Izri Rexha: Ku ishe ti kur unë luftoja?
KU ISHE TI KUR UNË LUFTOJA?
Drejtuar
atij që e quan veten ushtar të lirisë, por mohon kontributin e të tjerëve për
çlirimin

Liria
nuk erdhi nga një dorë e vetme. Ajo ishte fryt i një qëndrese të përbashkët, i
sakrificës kolektive dhe i mbështetjes së botës demokratike, e cila besoi te e
drejta jonë për të jetuar të lirë. Asnjë luftëtar, sado trim të ketë qenë, nuk
do të mund ta sillte i vetëm lirinë pa përkrahjen e popullit, pa rezistencën
qytetare, pa sakrificën e familjeve dhe pa vëmendjen ndërkombëtare që u zgjua
nga krimet e kryera nga Serbia ndaj popullatës civile. Prandaj, përpjekja për
ta përvetësuar lirinë si meritë personale nuk e nderon luftën; përkundrazi, e
zvogëlon madhështinë e saj dhe e mohon të vërtetën historike se liria u fitua
nga shumë duar, shumë zemra dhe shumë sakrifica të përbashkëta.
Populli
shqiptar i Kosovës ishte i bashkuar, sidomos nga vitet ’80 e tutje, në
përballje me shtypjen sistematike dhe me projektin e regjimit serb për
nënshtrim e spastrimin e elementit shqiptar nga trojet e veta. Lufta për liri
nuk nisi në ditën kur u dëgjua krisma e parë e armës; ajo kishte filluar shumë
më herët, në protestë, në burg, në shkollë, në familje, në mërgim dhe në çdo
akt refuzimi ndaj padrejtësisë. Shqiptarët e Kosovës kërkonin të drejta
themelore njerëzore e kombëtare përballë një politike që synonte homogjenizimin
serb dhe zhdukjen e subjektivitetit tonë politik. Heqja e autonomisë së Kosovës
në vitin 1988 nuk ishte vetëm një akt juridik; ishte goditje e drejtpërdrejtë
ndaj lirisë, dinjitetit dhe ekzistencës sonë kolektive. Që nga ai çast,
represioni u ashpërsua, por po aq u forcua edhe vendosmëria për të jetuar të
lirë. Prandaj, pyetja “ku ishe ti kur unë luftoja?” ka një përgjigje të
thjeshtë: secili ishte aty ku koha dhe rrethanat e thirrën të shërbente lirisë
— dikush në vijën e frontit, dikush në mbrojtjen e rezistencës civile, dikush
në burg, dikush në mërgim, dikush duke siguruar mjete, zë e mbështetje. Lirinë
nuk e fitoi vetëm gjenerata e fundit që luftoi me armë; e fituan të gjitha
gjeneratat që rezistuan, u burgosën, u flijuan, u gjymtuan, u martirizuan dhe
nuk pushuan së besuari se Kosova duhej të ishte e lirë.
Po
të kishim zgjedhur nënshtrimin dhe bashkëpunimin me regjimin e Serbisë, liria
nuk do të vinte. Një popull që pranon robërinë për hir të privilegjeve të përkohshme
humb jo vetëm të drejtat, por edhe fytyrën e vet morale. Pikërisht këtu qëndron
rëndësia e rezistencës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova: ajo i dëshmoi
botës se shqiptarët e Kosovës nuk ishin agresorë, por një popull i shtypur që
kërkonte të drejtën elementare për të jetuar i lirë në vendin e vet. Në një
kohë kur ishim të paarmatosur, të pambrojtur dhe pa përkrahje të fuqishme
shtetërore, kjo strategji e mençur e bëri çështjen tonë të kuptueshme dhe të
pranueshme për botën demokratike. Rugova trokiti në dyert e kancelarive
ndërkombëtare me këmbëngulje, ndërsa mërgata shqiptare u bë zëri, krahu dhe
mbështetja financiare e një populli që po mbijetonte nën shtypje. Pa mërgatën,
pa rrjetet e solidaritetit dhe pa punën e palodhur diplomatike, rruga drejt
lirisë do të kishte qenë shumë më e vështirë. Po aq vendimtar ishte edhe
qëndrimi i shoqërisë brenda Kosovës: mësues, profesorë, prindër dhe nxënës që
mbajtën gjallë arsimin nëpër shtëpi private kur shkollat u uzurpuan. Serbia
mund të na i pushtonte institucionet, por nuk arriti të pushtonte ndërgjegjen
tonë. Prandaj, kur shtrohet pyetja “ku ishe ti kur unë luftoja?”, përgjigjja
ime është e qartë: unë isha këtu, në Kosovë, në qëndresë të pandërprerë, pa u
përkulur, pa e shitur ndërgjegjen dhe pa e pranuar robërinë si fat.
Të
gjithë pajtohemi se liria është fitore e popullit të Kosovës, e arritur me
sakrificë të madhe dhe me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë. Por, as para
çlirimit dhe as sot, nuk kemi pranuar të jemi servilë ndaj asnjë regjimi,
shteti apo qendre vendimmarrjeje. Mirënjohja për ndihmën nuk do të thotë
nënshtrim i verbër, as pranim i çdo marrëveshjeje që mund të jetë e dëmshme për
Kosovën. Pikërisht këtu qëndron dobësia jote, o ushtar i lirisë: sot përpiqesh
t’u përshtatesh të gjithëve që na kanë ndihmuar, edhe atëherë kur kjo nënkupton
pranimin e marrëveshjeve që cenojnë interesin e shtetit. Kjo është arsyeja pse
si forcë politike nuk arrin të fitosh besimin e plotë të popullit, sepse
nënshkrimi i akteve shtetërore në dëm të Kosovës nuk mund të paraqitet si
përgjegjësi shtetërore, por si veprim kundër interesit publik. Edhe sot, kur
thërret në emër të Amerikës apo të kujtdo tjetër, duhet ta kuptosh se asnjë
marrëveshje nuk duhet pranuar nëse nuk është në dobi të shtetit dhe të
qytetarëve të tij. Mos u bë servil i askujt dhe mos mendo se një aleat të
respekton më shumë vetëm pse je i nënshtruar; aleatët i respektojnë ata që
mbrojnë me dinjitet interesin e vendit të vet.
Ne
i nderojmë me përulësi të gjithë ata që dhanë jetën për liri, ata që u plagosën,
u gjymtuan dhe sakrifikuan gjithçka për atdheun. Por nderimi për luftën nuk do
të thotë heshtje përballë atyre që, në emër të saj, u pasuruan, uzurpuan
pasurinë publike, shkatërruan ndërmarrjet, shpërdoruan ndihmat që erdhën nga
jashtë dhe e kthyen pushtetin në privilegj personal. Ne nuk mund të nderojmë
ata që, pasi dolën nga lufta me lavdinë e çlirimit, u sollën me arrogancë ndaj
qytetarëve, keqmenaxhuan pasurinë e vendit dhe ndërtuan një sistem klientelist
të tipit “ti mua, unë ty”. Po aq e rëndë është edhe përgjegjësia për
marrëveshje të dëmshme, për cenimin e territorit dhe për vendime që i kanë
kushtuar shumë Kosovës. Më e dhimbshmja është se u pranua një realitet ku u
ngrit një gjykim i veçantë për ushtarët shqiptarë, ndërsa krimet serbe mbetën
pa të njëjtin trajtim të drejtë e të plotë. Prandaj, kur më pyet se ku isha unë
kur ti luftoje, përgjigjja ime është e qartë: unë jam ende këtu, për të të
kujtuar gabimet që ke bërë dhe për të të thënë se shitja e interesit të vendit
është njollë e rëndë morale dhe politike. Lufta për liri nuk të jep të drejtën
të dëmtojnë shtetin për të cilin u luftua.
Etja
për pushtet nuk është liri. Lakmia për pasuri dhe verbimi nga interesi ekonomik
mund ta rrënojnë edhe figurën më të respektuar, nëse njeriu harron thjeshtësinë,
ndershmërinë dhe përgjegjësinë ndaj popullit. Ai që dikur ishte simbol i
qëndresës mund ta humbasë nderin në çastin kur e sheh pushtetin si mjet për
përvetësim, sundim dhe nënshtrim të të tjerëve. Përvetësimi i pronës, abuzimi
me ndikimin dhe dëshira për të dominuar nuk e forcojnë figurën e një ushtari të
lirisë; përkundrazi, ia zhveshin vlerën morale dhe e kthejnë nga simbol
sakrifice në barrë për vetë popullin. Prandaj, nëse do të ruash nderin e asaj
që ke qenë dikur, mbet i thjeshtë, i drejtë dhe i përgjegjshëm, sepse vetëm
kështu pushteti nuk të shkatërron dhe liria nuk përdhoset nga ambicia
personale.


