Hysen Ibrahimi: Idriz Gashi – 'Flasim Shqip'

Suedi / Förslöv,
22.05.2026
DOLI NGA SHTYPI LIBRI “FLASIM SHQIP” I AUTORIT IDRIZ GASHI, PEJË, 2026
Gjuha shqipe nuk paraqitet vetëm
si mjet komunikimi, por si simbol i identitetit, dijes dhe qytetërimit
shpirtëror shqiptar
Këto katër poezi të përzgjedhura nga libri “FOL SHQIP” i poetit Idriz Gashi
përfaqësojnë një poezi me frymë kombëtare, etike dhe nostalgjike, ku fjala
poetike ndërtohet mbi thjeshtësinë e shprehjes dhe mesazhin e drejtpërdrejtë
emocional. Në planin e kritikës letrare moderne, këto poezi mund të lexohen si
një ndërthurje e poezisë identitare, memoriale dhe autobiografike, ku poeti
synon më shumë komunikimin shpirtëror me lexuesin sesa eksperimentimin formal.
Poezia “FOL SHQIP” është manifest identitar dhe etik i gjuhës e cila
ndërtohet mbi figurën imperative të foljes “fol”, e cila përsëritet
vazhdimisht duke krijuar ritëm thirrës dhe karakter manifestues. Gjuha shqipe
nuk paraqitet vetëm si mjet komunikimi, por si simbol i identitetit, dijes dhe
qytetërimit shpirtëror shqiptar.
Në aspektin modern kritik, poezia funksionon si tekst i rezistencës
kulturore në mërgatë. Poeti nuk glorifikon gjuhën në mënyrë romantike
tradicionale, por e lidh atë me etikën e komunikimit: “Fol me dashuri e
respekt”, “Fol me kulturë gjuhësore”. Kjo e zhvendos poezinë nga nacionalizmi
folklorik drejt një vetëdijeje qytetare dhe humane.
Minimalizmi sintaksor dhe vargu i shkurtër krijojnë një poezi, ku mesazhi
mbetet dominant mbi figuracionin artistik.
Poezia “BURRI I FJALËS” – portretizim i etikës tradicionale
shqiptare, ndërton figurën e burrit tradicional shqiptar përmes kodeve morale
të Besës, punës dhe dinjitetit. Personazhi poetik nuk heroizohet përmes akteve
epike, por përmes jetës së ndershme dhe kthimit në vendlindje.
Kjo poezi mund të interpretohet si rikthim i figurës patriarkale në një
kontekst modern emigracioni. “Kurbeti” paraqitet si përvojë ekonomike dhe
ekzistenciale, ndërsa kthimi në vendlindje simbolizon rikthimin tek identiteti
autentik. Poeti idealizon njeriun e thjeshtë, punëtor dhe të respektuar, duke e
ngritur atë në model moral.
Nga pikëpamja stilistike, poezia ruan një narrativitet të drejtpërdrejtë.
Vargu nuk synon kompleksitet metaforik, por autenticitet emocional. Kjo e afron
tekstin me poezinë popullore moderne dhe me realizmin lirik.
Poezia “ENGJËLLI MANTELBARDHË” – mund të thuhet se është poezi
memoriale dhe heroike kushtuar Dr. Fahredin Hotiit, e cila ndërtohet mbi
simbolikën e mjekut si shpëtimtar dhe martir. Figura e “engjëllit mantelbardhë”
bashkon dy dimensione: humanizmin e mjekut dhe sakrificën patriotike të tij.
Në aspektin kritik bashkëkohor, kjo poezi hyn në kategorinë e poezisë
memoriale gjatë luftës, ku kujtesa kolektive ndërtohet përmes figurave të
sakrificës. Emocioni kombëtar shfaqet përmes zërit komunitar: “populli po të
pret”, “nuk të harrojmë”. Pra, individi bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive.
Teksti ka ton që përmbanë elegji[1],
por njëkohësisht edhe heroizmë. Poeti Gashi përdor gjuhë të drejtpërdrejtë dhe
emocionale, duke shmangur simbolikën e ndërlikuar. Kjo e bën poezinë të
komunikueshme dhe të afërt me ndjeshmërinë popullore.
Poezia “BISEDË” – ngjallë nostalgji për pastërtinë emocionale të së
kaluarës e cila shndërrohet në poezia më intime dhe lirike ndër katër
tekstet. Këtu poeti largohet nga dimensioni kombëtar dhe hyn në kujtesën
personale, duke rikthyer kohën e rinisë, dashurisë dhe sinqeritetit njerëzor.
Në leximin modern, poezia trajton nostalgjinë si mekanizëm mbrojtës ndaj
fragmentimit të kohës moderne. Kujtimet për “dashurinë pa gjëlozi” dhe “jetën
pa tradhti” krijojnë kontrast me realitetin bashkëkohor, duke idealizuar të
kaluarën si hapësirë morale dhe emocionale më e pastër.
Poezia mbështetet mbi dialogun dhe kujtesën si forma të rindërtimit të
identitetit personal. Vargu është i qetë, rrëfimtar dhe melodik, çka krijon
atmosferë intime e reflektuese.
Krijimtaria e
poetit Idriz Gashi, e shtrirë në një hark të gjerë kohor deri në ditët e sotme,
karakterizohet nga një komunikim i drejtpërdrejtë dhe një integritet të lartë
emocional. Diskursi i tij letrar ndërtohet mbi premisat e identitetit kombëtar,
moralit tradicional dhe kujtesës kolektive, elemente këto që e pozicionojnë atë
si një zë përfaqësues të poezisë bashkëkohore. Sikurse që mund të themi se
opusi letrar i Idriz Gashit shquhet për vetëdijen e tij të lartë identitare dhe
ndjeshmërinë kombëtare. Përmes një komunikimi transparent dhe të sinqertë me
lexuesin, autori Gashi, integron në vargjet e tij kodet e moralit tradicional
dhe kujtesën historiko-kolektive. Ky gërshetim i tematikave kombëtare me formën
moderne e konstituon profilin e tij si poet bashkëkohor.
Vlera e këtyre poezive qëndron në autenticitetin e ndjenjës dhe në ruajtjen
e një etike shqiptare të fjalës, Besës, kujtesës dhe dashurisë. Në kontekstin e
letërsisë së mërgatës shqiptare, poezia e Gashit shërben si urë mes vendlindjes
dhe mërgimit, mes kujtesës dhe identitetit kulturor e kombëtar.








