Lekë Mrijaj: Fjala publike mund të ndërtojë ura, por edhe t’i rrënojë

3h më parë

FJALA PUBLIKE MUND TË NDËRTOJË URA, POR EDHE T'I RRËNOJË

Shkruan: Lekë Mrijaj

Ka kohë që nëpër televizione, portale dhe rrjete tona sociale po shohim një dukuri çoroditëse që më të vërtetë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Gjithnjë e më shpesh po paraqiten njerëz jokredibilë apo të papërgatitur, të cilët marrin rolin e gazetarit, analistit, opinionistit apo edhe të teologut, pa pasur gjithmonë përgatitjen, maturinë dhe përgjegjësinë që e kërkon fjala publike.

Nuk është problem që dikush të ketë mendim ndryshe. Përkundrazi, demokracia jeton nga mendimet edhe krejt ndryshme. Problemi fillon atëherë kur mendimi shndërrohet në banalitet, fyerje, provokim, përçarje dhe kur hamendjet personale paraqiten si të vërteta të padiskutueshme.

Kjo dukuri nuk duhet lidhur me një fe të caktuar. Njerëz të tillë mund të jenë nga komuniteti katolik, mysliman, ateist apo nga cilido grup tjetër. Shqiptaria nuk matet me përkatësinë fetare dhe askush nuk ka të drejtë të paraqitet si pronar i saj. Historia jonë ka dëshmuar se shqiptarët, që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e deri më sot, edhe përkundër karaklizmave mesjetare sunduese kanë ditur të jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, pavarësisht dallimeve fetare.

Ajo që e shqetëson më tepër është niveli i ulët në të cilin ka rënë një pjesë e debatit publik. Nganjëherë krijohet përshtypja se, për t'u bërë analist, mjafton të flasësh me zë të lartë, të krijosh konflikt dhe të prodhosh një deklaratë për klikime, e cila më pas shpërndahet në rrjetet sociale. Por le ta kuptojmë se zhurma nuk është argument dhe fama nuk është dije.

Gazetaria kërkon etikë profesionale dhe përgjegjësi. Analiza kërkon njohuri shumëdimensionale. Teologjia kërkon formim të shëndoshë shpirtëror dhe intelektual. Historia kërkon burime, dokumente dhe hulumtim serioz. Nuk mund të flitet për çdo çështje sikur të gjithë kemi jetuar në ato kohë apo më fjalë tjera të ishim njëkohësisht historianë, teologë, politologë, juristë dhe ekspertë të çështjeve kombëtare.

Edhe mediat kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Institucionet dhe organet që mbikëqyrin mediat duhet të kërkojnë respektimin e standardeve profesionale dhe ligjore. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndalohet fjala e lirë. Përkundrazi, fjala e lirë duhet të mbrohet, por bashkë me të duhet të mbrohen edhe parimet e të vërtetës, si dhe vet dinjiteti i njeriut dhe interesi publik.

Redaksitë televizive gjithashtu duhet të pyesin veten se kë po e vendosin para publikut dhe për çfarë arsye. Nëse qëllimi është vetëm shikueshmëria, sensacioni dhe numri i klikimeve, atëherë rrezikojmë që debati serioz të zëvendësohet me spektakël, ndërsa argumenti me zhurmë të llojit të budallënjëve.

Kosova dhe shoqëria jonë në përgjithësi kanë nevojë për njerëz të përgatitur dhe profesionistë, të cilët dinë të debatojnë më një kulturë evropiane, pa fyer, të kundërshtojnë pa përçarë dhe të argumentojnë pa e shpallur veten padronë apo pronarë të së vërtetës. Pra, nuk kemi nevojë që secili të bëhet ekspert për çdo gjë.

Prandaj disi më duket shumë e qëlluar ajo thënia e vjetër popullore: "Gjithkush me mbajt shpi, Kola jem i mban tri."

Populli ynë me pak fjalë, ka ditur të thotë shumë. Secili duhet ta njohë përgjegjësinë dhe kufirin e vet. Sepse, kur të gjithë pretendojnë se dinë gjithçka, në fund askush nuk dëgjon askënd.

Prandaj, le të kemi më pak zhurmë dhe më shumë gjuhë të argumentit; më pak përçarje dhe më shumë kulturë debati; më pak pseudoekspertë dhe më shumë njerëz të përgjegjshëm. Sepse fjala publike nuk është lodër. Ajo mund të ndërtojë ura, por edhe mund t'i rrënojë ato.

Klinë, më 20 gusht 2026.