Lekë Mrijaj: Mikel Suma, arkipeshkëv shqiptar në udhëkryqet e historisë ballkanike, sipas librit të Dom Frok Zefit

2h më parë

Mikel Suma, arkipeshkëv shqiptar në udhëkryqet e historisë ballkanike, sipas librit të Dom Frok Zefit

Shkruan: Lekë Mrijaj

Dom Frok Zefin, përmes studimeve dhe hulumtimeve të tij historiko kombëtare e kishtare, e njoh qysh para më shumë se dy dekadash. Më konkretisht, e kam njohur përmes librit të tij të rëndësishëm Shqiptarët Kelmendas në Hrtkovc dhe Nikinc (1737–1997), mbi të cilin kam pasur rastin të realizoj edhe një reflektim të thellë analitik. Që nga ai takim i parë me veprën e tij, kam vërejtur se Dom Frok Zefi nuk i afrohet historisë si një mbledhës i thjeshtë të dhënash, por si një studiues i kujdesshëm, i cili kërkon gjurmët e harruara të botës shqiptare në arkiva, në dokumente kishtare, në relacione historike, në kujtesën e diasporës dhe në rrjedhat e ndërlikuara të fatit tonë kombëtar.

Ndërsa disa ditë më parë, gjatë një shtegtimi të tij në Kishën e Klinës, ai më ftoi për një ndejë të shkurtër miqësore e vëllazërore dhe, me atë rast, pati mirësinë të më dhuronte dy libra të tij studimorë: Mikel Suma, arkipeshkëv i Shkupit (1695–1777) dhe veprën tjetër me titull Nga njëri brez tek tjetri në shërbim të besimit të krishterë katolik dhe kombit shqiptar, kushtuar familjes Sopi dhe historisë së nderuar të bijve të saj. Ky gjest, përveç vlerës njerëzore e miqësore, kishte edhe një domethënie kulturore e shpirtërore, sepse ishte një ftesë për t’u kthyer sërish te kujtesa, te dokumenti, te historia e Kishës dhe te gjurmët e personaliteteve shqiptare që kanë vepruar në kufijtë e vështirë të shekujve.

Libri Mikel Suma, arkipeshkëv i Shkupit (1695–1777) përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e historiografisë kishtare shqiptare, sepse nxjerr nga harresa një personalitet të madh të shekullit XVIII, i cili lidhet ngushtë me historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Srijem dhe Osijek. Kjo vepër nuk është thjesht një biografi kishtare në kuptimin klasik të fjalës, por një studim me karakter dokumentar, historik, kulturor dhe kombëtar, ku jeta e një arkipeshkvi shqiptar shndërrohet në dritare për të kuptuar gjendjen e katolikëve shqiptarë nën sundimin osman, lidhjet e tyre me Selinë e Shenjtë, rolin e klerit në ruajtjen e identitetit, si dhe lëvizjet e dhimbshme të popullsive shqiptare drejt hapësirave kroate e sllavone. Përmes figurës së Mikel Sumës, autori Frok Zefi na e paraqet një shekull të trazuar, në të cilin altari, arkivi, diplomacia kishtare, lufta, mërgimi dhe kujtesa kombëtare ndërthuren në një rrëfim të vetëm historik.

Mikel Suma lindi më 12 mars 1695 në vendbanimin Babë, në ipeshkvinë e Sapës, në një familje bujare të krishterë. Po atë ditë u pagëzua në kishën e Shën Panteleonit nga famullitari Don Nikollë Kabashi. Këto të dhëna, që në fillim, nuk janë vetëm elemente biografike, por tregues të një mjedisi të formuar kishtar, ku familja, famullia, ipeshkvia dhe shkolla teologjike përbënin hapësirën e parë të formimit shpirtëror e intelektual. Në Babë, ku ndodhej selia e Ipeshkvisë së Sapës, me gjasë funksiononte edhe një shkollë teologjike për kandidatët për meshtarë. Kjo e vendos fëmijërinë e Sumës në një kontekst ku tradita fetare dhe përgatitja kishtare ishin të lidhura ngushtë me jetën e përditshme të bashkësisë katolike shqiptare. Një rëndësi të veçantë në këtë libër ka trajtimi i shkollimit të Mikel Sumës. Përpjekjet e arkipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, që Suma të pranohej në Kolegjin Ilirik të Loretos dhe më pas vendosja e tij në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Fermo, dëshmojnë kujdesin e Selisë së Shenjtë për formimin e klerit shqiptar dhe ballkanik. Vlerësimet e rektorit Tiberijo Pakalorci, i cili e paraqet Summën si të mirë, të vyer, të talentuar mbi mesataren dhe si person prej të cilit pritej shumë, janë dëshmi se ai kishte një profil të dalluar intelektual e shpirtëror. Në këtë pikë, Dom Frok Zefi bën një korrigjim të rëndësishëm ndaj disa pohimeve të pasakta në literaturë, sidomos ndaj mendimit se Mikel Suma ishte françeskan, gjë që nuk dëshmohet nga dokumentet zyrtare. Ky kujdes kritik ndaj burimit dhe ndaj saktësisë historike ia rrit ndjeshëm vlerën shkencore veprës. Pas përfundimit të studimeve, Mikel Suma u shugurua meshtar më 28 tetor 1718 në famullinë e Shën Panteleonit në Babë nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Marin Gjini. Kjo ngjarje shënon fillimin e shërbimit të tij baritor në një kohë kur dioqezat shqiptare vuanin nga mungesa e klerit, nga varfëria, nga presionet osmane dhe nga pasiguria e vazhdueshme shoqërore. Vendosja e tij si misionar apostolik dhe më vonë në Janjevë, me ndërmjetësimin e Vinçenc Zmajeviqit dhe vendimin e Kongregatës për Përhapjen e Fesë, tregon se ai shihej si një meshtar i përshtatshëm për rrethana të ndërlikuara baritore. Njohja e gjuhëve shqipe, kroate, italiane dhe turke nuk ishte vetëm aftësi praktike, por instrument shërbimi, diplomacie dhe ndërmjetësimi në një mjedis shumëgjuhësor, shumëkulturor dhe shumëfetar. Emërimi i Mikel Sumës si vikar gjeneral nga arkipeshkvi i Shkupit, Pjetër Karagiqi, dhe më pas si vikar kapitular pas vdekjes së këtij të fundit më 1727, e vendos atë në qendër të jetës kishtare të arkipeshkvisë. Propozimi i Vinçenc Zmajeviqit për emërimin e tij si arkipeshkëv i Shkupit është shumë domethënës, sepse e paraqet Summën si meshtar shembullor, të çmuar edhe nga pushtetarët osmanë dhe të aftë të jetonte në paqe me ortodoksët. Kjo dëshmi tregon se autoriteti i tij nuk mbështetej vetëm në funksionin kishtar, por edhe në urtësinë njerëzore, maturinë baritore dhe aftësinë për të ruajtur ekuilibrin në rrethana të brishta ndërfetare.  Zgjedhja e tij si arkipeshkëv i Shkupit më 1727, konfirmimi papnor më 15 nëntor 1728 nga Papa Benedikti XIII dhe shugurimi ipeshkvnor më 3 korrik 1729 në kishën e Shën Shpëtimtarit në Velë, nga arkipeshkvi i Durrësit Pjetër Skura, me asistencën e ipeshkvit të Lezhës Gjon Galata dhe ipeshkvit të zgjedhur të Shkodrës Anton Vladani, përbëjnë një moment kulmor në jetën e tij. Kjo ngjarje e vendos Mikel Sumën në vazhdimësinë e hierarkisë katolike shqiptare dhe ballkanike, në një kohë kur arkipeshkvia e Shkupit ishte e dëmtuar rëndë nga luftërat dhe shkatërrimet. Ajo kishte mbetur e organizuar kryesisht në disa misione: Shkup, Janjevë, Prizren, Zym, Gjakovë dhe Pejë, me shumë filiale përreth, si dhe me misione françeskane në Peshter e Rugovë, ku ishin strehuar kelmendasit e ndjekur nga pushteti osman.

Kjo pjesë e librit të dom Frokut, është me rëndësi të veçantë për historinë e katolicizmit në Kosovë dhe në trevat përreth. Përmes relacioneve që Mikel Suma i dërgonte zyrave qendrore në Romë, më 1729, 1732 dhe 1735, del në pah jo vetëm gjendja e rëndë e arkipeshkvisë, por edhe përkushtimi i tij si bari shpirtëror. Ai nuk ishte një arkipeshkëv i mbyllur në distancën e autoritetit, por një prijës kishtar që vizitonte besimtarët, përkrahte priftërinjtë, kujdesej për të sëmurët dhe, në raste epidemish, rrezikonte jetën e vet duke ngushëlluar ata që ishin afër vdekjes. Këtu figura e tij merr dimension të qartë ungjillor: bariu nuk matet vetëm me titullin që mban, por me plagët që prek dhe me barrët që merr mbi vete.

Një nga kapitujt më dramatikë të jetës së Mikel Sumës lidhet me kryengritjen kundër osmanëve dhe me luftën austro-turke. Relacionet ushtarake të vitit 1736 dhe të dhënat e mëvonshme tregojnë se arkipeshkvi ishte përfshirë në përpjekjet për ngritjen e besimtarëve katolikë kundër pushtetit osman, duke e parë këtë si një mundësi për mbrojtjen e fesë së krishterë dhe të bashkësive të shtypura. Kjo përfshirje duhet kuptuar brenda kontekstit të kohës, kur katolikët shqiptarë dhe popullsitë e krishtera të Ballkanit shpesh e shihnin ndërhyrjen austriake si shpresë politike dhe fetare. Mirëpo historia, siç ndodh shpesh, nuk u dha atyre çlirimin e pritur, por një plagë tjetër: shpërnguljen. Përfundimi fatkeq i luftës austro-turke e detyroi Summën, së bashku me shumë besimtarë nga Peshteri, Novi Pazari dhe vise të tjera, të kalonte nën pushtetin austriak.

Ky moment është thelbësor për ta kuptuar dimensionin tragjik të figurës së tij. Mikel Suma nuk ishte vetëm arkipeshkëv i një dioqeze të dëmtuar, por edhe dëshmitar i shkuljes së një pjese të popullit të vet nga vendbanimet historike. Rruga e tij drejt Beogradit, Petrovaradinit dhe Osijekut nuk ishte thjesht një zhvendosje personale, por një ekzil kishtar dhe kombëtar. Në këtë kuptim, jeta e tij përfaqëson fatin e shumë barinjve shqiptarë që u detyruan të shërbenin ndërmjet vendlindjes dhe mërgimit, ndërmjet kujtesës dhe mbijetesës, ndërmjet altarit të braktisur dhe altarit të ri në dhe të huaj.

Vendosja e Mikel Sumës në Osijek hap një kapitull të ri të jetës së tij. Edhe pse u shkarkua nga drejtimi aktiv i arkipeshkvisë së Shkupit, sepse nuk kishte më mundësi të kthehej në selinë e tij, ai nuk u tërhoq nga shërbimi kishtar. Si pensionist i pallatit mbretëror dhe më pas si sufragan e vikar për qytetin e Osijekut, ai vazhdoi të kryente shërbime ipeshkvnore në kisha, kuvende dhe dioqeza të ndryshme. Krezmimet, shugurimet, bekimet e këmbanave, kelshatave, gurëve të altarëve dhe pjesëmarrja në meshët solemne dëshmojnë se autoriteti i tij kishtar mbeti i gjallë për dekada. Veprimtaria e tij në Gjakovë të Kroacisë, Peçuh, Petrijevci, Valpovë, Dardë, Vukovar, Ilok dhe Petrovaradin e paraqet atë si një ipeshkëv të mërguar, por jo të heshtur; të larguar nga Shkupi, por jo të larguar nga shërbimi.  Në Osijek, Mikel Suma u bë një nga personalitetet më të nderuara të qytetit. Ai jetoi në miqësi me ipeshkvij, klerikë, bujarë kroatë, oficerë, qytetarë dhe të varfër. Portreti që del nga libri i Dom Frok Zefit është ai i një njeriu me zemër të madhe, me shpirt të mirë, me mençuri, besim dhe bujari. Kjo anë njerëzore e bën figurën e tij më të plotë, sepse e nxjerr nga skema e thjeshtë e funksionarit kishtar dhe e vendos në hapësirën e një dëshmitari të gjallë të krishterimit. Ai nuk la pas vetëm akte zyrtare, por edhe kujtim mirësie, ndihme dhe përkujdesjeje.

Një vlerë e veçantë e veprës është paraqitja e pranisë shqiptare në Osijek. Autori e lidh ardhjen e Sumës me bashkësinë më të gjerë shqiptare, ku përfshihen edhe familje të krishtera shqiptare nga Çiprovcit, Klisura, Zhelezna dhe Kopilovci, të cilat pas shkatërrimeve osmane u vendosën në hapësirat sllavone. Me ardhjen e Mikel Sumës dhe farefisit të tij, kjo prani shqiptare fitoi një figurë të lartë kishtare dhe kulturore. Nipi i tij, Mihail Suma, tregtar, deputet i qytetit dhe sindik i kuvendit, si dhe familjarë të tjerë, dëshmojnë se kjo nuk ishte vetëm histori klerikale, por edhe histori shoqërore, familjare dhe qytetare.

Në të njëjtën vijë duhet parë edhe hapja e institutit për edukimin dhe shkollimin e priftërinjve shqiptarë kelmendas për fshatrat Hrtkovc dhe Nikinc, me nxitjen e mbretëreshës Maria Tereza. Emrat e nxënësve Anton Mala, Simon Deda, Karl Gega, Jakob Loshi, Augustin Prela, Ndre Marashi dhe Gjelosh Pali janë më shumë se emra në një listë historike; ata janë dëshmi e një përpjekjeje për ta ruajtur vazhdimësinë shpirtërore, gjuhësore dhe kombëtare të kelmendasve të shpërngulur. Në këtë kontekst, libri i Dom Frok Zefit e zgjeron figurën e Mikel Sumës përtej biografisë së tij personale dhe e vendos atë në historinë e institucioneve arsimore, të formimit klerikal dhe të diasporës shqiptare në Kroaci.

Një aspekt tjetër me rëndësi shkencore është paraqitja e Mikel Sumës si protektor i diskutimeve teologjike në kuvendin françeskan të Osijekut. Diskutimi publik mbi sakramentin e rrëfimit, i mbajtur më 16 shtator 1742, në praninë dhe nën mbrojtjen e tij, dëshmon se ai nuk ishte vetëm bari i jetës sakramentale, por edhe përkrahës i kulturës teologjike dhe i debatit akademik kishtar. Gravura e Familjes së Shenjtë, e dhuruar me atë rast dhe e ruajtur më vonë në Muzeun e Sllavonisë në Osijek, është një dëshmi e rrallë ku ndërthuren arti, teologjia, shtypi, arsimi dhe kujtesa personale e një arkipeshkvi shqiptar. Kjo e bën figurën e Sumës të rëndësishme jo vetëm për historinë kishtare, por edhe për historinë kulturore të Osijekut.

Vdekja e Mikel Sumës më 20 nëntor 1777 dhe varrimi i tij më 22 nëntor në kishën françeskane në Osijek përmbyllin një jetë të gjatë, të mbushur me shërbim, zhvendosje, sakrificë dhe nderim. Pllaka përkujtimore prej mermeri të zi, e vendosur mbi varrin e tij në korrik të vitit 1778, me stemën ipeshkvnore dhe epitafin latin të hartuar nga françeskani Josip Pavisheviq, është shenjë se ai nuk u harrua nga bashkësia ku jetoi vitet e fundit. Përveç pllakës, atë e kujtonin edhe sendet e çmueshme, fondet bamirëse dhe trashëgimia e tij shpirtërore e qytetare.

Me shumë rëndësi dokumentare është edhe përshkrimi i zbulimit të varrit të tij më 13 nëntor 1992. Hapja e kriptës, gjetja e arkivolit të dëmtuar, eshtrat e shpërndara, mitra ngjyrë vjollce, unaza ipeshkvnore, pacifikali, kryqi ipeshkvnor, sandalet pontifikale dhe pjesët e rrobave liturgjike krijojnë një pamje të fortë historike dhe simbolike. Në atë çast, historia nuk mbetet më vetëm në dokumente, por del në sipërfaqe përmes trupit të heshtur të një bariu të dikurshëm. Varri bëhet arkiv, eshtrat bëhen dëshmi, kurse sendet liturgjike flasin për një jetë që u shpenzua në shërbim të Kishës dhe të popullit.

Ngritja e bustit të Mikel Sumës më 1996 nga Bashkësia Shqiptare në Republikën e Kroacisë, me rastin e 800-vjetorit të përmendjes së emrit të qytetit të Osijekut, 300-vjetorit të lindjes së tij dhe 260-vjetorit të shpërnguljes së kelmendasve në Srijem, është akt i rëndësishëm memorial dhe kulturor. Ky akt e ktheu Summën nga një figurë e mbuluar nga heshtja e arkivit dhe e kriptës në një prani publike të kujtesës shqiptare, kroate dhe kishtare. Ligjëratat shkencore të mbajtura me atë rast, si dhe mesha solemne e ipeshkvit të Gjakovës dhe Sremit, Imzot Qiril Kos, dëshmojnë se figura e tij mbetet pikëtakim ndërmjet historisë shqiptare, historisë kroate dhe historisë së Kishës Katolike në Ballkan.

Nga pikëpamja shkencore, libri i Dom Frok Zefit ka disa vlera themelore. Ai është i rëndësishëm për historiografinë kishtare shqiptare, sepse sjell në vëmendje një arkipeshkëv shqiptar të shekullit XVIII, të lidhur me Sapën, Shkupin, Janjevën, Kosovën dhe Osijekun. Ai është i rëndësishëm për studimet mbi diasporën shqiptare në Kroaci, sepse e ndërlidh figurën e Sumës me kelmendasit, me shqiptarët e Çiprovcit dhe me institucionet arsimore për formimin e klerit shqiptar. Ai është i rëndësishëm për historinë politike dhe shoqërore të Ballkanit, sepse tregon pasojat e luftërave austro-osmane mbi popullsitë katolike shqiptare. Mbi të gjitha, libri është i rëndësishëm sepse e trajton historinë kishtare jo si një histori të mbyllur brenda mureve të institucioneve, por si histori të gjallë njerëzish, bashkësish, shpërnguljesh, shërbimesh dhe kujtese. Në aspektin metodologjik, autori dëshmon kujdes për burimin, për saktësinë e të dhënave dhe për lidhjen e biografisë individuale me kontekstin e gjerë historik. Ai nuk e paraqet Mikel Sumën si figurë të izoluar, por si pjesë të një rrjeti më të madh kishtar, kulturor dhe kombëtar. Kjo qasje e bën librin të dobishëm jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për studiuesit e historisë së Kishës, të diasporës shqiptare, të marrëdhënieve shqiptaro-kroate dhe të historisë së katolicizmit në Ballkan.

Megjithatë, nga një këndvështrim kritik, mund të thuhet se një ribotim i ardhshëm i veprës do të mund të pasurohej edhe më shumë me indeks emrash, indeks vendesh, hartë të lëvizjeve të Mikel Sumës, kronologji të shkurtër të jetës së tij dhe ndoshta me një aparat më të zgjeruar krahasues mbi arkipeshkvinë e Shkupit në shekullin XVIII. Këto elemente nuk do ta ndryshonin përmbajtjen themelore të librit, por do ta bënin atë edhe më funksional për përdorim akademik, universitar dhe kërkimor.

Në përfundim e them me plotë kuptimin e fjalës se ky libër me titull: Mikel Suma, arkipeshkëv i Shkupit (1695–1777) është një vepër me vlerë të veçantë për kujtesën historike shqiptare. Përmes saj, Dom Frok Zefi rikthen në dritë një figurë të rëndësishme kishtare, e cila përfaqëson jo vetëm dinjitetin e një arkipeshkvi, por edhe dramën e një populli që jetoi ndërmjet pushtimit, shpresës, mërgimit dhe qëndresës. Mikel Suma del nga ky libër si njeri i formuar, meshtar i përkushtuar, misionar apostolik, arkipeshkëv i guximshëm, mbrojtës i besimtarëve, mërgimtar i detyruar dhe personalitet i nderuar në Osijek. Jeta e tij është urë ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Shkupit, Romës, Vjenës dhe Kroacisë; ndërmjet altarit dhe arkivit; ndërmjet historisë kishtare dhe kujtesës kombëtare.

Prandaj, libri i Dom Frok Zefit nuk duhet lexuar vetëm si monografi për një arkipeshkëv shqiptar të shekullit XVIII, por si nj? dëshmi për rrënjët e thella të katolicizmit shqiptar, për rolin e klerit në ruajtjen e identitetit, për fatin e kelmendasve dhe për lidhjet historike shqiptaro-kroate. Në figurën e Mikel Sumës bashkohen shërbimi, sakrifica, mërgimi dhe kujtesa. Ai ishte bari i Shkupit, por u bë edhe dëshmitar i Osijekut; ishte bir i Sapës, por u shndërrua në figurë të diasporës shqiptare; ishte njeri i shekullit XVIII, por përmes punës së Dom Frok Zefit i rikthehet me dinjitet kujtesës sonë bashkëkohore.

Mirënjohje Dom Frok vertetë më bëri përshtypje libri juaj simpatik dedikuar arkipeshkvit Mikel Suma, të cilin e njoha edhe aq më tepër gjeneologjin dhe biografinë e tij shumëdimensionale shpirtërore, kombëtare dhe kulturore. Faleminderit!