shtegtarë në ndërrime stinësh... Kureshtjet për botën, për yjtë, për shfaqjet e dukurive atmosferike, pamjet mahnitëse të bjeshkëve shqiptare, bota e ëndrrave, magjikja e rrezeve, për “fjongon pranverore”; dëshirat e çiltra për lirinë e zogjve e të fluturave, për atdheun “Përplot luledielli”, për kultivimin e mëshirës, për dashurinë e pakufishme prindërore... Gjithsesi, motivet e motivimit të fëmijërisë janë llojesh të ndryshme, për shembull: “Shqiponja stoike betohet në flamur”, bletët punëtore që:

“Mbushin plotë me mjaltë

Kavanoz e hoje!”

E tërë kjo larushi jete e lojës e shoqërimit me florën e faunën, e sjell një përfundim dialektik me doza të pashmangshme përjetësimi të botës magjike të fëmijëve dhe, me pikla vese si një tis i mallëngjimit mbi lule - ëndjet e jetës. Poeti përjetësohet në kapitullin e ri të moshës i vetëdijshëm për ndërrimin e brezave, porse assesi ndjehet i përjashtuar nga ajo çerdhe e dashur e fëmijërisë, ngaqë ai po hyn në moshën e tretë të jetës si gjysh:

“Gjithmonë në mesin tuaj,

Edhe unë ndihem i ri,

Jetës ia falim

Një kapitull të ri!” (Po aty; f. 85)

“LULET NUK KANË MOSHË”

Lënda e librit “LULET NUK KANË MOSHË” merr shtrirje në tetë cikle poetike: “Për një pëllumb krahëshkruar”, “Kolovajza e yjeve”, “Këtu ndodhin mrekulli”, “Ku flenë dallëndyshet”, “Ec me moshën dorë për dore”, “Në duel me pasqyrën”, “Kush e drejton lumin” dhe “Pranverës ia them një fjalë.”

Në vëllimin vjershëtor që po i qasemi, nga kënd pamja jonë e hasim të njëjtën tipologji motivuese për moshën fëmijërore, por tashmë niveli i moshës së cilës i përkushtohen poezitë është më i madh dhe, paksa më i thelluar në dukuritë e perceptimet ndijore, pamore dhe zgjimin e reflektimeve ideore të çunave e të çupave. Te ky nivel moshe fillojnë të shtohen përsiatjet për shfaqjet e natyrës e të realitetit jetësor.

Poeti Xheladin MJEKU tashmë i dëshmuar si autor për shkrim - kërkime të së bukurës së shkruar, e thellon dhe zgjeron gamën kërkimore të fushë - shtrirjes letrare artistike, veçmas në shkrime për fëmijë dhe të rinj. Qëllimin e tij autorial e shpreh qartë në poezinë e ciklit të parë të këtij libri “Dua ta shkruaj një libër”:

“Dua të shkruaj një libër sa gjithë Iliria,

Ku gjithmonë aty do të mbretërojë liria!

Dua ta shkruaj një libër sa vetë dashuria ,

Ku çdo herë takohen edhe ëndrrat e mia!

Dua ta shkruaj një libër që lexohet prore,

Ku fëmijërinë time gjithnjë e mbaj për dore!”2

2 Xheladin MJEKU: “LULET NUK KANË MOSHË”; LSHK, Shtypur te Lena Graphic, Prishtinë, 2026

KONCEPTET STRUMBULLARË

Apostrofimet si Iliria, liria, dashuria, ëndrrat, fëmijëria janë koncepte strumbullarë rreth të cilave mbështillen temat, motivet, bëmat, përjetimet, kërshëria, shpalimi artistik i njohjes së botës që e rrethon lexuesin dhe e pajis me pamje që shndërrohen në përfytyrime. Kërkimet e vargut të autorit janë të pandalshme pas vlerave të së bukurës, të së madhërishmes, të mrekullive dhe të përballjeve me të papriturat... Figurat e krahasimit e të zmadhimit (hiperbolat) ngrehin në lëvizje mëtimin e qëllimit fisnik për t’i shtruar këto konceptime programatike; por prore duke e mbajtur “për dore” fëmijërinë si periudhën më të këndshme, jashtë brengave që ua sjell jeta madhorëve që marrin përgjegjësi.

NDJESI PËR FËMIJËRINË

Në librin “LULET NUK KANË MOSHË” motivet e hapësirës së lirisë janë të pashmangshme pikërisht për shkaqe të dhimbshme të historisë:

“I hedh pak dhe’ Kosove

Me dy - tri fjalë bese,

Dhe shtrij hap e krah

Një ëndërr nënkrese.” (Po aty; f.14)

Doemos loja për fëmijët është pjesë e pandashme e rritës, e afrisë e për bashkimit mes motakësh dhe aty zë fill e vijon hareja:

“Unë një gur,

Ti një gur,

Nga shoqëria mos ik,

I bëjmë lojës një mozaik.

---

Unë një gur

Ti një gur,

Pema e jetës

Nuk shembet kurrë!”(Po aty; f. 16)

Porosia e vjershës është e drejtpërdrejtë, ngase e shpie atë te kultivimi i përbashkësisë dhe, në përbashkësi gjendet lumturia. Ritmet e lojës dhe të joshjes poeti Xheladin MJEKU arrin t’i organizojë e t’i harmonizojë artistikisht. Autori i jep liri vargut në gjithë hapësirën e shtrirjes së lirisë. Ai kap shkaset e motivimit nga ndjenjat e gëzimit, të cilave iu dëfton trajta të befasishme të shprehjes poetike:

“Gjeli nga gëzimi,

Iku nga vizatimi,

Dhe ia tha këngës

Në pikë të agimit!” (Po aty; f. 20)

Poezia “Kolovajza e yjeve” kap ritmet e lojës duke e shtrirë përmasën e saj deri në gjerdanin e yjve. Imagjinatës i vijnë në lojë yjet, ndërsa poeti pohon se çfarë do t motivojë loja për kënaqësinë e fëmijëve:

“Loja jonë sjell mrekulli,

---

I mbledh yjet një nga një

Dhe qëndis një fustan të ri.” (Po aty; f. 25)

Poetit i shërbejnë dukuritë e natyrës për të shfaqur trajta të këndshme figurative. Një përtrollitje të tillë e shohim te poezia “A ka krah ylberi.” Kemi përthellim të veshjes së vargjeve me metaforë dhe fluturime të imagjinatës në vargjet e shkëputura të vjershës vijuese:

“Ua lanë sytë ëndrrave,

Dhe pi ujë në gurrat e dashurive,

Merr fëmijët për dore

Dhe flatrojnë kaltërsive.” (Po aty; f. 26)

Përvoja e varg thurjes poetit i ka dhuruar prirjen e portretizimit të fytyrës së fëmijës të dashur dhe, nëpërmjet figurës së krahasimit e të zmadhimit të qëmtojë tipare, që nga një përmasë e vogël e portretit ta shtrijë përmasën e dashurisë te Liqeni i Ohrit apo te Liqeni Metaforik i Lasgushit. Shohim se edhe kësisoj, poeti arrin t’i bashkojë poetikisht bindshëm përmasat e bukurisë artistike mbi portretin e piketuar:

“Dy sy kaltërosh

Si Liqeni i Lasgushit,

Thellë në shpirt më pikasën

Si dy kokrra rrushi.” (Po aty; f. 45)

DYMENDJET PËR TË BUKURËN E FËMIJËS

Sido që të shkruash për fëmijë, të del parasysh trajta e pashpjegueshme e dyshimit, se nuk ke shkruar mjaftueshëm bindshëm për ta. Çfarë mund t’u pëlqejë dhe çfarë nuk ua gëlltitë psikja përplot kureshtje e atyre? Ku dhe kur mund t’ua zgjosh ndjesinë dhe vullnetin për të bukurën e masës së tyre fëmijërore? Poetët pashmangshëm përballen me këso dymendjesh ose dilemash. Një këso përballje do ta ketë pasur edhe autori i këtyre tri vëllimeve simpatike me vargje, ilustrimesh shumëngjyrëshe që joshin lexuesit e çdo moshe. Andaj duke pasur parasysh këto dilema, krijuesi frytdhënës Xheladin MJEKU solli vargje të kapshëm për lexuesit njomakë.

Vjershërimi i poetit MJEKU nuk mëtoi të eksperimentojë, apo që ta zërë shprehjen e fjalësit të tij artistik nëpër hyrje labirintesh pa dalje te kumti i vërtetë poetik. Ai porositë dhe reflektimet brenda rreshtave nuk i fsheh në guacën hermetike të shkrimit. Aluzionet e shkrimit të tij kanë qartësinë dhe kthjelltësinë e duhur për zbërthimin e fenomeneve të jetës e të natyrës, të ndjenjave që formësojnë trajta mendimesh për akëcilën dukuri... Por, në vëllimin poetik “LULET NUK KANË MOSHË”, autorit i ndodh, në pak raste, për të mos thënë në asnjë rast, të kët thurë vargje tej nivelit receptues të diapazonit fëmijëror, siç është vjersha “Vargje me pikëpyetje.”

Megjithatë, autori MJEKU duke qenë krijues edhe me përkushtime të tjera të diskurseve kritike, madje veçmas si tregimtar, po për moshën më të re, përzgjodhi të pasqyrojë gjithçka që prek, ngashënjen dhe grish botën kureshtare dhe magjike të fëmijës. Shumë poezi nismën dhe referimin e kanë në pikëpyetje dhe, kjo përkon me zgjimin e imagjinatës së tyre. Thjesht të qartë: këto tri përmbledhje poetike nuk janë shkruar vetëm për fëmijë. Ato lexohen me ëndje edhe nga moshat e të rriturve. Kategoria e të moshuarve e ndien si nevojë rikthimin te fëmijëria vetjake; por rikthimi doemos shpie në vesën e mallëngjimit. Afër mëndësh ky autor nuk i shmanget fëmijërisë së vet, ngase gjithnjë me dridhje ndjesie e shqipton fjalën “nostalgji.”

FUNKSIONI NDËRTUES I PIKËPYETJES

T’i kapësh ritmet e vargut në vjershërim është mjeshtri e krijuesit të padyshimtë. Pohimi ynë na shpie te poezia “Pentagrami i erërave”:

“Pareshtur pentagrami

Ndryshon melodinë,

Herë vjen zë i frikshëm,

Herë krijon mrekullinë!

----

Herë fishkëllen furishëm

Në stinët me acar,

Herë në lojë me gjethe,

Fillon pranverën mbarë.” (Po aty; f. 62)

Rrita e secilit fëmijë është e ngjizur me lojën, me lëvizjet dhe shtytjet e lojës. Shumëçka tjetër që nuk është lojë, nuk është tërheqëse për fëmijën, fëmijës i sjell bezdi të padurueshme. Rrjedhës së rritës, nga e djeshmja në të sotmen, dialektika e jetës ka ndryshuar rolet. Djalëria ia rritë shtatin dhe vetëdijen fëmijës të djeshëm, por ka shtuar edhe vlerën e formësimit të karakterit, vlerën njohëse të vetëdijesimit dhe, zbërthime tiparesh e mësime për ndryshimin e brezave:

“Dje më mbaje për dore,

Sot radha bie tek unë,

Se vitet mbrapsht i kthyem,

Dashuria rrjedh si lumë!”

Arrijmë lehtë të shquajmë mësimin e porosisë se kryefjalë e katërvargëshit të cituar është dashuria.

Në poezinë “Valixhja e kujtimeve” me shkasin e pyetjes së nipit, gjyshi ngre dialogun e zbrazjes (katarzës) së tij emocionale. Valixhja figurative e gjyshit është e mbushur me kujtime e përjetime të bukura fëmijërore, por edhe me dhimbje e peripeci të zbrazura me lot. Jo vetëm kaq. Aty ruhet e fshehur fëmijëria e gjyshit, një hambar lënde për diskursin e sotëm poetik.

Çelësi magjik i hyrjes në shtjellime motivesh të ndryshme poetike është pikëpyetja. Pikëpyetja në këtë vjershërim ka funksion shtytës për ndërtime të ndryshme figurative dhe ideore. Personazhet e dashura të këtij rendi vjershash: Dorela, Jara dhe Matini mjetin më të fortë komunikues që e përdorin dendur e kanë pikëpyetjen dhe, pikërisht pikëpyetja hap dialogun:

“ – Nipi im i dashur,

Këtu kam mbyllur një botë,

Herë me kujtime të bukura,

Herë plot dhimbje e lot!”

---

Kam këtu një valixhe

Mbushur me kujtime,

Aty ruaj të fshehur

Gjithë fëmijërinë time!” (Po aty; f. 77)

STILI I THËNIES

Njëra nga veçantitë e stilit të shprehjes së poetit Xheladin MJEKU, ndonëse fjala është për shkrimet e tija për fëmijë, është ndërtimi stilistik i thënies apo i kumtit artistik. Stili shpërfaqet mbi rebuset e kuptimit figurativ. Çfarë do të thotë ky pohim për diskursin tonë vlerësues? Kjo do të thotë që pikëpyetjeve të mbarsura me kureshtje të aty për atyshme të mos iu japësh përgjigje të drejtpërdrejta, por që përgjigjet të jenë të tërthortë dhe figurativisht nën shtresime përmbajtjesh. Ato janë prodhimtarë reflektimesh.

Po të lexohet pakëz më përqendrueshëm, një stil të këtillë e hasim te poezia “Kush e drejton lumin”, në faqen 101 të këtij libri.

PËRMBYLLJE

Kam përshtypje se periudhës më të re të letërsisë për fëmijë në rrjedhat e sotme demokratike, po i mungojnë kultivuesit e devotshëm të kësaj letërsie. Lë t’i përmend vetëm disa nga ata, si: Bedri Dedja, Gaço Bushaka, Ali Huruglica, Rifat Kukaj, Zejnullah Halili, Arif Demolli, Abdullah Thaçi, Gani Xhafolli e të tjerë. Nga një plejadë e tillë ende vijojnë të shkruajnë: Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu e ndonjë tjetër.

Nuk mund të jenë të anashkaluar prej kësaj trashëgimie me vlera, edhe disa nga kultivuesit e zellshëm të periudhës së “inteligjencës artificiale”, që ende nuk ka arritur ta ngufasë letërsinë dhe artin e mirëfilltë. Me taktin e kujdesshëm të mos nënvlerësimit, do t’i veçoja dy prej autorëve: Avdush Canajn dhe autorin e kësaj trilogjie poetike Xheladin MJEKUN.

Për përvjetorin e datëlindjes kjo trilogji librore është dhurata më e bukur për shkrimtarin Xheladin MJEKU!

Gjilan, maj - qershor 2026